Rëndësia e pushimeve të verës për shëndetin fizik

0
122

Pushimet, sidomos ato gjatë stinës së verës, janë kaq të domosdoshme e të nevojshme për mirëqenien tonë psikologjike dhe fizike, në jetën tonë personale, familjare dhe atë profesionale. Edhe nëse jeni në mëdyshje, ne do ju ndihmojmë me disa fakte që ju të kuptoni rëndësinë e pushimeve në stinën më të nxehtë të vitit. Me siguri pasi të lexoni shkrimin, do të nxitoni për të planifikuar pushimet tuaja!

 

men_vs_women_summer_vacation_wondermoms_caPushimet ju bëjnë mirë për shëndetin!

Kur kalojmë një periudhë të gjatë të ngarkuar me punë dhe stres, natyrisht ndjehemi të lodhur dhe jemi të predispozuar të vuajmë nga pagjumësia, probleme me tretjen e ushqimit. Stresi kronik ndikon në aftësinë e trupit për t’i rezistuar infeksioneve, për të ruajtur funksionet vitale, madje ul edhe aftësinë për të shmangur gjymtimet. Në aspektin psikologjik, fillojmë të irritohemi, të përjetojmë ankth dhe pakënaqësi. Për më tepër, stresi mund të shkaktojë edhe probleme me kujtesën, duke ndikuar negativisht në vendimmarrjen tuaj. Të gjitha këto probleme të shkaktuara nga stresi na bëjnë të ndjehemi më pak të shoqërueshëm me të tjerët. Rrjedhimisht, izolimi brenda vetes dhe vetmia shpesh mund të shkaktojnë stade depresive. Për këto arsye, mjekët dhe psikologët janë të mendimit se pushimet ndihmojnë që ne të jemi të shëndetshëm, duke ulur nivelin e stresit. Sipas dr. Mel Borins, autor i librit “Pushoni për hir të shëndetit”, një pushim qoftë edhe një ose dy ditor mund të ndihmojë për të ulur presionin e gjakut dhe nivelet e hormonit të stresit, epinefrinës. Gjithashtu, evidenca të tjera rezultojnë se pushimet vjetore, sidomos gjatë verës, ulin rrezikun e atakut kardiak 50%. E nëse dëshironi jetëgjatësi, atëherë ju këshillojmë të merrni sa më shumë pushime. Pushimet kanë fuqinë për të thyer ciklet e stresit. Gjatë pushimeve ne jemi më të kthjellët, të aftë për të përballur dhe zgjidhur problemet tona. Studimet konkludojnë se pas pushimeve ne kthehemi plot energji për të rinisur projektet dhe për të përballur angazhimet e përditshme.

Pushimet ju kthjellojnë mendjen dhe pasurojnë shpirtin! 

Psikoterapistët e Shoqatës Psikologjike Amerikane bashkohen me mendimin se pushimet verore mund t’ju mbajnë larg shqetësimeve psikologjike pasi evitojnë lodhjen e tejskajshme. Puna e vazhdueshme, mbi lodhja, dhe rutina mund të shkaktojnë depresion dhe gjendje të shkatërrimit emocional. Për këto arsye, psikologët këshillojnë që gjithsecili t’i krijojë mundësinë vetes për të kaluar pushime, pasi do ju ndihmojnë të reduktoni stresin dhe të zhvilloni perspektiva të reja. Imagjinoni veten të rrethuar nga katër mure ditë pas dite, vit pas viti, duke kryer të njëjtat aktivitete dhe detyra për orë të tëra. Nëse ndjeheni se jeta juaj është e tillë, atëherë vërtet që keni nevojë për pushime. Nuk ka rëndësi se ku do t’i kaloni pushimet, në vend me det, me pyll, në fshat apo ndonjë qytet modern; rëndësi ka që të shpenzoni pak kohë duke u relaksuar, duke rikrijuar lidhje me vetveten dhe ato që konsideroni të vlefshme.

Studiues në Britaninë e madhe theksojnë se pushimet verore hapin horizontet dhe mundësinë për eksperienca të reja dhe shkëmbim ndërkulturor; promovimin e paqes së brendshme dhe mirëkuptimit; zhvillimin personal dhe atë social; si edhe forcimin e lidhjeve familjare dhe shoqërore. Gjithashtu, sociologët dhe psikologët në disa shtete të zhvilluara perëndimore, duke konsideruar benefitet e shumta të pushimeve verore, sugjerojnë që shteti të mundësojë një asistencë financiare të posaçme për disa familje në vështirësi ekonomike.

Pushimet verore janë të mira për të gjithë familjen! 

Pushimet janë një mundësi për të ushqyer lidhjet familjare dhe ato shoqërore. Sipas një reviste mjekësore në Amerikë, gratë të cilat pushonin më tepër gjatë vitit ishin edhe ato që raportonin edhe kënaqësi të lartë në martesat e tyre. Psikoterapistët theksojnë se pushimet janë të shëndetshme edhe për fëmijët. Përveç lumturisë dhe kënaqësisë, gjatë pushimeve fëmijët ekspozohen me vende të reja gjeografike, kultura, tradita, gatime të reja dhe eksperienca të cilat zgjerojnë horizontet.

Një grup ndërkombëtar studiuesish konkludojnë se pushimet familjare kontribuojnë pozitivisht në forcimin e lidhjeve familjare, komunikimit dhe solidaritetit. Pushimet promovojnë ato që sociologët quajnë “lidhje kohezive” ose përjetimin e “eksperiencës së përbashkët” nëpërmjet zhvillimit dhe kurimit të marrëdhënieve ndërpersonale me familjarët. Rrjedhimisht, kujtesa familjare dhe koha e shpenzuar së bashku gjatë pushimeve, të izoluar nga aktivitetet e përditshme (si shkolla, puna, rutina, etj) ndihmojnë në forcimin e lidhjeve pozitive.
Sipas disa autorëve, megjithëse pushimet verore familjare mund të rrezikohen ndonjëherë nga stresi i përbashkët, benefitet i tejkalojnë këto rreziqe, edhe për familjet të cilat nuk kanë marrëdhënie të shkëlqyera mes familjare.

Pushimet dhe efektiviteti në punë! 

Natyrisht, stresi nuk ka ndikim aspak të mirë edhe në jetën profesionale. Edhe për personat të cilët pretendojnë se dëshirojnë një stil jetese dinamik, pas një periudhe kohe dëshirojnë të ‘arratisen’ larg gjithçkaje në pushim total, qoftë edhe për pak kohë. Një studim në Kanada me 900 juristë pas pushimeve raportuan më pak stres në punë. Kur ekspertët u pyetën “pse duhet që punonjësit të shkojnë me pushime”, arsyet ishin të shumta, por më e përmendura ishte që pushimet mund të përmirësojnë efektivitetin në punë. Pas pushimeve ju sillni me vete entuziazëm, energji dhe ide të reja në punë. Nga studimet me ekzekutivë të fuqishëm, ata pranojnë se idetë më gjeniale i kanë pasur ndërkohë që kanë qenë me pushime, larg zyrës dhe kompjuterëve. Ja edhe një këshillë për “maniakët e punës”: nëse nuk e lini dot punën tuaj, atëherë jepini vetes luksin të punoni në një vend larg zyrës, në një plazh me akses në internet, duke shijuar një koktej. Do të çuditeni se pa shpërqendrimet e zyrës, ju do të mbaroni detyrat tuaja në gjysmën e kohës që do të nevojitej në kushtet normale. Kështu do ju mbetet gjysma tjetër e kohës në dispozicion, të cilën mund ta shijoni duke u relaksuar dhe për t’u kënaqur. Dhe mos u ndjeni aspak në faj gjatë pushimeve, pasi ashtu si makina juaj e cila nuk mund të ecë pa karikuar bateritë, edhe për ju nevojiten disa ditë për të ‘karikuar’ trupin dhe mendjen. Erilda Ajazi

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency