OBSH “luftë” Ebolës/ Në Shqipëri kontroll pasagjerëve ne kufi

0
133

ebola controlVirusi i Ebolës vazhdon të përhapet në Afrikën Perëndimore. Miliona dollarë janë bërë gati nga organizatat ndërkombëtare për të bërë të mundur izolimin e tij.

 Jim Yong Kim, kreu i Bankës Botërore, ka premtuar rreth 150 milionë euro për të luftuar shpërthimin e virusit Ebola në Perëndim të Afrikës. Ndërsa 60 milionë dollarë janë akorduar nga Banka Afrikane për Zhvillim. “Këto para do të shërbejnë për të marrë pajisje mjekësore dhe ilaçe”, – tha Kim.

Programi do të zbatohet nën vëzhgimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Kjo e fundit ka nisur një plan emergjent që prej 1 gushtit. OBSH deklaroi gjithashtu se mund të mbledhë rreth 100 milion dollarë si fonde emergjence për Liberinë, Guinenë dhe Sierra Leonen, që janë vendet më të prekura nga virusi.

 

Përgjegjësi për të mbrojtur

“Ne kemi përgjegjësinë të mbrojmë atë rajon të Afrikës. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndërtuar një sistem të shëndetit publik që tu vijë në ndihmë atyre njerëzve”, – tha Kim. Sistemi i dobët i shëndetit publik në rajon është faktori kryesor që ndihmon në shpërndarjen e sëmundjes vdekjeprurëse me shpejtësi. Virusi mund të ngjitet vetëm me anë të lëngjeve trupore, pra nuk transmetohet nga ajri.

Problemi më i madh është në zonat rurale ku nuk ka spitale, ku familjarët kujdesen për pjesëtarët e tjerë dhe bien në kontakt me trupat e të prekurve. Një tjetër problem është edhe greva e infermierëve. Shumë qendra shëndetësore janë mbyllur. “Punonjësit e shëndetësisë mendojnë se nuk kanë pajisjet e nevojshme për t’u mbrojtur nga virusi Ebola, prandaj ata rrinë në shtëpi”, – tha për agjencinë “Reutes” Amos Richards, fizikan që punon në qytetin e Monrovias në Liberi.

Mbërritja e mjeteve bazë të mbrojtjes, si kostumet plastike dhe dorashkat për mjekët dhe infermierët, mund të bëjë një diferencë të madhe. “Ne kemi dërguar disa veshje mbrojtëse dhe e dimë se duhet bërë akoma më shumë”, – thotë Gergory Hartl nga OBSH në Gjenevë. Ai shton se OBSH planifikon të çojë edhe qindra mjekë e infermierë në vendet e prekura. “Ne kemi 150 punonjës të cilët kanë qenë më parë në këto vende dhe ata janë gati të shkojnë sërish”.

 

Disa zona arrihen me vështirësi

Sipas Max Gertler nga organizata “Mjekët pa Kufij”, ndihma duhet të përqendrohet në zonat rurale, pasi aty ndihma ka qenë e pamjaftueshme deri tani. Doktori gjerman sapo është kthyer nga një udhëtim në Lofa Kaunti në veri të Liberisë, një rajon në kufi me Guinenë dhe Sierra Leonen. Në shumë fshatra atje, mjekët kanë raportuar raste me Ebola.

Gertler thotë se atje nuk pa asnjë pjesëtar të ekipit të OBSH-së. “Atje nevojiten automjete dhe shoferë, sepse disa zona arrihen me vështirësi. Transporti kërkon një kohë të gjatë, prandaj është e rëndësishme që fondet ndërkombëtare të alokohen sa më shpejt, në mënyrë që të nisë puna në terren”, – përfundon ai.

 

Virusi Ebola, edhe MSH përforcon masat, kontroll pasagjerëve që vijnë nga zonat e prekura

Alarmi për virusin Ebola ka prekur edhe Shqipërinë, duke u nisur nga fakti se bëhet fjalë për një virus vdekjeprurës, të cilit nuk i është gjetur ende kura.

Edhe pse në vendin tonë nuk rezulton të jetë prekur ndonjë person nga ky virus, mësohet se Ministria e Shëndetësisë ka nisur përforcimin e masave në aeroportin e vendit.

Eltar Deda, kryeinspektor i Shëndetësisë, bën me dije se MSH ka nisur tashmë një bashkëpunim me Policinë Doganore dhe “Albcontrol” për kontrollin e pasagjerëve që vijnë nga zonat e prekura. Inspektorati Shtetëror i Shëndetësisë dhe drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë e institucioneve të tjera të kujdesit shëndetësor në vend u kanë bërë thirrje dje të gjithë qytetarëve shqiptarë të tregohen të kujdesshëm dhe të mos udhëtojnë drejt Afrikës, pasi rrezikohen të preken nga virusi Ebola.

.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency