Këshilli Mbikëqyrës i BSH: Do bashkëpunojmë me Prokurorinë, përgjegjësit para drejtësisë

0
88

keshilli i bshKëshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë shpreh gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin pa asnjë hezitim me organin e Prokurorisë, në mënyrë që hetimi për vjedhjen e 713 milionë lekëve nga Thesari të jetë i plotë dhe të përfundojë sa më shpejt, duke vënë të gjithë personat përgjegjës para drejtësisë.

Në përfundim të mbledhjes së djeshme, Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së theksoi se kjo ngjarje kriminale nga ish-punonjës të saj nuk ka ndikuar dhe nuk do të ndikojë në kryerjen me efikasitet të aktivitetit të saj të përditshëm. Këshilli Mbikëqyrës i BSH garanton opinionin publik se po punohet me vendosmëri për të rikuperuar të gjithë pasojat që mbart vjedhja e 713 milionë lekëve nga Thesari.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë thekson se “pas kallëzimit penal, për dy ish-punonjës të Bankës së Shqipërisë, Administrimi i Bankës së Shqipërisë ka:

1. Informuar autoritetet dhe institucionet më të larta të vendit.

2. Thirrur mbledhje të posaçme të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në datat 22 korrik 2014, 29 korrik 2014, 1 gusht 2014, për ta informuar atë për ngjarjen e ndodhur dhe për masat e marra.

3. Ngritur tre grupe pune për të:

a. kryer inventarizimin e plotë të vlerave monetare në kartëmonedhë në administrim nga Banka e Shqipërisë;

b. verifikuar nëse ka pasur nxjerrje të informacionit që përbën sekret shtetëror nga punonjës që për shkak të detyrës kanë qenë njohur me këtë lloj informacioni;

c. konstatuar përputhshmërinë e veprimeve të kryera në terren nga punonjësit përgjegjës për ruajtjen dhe administrimin e vlerave monetare, me përcaktimet e akteve rregullatore të Bankës së Shqipërisë, sa i përket procedurave të ruajtjes, administrimit dhe të përpunimit të vlerave monetare në Bankën e Shqipërisë.

4. Bashkëpunuar ngushtësisht me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për evidentimin e çdo shkeljeje të akteve ligjore dhe nënligjore, që kanë mundësuar krijimin e rrethanave të favorshme për përvetësimin e vlerave monetare nga ish-punonjës në Bankën e Shqipërisë.

5. Ndërprerë marrëdhëniet e punës me të gjithë personat e ngarkuar me vlera monetare dhe duke i zëvendësuar ata me punonjës të tjerë.

6. Liruar nga detyra dhe ka zëvendësuar me specialistë me eksperiencë drejtuesit e Departamentit të Emisionit dhe të Departamentit të Sigurimit e të Mbrojtjes.

7. Informuar të gjitha institucionet e sigurisë financiare në vend dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë, mbi ecurinë e zbatimit të planit të masave, për të garantuar ruajtjen e stabilitetit makro-ekonomik dhe sigurinë e depozituesve në sistemin bankar shqiptar.

8. Raportuar në Komisionin e Ekonomisë dhe të Financave rreth masave të marra në një seancë dëgjimore dhe me shkresë.

9. Organizuar takime me punonjësit e Departamentit të Emisionit dhe të Departamentit të Sigurimit e të Mbrojtjes, për të analizuar ngjarjen e përvetësimit të vlerave monetare, për prezantimin e drejtuesve të rinj dhe për të detajuar planin e masave që do të garantojë vijimësinë e punës në këto departamente.”- thuhet në njoftimin e Këshillit Mbikëqyrës.

Mësohet se Këshilli Mbikëqyrës i kushtoi një vëmendje të veçantë përcaktimit të një strategjie më afatgjatë për të garantuar administrimin sa më efektiv të rrezikut operacional në të gjithë hallkat e përpunimit dhe ruajtjes së parasë cash.

“Më konkretisht, për të rritur shkallën e sigurisë, Këshilli Mbikëqyrës, ndër të tjera la si detyrë që përpjekjet në këtë drejtim të përqendrohen në:

1. Rivlerësimin e të gjithë bazës rregullatore, procedurave dhe praktikave që lidhen me përpunimin dhe ruajtjen fizike të parasë cash nën asistencën e institucioneve dhe agjencive të specializuara ndërkombëtare. Disa nga çështjet më prioritare në këtë drejtim do të jenë:

• Rritja e shkallës së sigurisë.

• Instruktimi i pandërprerë i anëtarëve të komisioneve të inventarizimit të vlerave monetare.

• Forcimi i proceseve të monitorimit në kohë reale të pamjeve të regjistruara nga sistemi i kamerave të sigurisë.

• Përcaktimi më i detajuar i niveleve të kontrollit në të gjitha hyrjet sipas arkave.

• Rikalibrimi i rolit të kontrollorit mbikëqyrës për të garantuar më mirë zbatimin e kuadrit ligjor dhe rregullator në fuqi.

2. Forcimin e bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve me organet e zbatimit të ligjit për monitorimin e pastërtisë dhe figurës morale të punonjësve që mbajnë pozicione kyç si dhe të të ngarkuarve me vlera monetare.

3. Intensifikimin e procesit të nisur për ngritjen e strukturave për vlerësimin e rrezikut operacional në çdo sektor dhe në tërësi për institucionin.

4. Trajnimin dhe testimin e vazhdueshëm me qëllim informimin në kohë të të gjithë punonjësve të lidhur me rregulloret ekzistuese, me procedurat në fuqi dhe me rishikimet eventuale që mund të pësojnë ato.

5. Automatizimin e mëtejshëm të administrimit të lëvizjes dhe magazinimit të parasë cash.”

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency