Sigurimet për fermerët/ Si do të llogaritet pagesa e kontributeve të të vetëpunësuarve në bujqësi

0
365

bujqesi traktorRuhen favoret e sigurimit shoqëror dhe të sigurimit shëndetësor të fermerëve

Të gjithë pjesëtarët e familjeve fermere, mbi 16 vjeç, që kanë përfituar tokë bujqësore, në pronësi apo në përdorim, nga ligji për tokën nr. 7501, datë 19.7.1991; si dhe personat që kanë blerë apo kanë marrë me qira tokë bujqësore dhe që ushtrojnë aktivitet bujqësore dhe blegtoral, kanë detyrimin për t’u siguruar si të vetëpunësuar në bujqësi.

Për efekt të përfitimeve nga ligji i sigurimeve shoqërore nr. 7503, datë 11.5.1993, fermerët e regjistruar në organet e sigurimeve shoqërore, të cilët kanë realizuar pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore kategorizohen, në grupin e personave ekonomikisht aktivë, të vetëpunësuar në bujqësi.

“Sigurimi shoqëror i fermerëve të vetëpunësuar në bujqësi ka qenë në vazhdimësi i favorizuar për sa u përket kuotave të pagesave të kontributeve, të detyrueshme të sigurimeve shoqërore, sepse pavarësisht prej kuotave më të ulëta, mbështetur në ligjin e mësipërm, të vetëpunësuarit, pra të vetëpunësuarit në veprimtari private në qytet dhe të vetëpunësuarit në bujqësi, trajtohen në mënyrë të barabartë nga ky ligj; që do të thotë se: për të njëjtën periudhë sigurimi si i vetëpunësuari në veprimtari private në qytet ashtu dhe fermeri i vetëpunësuar në bujqësi, me plotësimin e moshës, do të marrin të njëjtën masë pensioni, pra një pension të barabartë.

Reforma në fushën e pensioneve ka në bazë të saj periudhat e sigurimit, pra sa më shumë të kontribuojë një qytetar aq më i lartë do të jetë pensioni i tij”, – thotë Vullnet Sadushi, kryespecialist në Drejtorinë e Kontributeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore.

 

 Por çfarë janë periudhat e sigurimit?

Sadushi thotë se “në mënyrë të thjeshtëzuar me periudha sigurimi do të kuptojmë “vjetërsinë në punë” të të vetëpunësuarve në bujqësi, “të blerë” nëpërmjet pagesave të të detyrueshme të kontributeve të sigurimeve shoqërore, tremujore apo vjetore, për të përfituar nga ligji i sigurimeve shoqërore”.

Edhe vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave nr. 457, datë 9.7.2014, i cili ka hyrë në fuqi më 1 gusht 2014, lidhur me përqindjet, pagat minimale dhe kuotat e pagesës së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ruan favorizimin në pagesat e kontributeve nga të vetëpunësuarit në bujqësi. Më konkretisht:

Një i vetëpunësuar në qytet është i detyruar të sigurohet dhe të paguajë, kontributet e sigurimeve shoqërore, gjatë gjithë vitit 2014, gjithsej 53,034 lekë. Ndërkohë që një i vetëpunësuar në bujqësi, në zonat fushore, paguan vetëm 31,500 lekë ose 59 për qind të detyrimit kontributiv vjetor, pra 21,534 lekë më pak. Mjafton që i vetëpunësuari në bujqësi, në zonat fushore, të paguajë pjesën e tij dhe ai ka “fituar” 21,534 lekë, nëpërmjet subvencionit të buxhetit të shtetit, pagesa në llogarinë kontributive të tij, pranë sigurimeve shoqërore. Po kështu, me një favorizim më të madh është i vetëpunësuari në bujqësi, në zonat malore. Ky i vetëpunësuar paguan vetëm 24,150 lekë ose 45 për qind të detyrimit kontributiv vjetor, pra 28,884 lekë më pak. Mjafton që i vetëpunësuari në bujqësi, në zonat malore, të paguajë pjesën e tij dhe ai ka “fituar” 28,884 lekë, nëpërmjet subvencionit të buxhetit të shtetit, pagesa në llogarinë kontributive të tij pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

“Një kryefamiljar në familjet fermere është mirë të llogarisë në këto “fitime” për të gjithë pjesëtarët e familjes, pasi përveç favorizimeve të mësipërme, në pagesat e kontributeve, pas tyre vijnë edhe përfitimet, nga ligji i sigurimeve shoqërore. Kështu, duke qenë të siguruar çdo pjesëtar i familjes do të ketë dhe do të marrë një pension dhe ky pension është në varësi të viteve të sigurimit. Sa më shumë vite sigurimi, aq më i lartë pensioni. Nuk duhet të lëmë pa përmendur këtu edhe përfitimet e pagesës së barrëlindjes, të lindjes së fëmijës dhe të raporteve të paslindjes, për gratë e siguruara si të vetëpunësuara në bujqësi”, – sqaron Sadushi.

“Të njëjtën gjë mund të theksojmë edhe për favoret në fushën e sigurimit shëndetësor të fermerëve që sigurohen si të vetëpunësuar në bujqësi. Duke qenë të siguruar për efekt të përfitimeve nga ligji i sigurimeve shëndetësore nr. 10383, datë 24.2.2011, fermerët e regjistruar në organet e sigurimeve shoqërore, të cilët kanë realizuar pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore së bashku me kontributet e sigurimeve shëndetësore, përfitojnë nga ligji i mësipërm paketën e shërbimeve të sigurimit të detyrueshëm si: vizitat, ekzaminimet dhe trajtimet mjekësore në qendrat e kujdesit shëndetësor parësor publik dhe në spitalet publike; barnat kundrejt masës së mbulimit, sipas listës së barnave të rimbursueshme etj”..

Kështu, favori kontributiv në fushën e pagesave të kontributeve të sigurimeve shëndetësore për të vetëpunësuarit në bujqësi, duke e krahasuar atë me pagesën e kontributeve të sigurimit shëndetësor me një të vetëpunësuar në qytet, në mënyrë të përmbledhur, është si më poshtë:

Një i vetëpunësuar në qytet është i detyruar të sigurohet dhe të paguajë, kontributet e sigurimeve shëndetësore, gjatë gjithë vitit 2014, gjithsej 15,684 lekë. Ndërkohë që një i vetëpunësuar në bujqësi paguan vetëm 3,600 lekë ose 23 për qind të detyrimit kontributiv vjetor. Pjesa tjetër prej 12,084 lekë ose 77 për qind mbetet subvencion i buxhetit të shtetit, në Fondin e Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor.

Për të përfituar nga formula e re e llogaritjes së pensioneve është e nevojshme të shtojmë se fermerët të cilët nuk i kanë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore, për periudha të kaluara, mund t’i paguajnë ato me kuotat përkatëse të viteve të mëparshme. Në se do të bënim llogaritjet favorizuese për pagesat me kuota shumë të ulëta të viteve që kanë kaluar, siç bëmë llogaritjet favorizuese vjetore, ato janë shuma të konsiderueshme që nuk duhen nënvleftësuar. Konkretisht një qytetari për të blerë vullnetarisht periudha të kaluara, 1.1.1994 deri më 31.12.2013, pra 20 vite sigurimi do t’i duhej të paguante 1 milion lekë ndërkohë që një fermer i zonës fushore të njëjtën periudhë do ta blejë me 205 mijë lekë dhe një fermer i zonës malore do ta blejë me 143 mijë lekë.

“Në këto kushte favorizuese është e nevojshme dhe e domosdoshme që kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të paguhen në afatet e caktuara. Shtojmë se duke qenë kontribute të detyrueshme në rastet kur ato paguhen, jashtë afateve të përcaktuara ligjore, llogaritet dhe paguhet edhe kamatëvonesë”, – shpjegon Sadushi.

Për pagesat e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve dhe shëndetësore fermerët duhet t’i drejtohen inspektorit të Sigurimeve Shoqërore të Komunës apo Bashkisë dhe në asnjë rast nuk duhet të kryejnë pagesa kontributesh pa u pajisur me urdhër veprimin, që plotësohet dhe lëshohet nga ky punonjës. Me kryerjen e pagesës, fermeri i vetëpunësuar në bujqësi duhet ta ruajë dokumentin e pagesës për vete dhe fotokopjen duhet t’ia paraqesë Inspektorit të Sigurimeve Shoqërore të Komunës apo të Bashkisë, që i ka lëshuar urdhër-veprimin.

Favori kontributiv

Favori kontributiv në fushën e pagesave të kontributeve të sigurimeve shëndetësore për të vetëpunësuarit në bujqësi, duke e krahasuar atë me pagesën e kontributeve të sigurimit shëndetësor me një të vetëpunësuar në qytet, në mënyrë të përmbledhur, është si më poshtë:

Një i vetëpunësuar në qytet është i detyruar të sigurohet dhe të paguajë kontributet e sigurimeve shëndetësore, gjatë gjithë vitit 2014, gjithsej 15,684 lekë. Ndërkohë që një i vetëpunësuar në bujqësi paguan vetëm 3,600 lekë ose 23 për qind të detyrimit kontributiv vjetor. Pjesa tjetër prej 12,084 lekë ose 77 për qind mbetet subvencion i buxhetit të shtetit, në Fondin e Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor.

 

Si bëhet llogaritja?

Nëse do të bënim llogaritjet favorizuese për pagesat me kuota shumë të ulëta të viteve që kanë kaluar, siç bëmë llogaritjet favorizuese vjetore, ato janë shuma të konsiderueshme që nuk duhen nënvleftësuar. Konkretisht, një qytetari për të blerë vullnetarisht periudha të kaluara, 1.1.1994 deri më 31.12.2013, pra 20 vite sigurimi do t’i duhej të paguante 1 milion lekë, ndërkohë që një fermer i zonës fushore të njëjtën periudhë do ta blejë me 205 mijë lekë dhe një fermer i zonës malore do ta blejë me 143 mijë lekë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency