Miratohet harta me 61 bashki/ Prapaskenat e votimit dhe negociatat mes PS, PBDNJ dhe PDIU

0
118

Florenc Drizari

parlamenti 31 korrik 2014 pa opoziten gjitheperfshires edi rama andrea martoMe 88 vota pro dhe 1 kundër për hartën me 61 bashki

PBDNJ dhe PDIU bashkojnë votat për  Konispolin, si ndryshon harta territoriale

 Kreu i Kuvendit, Ilir Meta: Amendamenti Dule-Idrizi, historik

Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 88 vota pro, 1 kundër (Vangjel Dule) dhe 1 abstenim, (Vangjel Tavo), projektligjin për reformën administrativo-territoriale. Gjatë seancës së djeshme plenare hartës së re territoriale të vendit me 61 bashki iu bënë ndryshimet e fundit, ku deputetë nga të gjitha forcat politike të pranishme në Kuvend votuan për 9 amendamentet e tyre. Nga ana tjetër munguan përfaqësuesit e Partisë Demokratike të cilët nuk morën pjesë në këtë seancë, për shkak të bojkotit që kanë vendosur me Kuvendin tri javë më parë. Në votimin e reformës në Kuvend pati konsensus edhe mes PDIU-së dhe PBDNJ-së për ndryshimin e hartës për Bashkinë e Konispolit. Propozimi u bë nga përfaqësuesit e minoritetit dhe në tërësi këto dy forca politike kanë mbajtur qëndrime të kundërta për ndarjen e disa bashkive në jug të vendit.

 

Propozimet

Pak minuta para se projektligji për ndarjen e re administrative-territoriale të vendit të votohej në tërësi, deputetët e forcave politike në Kuvend propozuan rreth 9 amendamente. Fillimisht ishte kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, i cili propozoi 5 amendamente. Propozimet e Dules u rrëzuan nga kartonët e PS-LSI-së, si dhe nga bashkimi i votave që PDIU i bëri kësaj reforme. Pak para se të votoheshin amendamentet, Dule paralajmëroi se votimi i pandryshuar i projektligjit të qeverisë do të sillte pasoja në procesin e integrimit të vendit me Bashkimin Evropian. “Nëse projektligji kalon ashtu siç e ka paraqitur qeveria, do të jetë një barrë e vendit tonë në procesin e negocimit me Bashkimin Evropian. Është sot momenti që të mos i faturojmë vendit edhe një kosto tjetër të ngjashme, në mos më të madhe sesa ai i Cencusit 2011”, – deklaroi Dule.

Në tërësi deputetët gjetën konsensus për vetë amendamentin e tretë të Vangjel Dules, që parashikon se tek njësia administrative Konispol, të hiqen fshatrat Sopik, Vagalat dhe Pandalejmon dhe të shtohen në njësinë e qeverisjes vendore, Bashkia Livadhja, së bashku me fshatrat Livadhja, Kulluric, Llazat, Kalcat, Kodër, Leftertalo, Dhradë, Qesaratë, Komatë, Karoq, Grazhdan dhe Zmimec. Votimi i këtij amendamenti në seancë u bë me të gjitha votat e të pranishmëve, ndërsa Kryetari i Kuvendit e quajti këtë një amendament historik. “Amendamenti Dule-Idrizi është një amendament historik”, – tha Meta pas votimit në seancë.

Ndërkaq, Kuvendi votoi gjithashtu me konsensus edhe propozimet e bëra nga deputeti i Qarkut të Vlorës, Andrea Marto, lidhur me ndryshimin e emrit të Bashkisë Livadhja në Finiq, si dhe zhvendosjes së qendrës së saj në fshatin Dërmish. “1. Amendamenti që Bashkia Livadhja, të quhet Bashkia Finiq, 2. Qendra e Bashkisë Livadhja të jetë fshati Dërmish. Propozohet për shkak të historisë dhe traditës dhe për shkak të pozicionit gjeografik që është në qendër të bashkisë së re”, – ishin dy amendamentet e propozuara nga deputeti Marto, i njohur së fundmi edhe për qëndrimet kundër që ka mbajtur së fundmi në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën territoriale.

 

SHPËTIM IDRIZI

“Vërtet këtu në këtë Parlament ka pasur shumë mazhoranca, por mazhoranca më e madhe në këtë vend është ajo e shqiptarëve. I bëj thirrje çdo Kali të Trojës këtu në Parlamentin e Shqipërisë të dalë nga Parlamenti i Shqipërisë, sepse ky është parlamenti i shqiptarëve”.

 

VANGJEL DULE

“Nëse projektligji kalon ashtu siç e ka paraqitur qeveria, do të jetë një barrë e vendit tonë në procesin e negocimit me Bashkimin Evropian. Është sot momenti që të mos i faturojmë vendit edhe një kosto tjetër të ngjashme, në mos më të madhe sesa ai i Cencusit 2011”.

 

AMENDAMENTET E PROPOZUARA NË KUVEND PËR  HARËN TERRITORIALE DHE VOTIMI I DEPUTETËVE

 

Vangjel Dule

1. Në tabelat që i bashkëngjiten këtij projektligji që i referohen Qarkut Vlorë: 1- tek njësia e qeverisjes vendore, Bashkia Himarë, njësitë administrative përbërëse të jenë: Himarë dhe Lukovë. Njësia administrative Hor-Vranisht me fshatrat përbërës: Vranisht, Kuç, Kuçguronjë, Golem, Kavarat dhe Kërbaç, të shtohen në njësinë e qeverisjes vendore Bashkia Selenicë. (Vetëm tre vota pro, Dule, Tavo, Marto abstenon. Rrëzohet amendamenti me shumicën e votave të koalicionit të majtë, plus PDIU. )

2. Njësitë e qeverisjes vendore, Bashkia Sarandë, me njësi administrative Sarandë, të hiqet fshati Çukë dhe të shtohet tek njësia e qeverisjes vendore Bashkia Livadhja, tek njësia administrative Aliko, së bashku me fshatrat e tjerë: Aliko, Caush, Neuhor, Trembul, Rakull, Pllakë, Jerm, Vurguri, Halo dhe Dritas. (Vetëm tre vota pro, Dule, Tavo, Braho, Marto abstenon. Rrëzohet amendamenti me shumicën e votave të koalicionit të majtë, plus PDIU).

  1. Tek njësia e qeverisjes vendore, Bashkia Konispol, e njësinë administrative Konispol, të hiqen fshatrat: Sopik, Vagalat dhe Pandalejmon dhe të shtohen në njësinë e qeverisjes vendore, Bashkia Livadhja, sëbashku me fshatrat: Livadhja, Kulluric, Llazat, Kalcat, Kodër, Leftertalo, Dhradë, Qesaratë, Komatë, Karoq, Grazhdan dhe Zmimec. (Votohet me të gjitha votat pro, asnjë kundër, asnjë abstenim.)

4. Tek njësia e qeverisjes vendore, Bashkia Delvinë, në njësinë administrative Delvinë, të hiqen fshatrat: Kardhikaq, Pec, Muzinë dhe të shtohen në njësinë e qeverisjes vendore, Bashkia Livadhja, njësia administrativo-përbërëse njësia Mesopotam, për kraha fshatrave Mesopotam, Dhrovia, Kronjë, Bistricë Dhelakovo, Livina, Brahillat, Sirakat, Kosta, Vitore, Krane dhe Ardhrasot. (Amendament i ngjashëm me atë të PS-LSI-së. Miratohet në Kuvend, vetëm Idrizi nga PDIU abstenon).

5. Tek njësia administrative Bashkia Delvinë, në njësinë administrative, Delvinë, të hiqet fshati Blerimas dhe të shtohet në njësinë e qeverisjes vendore, Bashkia Livadhja, njësia administrative përbërëse Finiq, përkrah fshatrave Finiq, Guronjë, Çmirim, Viron, Karahaxh dhe Bregas. (Rrëzohet. Vetëm 3 vota pro, Dule, Tavo dhe Braho. Marto abstenim).

 

Shpëtim Idrizi

Amendamenti

Ne propozojmë që fshatrat: Vagalat, Sopik dhe Pandelejmon, të Bashkisë së Konispolit, ti kalojnë Bashkisë së Livadhjasë, megjithëse vetëm njëra prej tyre është me shtetas shqiptar bilinguist.

 

Luiza Xhuvani

Amendamentet e PS-së

Në nenin 2 të projektligjit, në hartën dhe tabelat që janë pjesë përbërëse e tij, të bëhet ky ndryshim: Tek njësia e qeverisjes vendore, Bashkia Delvinë, në njësinë administrative Delvinë, të hiqen fshatrat: Kardhikaq, Pec dhe Muzinë dhe të shtohen në njësinë e qeverisjes vendore, Bashkia Livadhja.

 

Andrea Marto

1. Amendamenti që Bashkia Livadhja, të quhet Bashkia Finiq,

2. Qendra e Bashkisë Livadhja të jetë fshati Dërmish. Propozohet për shkak të historisë dhe traditës dhe për shkak të pozicionit gjeografik që është në qendër të bashkisë së re. (Miratohet të gjitha votat )

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency