Vjedhja në BSH, qeveria dënon aktin, nuk përmend emra:Ndëshkim për çdo person të përfshirë në krim

0
133

Florenc Drizari

bsh 2 “Ndëshkim shembullor nga drejtësia për fajtorët, si dhe qëndrim  shembullor në respekt të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë”

 Këshilli i Ministrave e konsideron një akt të rëndë kriminal vjedhjen e 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë rreth dy javë më parë, si dhe një sfidë të madhe për drejtësinë, duke nisur nga Prokuroria që, sipas saj, duhet të bëjë një hetim të gjithanshëm. Mbledhja e djeshme e qeverisë u zhvillua në mungesë të Kryeministrit Edi Rama, ndërsa qëndrimi i mbajtur për Bankën e Shqipërisë është i pari reagim zyrtar për ekzekutivin. Në deklaratën e Këshillit të Ministrave nuk thuhet asgjë për guvernatorin Ardian Fullani, i cili ditët e fundit është vendosur në qendër të kritikave për rolin e tij si kreu i institucionit më të lartë bankar. Qëndrimi zyrtar i qeverisë thotë se duhen gjetur mekanizmat e duhur ligjorë për një sistem kontrolli, duke mos cenuar edhe pavarësinë kushtetuese që gëzon Banka e Shqipërisë.

“Ky akt është po ashtu një sfidë e madhe për autoritetin dhe sigurinë e Bankës së Shqipërisë, e cila brenda kuadrit të pavarësisë së vet duhet të garantojë përmes rishikimit të gjithanshëm të rregullave e mekanizmave të funksionimit të brendshëm, mospërsëritjen e asgjëje të ngjashme në të ardhmen. Por ky akt është edhe një sfidë e madhe për pushtetet e tjera vendimmarrëse, Kuvendin dhe qeverinë, që të analizojnë e të konkludojnë në mënyrë konstruktive e në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare, mbi nevojat e masat e duhura ligjore për të garantuar, në respekt të plotë të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë, një sistem solid kontrolli e transparence të veprimtarisë së këtij institucioni kyç për mirëfunksionimin e shtetit shqiptar”, – thuhet në deklaratën zyrtare të qeverisë.

Reagimi i Këshillit të Ministrave e quan të ligjshëm shqetësimin e opinionit publik lidhur me rrjedhën e ngjarjeve në Bankën e Shqipërisë, ku dy ditë më parë pati edhe arrestime të tjera nga policia e shtetit për ish-drejtues të Thesarit, por nga ana tjetër shprehet e kujdesshme për të ruajtur pavarësinë e këtij institucioni në raport me ligjet e vendit.

“Prandaj sot, duke mirëkuptuar shqetësimin publik për ngjarjen e rëndë në Bankën e Shqipërisë dhe duke u bashkuar me këtë shqetësim legjitim, qeveria e Shqipërisë e çmon me rëndësi po aq të madhe qoftë nevojën e një ndëshkimi shembullor nga drejtësia për fajtorët, qoftë nevojën e një qëndrimi shembullor të saj në respekt të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë. Qeveria i siguron të gjithë shqiptarët se po e ndjek me shumë vëmendje ecurinë e veprimit të organeve të drejtësisë për zbardhjen e plotë të krimit tronditës në Bankën e Shqipërisë dhe është e vendosur të luajë rolin e vet për çdo nisëm që do të mund të nevojitet në funksion të një sistemi të padepërtueshëm sigurie në funksionimin e bankës qendrore të shtetit shqiptar”, – përfundon deklarata e qeverisë për Bankën e Shqipërisë. Ndërkohë, po dje është vetëdorëzuar në polici ish-drejtori i Thesarit, Dorian Çollaku, i akuzuar për shpërdorim detyre në lidhje me skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve të reja në Bankën e Shqipërisë. Vetëdorëzimi i tij erdhi pasi dy ditë më parë Prokuroria e Përgjithshme lëshoi një tjetër urdhër ndalimi. Me ndalimin e këtij të fundit shkon në 10 numri i personave të ndalur që dyshohet të jenë përfshirë në skandalin e vjedhjes në Bankën e Shqipërisë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency