Letra për Krujën 1956 / Si u përça dhe dështoi Bloku i emigrantëve shqiptarë për të rrëzuar Enverin

0
131

Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit, nis ciklin e publikimit, çdo ditë, të disa letrave të rralla

 

EDEEKuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete politikës e të kulturës. Pas çështjeve politike, të organizimit të partive në emigrim, letrat e Krujës shkojnë edhe në një dimension kulturor, siç është diskutimi me Zef V. Nekajn ku duhet shënuar se ky ishte studiues, dhe personalitet i letrave shqipe, i njohur me botimet e artikuj shkencore, të shkruar në të shumtën e herëve me pseudonime. Polemist mbi të vërtetën, në këtë frymë Nekaj argumenton në histori e gjuhë në letrat e rralla që ka pasur me Mustafa Krujën, të dy në vitet ‘50 në emigrim.

Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

 

Romë, 6 Tetuer 1955

I ndershmi dhe i dashtuni Z. Mustafë,

Po ngutem me iu përgjegjë letrës s’Uej të fundit qi mora mbramë, mbasi me e lanë, ftofet puna e un duhet t’a mbajë fjalën qi kam dhanë se do të Ju përgjegjem shpejtas nemose çashtjevet me kësi karakteri:

Me ju thanë të drejtën nuk kam mujtë me shkue ke Z. Xhafer me e bâ mâ shum me nervozitet, por, mbasi mora letrën t’Uej, kishem se me se e prandej nuk ia pritova. Ai së pari më kërkoi të falun me njifarë mënyre se nuk më kishte telefonue porsa kishte folë me miqt e mandej më theksoi:

“Kam folë me miqt simbas dishirës e rasës qi na u paraqit nga ana e Z. Mustafës. Ata thanë se vendimi ka qenë dhanë me të vërtetë ashtu sikurse un të kam thanë ty (Zefi) e ti i ke shkrue Z. Mustafës. Se a âsht zbatue vendimi ose jo, ajo asht nji enigmë, të cilën as nëpunësi vetë nuk asht në gjendje me e dijtë; por m’anë tjetër vetë nëpunësi më ngarkoi qi nëpërmjet teje (meje) t’a njoftoni Z. Mustafën se porsa ai të pranojë me ardhë e me ndejtë me qindrim këtu n’Itali, Ministrija e Jashtëme (a kush âsht tybe s’e din as don me e dijtë qe ky bablok Merdite) merr si detyrim mbi veti me i sigurue nji ndihmë të përmuejshme (do të kuptohet të përkohëshme) prej 50.000 lirash italjane.”

Prej kësaj dispozite kishem me përfundue se fjala e parë e z. Devës mbi depozitimin e famshëm (për të cilin kishem me Ju lutun shum si un edhe Z. Deva të hulëmtohet vetëm kur të vini vetë e do të keni ndihmës Z. Devën me siguri e po ashtu miqt e tij të huej, se ndryshej nxirren sytë tue dashtë me vû vetllat) duhet të jetë ma se 90% e vërtetë. Ndoshta janë shënue për darsëm e i ka hangër vërcalli (nevoja e Atdheut). Hallall do t’i bani edhe Ju në qoftë se deviza ka kalue vërtetë në nevojë të fjalës ndër kllapa! Un nuk dij kurrgja, por tue marrë parasysh se Bloku asht gjetë shum keq mbas ardhjes së parashutistavet mù me njerzit e puntorët e vet ma të ngushtë, kishem me thanë se mund të kenë manovrue diqysh, sikur ju kanë thanë haptë thueja edhe parashutistavet se Ju na keni mbajtë atje e këtu e tash krahas do të kërkojmë tjetër rregullim e mbarështrim të punvet. E me të vërtetë vetëm mbas tre muej e gjymës rifilluen ndihmat mbas ardhjes së parashutistavet për blokistat. Shumë hallet i ka mërgimi!…

Mbi sa më thoni për hulëmtimin e rregjistrimit të motrës, IRO-ja e këtushme, si më tha edhe Z. Deva, i ka futë në kosh e djegë të gjitha dokumentat e personavet qi nuk kanë qenë rregjistrue e mbajtë ose nuk kanë emigrue nga ajo organizatë, ose nuk vijojnë të jenë në ndonjenën organizatë të tashme mbas IRO-s. Këte lajm m’a tha se i paska ndodhë mù kryetarit të zyrës së tij, nji bullgari, me bamë nji kërkesë kësisoji; e, megjithse ai asht vetë n’Amerikan Polish, nuk ka mujtë me gjetë asnji gjurmë t’atyne dokumentavet! Kush e di se pse? Ndoshta punë nendorcesh. Prandej më vjen shum keq; por me gjithë ate do të shkoj këto dy ditë edhe vetë me pyetë në Kryqin e Kuq Ndërkombtar, ku thonë se ka mbetë llomi i ndihmavet t’IRO-s me shum shënime. Mandej po Ju shkruej përsëri.

Kam dhanë në Fraschette d’Alatri edhe 5 Abetare e edhe këte qi më porositni po e dorzoj porsa të shifem me t’interesuemin.

T’im vllaj në Jugosllavi, i ka falë Zoti nji djál për shka jam shum i gëzuem, pse deri tash asnjani ndër katër vllazën qi jemi martue s’ka pasë as fëmi, se ma djalë jo se jo e ky thom e uroj të ketë fatin e mbarë.

Ju uroj shëndet e çdo të mirë e Ju falënderoj gjithsesi.

Të fala shum e urime motrës.

I jueji

Zef Nekaj

 

 

 

Romë, 30 dhetuer 1955

 

I dashtuni dhe i ndershmi Z. Mustafë,

E kështu e pat edhe ky vjet! Për mue përcuell nji pjesë bukur të mirë të jetës pa fryt. E keqja âsht se nuk mrrij me kuptue a më ka idhnue ndopak apo më ka përforcue e ushqye plogtín! Shka të thom për Ju? Kristalizím përvoje?!…. Vuejtjeje?!… A s’u kanë mjaftue?! … M’i leni mue e nè të rijve, mâ të rijve. E ç’na mbetet tjetër të gjithve, veçse me urue si gjithherë’ PER SHUM MOT E SI DISHROFSH VJETIN E RI!

I Jueji

Zef Nekaj

 

 

Cannes, 20 Mars 1956

 

I dashuni Zef,

Ç’âsht kjo punë kështu? Ç’kuptim ka nji heshtje kaq’e gjatë prej anës s’atê? Âsht e dyta herë qi jam tue të pyetun mbas sa kohe. S’m’intereson kurrgjâ tjetër me dijtun prej teje posë shëndetes e gjithça i përket personës s’ate. Ti prej Fandi të Merditës e un prej Kruje pa e pasë pamë kurrë njâni-tjetrin me sŷ, ndokuj mund t’i duket edhe i pakuptueshëm ky interesim i im për tý, sado platonik qi âsht për fat të keq. Këtë letër kam me t’a postuem të porositun, qi mos të më mbesë dyshim se e ke marrë. Mbasandej në dash përgjigjmu në dash mos.

Mbetsh me shëndet e me gjithë ç’të dëshiron zêmra.

Mustafa

Las Bengalis

Rue Sergent Bobillot

 

 

 

Cannes, 8 Máj 1956

I dashuni Zef,

Nuk dij sa u bâ se e kam marrë letrën t’ânde, se ti ke nji zakon të keq: nuk e vên datën në kryet, por e lên me e vûmë në fund e mbasandej e harron. Kam disa letrash tuja kso dore. Sido qi të jetë, nji kohë e gjatë s’ka kaluem, besoj.

Edhe ky afat qi kam lânë me kaluem ka qênë si me thânë faleminderës Zotit qi m’u hoq kujdesi e lash në dashtë, po pushoj nji herë! Me gjithë këtê, ti me shëndet paske qênë mirë – e kjo âsht mâ kryesorja – , veç paske vuejtun shpirtnisht e qênke tue vuejtun ende. Bânu sa të mundesh i gjânë, filosof, se ndryshe s’i dilet ksaj jallane-je, siç i a kanë ngjitun shumë me vênd Tyrqit. E lajmomë mbi fasat e ksaj krise qi të paska kapun.

Ajo copë gazete qi më dërgojshe më ka kënaqun. Pashë se po flitke me emën të rrêshëm e e kuptoj se pse.

Edhe un kam uzdajë se do të mundem me u bashkuem me t’im bir, qi u bânë 8 vjet e gjymsë pa e pamë. Simvjet qe tue ardhun ai këtu, por shpresat e reja për mue e t’ime motër e ndalën. Un i lutem Perëndisë gati për natë e më zên gjumi me këto luta. Tash e mbrapa s’do të të harroj as tý. Un lutem vetëm për ç’âsht e drejtë, e nuk lyp tepër Tue të marrë ngrykë .

I yti

Mustafa Kruja

 

 

 

Cannes, 15 korrik 1956

 

Fort i dashuni Zef,

T’a vonova 6 javë përgjegjen për me të dhânë nji lajm të mirë për vete: po nisem për Amerikë me gjithë t’ime motër. Vizat i shtimë në xhep pardje. Por të m’a besojsh se, jo veç un, edhe motra s’ka lânë pa t’a përmêndun emnin me keqardhje mâ se nji herë në këtë rasë gzimi personal për ne e pa u lutun qi i njâjti gzim të vijë sa mâ shpejt edhe për tý.

Na po nisemi fill prej portit të këtushëm nesër dý javë, ditën e hânë me 30 të këtij mueji. Kemi pasun fat të madh me gjetun nji kabinë me dý vênde për këtë datë. Se ndryshe do të na ishte dashun të pritshim deri në fund të shtatorit ase, ndoshta, me thyem qafën kah portet e Veriut të Francës.

Kurrë s’kisha besuem, Zef, se do t’a lêjsha Evropën pa u pamë nji herë me tý. Kemi prova për ditë se âsht i drejtë proverbi “L’uomo propone e Dio dispone”; me gjithë këtê krenija njerzore ka krijuem aforizmën e marrë “volere è potere”! Por un ngulmoj me shpresuem gjithnji se ti ke për t’ardhun n’Amerikë. Vetëm âsht tue më jetun peng në zêmër qi s’mûjta t’a dij atë shpirtbjerrë qi ka shpifun kundra teje. E n’e dijsh me sigurí, po t’imtoj me m’a shkruem. Mjafton të më thuesh: “Dashamir’i im qi dëshiron me njohun âsht…”. Un kam hjekun dorë kamot prej ndienjës së shpagimit. Por me i njohun mirë njerzit m’a ka ânda fort.

Duket se Martini s’ka mbërrîmë ende në Romë. Ani se i ka do fantasí mângjarake. Në qoftë se beson në karakterin e tij, përpiqu me mos e lânë të bjerë në shoqní të keqe. Do t’ishte mëkat. Mue më ka pasë premtue do libra e ndoshta ka për t’i sjellë me vete. Pra në qoftë se vjen e i ka, duhet të presë adresën t’eme n’Amerikë.

Ndonji letër e jote ka kohë mjaft me më gjetun këtu. Prej anës s’eme zêne se kjo âsht e fundit prej këndej, posë ndonji rase të veçantë. Pra po të them me gjithë zêmër: tu mirë u pashim n’Amerikë!

Mustafa

 

 

 

 

Romë, 22 korrik 1956

 

I dashtuni dhe i ndershmi Z. Mustafë,

Disi nuk m’u bante kurrqysh me besue se me të vërtetë e kishi bâ menden njâ me e lanë Europën, e aq mâ pak, pa ardhë nji herë këtu me i shkundë pleshtat e mbram e m’u përdî përmallshëm në mjegullën e kujtimeve të kalueme të Kësaj Rome s’Amshueme; por ja që hë… Piklat e ngrehme po na i rrxon era e jo mâ shpendi e shtâza. Për Ju e motrën e njiheri edhe djalin personalisht më vjen shum mirë e me gjithë zemër Ju uroj t’U prihet mbarë e mâ mbarë. Për veti, si gjitherë në dorë të fatit, i cili, si ka pasë thanë I Lumi Fishta, po shtërngon “Të bijt e Adamit me ia ndezë dhe djallit nji qiri vjamit”. Gëzohem shum edhe qi Ju ka ardhë për doresh me gjetë vend e shkue të qetë e Ju falem nderës shum për kujtim e paraurim qi më bani.

Jam mallëngjye tepër me letrën qi po e quej të fundit prej Europe e disi kam mbetë vorfën edhe nji herë për shum arsye qi m’i kuptoni shumfish atnisht. Mejherë kam “likuidu” njâ katër a pesë shokë, të cilët kanë pasë lanë nga diçka për krye do muej e mandej qenë ftofë dalkadalë e më lanë qyqe kalli vetëm e as të folmen materjale e as atê intelektuale. Me dy tjerë nuk kam pasë mundësí të merrem ende vesht. Nji nuk dishron të tërhjeki asgjâ, mbasi un e kam menden me ju dërgue nji letër qarkulluese, me të cilën me ju sqarue arsyet e kthimit t’atyne krejt pak të të hollave, me të cilat nuk mund delte as nji broshurë fatkeqe. Këte vendim e mora qi të mos mundet me thanë kush se ju kam mbajtë të hollat për vjet me radhë e nuk kam krye punën; pse ka disa edhe intelektual qi mund të kujtojnë se me 100.000 lira, ke të cilat un vetëm me nji shoq kishem vû 60.000 do të mundshim me botue nji libër?!!! Në qoftë qi e thotë Zoti, ai prap do të shtypet, kur të shifemi, t’i hjedhni dorën e bekueme t’Uejën, t’a lëmoni e thjeshtoni e mbarështroni e natyrisht sejcilit qi ka dhanë, edhe pse un ua kam këthye, do t’i përkasi falnderimi pa ngurrim. Prandej e uroj edhe un për veti atê qi thoni Ju e po thom voftë ora e e ndigjoftë.

Megjith këtê jam bâ gúr tashmâ e po vij tue u rysë aq, sa kurr nuk e kishe mendue se mundem me qindrue para disa gjanave harû e me i bâ kinse nuk janë hiq. Edhe për këte tash jam vonë, por po të kishe pasë nji ngulmim kësodore në fillim, ka gjasë se do t’ishe vendue sod diku a diqysh e jo me shique si huti me sŷ çelë pa mujtë me pá.

Veçanisht ndaj Jush kam nji detyrim shum të randë e të madh, pse jam i sigurtë se Ju keni punue nji gjâ, të cilën ndoshta tash për tash nuk do t’a kishit pasë në rendin e punvet t’Ueja. Un mbetem i detyruem gjithnji, shka do të Ju theksohet edhe shokve të mij se kur un qi kam shumicën e materjalit të punuem e të papërpunuem do të mundem me e bâ gati, tue pritë me i shtue gjithnji edhe elemente e konsultime nga auktorët gjermanë e austriakë – qi deri tash na mungojnë -, do të Ju vejë në dijeni për të gjitha përpjekjet materjale të bame e mandej edhe nji kopje të dorëshkrimit në rasë se do të jemi afër e do të kemi mundësi me mrrijtë aty.

Mandej do të lihet në mëshirën e bamirsave e përkrahsave, në qoftë se nuk e jep Zoti m’u rritë lulet me njomsín e freskín e djersës së ballit. Për sod nuk kam mujtë me këthye vetëm 11.000 lira, prej të cilave 5 mijë nuk ndigjon me i marrë nji student, qi tha se mjerohet qi nuk ka se kishte me dhanë 5 miljon! E mos me i shkue mendja se po i humbin, mjaft qi të shkruhet nji gjymës fjale për Kosovë. E dij se do të m’idhnohet edhe Z. Deva për këte hap, por në se Ai asht i rrebtë, nuk do me thanë se atë cilësi e ka monopolizue vetëm ai si Agrarët atdhedashtnin e patriotizmin!

M’anë tjetër kam bindje se ka me më mirëkuptue, mbasi âsht edhe shum realist, e para së gjithash ban mathematikë, mandej fjalë e euforizma si na të rijt.

Sidoqoftë un nuk uroj t’i jetë vû kapak kësaj pune, vetëm me kaq e, mbasi ndërpreva nji punim thjeshtë t’emin, të cilin sod do t’a kishem botue edhe me kursimet e mija, jam i ngulun në vendimin qi të vijoj në mbledhjen e materjalit sa mâ të gjanë për të mujtë me ia mrrijtë dikur, me ngadalë e ngê, si më keni pasë këshillue Ju gjermançe. Kur të vijë mandej puna për përkthim, e kam gjetë edhe un mikun, shoq shkolle t’emin qi asht n’Amerikë, me të cilin, si të mrrini e të qetohi, do të Ju vê në lidhje.

Tash po vjen edhe Martini e në pastë fat me u vendue diqysh e mos me shkue ke agrarët, do të flas edhe për elementat e rij qi ai mund të jetë në gjendje me dhanë. E ka me pasë mjaft, në qoftë se e shoqja serbjane nuk e frenon! Edhe un shpresoj se do të bjeri ndonji libër të vlefshëm.

Për emigrim jam ende varun: “Three times patience” – po thonë. Animirë, po thom edhe un, pret magjari barin! Shpirtbjerrmit janë herojt e hipokrizís, prandej âsht zor me ju rá në dum; dashamirin t’Uej do të Ju a porosis me uratë për shpírt.

Shoqnija e këtushme âsht tue shkue rrëmujë. Ai Gjon Pjetri i Halës së Gjomarkajve me Dr. Liçon po çojnë gúr e dhê si bulldozheri sovjetik me e bâ tymnaje e me e kërsî Blokun, miqt e tij, aq sa, sikur t’u premtojë edhe Tirana e sodshme ndihmë, un kam besimin e plotë se ata kishin me e pranue, mjaft qi t’u këndojë gjeli. Zoti Ju dhashtë atê qi meritojnë, as mâ pak e as mâ shum: ár në vend t’ushqimit, si dikur atij mbretit.

Sidomos kohët e fundit nuk kam qenë i rregulltë aspak me Ju përsa u përket letrave e punëve; prandej edhe për këte e ndiej për detyrë me Ju kërkue ndjesë, por shpresoj se deri diku do të m’arsyetoni kah të mendoni trazimet e pandame e të papritmet e këtij mërgimi shum mâ t’idhët e të gjatë se sa e mendojshim.

Edhe nji herë Ju uroj udhën e mbarë e t’U prihet mbarë Ju për veti e lus të vijë dita e bardhë t’a shifni Atdheun të liruem si e dishroni, edhe në mos qoftë thanë me u pá bashkë!

Ju përqafoj me shum mall e me nji “Junjatjeta” të fortë.

Si gjitherë i Jueji

Zef Nekaj

Martini ia mrrini mbasi e pata mbyllë letrën e ishem tue e postue. Po ju thotë “Udha e mbarë” me gjith zemër. Teshat qi ju ka pasë premtue do të Ju a dërgojë mejherë aty ku të ndaleni. Shkrueni n’adresën t’eme.

Ju përshëndes me zemër

Martini

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency