Për herë të tretë/ Grabitet argjendaria “Gold”, plagoset pronarja Olta Sinanaj  

0

Sonila Mesareja

Loading...

argjendaria Gold, policia olta sinanaj e plagosurDy personat e maskuar dhe të armatosur grabisin rreth 50 mijë euro flori. Argjendaria, 3 vjet më parë Viktor Gushi vrau Rrapo Sinanajn në tentativë grabitjeje

 Për herë të tretë objekt sulmi i grabitësve argjendaria “Gold” në pronësi të Olta Sinanajt, vajza e argjendarit të vrarë gjatë njërës prej grabitjeve nga Viktor Gushi. Herën e fundit i vranë babain, ndërsa dje kanë plagosur vetë pronaren e argjendarisë. Gjithçka ka ndodhur brenda një minute, ndërsa dyshohet të jenë vjedhur rreth 50 mijë euro flori. Kanë qenë dy persona të maskuar dhe me një motor pa targa që kanë kryer grabitjen në një nga rrugët më të populluara në kryeqytet, te “Selvia”. Grabitësit e maskuar dhe të armatosur kanë marrë floririn që mundën dhe menjëherë janë larguar me motorin tip “Ducati”, ndërsa policia ka mbërritur në vendngjarje e njoftuar nga dëshmitarët dhe bashkëshorti i Sinanajt që panë gjithë skenën e grabitjes. Gruaja ka qenë e vetme në dyqan, ndërsa i shoqi ka qenë duke konsumuar një kafe në lokalin përballë. Madje, ai ka parë se diçka nuk po shkonte në dyqan, por kur është ngritur, njëri nga grabitësit që ndodhej te dera ka qëlluar me armë zjarri në ajër për të mos u afruar njeri. Grupi hetimor që ka mbërritur në vendngjarje ka këqyrur vendin e ngjarjes dhe ka sekuestruar kamerat e sigurisë të argjendarisë dhe bizneseve pranë, me qëllim identifikimin e autorëve.

 

Ngjarja

Ngjarja ndodhi rreth orës 10:00 të paradites së djeshme në zonën e Selvisë në Tiranë, ku biznesi i Olta Sinanajt u grabit nga dy persona të maskuar, të cilët nën kërcënimin e armës arritën të merrnin një sasi të konsiderueshme floriri. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se pronarja e argjendarisë ka qenë e vetme në momentin që dy grabitësit, me një motor të kuq pa targa kanë ndaluar para dyqanit të saj, kanë hyrë brenda dhe nën kërcënimin e armës i kanë kërkuar gjithë floririn. Pasi kanë marrë çfarë kanë mundur nga banaku, ata i janë drejtuar derës dhe në atë moment, Olta Sinanaj ka tentuar të ndalojë grabitësit. Por, në atë moment njëri nga grabitësit është kthyer dhe ka qëlluar në ballë me tytën e pistoletës pronaren e argjendarisë dhe më pas kanë dalë jashtë. Aty kanë qëlluar dy herë në ajër me armë zjarri dhe më pas janë larguar me shpejtësi. Gruaja ka marrë veten nga goditja dhe menjëherë ka shtypur alarmin e sigurisë ku menjëherë ia kanë behur policët privatë që duhet të ruajnë argjendarinë. Gjithashtu, në vendngjarje kanë mbërritur edhe policia dhe më pas një ambulancë, e cila ka shoqëruar gruan me balline gjakosur për në spital, ku ka marrë mjekim nga bluzat e bardha.

 

Hetimi

Grupi hetimor ka nisur menjëherë hetimin për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, e cila ka ndodhur në një rrugë të populluar dhe në mes të ditës. Madje, është një argjendari që bëhet pre e sulmit të grabitësve për herë të tretë, dy prej të cilave me pasojë. Herën e parë në vitin 2011 mbeti i vrarë nga dora e grabitësit Viktor Gushi argjendari Rrapo Sinanaj, ndërsa dje mbeti e plagosur në ballë vajza e tij, Olta Sinanaj. Policia ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, marrjen e ndonjë gjurme të mundshme të mbetur në banak, sekuestrimin e pamjeve filmike të kamerave të sigurisë të argjendarisë por edhe të bizneseve pranë apo përballë. Ndërkohë që policia ka ngritur postblloqe në rrugë të ndryshme të kryeqytetit, me shpresën e kapjes së grabitësve. Ndërkohë që para dyqanit është gjetur një aparat celular, i cili po verifikohet nëse është i pronares, e cila ndodhet ende e traumatizuar apo e ndonjërit prej grabitësve. Gjithashtu, nga Laboratori Shkencor pritet të bëhet ekspertizë e gëzhojave të gjetura në vendngjarje për të parë nëse arma është përdorur në ndonjë ngjarje tjetër.

 

Precedenti

Argjendaria “Gold” e familjes Sinanaj sulmohet për herë të tretë nga grabitësit. Herën e parë dy persona të armatosur dhe të maskuar iu afruan, por nuk mundën të grabisnin argjendarinë. Herën e dytë ka qenë në vitin 2011, kur në dyqan ka qenë Rrapo Sinanaj dhe vajza e tij. Në argjendari ka hyrë Viktor Gushi, i cili në tentativë për të grabitur ka qëlluar për vdekje argjendarin Sinanaj. Ndërsa dje ka qenë sulmi i tretë i ndodhur po në të njëjtën argjendari, ku e lënduar mbeti Olta Sinanaj, ndërsa u grabit një sasi e konsiderueshme floriri. Sërish kanë qenë dy persona të armatosur dhe me skafandra të errëta në kokë që kanë sulmuar argjendarinë.

 

Tropojë/ Gjendet i vrarë me plumb në kokë Shpëtim Sinani

Një 30-vjeçar nga fshati Sopot i Bajram Currit është ekzekutuar me armë zjarri mëngjesin e djeshëm. Viktima është Shpëtim Sinani, ndërsa, sipas policisë, ai është qëlluar me një plumb në kokë. Blutë e Tropojës kanë identifikuar autorin e krimit dhe janë vënë në ndjekje të tij. Mister mbeten motivet e këtij krimi në fshatin e thellë malor të Tropojës. Trupi i pajetë është gjetur rreth orës 07:30 në vendin e quajtur Kthesa e Mejdanit. Policia ka identifikuar autorin e kësaj vrasje, i cili gjithashtu rezulton person me precedentë penalë, i kërkuar dhe nga drejtësia Kosovare, i akuzuar për vjedhje. Policia nuk bën të ditur identitetin e tij, ndërsa shprehet se është një person me rrezikshmëri të lartë dhe po punon për kapjen. Shkak i kësaj ngjarje dyshohet prishja e pazareve mes palëve.

 

Tiranë/ Operacioni, kapet me 29 doza heroinë Sokol Hoxha

 Një shpërndarës droge ka rënë në pranga të policisë së Tiranës. Oficerët e antidrogës në një operacion të koduar “Punto” kanë arrestuar Sokol Hoxhën, ndërsa iu sekuestruar 29 doza heroinë. Sipas policisë, Hoxha është arrestuar në rrugën “Qemal Stafa” në kryeqytet, ndërsa nga hetimet ai shpërndante doza heroine në rrugë. Ndërkohë policia po punon për të identifikuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë.

 

Tiranë/ Mashtrimi me skemën e TVSH-së, arrestohet 53-vjeçari

Policia e Tiranës arrestoi një 53-vjeçar i cili dyshohet si pjesë e një grupi prej 10 personash të akuzuar për mashtrime me skemat e TVSH-së. Sipas burimeve policore, Estref Dedja u prangos dje pas urdhrit të lëshuar nga Gjykata e Tiranës e cila ka dhënë masën e sigurisë në mungesë “Arrest me burg”. 53-vjeçari Dedja është personi i nëntë nga grupi prej 10 personash që akuzohet për mashtrime në shuma të mëdha me skemat e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Ndaj tetë prej tyre ka nisur tashmë procesi gjyqësor. Grupi i mirorganizuar manipulonte me skemat dhe dyshohet se kanë përvetësuar në mënyrë të paligjshme mbi 2 milionë euro.

 

Sarandë/ Skafi përplaset me shkëmbinjtë, rrezikojnë jetën 5 të rinj

 Pesë të rinj turistë për pak kanë humbur jetën ndërsa po vizitonin plazhin e Sarandës me një skaf të vogël. Si pasojë e motit të keq, dallgët e kanë shtyrë mjetin lundrues drejt shkëmbinjve në gjirin e Manastirit. Pas përplasjes skafi është mbushur me ujë, duke rrezikuar jetën e 5 të rinjve, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë. Falë ndërhyrjes në kohë të forcave të policisë kufitare është shmangur një tragjedi e mundshme dhe turistët janë nxjerrë shëndoshë e mirë në tokë. Turistët që ndodheshin në mjetin ujor janë: Dorian Boja 35 vjeç, Erion Boja 23 vjeç, Gensol Tafa 30 vjeç, Ervina Katina 24 vjeç dhe Mariza Hoxha 24 vjeç. Ata janë transportuar të gjithë drejt Sarandës dhe përveç tronditjes që kanë pësuar, janë në gjendje të mirë shëndetësore.

 

 

 

Loading...