Stop Putin – BE urgjent plani i sanksioneve!

0
142

Alba Kepi

alba-kepiMe një komunikim urgjent, zyra e shtypit e Këshillit të Evropës ka ftuar dje përfaqësuesit e mediave në një takim të shpejtë pune për të bërë publike “Masat kufizuese të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë në funksion të rolit të saj në Ukrainën Lindore”.

Pas muaj e muaj debatesh e hezitimesh, Bashkimi Evropian ka vendosur më në fund të zbatojë një linjë të ashpër qëndrimi ndaj Rusisë me sanksione të rëndësishme në fushën financiare, energjetike e ushtarake, por pa dyshim me pasoja edhe për eksportin komunitar.

Që dje ka nisur një fazë e re përgjegjësie dhe tensioni në raportin e Bashkimit Evropian me Rusinë. 28 vendet anëtare kanë kthyer në akt një paketë të rëndë sanksionesh ekonomike që i frenonte prej muajsh, e cila godet në mënyrë të veçantë sistemin financiar rus, por që dëmton jo pak dhe ekonominë evropiane. Kujtojmë se shkëmbimi ekonomik midis BE-së e Rusisë kap vlerën e 440 miliardë eurove në vit.

“COREPER”, komiteti i përfaqësuesve të përhershëm në Bashkimin Evropian, ka miratuar njëzëri këtë paketë masash shtrënguese që brenda pak orësh pritet të publikohen në Fletoren Zyrtare të BE-së, me një revizionim pas tre muajsh.

Menjëherë pas këtij vendimi të marrë Presidenti i Këshillit të Evropës, Herman Von Rompuy, ka pohuar se “këto sanksione janë një sinjal i fortë ndaj liderëve të Federatës Ruse; destabilizimi i Ukrainës o i çdo vendi tjetër në Evropën Lindore do të ketë kosto të rëndë për ekonominë ruse. Do të mbetet gjithnjë e më e izoluar për shkak të aksioneve të saj. Bashkimi Evropian mbetet i gatshëm të rishikojë vendimet e tij dhe të impenjohet me Rusinë, nëse Moska nis të impenjohet aktivisht e pa ekuivoke në gjetjen e një zgjidhjeje në krizën e Ukrainës”. Vende si Italia e Gjermania që për muaj kanë preferuar linjën e dialogut me Rusinë, kanë votuar pro kësaj pakete nën komentet: “një vendim i pashmangshëm” për Angela Merkelin e “detyruar nga mungesa e shumëkërkuar për bashkëpunim nga Moska” për ministren e Jashtme italiane Federica Mogherini.

Ambasadorët e 28 vendeve në BE shpjegojnë se atë ç’kanë kërkuar të bëjnë me këtë paketë është “të gjejnë ekuilibrin e duhur e më të mirë për të pasur një efekt sa më të lartë kundër Rusisë e sa më të ulët të mundshëm ndaj Bashkimit të Evropës”.

 

Sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë

Tri janë fushat kryesore të paketës së sanksioneve ekonomike miratuar nga BE-ja ndaj Rusisë: në financë, energji e ushtri, shoqëruar me një listë të zezë prej 95 personash e 23 entitetesh. Masat e marra përjashtojnë bankat ruse nga tregjet e kapitaleve evropiane. Qytetarët e shoqëri të Bashkimit Evropian nuk mund të shesin o blejnë detyrime bankare, aksione o instrumente financiare të ngjashme me një skandecë 90-ditore, të emetuara nga banka me pasuri shtetërore ruse për më pak se 50%, nga bankat e zhvillimit, filialet dhe ata që veprojnë në emër të tyre.

Embargoja e plotë në import-eksportin e armëve ruse, por edhe të produkteve të konsideruara “dypërdorimshe”, mallra të përdorura zakonisht për qëllime civile, por që mund të aplikohen dhe në fushën ushtarake.

Bashkimi Evropian ka vendosur t’i bllokojë Rusisë shitjen e teknologjive të ndjeshme, shumë të nevojshme për Rusinë në sektorin e energjisë, do të mohohen licencat për të eksportuar produkte të domosdoshme në operacionet e eksplorimit e të prodhimit të naftës në ujëra të thella, në Arktik e në projektet “shake oil”.

Nga kjo paketë sanksionesh është përjashtuar qëllimisht çdo lloj goditje ndaj sektorit të gazit, prej të cilit Bashkimi Evropian varet shumë.

Nuk mungon të rreshtohen në këto masa ndaluese dhe një listë e zezë, i ashtuquajturi “rrethi magjik i Putinit” me rreth 95 individë mjaft pranë tij dhe 23 entitete.

 

Impakti i sanksioneve në ekonominë evropiane

Sipas ekspertëve të “Barclays”, “këto sanksione janë nga më të ashprat që prej fundit të luftës së ftohtë”. Sipas bankës angleze, impakti do të jetë i fortë në ekonominë ruse, sidomos për shkak të masave në ndalimin e institucioneve financiare ruse në tregjet e kapitaleve evropiane. “Ndërsa sanksionet evropiane së bashku me ato amerikane kanë fuqinë të përkeqësojnë më shumë situatën në Rusi e të fusin Moskën gjithnjë e më shumë në recesion, impakti në ekonominë e Bashkimit Evropian do të mund të ndihet në këtë mënyrë; impakti i përgjithshëm këtë vit do të vlejë 0,25% të PPB e mund të jetë dhe më i lartë në varësi të reagimit të aksioneve të ndërmarra nga Rusia – çdo shpagim nga ana e Putinit mund të shtojë këtë vlerë. Ndërsa sa i përket vitit të ardhshëm, gjithçka varet nga zhvillimet politike të kësaj krize e mund të jetë më i madh përballë një përshkallëzimi të konfliktit.

Ndërsa sipas “EU Observer”, kundërgoditja e masave ndaj Rusisë për Evropën ka një dëm prej 40 miliardë eurosh për këtë vit e 50 miliardë euro për 2015-ën. Kolosi britanik “British Petroleum” ka shprehur gjatë orëve të fundit impaktin negativ që do të kenë ndaj saj këto sanksione, duke kujtuar se kjo shoqëri është një nga investuesit më të mëdhenj në Rusi me një kuotë prej 20% në gjigantin shtetëror rus “Rosneft”. Preokupuese është dhe shoqëria petrokimike franceze “Technip” apo “Renault”, me një ulje të lartë shitjesh në tregun automobilistik rus. Shoqata e biznesit evropian “AEB”, që bashkon rreth 600 kompani që punojnë apo kooperojnë me Rusinë në një notë “pub like” thonë se “e kanë pritur me keqardhje këtë paketë sanksionesh, që nuk godasin vetëm ekonominë ruse, por kufizojnë rritjen ekonomike të Bashkimit Evropian dhe të Ukrainës”.

Gjatë viti 2013, sipas Eurostat, vendet e BE-së kanë eksportuar në Rusi mallra në vlerën e 120 miliardë eurove dhe vendet e para eksportuese kanë qenë Gjermania e Italia.

 

Sanksionet e SHBA-së ndaj Rusisë

Në shënjestër të masave të marra nga Obama ndaj Rusisë janë bankat kryesore të saj; Banka e Rusisë, Banka Ruse e Bujqësisë e “Vtb Bank”. Sanksione janë marrë dhe ndaj shoqërive energjetike “Rosneft” e “Novatek” si dhe ndaj shoqërisë publike në sektorin e mbrojtjes United Shipbuilding Corporation. Frytet e para të kësaj pune janë largimi çdo ditë e më shumë i investitorëve të huaj nga Rusia me një dëm të llogaritur deri më tani në 74 miliardë euro. “Do të bllokojmë eksportimet në teknologjitë specifike të sektorit energjetik – është shprehur Presidenti amerikan – do të shtrijmë sanksionet dhe në banka të tjera ruse, bllokimin e kredive të eksportit, e financimin e projekteve ekonomike në Rusi”.

“Nuk është një luftë e ftohtë, – ka theksuar presidenti amerikan, – por e vërteta është se Rusia do të paguaj një çmim të lartë”. Shkëmbimi ekonomik midis Rusisë e SHBA-së kap vlerën e 26 miliardë euro në vit.

Gjatë orëve të ardhshme pritet se si do të jetë reagimi i Rusisë. Fakt është se sanksionet e ardhshme janë të vlefshme për 12 muajt në vazhdim, por siç shpjegojnë burimet nga BE-ja, do t’u nënshtrohen revizioneve të vazhdueshme për të vlerësuar impaktin si dhe përditësimeve të duhura teknike. Por e gjitha kjo paketë sanksionesh do të mund të tërhiqet mbrapsht e në çdo moment që Rusia vendos të bashkëpunojë për të gjetur një zgjidhje në krizën ukrainase.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency