BANESAT ME  KOSTO TË ULËT/ Zbardhen kriteret dhe  kategoritë që përfitojnë nga vendimi i qeverisë

0
135

Florenc Drizari

ndertime-21-300x225 “Familjet që plotësojnë kushtet e përcaktuara në pikën 5 të këtij vendimi, përfitojnë grantin e menjëhershëm”

Këshilli i Ministrave miratoi dje procedurat dhe kriteret që zbatohen nga njësitë e qeverisjes vendore dhe organet qendrore për akordimin dhe përfitimin e grantit të menjëhershëm për banesat me kosto të ulët. Qeveria shpjegon se njësitë e qeverisjes vendore, brenda datës 30 janar të çdo viti, paraqesin kërkesat për grante të menjëhershme për banesat me kosto të ulët, pranë ministrisë që mbulon çështjet e strehimit, të shoqëruar me kostot financiare për çdo familje dhe se brenda muajit mars, planifikon në buxhetin e shtetit fondet për vitin pasardhës për grantet e menjëhershme, bazuar në kërkesat vjetore të bashkive, sa herë që zbatohen programe të banesave me kosto të ulët.

Gjatë hartimit të listave të përfituesve, njësitë e qeverisjes vendore u japin përparësi kategorive të përcaktuara në pikën 5 të këtij vendimi, duke pikëzuar këto kategori në formatin tip të sistemit të pikëzimit, i cili miratohet nga këshilli i njësisë së qeverisjes vendore, për programin e banesave me kosto të ulët, dhe që shërben për klasifikimin e kërkesave për strehim nga organet e qeverisjes vendore.

 

Kategoritë (sipas pikës 5)

Kategoritë e përcaktuara në pikën 5 të vendimit të Këshillit të Ministrave përfitojnë përparësi për t’u trajtuar si përfitues të programeve sociale të strehimit kategoritë e personave me aftësi të kufizuara, në kuptim të ligjeve nr. 9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, dhe nr. 8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në nenin 5, të ligjit nr. 9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale të strehimit të banorëve të zonave urbane”, të ndryshuar, të grupuar si më poshtë vijon: a) Të gjithë personat me mungesë të plotë ose të pjesshme shikimi, të lindur ose të fituar, të cilët, sipas kritereve mjekësore, janë të paaftë për punë në kushte normale; b) paraplegjikët dhe tetraplegjikët, të cilët deklarohen me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë se janë bërë të tillë, pavarësisht nga shkaku dhe mosha; c) personat me aftësi të kufizuar, të cilët deklarohen të paaftë për punë, me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë; ç) personat të cilët janë deklaruar invalidë pune, me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, që përfitojnë pension invaliditeti dhe shtesë mujore mbi të, sipas statusit të invalidit të punës.

Sipas qeverisë, këtyre kategorive u jepet prioritet nga këshilli i njësisë së qeverisjes vendore për çdo program strehimi dhe që shërben për klasifikimin e kërkesave për strehim nga organet e qeverisjes vendore. Ndërsa ngarkohen organet e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

 

Kriteret

Në vendimin e djeshëm qeveria përcaktoi edhe kriteret për përfitimin e grantit të menjëhershëm për strehimin nga banesat sociale me kosto të ulët. Sipas këtyre kritereve përfitojnë familjet që kanë në përbërje persona me aftësi të kufizuara, si: persona me mungesë të plotë ose të pjesshme shikimi, të lindur ose të fituar, të cilët, sipas kritereve mjekësore, janë të paaftë për punë në kushte normale dhe që kanë nevojë për kujdestarë; paraplegjikë dhe tetraplegjikë të cilët, me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, deklarohen se janë bërë të tillë, pavarësisht nga shkaku dhe mosha e që kanë nevojë për kujdestarë; persona me çrregullime të shëndetit mendor, që kanë nevojë për përkujdesje; Individët me statusin e jetimit, që nga çasti i daljes nga qendrat e përkujdesjes shoqërore e deri në moshën 30 vjeç.

 

Përfitimi

Familjet që plotësojnë kushtet e përcaktuara në pikën 5, të këtij vendimi, përfitojnë grantin e menjëhershëm, përkatësisht, në masën: a) 5 për qind të vlerës së banesës me kosto të ulët, familjet e përmendura në shkronjën “a”, të pikës 5, me të ardhura maksimale mujore nga 100-120 për qind të të ardhurave mesatare të përcaktuara për prefekturën; b) 10 për qind të vlerës së banesës me kosto të ulët, familjet e përmendura në shkronjën “a”, të pikës 5, me të ardhura maksimale mujore nga 0 – 99 për qind të të ardhurave mesatare të përcaktuara për prefekturën; c) 10 për qind të vlerës së banesës me kosto të ulët, individët me statusin. Në të ardhurat maksimale mujore të familjes nuk përfshihen të ardhurat e përfituara nga ndihma ekonomike.

 

Vendimet e fundit të qeverisë para pushimeve

Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për pjesëmarrjen e ekspertëve të policisë shqiptare në misionin paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara në Sudanin e Jugut. Në mungesë të Kryeministrit Rama, mbledhja u drejtua nga zëvendëskryeministri Peleshi.

Gjithashtu, qeveria miratoi edhe një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2014, miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës për Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe Ministrinë e Kulturës, për mbulimin e shpenzimeve që do të kryhen në kuadër të organizimit të punëve në vijim të ardhjes së Papa Françeskut në Shqipëri. Në mbledhjen e së mërkurës qeveria vendosi edhe miratimin e rregullores “Për kërkesat minimale të sigurisë dhe shëndetit për mbrojtjen e punëmarrësve lidhur me punën e krahut me ngarkesa”. Edhe pse jo zyrtarisht mësohet se mbledhja e ardhshme e qeverisë pritet të jetë në datën 27 gusht.

 

Harta e re me 61 bashki, opozita gati ankimimin në kushtetuese

Partia Demokratike pritet të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese ankimimin për rrëzimin e vendimit të mazhorancës lidhur me ndarjen administrativo-territoriale të vendit me 61 bashki. Burime nga PD-ja bëjnë të ditur se ekspertët po përgatisin draftin, ndërkohë që më herët ky vendim është cilësuar si antikushtetues nga krerët e opozitës. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka thënë disa ditë më parë se shumica parlamentare miratoi në Kuvend një ndarje klienteliste të hartës territoriale të vendit, duke bërë përgjegjës Kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Parlamentit Ilir Meta. Ndërkaq, në seancën e fundit plenare që u mbajt më datë 31 korrik, mazhoranca miratoi me 88 vota ndarjen e re administratovi-territoriale të vendit me 61 njësi. Votave të shumicës së majtë iu bashkuan edhe ato ta PDIU-së, ndërsa kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, votoi kundër. Më herët kjo reformë është shoqëruar me debate të forta mes PD-së dhe PS-së për kriteret dhe konsensusin që duhet për një reformë të tillë. Nga ana e saj opozita kërkoi konsensus për reformën deri në votimin final të saj, ndërsa mazhoranca ofroi të drejta të barabarta në veto në Komisionin e Posaçëm Përlamentar, por jo gjatë votimit në Kuvend. Kjo bëri që mes dy forcave të mëdha parlamentare në vend të mos kishte një konsensus për reformën administrativo-territoriale, ndërkohë që pas miratimit të saj në Kuvend, opozita po përgatitet për ta ankimuar në Gjykatën Kushtetuese të vendit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency