Gjermanë të mirë, francezë të këqij?

0
135

dwFranca është duke i shitur Rusisë dy anije lufte, ndërkohë që Gjermania anuloi një marrëveshje për eksportim materialesh ushtarake. Gazetari i “DW”, Christoph Hasselbach, mendon se BE mund të rrezikohet nga ndarja.

 

Ndryshimet në mesazhet që përcillen janë të qarta: Franca po vazhdon marrëveshjen e saj me Rusinë për shitjen e anijeve luftarake, ndërsa Gjermania e ndaloi. Kjo ndodhi pas marrëveshjes së javës së shkuar të BE-së për sanksionet e reja ndaj Rusisë, pavarësisht se një gjë e tillë u kundërshtua nga eksportuesit gjermanë, britanikë dhe ata francezë. Sanksionet e reja nuk do të ndalojnë Francën të zbatojë kontratën. Presidenti François Hollande ka deklaruar se sanksionet vlejnë vetëm për marrëveshjet e reja të biznesit dhe jo kontratat që janë nënshkruar tashmë.

Teknikisht plani për eksportimin e pajisjeve të një qendre ushtarake stërvitjeje në Rusi nga kompania gjermane Rheinmetall nuk do të prekej gjithashtu, sepse kontrata është nënshkruar vite më parë. Sidoqoftë, qeveria gjermane anuloi marrëveshjen me vlerë rreth 100 milionë euro. Natyrisht që tani do të përballet me padinë për dëme nga Rheinmetall, por ajo është e gatshme ta pranojë, duke e paguar me paratë e taksapaguesve.

 

Shembulli gjerman apo ai francez?

Në çdo situatë ka një viktimë. Sanksionet mund të jenë të dhimbshëm edhe për ata që i venë. Por sido që të jetë ia vlejnë. Evropianët mund t’i bëjnë përshtypje Putinit vetëm nëse tregojnë se janë gati të paguajnë një çmim për veten. Por a do të thotë kjo se gjermanët po tregojnë shembullin që duhet ndjekur dhe francezët po tregohen egoistë? Nuk është kaq e thjeshtë.

Rusia mund të përdorë anijet për sulme ose për presion, por nuk mund të përdorë qendrën stërvitore. Deri tani qeveritë konservatore gjermane nuk kanë pasur kundërshtime ndaj marrëveshjeve të armatimeve me Rusinë. Shitjet e Rheinmetall u lejuan vetëm tre vjet pas luftës me Rusisë dhe Gjeorgjisë.

Ishte Ministri i Ekonomisë së Gjermanisë Sigmar Gabriel, nga social demokratët, ai që anuloi kontratën e Rheinmetall, por kristian-demokratët nuk po kundërshtojnë. Politikanët gjermanë i kanë kuptuar vonë kërcënimet që vijnë nga politika e Putin kundrejt Evropës.

 

Putini përfiton

Mund të thuhet se dy anijet luftarake të Francës kushtojnë sa 10-fishi i qendrës stërvitore. Anulimi i kontratës mund të shkaktonte probleme serioze për marinën franceze, ndërsa Rheinmetall mund të rikuperojë shpejt humbjen e saj dhe madje mund të marrë edhe kompensim. Por Hollande gjendet në një moment të vështirë politik në Francë dhe nuk mund t’i lejojë më vetes gabime ekonomike.

Në këtë mënyrë Evropa po i dërgon një mesazh jo të vendosur Rusisë. Ishte e vështirë për BE të binte dakord për sanksionet e tani janë duke u shfaqur krisjet e para. Në një kohë kur disa po zbatojnë planin, të tjerë janë duke injoruar sanksionet.

Presidenti rus Vladimir Putin do të përfitojë nga kjo situatë për të vënë kundër njëri-tjetrit vendet evropiane, siç ka bërë deri tani. Atëherë kur evropianët më në fund do të kuptojnë se liria e tyre ka një çmim, nuk mund të t’ia lejojnë vetës të jenë të ndarë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency