Redaksionale/  Sa e vështirë është dorëheqja e Fullanit

0
132

fullani 111Pas ngjarjes së ndodhur rreth dy javë më parë në Bankën e Shqipërisë, ku u konstatua një vjedhje prej 713 milionë lekësh nga një punonjës i kësaj banke, ditët e fundit në opinionin publik po akuzohet drejtpërdrejti guvernatori Arian Fullani si përgjegjësi i kësaj ngjarjeje. Aktualisht, Prokuroria ka arrestuar për këtë ngjarje 9 persona, ndërsa priten arrestime të tjera. Por përpos veprimtarisë së Prokurorisë, e cila po kryen hetimet dhe duhet ta zbardhë deri në fund këtë çështje, debatet po zhvendosen tek dorëheqja e guvernatorit Fullani. Presioni ndaj tij duket në rritje, ndërkohë që politika po vazhdon të jetë e përmbajtur, në pritje të rezultateve nga hetimet.

Vendosur në qendër të opinionit publik, çështja e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë nuk mund të aneksohet vetëm tek një person, siç po ndodh me kërkesën për dorëheqje të tij. Në të vërtetë, a duhet hequr nga ky presion kreu i Bankës Shqipërisë?! Zërat e specialistëve që merren me çështjen e funksionit të sistemit bankar në vend do të mëdyshen nga kjo zgjidhje kaq radikale, duke ditur sistemin shqiptar delikat në këtë fushë.

Por çfarë ndodh nëse jep dorëheqjen guvernatori i Bankës së Shqipërisë? A kemi ne një përgjigje të shpejtë për situata të paparashikuara në sistemin financiar dhe bankar të vendit dhe a është koha për një veprim të tillë, kur dihet se leku në këto ditë vere përjeton një situatë të vështirë? T’i marrim me radhë.

Dorëheqja e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë do të kërkonte minimumi zëvendësimin e tij. Kjo do të thotë se institucione kryesore të shtetit duhet të vihen shumë shpejt në lëvizje për gjetjen e zëvendësuesit dhe miratimin e tij. Kjo do të kërkonte kohë nga ana procedurale, konsensus në rastin më të mirë dhe vizion për të zgjedhur një guvernator në krye të një institucioni ku hetimet sapo kanë filluar. Një pikëpyetje tjetër që shtohet është edhe ajo se çfarë pritet të ndodhë me bordin? Kush do t’i marrë vendimet nëse dorëhiqet i gjithë bordi apo anëtarë të tij dhe sa të afta janë institucionet e shtetit, ai ekzekutiv dhe legjislativ, për të vepruar në kohë. Kjo situatë i shton edhe më tej pikëpyetjet, ndërsa ndodhemi në stinën e verës, kur shumica e institucioneve kanë marrë pushimet. Përpos kësaj ndodhie, kemi edhe anën tjetër të medaljes. Stina e nxehtë përkon me ardhjen e emigrantëve dhe të turistëve në Shqipëri. Periudhë e cila do të kërkonte një monitorim të kujdesshëm të lekut, sistemit bankar në vend dhe ndjekjen e politikave të tjera të Bankës së Shqipërisë për tërë sistemin financiar në vend, si dhe koordinimin e tyre me politikat e qeverisë. Por sa jemi gati për këto ndryshime? Në tërësi, Shqipëria vitet e fundit u përball me situata shumë të vështira financiare të krijuara në botë dhe Evropë. Krizat ekonomike lanë pa dyshim pasojat e tyre në ekonominë e dobët shqiptare, ndërsa një trend pozitiv të përballimit të suksesshëm të këtyre situatave të vështira në financat e vendit u raportua nga organizatat me reputacion ndërkombëtar për vendin tonë. Ky sukses i vogël në dukje, por shumë i rëndësishëm për të ardhmen e financave tona dhe të shtetit, bëri që Shqipëria të mos krahasohej me vendet fqinje apo disa vende të tjera evropiane për nga vështirësia e përballimit të situatave financiare.

Por le t’i kthehemi aktualitetit, meqë të dhënat për përballimin e situatave të vështira ekonomike nga Shqipëria në vitet e fundit janë publike dhe të pasqyruara në media dhe në raportet e organizatave ndërkombëtare. Kërkohet dorëheqja e guvernatorit të Shqipërisë, Ardian Fullani. Por përse? A është vërtetuar që guvernatori është përgjegjës i përfshirë drejtpërdrejt në skandalin e ashtuquajtur me vjedhjen disamilionëshe në Bankën e Shqipërisë? A ka dalë organi i akuzës me një qëndrim zyrtar, ku të vërë gishtin mbi fajtorët dhe të kërkojë dënimet përkatëse të tyre? A është kërkuar dorëheqja e kreut të Bankës së Shqipërisë, për shkak të vërtetimit të akuzave të vjedhjes, përfshirjes së tërthortë? Jo. Të paktën zyrtarisht nga institucionet përgjegjëse të shtetit shqiptar. Nëse vërtetohet se guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani ka vjedhur qoftë edhe 5 lekë, atëherë ai duhet të japë dorëheqje. Por mos vallë largimi i guvernatorit kërkohet prej fotove të të birit me mënyrën se si sillet me paratë në një festë private, duke përligjur këtu edhe praninë e guvernatorit si pjesëtar i familjes? Nëse është kjo e dyta, atëherë problemi nuk shtrohet më në mënyrë ligjore, përgjegjësi administrative etj., etj., por thjesht në aspektin moral. Dhe pyetja që shtrohet pas çdo dyshimi apo arsyetimi mbi këtë çështje është: A jemi ne të përgatitur për pasojat që mund të sjellë dorëheqja e kreut të Bankës së Shqipërisë???

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency