Pedro/ Barcelona nuk do të jetë spektakolare, si ajo e epokës “Guardiola”

0

pedro-rodriguezSulmuesi Pedro deklaroi se skuadra këtë vit nuk do të jetë një ekip sulmues me shumë aksione, ashtu si në periudhën kur drejtonte trajneri i Bajernit, Guardiola

Loading...

 Barcelona dhe sezoni i kaluar ishin një provë e vërtetë, që cikli i katalanasve kishte mbaruar. Ekipi nuk arriti të fitonte asnjë kupë, duke dështuar në të gjitha kompeticionet. Një skuadër pa ide në sulm dhe që pësonte shumë gola me anë të kundërsulmeve, për shkak të mbrojtjes delikate. Këtë vit synohet transformimi për të ruajtur hapin e viteve më parë. Një detyrë jo e lehtë, duke e parë se rivalët Atletiko dhe Real po përforcohen akoma dhe më shumë, ndërsa e lehtë nuk do të jetë as në kompeticonet evropiane. Ter Stegen, Bravo, Suarez, Rakitiç dhe Matie janë shpëtimtarët e Luis Enrikes, që duhet të bëjë edhe një ose dy përforcime, para se të vazhdojë sezoni. Deri tani gjithçka duket se ka shkuar mirë për trajnerin e ri dhe spanjolli Pedro Rodrigez shprehet i kënaqur nga puna e bërë, duke pranuar se ekipi është ende i etur për të fituar trofe, pavarësisht se shfaqet skeptik kur pyetet nëse në fushë do të shikojmë të njëjtën Barcelonë spektakolare: “Do të jetë e vështirë të përsërisim të njëjtin stil loje siç kemi bërë me Guardiolën. Nuk e di nëse do të fitojmë sërish aq shumë si atëherë, por ne kemi ende dëshirë për të marrë të tjerë trofe. Tani ekipi është pothuajse i plotë dhe po kuptohemi mirë me njëri-tjetrin. Ne do të vazhdojmë të ruajmë të njëjtën filozofi, por nuk besoj se do të jemi po aq spektakolarë si dikur, pasi edhe kundërshtarët tani kanë gjetur kundërpërgjigje për stilin tonë. Gjithsesi, le t’ia lëmë fjalën fushës më mirë”. Suarez është blerja më e bujshme e kësaj vere, por ai do të mungojë si pasojë e pezullimit të FIFA-s. Një ndëshkim që për sulmuesin ishte paksa i tepërt. “Sigurisht nuk na vjen mirë, që do të mungojë për një kohë kaq të gjatë. Vendimi mund të kishte qenë më i butë, por ne e dinim këtë gjë që kur e blemë kështu që jemi përgatitur për mungesën e tij. Suarezin e presim krahëhapur, sepse është një lojtar i madh dhe besojmë se me të në sulm do të jemi edhe më shumë të fortë”. Gjithashtu lojtari tha edhe disa fjalë të mira për shokun e tij Fabregas, që u largua në drejtim të Çelsi. Pedrito u shpreh se lojtari do ta ndihmojë shumë skuadrën e Murinjos me fantazinë e tij në lojë.

 

Ançeloti: Reali dhe Ronaldo, gati për Superkupën

Ançeloti pësoi humbjen e dytë ndaj Romës, mirëpo kjo gjë nuk e shqetëson teknikun. Ai u shpreh se lojtarët nuk janë akoma në kondicionin e duhur dhe duhet pak kohë sa të ingranohen. “Reali ishte solid në mbrojtje, nuk kishim shumë mundësi shënimi, por nuk ishim keq. Patëm probleme me dëmtimet, ndërsa lojtarët që mbërritën vetëm pak ditë më parë luajtën mirë. Gjendja fizike e tyre po vjen duke u përmirësuar dhe në këtë kontekst mendoj se gjërat po shkojnë mirë”. Edhe pse humbja gjithmonë djeg, Ançeloti sheh edhe anët pozitive të disfatës me Romën, para Superkupës së Evropës. “Nuk do të luajmë në finale të turneut dhe për rrjedhojë do të kemi më shumë kohë për t’u përgatitur për Superkupën, por një trajner nuk mund të jetë i kënaqur me humbjen”. Më pas Ançeloti analizon situatën në skuadër, ku po ndihet mungesa e disa lojtarëve titullarë. “Për momentin na mungojnë shumë lojtarë, dikush kthehet më 1 gusht, dikush tjetër më 5 gusht. Të gjithë do të jenë gati për Superkupën e Evropës. Do të kem një javë kohë me skuadrën të plotë”. Ndërsa për gjendjen fizike të Kristiano Ronaldos, italiani deklaroi: “Kristiano po punon mirë me dy seanca në ditë, edhe pse i veçuar. Ditët e ardhshme do të shikojmë nëse do të mund të luajë ndaj Mançester Junajtidit. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm me riaftësimin e tij”, – deklaroi italiani.

 

Jaja Ture vazhdon te Siti

 Mesfushori i Bregut të Fildishtë, Jaja Toure, ka deklaruar se do të qëndrojë te kampioni i Anglisë sa më gjatë që të jetë e mundur. Është spekuluar se 31-vjeçari i ka prishur raportet me drejtuesit e klubit anglez dhe se ai mund të shkojë te francezët e PSG-së. Megjithatë, futbollisti ka sqaruar se e ardhmja e tij mbetet në “Etihad Stadium”. “Do të qëndroj te Mançester Siti sa më gjatë që është e mundur”, – ka thënë Ture për faqen zyrtare të klubit. Jaja është te Siti nga viti 2010, kur u transferua nga Barcelona.

 

 Atletiko, në ndjekje të Kazorlës

 Santi Kazorla është akoma shënjestër e Atletiko Madridit. Mediat spanjolle kanë shkruar se kampioni i Spanjës është duke përgatitur një ofertë në vlerë prej afro 20 milionë eurosh për futbollistin 29-vjeçar. Kjo ofertë do të kënaqte edhe kërkesat e shefave të Arsenalit, të cilët e vlerësojnë po aq futbollistin e tyre. Trajneri i Atletikos, Diego Simeone, është një admirues i futbollistit spanjoll dhe dëshiron ta kthejë në La Liga, pasi përshtatet shumë me stilin e lojës së bardhekuqve.

 

 Van Gal: Kemi nevojë për mbrojtës

Holandezi i Junajtidit, Van Gal, ka pranuar se Mançester Junajtid vazhdon të jetë në garë për një mbrojtës para fillimit të sezonit të ri. Djajtë e kuq kanë siguruar shërbimet e Luk Shaut dhe Ander Herrerës gjatë këtij afati kalimtar, ndërkohë që trajneri u ka dhënë shans edhe lojtarëve të rinj, si Rese Xhejms dhe Majkëll Kin dhe Tajlër Blaket, gjatë përgatitjeve parasezonale. Megjithatë, largimi i veteranëve Nemanja Vidiç, Rio Ferdinand dhe Patris Evra ka lënë boshllëk në fazën mbrojtëse. “Fillimisht, po i vlerësoj mbrojtësit që kemi. Mirëpo, është e vërtetë se po kërkojmë mbrojtës, sepse shumë mbrojtës kanë shkuar. Duhet t’i zëvendësojmë, por mua më pëlqejnë edhe Majkëll Kin dhe Tajlër Blaket”, – ka deklaruar tekniku.

 

 Mekses: Milani, në rrugën e duhur

Francezi Mekses është i bindur se Milani është në rrugën e duhur, do të jetë konkurrues këtë sezon dhe do të bëjë më mirë se në sezonin e kaluar. Klubi italian nuk ka bërë paraqitje të mira gjatë ndeshjeve parasezonale, mirëpo mbrojtësi francez mendon se skuadra do të luajë ndryshe në ndeshjet zyrtare. “Sipas mendimit tim, edhe nëse rezultatet janë ndryshe, ne jemi në rrugën e duhur. Gjatë stërvitjeve shoh vullnet të madh dhe përkushtim nga të gjithë. Duam të ndjekim rrugën që na tregon Inzagi. Besoj se me idetë e tij dhe respektin që po drejton Inzagi, baza për përmirësim veç është ndërtuar”, – deklaroi mbrojtësi.

 

 Ajsal: Shnajder nuk lëviz nga Gallatasaraji

Unal Ajsal thotë se Uesli Shnajder nuk është në listën e transferimeve. Mesfushori holandez është lidhur me një kalim të mundshëm te Mançester Junajtid dhe Monako, mirëpo klubi turk nuk dëshiron ta shesë. Këtë e ka thënë më herët trajneri Çezare Prandeli dhe tani e ka konfirmuar presidenti i klubit. “Shnajder vazhdon. Spekulimet duhet t’i injoroni. Trajneri i ri, Çezare Prandeli, është i të njëjtit mendim. Ne nuk mendojmë për ndërprerje të bashkëpunimit”, – ka theksuar Ajsal.

 

 

Loading...