Institucionet e Kosovës, pak vendime kundër korrupsionit

0

49euro ne zarfeLëvizja FOL ka publikuar statistikat për periudhën gjashtëmujore të Policisë, Prokurorisë dhe gjykatave, në kuadër të Platformës së Statistikave Antikorrupsion.

Monitorimi është bërë për kategoritë e veprës penale të korrupsionit për marrje e dhënie e ryshfetit, si dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Kjo lëvizje gjithashtu ka monitoruar vendimet e veprimet e Kuvendit dhe qeverisë së Kosovës në fushën e luftimit të korrupsionit në Kosovë përgjatë kësaj periudhe gjashtëmujore.

Fidan Kalaja, hulumtues në FOL, tha se gjatë monitorimeve që i janë bërë këtyre dy institucioneve, në Kuvendin e Kosovës për 15 seanca plenare që janë mbajtur, vetëm një herë është diskutuar për korrupsionin.

Ndërsa qeveria ka marrë vetëm një nga 169 vendime, që është i lidhur me korrupsion.

“FOL ka monitoruar edhe vendimet dhe veprimet të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës gjatë këtyre gjashtë muajve. Kuvendi i Kosovës, deri në shpërbërje, pra deri në muajin maj, ka mbajtur 15 seanca plenare, ku vetëm një është diskutuar për luftimin e korrupsionit, pra ka të bëjë më Ligjin për deklarimin e pasurisë. Ndërsa nga 169 vendime që i ka marrë nga janari deri në qershor të këtij viti, vetëm një vendim ka të bëjë ose është i ndërlidhur me luftimin e korrupsionit”, – thotë Kalaja.

Gjetjet e hulumtimit të FOL-it, thonë se rreth 1800 raste kanë mbetur të pazgjidhura nga Prokuroria dhe Gjykatat e Kosovës për gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

 

Prokuroria e Kosovës

Në hulumtim thuhet se për kategorinë keqpërdorim të pozitës zyrtare, Prokuroria e Kosovës ka pasur gjithsej lëndë ku kanë qenë të implikuar 1244 persona, ku 372 janë zgjidhur, ndërsa 1065 lëndë kanë mbetur të pazgjidhura.

Për veprën dhënie e ryshfetit, Prokuroria ka pasur gjithsej lëndë ku kanë qenë të implikuar 55 persona, ku 24 nga këto lëndë i ka zgjidhur ndërsa 16 prej tyre kanë mbetur të pazgjidhura.

Ndërsa për marrje të ryshfetit nga 53 persona të implikuar, 13 lëndë janë zgjidhur, ndërsa 19 kanë mbetur të pazgjidhura.

 

Gjykatat e Kosovës

Sa i përket gjykatave, në hulumtim thuhet se gjykatat e Kosovës, për veprën penale të korrupsionit marrje e ryshfetit kanë pasur gjithsej lëndë që kanë implikuar 171 persona, ku nga kanë zgjidhur vetëm 20 prej tyre, ndërsa 77 kanë mbetur të pazgjidhura.

Për dhënie të ryshfetit gjykatat e Kosovës kanë pasur lëndë ku kanë qenë të implikuar 87 persona, ku 8 nga këto lëndë i kanë zgjidhur, ndërsa 44 lëndë janë të pazgjidhura.

Sa i përket veprës penale të korrupsionit keqpërdorim i pozitës zyrtare, gjykatat e Kosovës kanë pasur lëndë ku janë implikuar 619 persona, ku nga këto 93 lëndë janë zgjidhur ndërsa 573 lëndë kanë mbetur të pazgjidhura.

 

Policia e Kosovës

Sa i përket Policisë së Kosovës, në hulumtimin e lëvizjes FOL thuhet se për veprën penale të korrupsionit marrje e ryshfetit, policia ka trajtuar gjithsej 19 raste, ku për 6 persona ka ngritur kallëzim penal dhe 6 persona janë arrestuar.

Për dhënie të ryshfetit, policia ka trajtuar 30 raste, ku për 10 persona është ngritur kallëzim penal dhe 6 persona janë arrestuar.

Ndërkaq, për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Policia e Kosovës ka trajtuar 236 raste të korrupsionit, ku për 106 persona është ngritur kallëzim penal dhe 34 persona janë arrestuar.

Fidan Kalaja thotë se në krahasim me hulumtimin e bërë vitin e kaluar nga Lëvizja FOL, shifrat nuk kanë ndryshuar. Ai thotë se ato janë pothuajse të njëjta, dhe vazhdon të vërehet një performancë e ulët e institucioneve të drejtësisë karshi problemit të korrupsionit.

“Gjashtëmujori i parë i këtij viti, në krahasim me gjashtëmujorin e vitit të kaluar, nuk ka dallim esencial, që do të përbënte dallim përnjëmend të këtyre aktiviteteve në luftën antikorrupsion, pra statistikat pothuajse janë të njëjta. Numri i lëndëve të pazgjidhura është i njëjtë. Mungesa,ose një performancë e ulët e këtyre institucioneve vërehet, sikurse vitin e kaluar, edhe këtë vit. Pra nuk ka ndonjë dallim esencial i cili do të vlente të theksohej në këtë kontekst”, – thotë ai.

Fidan Kalaja thekson edhe një zhvillim të fundit që ka ndodhur në lidhje me korrupsionin, që është raporti i Komisionit Evropian, për procesin e liberalizimit të vizave.

“Sa i përket zhvillimeve tjera që kanë ndodhur në lidhje me korrupsionin në Kosovë, më e fundit dhe më e rëndësishmja është se Komisioni Evropian në procesin e liberalizimit të vizave ka publikuar një raport, raportin vlerësues, ku ka theksuar që Kosova ka ngecur në luftimin e korrupsionit. Pra korrupsioni po del të jetë një nga pengesat kryesore n ë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, dhe në përgjithësi në procesin integrues në Bashkimin Evropian”, – thekson Kalaja.

Komisioni Evropian këtë raport e ka prezantuar javë më parë, dhe thuhej se Kosova ka arritur progres, por kërkohen përpjekje të mëtutjeshme për të fituar udhëtimin pa viza për qytetarët e saj. Ndër tjerash, në raport cekej nevoja për zhvillimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe krijimin e një regjistri të besueshëm për vendimet e gjykatave të marra për rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Korrupsioni në Kosovë, sipas analistëve dhe zyrtarëve të ndryshëm institucional, vazhdon të mbetet një sfidë, dhe cilësohet si kërcënuesi kryesor i çdo procesi prosperues të shtetit të Kosovës.

 

Legjitimiteti i vendimeve të qeverisë në largim

Përcaktimi i koalicionit – Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën – që të rishikohen të gjitha vendimet që qeveria në largim i ka marrë, nga analistë të çështjeve politike konsiderohet veprim i logjikshëm, por megjithatë ata thonë se qeveria e re mund të anulojë vetëm vendime që eventualisht janë bërë në mënyrë të paligjshme. Fisnik Korencia, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se blloku LDK-AAK-Nisma ka të drejtë që nëse e merr qeverinë t’i rishikojë vendimet e qeverisë në largim, por që këtë duhet ta bëjë në mënyrë transparente dhe pa interesa partiake.

Avni Arifi, këshilltar i parë i liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se qeveria në largim që nga mesi i muajit qershor ka marrë vendime të tilla.

“Që nga mesi i qershorit qeveria në largim e vetëdijshme që do të ketë ndërrim qeveritar ka filluar një praktikë të çuditshme dhe të dëmshme të punës në institucionet e Kosovës me vendimet e saj. Ka orientuar resurset e saj te tenderimi i shpejtë për shumë rrugë, për shumë gjëra që favorizojnë qoftë njerëzit, qoftë bizneset e PDK-së”.

“Po bëhet punësimi i njerëzve të parisë me procedura të shpejta, stafi politik nëpër shumë ministri është duke u transferuar si shërbyes civil. Vendimet e qeverisë që nga fundi i muajit qershor nuk janë më publike, nuk publikohen fare në gazetën zyrtare të kryeministrisë”, – ka thënë Arifi. Fisnik Korencia thekson se ky vendim i marrë pas zgjedhjeve të 8 qershorit është një vendim ndoshta jo i paligjshëm, por që moralisht nuk do të duhej të merrej nga një qeveri në largim. Vendimet strategjike, vlerëson Korencia, duhet lënë në dorë qeverisë së re.

“Projekti i Autostradës Prishtinë-Shkup, është projekti më madhor yni, që hyn në kuadër të pikave më të rëndësishme që kemi prezantuar në Misionin e ri para qytetarëve të Kosovës dhe ky projekt e ka fituar besimin qytetar, e ka fituar besimin e Qeverisë së Kosovës, si një prej projekteve më të rëndësishme”, – kishte thënë Thaçi.