1955/ Letra për Krujën/ Relacioni i panjohur drejtuar Papës për Katolicizmin, Mirditën dhe Princin

0
163

lazer mustafaKuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit, nis ciklin e publikimit, çdo ditë, të disa letrave të rralla

Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete politikës e të kulturës. Pas çështjeve politike, të organizimit të partive në emigrim, letrat e Krujës shkojnë edhe në një dimension kulturor, siç është diskutimi me Zef V. Nekajn ku duhet shënuar se ky ishte studiues, dhe personalitet i letrave shqipe, i njohur me botimet e artikuj shkencore, të shkruar në të shumtën e herëve me pseudonime. Polemist mbi të vërtetën, në këtë frymë Nekaj argumenton në histori e gjuhë në letrat e rralla që ka pasur me Mustafa Krujën, të dy në vitet ‘50 në emigrim.

Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

 

***

Ramleh, 2 prill 1955

             I dashuni Zef,

Nji rrugë e dý punë: urime për Pashkë e përgjegje letrës s’ate të muejit qi shkoi. Urime për shëndet, jetë të gjatë e të lume e gjithë ç’të dëshiron shpirti. Bânu, të lutem, ndërmjets i im për këto urime edhe te Mëlyshi e kapidani me k të vogël, se atyne, bab’e bir, me k të madhe u kam shkruem vetë.

Shpresoj se përgjegjen e letrës s’ate të parandejme do t’a keshë marrë. Për lajmet e idhta qi i përkasin mërgatës shqiptare në Jugoslaví s’kam ç’thom. Kurrkush s’ka gjâ në dorë për ata fatzez. Tý të falem nderës qi më ke bâmë nji përshkrim t’imtë për atë mjerim qi na ra mbë krye përmbi tjerët.

Mbas konsullit kompetent, s’po ngurroj as un me t’a thânë nji “udha e mbarë” të parë qyshë tash. Kjo punë paska mbaruem. Nji konsull amerikan nuk rrên, se s’ka nevojë. Edhe punën t’ânde e ka vetë në dorë. Kontrollimet mjeksore me shpresë të Zotit mirë e mâ së miri kanë për të dalë. Pra prit i qetë e mos u mërzit.

Për dërgesa teshash, të vjetra a të reja, ushqimesh a paresh në Shqipní mos pyet, lum miku! Jemi të tânë ndër kushte të njimênda. Durim na dhântë Zoti andej e këndej.

Për librin e Jireçekut s’po lodhemi mâ. Po bâjmë ç’të mundemi pa tê. Por ti do të më lajmojsh nja nji muej dit para se të duhet pjesa qi kam marrë mbi vete, se besoj qi kaqë kohë do të më mjaftojë për t’a punuem lândën qi kam përgatitun. Këtë nderë po t’a lyp për arsye se kam punë tjera nëpër duer e nuk due me i lânë mbas dore pa kohë e pa nevojë.

Prej korrespondencës qi kam pasun me Martinin e kam pasë kuptuem pakëz atê qi po më shkruen ti tash prej lajmesh qi paske marrë prej atij mikut të papritun. Edhe kam shkruem tri letra n’Italí, miq e të ndryshëm, me qëllim qi t’u bienë në vesh dirigjentavet kompetenta të Romës për t’i shkundun disi prej lethargjisë qi i ka mbuluem. Por fund’i fundit, na shkrimet t’ona, po patëm gjâ për dobinë t’onë kombtare, duhet t’i botojmë kudo qi të jetë e prej kujdo qi të na ipet ajo mundsí. Fjalor’i im, deri në provë të kundërt qi âsht në dorë të kohës, duhet njehun i mbaruem për jetë. Por kam gati e mund të përgatis gjâna tjera prap të dobishme, shpresoj. Veçse kontakti ndërmjet meje e atij mikut qi paska folë aqë fjalë të mëdhá si bâhet? Si bâhet për atê, se un sa për komprometim t’emin s’jam tue çamë krye aspak, kudo qi të jemë. Këtu qëndron kokla. Ai tý s’t’a paska lânë as ndonji gjymsë fjale për sa i përket ksaj. Si me u marrë vesht për psevdonymin? Marrveshtja âsht e bâme, po të duen. Un psevdonymin letrar e kam. E në qoftë se ata thonë qi as Shpend Bardhi s’bân, se âsht i njohun, atbotë mendohem edhe un.

Martini ka mot qi s’më ka shkruem mâ. Natyrisht as un s’e kam gërmuem. Por sod po i a nis nji kartë urimi për Pashkë. As nuk dij se ku gjindet tash me punën qi ka pasun në dorë e për të cilën qe çelë rrug’e korrespondencës ndërmjet tij e meje.

Të shkuemen në kamp, natyrisht ke me më lajmuem. Atje s’besoj se ka me të përkamë nji banim i gjatë.

 Me përqafime

 Mustafa

 

Romë, 1 Qershuer 1955

            I dashtuni dhe i ndershmi Z. Mustafë,

Para javës Ju kam dërgue bashkë me Dr. Oruçin të falat në nji kartolinë, mu atë ditë qi ai u nis për Amerikë, por nuk kam mujtë me Ju përgjegjë letrës së Z. së Juej me kohë pse jam rrekë a mos po gjêj ndonji punë e blej ndonji libër nëpër piskut para se (n’a pastë thanë Zoti) me u nisë edhe un. Kjo nuk asht arsyeja e vonesës, por shkaku i hutimit e tash qi shkoi Z. Hamdi Oruçi e më la edhe 25 copë Abetare tjera të Z. së Juej, po më duhet me Ju lajmue se ku gjinden. Un edhe përpara kam pasë marrë 15 copë e i kam pasë dërgue në Triestë, ku asht hapë kursi i analfabetvet t’ardhun rishtas nga Jugosllavija. Kur i pata marrë u pata folë këtyne Zotnijvet të Blokut dhe më thanë se natyrisht të mërguemit nuk kanë të holla me i pague Z. Mustafës, porse do t’a rregullojshin ata e ti Zef merri e dërgojau, mbasi i ke nxitë e kanë vendosë për hapjen e atij kursi. Ashtu bana e kursistat, ndër të cilët edhe kushrini i em (djali i tezes = emtës), kanë vendosë me Ju falënderue bashkarisht porsa të nisin me vu firmat e veta, pse un iu pata theksue qi mbasi ndoshta nuk mundemi me e shpërblye auktorin materjalisht, së paku falënderonje e ata m’u përgjegjën kështu. Këtyne miqvet do të Ju flas edhe nji herë e mandej shëndosh, shofim e bajmë.

Tash po vij ke çashtja e fjalorit qi përmendshi mbas çekjes s’eme: me atë ish shokun e shkollës e mikun me zort (se kur t’a mësyn edhe anmiku, duhet me e quejtë mik për dhunë) pata bisedue të gjitha ato qi Z. e Juej i shoshitshit në letrën e fundit të dt. 2 Prill. Ai mu e theksoi se për botën intelektuale shkencore shqiptare asht krejt njisoj sikur të thuesh Mustafa Kruja sikur Shpend Bardhi e ia spjegoi të shoqes gjanë e gjatë punën e Z. së Juej tue e quejtë mëkat të madh pjesëmarrjen t’Uej në politikë e rrezik e pafat sí për shkencat e kombin shqiptar. Prandej ai ngulmonte se as me ate pseudonim nuk do të mundshin me bamë botime të Z. së Juej. Mbetet prandej me bamë atë hapin e fundit qi thojshit “atbotë mendohem edhe un.”

Ai tha thekstualisht kështu: “Na pranojmë me gjith kënaqsi shkrime shkencore prej çdo t’emigruemi; i botojmë e i shpërblejmë në bazë të ligjit t’onë, por me kusht qi ata qi janë theksue tashma si bashkëpuntorë e udhëheqsa kundër luftës nacjonal-shlirimtare, duhet të përdorin pseudonim krejt të rij për në mos dashin me na i shitë krejt pa zâ e na si institut mund t’i blejmë edhe të drejtën kundrejt nji shpërblimi mâ të fortë.” Un nuk dij se shka me thanë tash qi rrotat e kerrit po bijnë në rravat e veta, pse sa për marrëveshtje e çdo botim un pa pikën e bremjes së ndërgjegjes do t’u shkruejshe e kontraktojshe simbas këshillavet e udhëzimevet të Z. së Juej natyrisht vetëm për çashtje letrare e shkencore. Veçanisht për Ju, Z. Prof. Ressulin e Prof. Gurakuqin më kërkoi se ç’mendoni për diskutimet e tyne rreth përemnavet pronorë, dhe e shtroi pyetjen kështu thjeshtë: “A kanë përemnat pronorë nyje dhe n’a paçin a duhet të lakohen e pra të mbeten ndamas përemnat nga nyjet apo të ngjiten?” Ai dishronte o shkrime të Jueja mbi këte ose bindje t’Uejat të mbledhuna e arsyetueme me konstatime për të mujtë me i nda taborret e eminentavet gjuhësorë e ba bilancin ashtu qi theza e shumicës s’arsyetimeve e përdorimeve të marri formën zyrtare përsa i përket orthografis së shqiptarëvet nën Jugosllavi. (por besa tash Mehmeti e Enveri do të proponojnë toskënishten si në 1946 qi kishin pasë dashtë me e imponue me sa më ka thanë Prof. Zekerija Rexha, ish Përgjegjës i Arsimit për Kosovë e Metohi e kryetar i Komisjonit pedagogjik).

Sidoqoftë Ju shifni e bani e mund të merreni vesht drejtë për drejt edhe me Martinin qi porsa të mbarojë studimet e të laureohet, besoj se do të shkojë në Prishtinë pranë Institutit Albanologjik. Ai besoj se nuk e ka lanë për gjâ pa Ju shkrue, porse asht i zanun me përgatitjen e laurës e i ka vû vetit shum barrë tjera mbi krye: posë fjalorit të Kristoforidhit me sa kam ndigjue prej nji emigranti, paska marrë përsipër edhe nji romancë. E si vetë e dini ata të kuqt i kanë të gjitha punët me plan e prandej pa dyshim se djali i huej, tue u haprue, âsht stërmundue e s’i del rend me çelë e me mshelë sŷ.

                                                                           * * *

Po kaloj pak pupthi ke letra e dt. 17.III.1955 e Ju thom se terrenist domethanë: ai njeri që dërgohet në kohë lufte o kushtrimi prej nji vendi në tjetrin me letra, fletushka, postë, porosina e detyrë për veprime të drejtpërdrejtshme. Ai qi del në terren quhet terrenist. Kjo âsht bâ buka e përditëshme e komunistavet e po habitem se si nuk Ju paska ra në sŷ.

M’erdh shum mirë qi e kishit gjetë librin e Belegut. Ka shum sende të vlefshme. Un kam blê librin e A. Baldacit për 4000 lire; gjithashtu kam gjetë edhe nji hartë shum të mirë të Shqipnis Ethnike prej Kolonel G. Gunibertit. Tash në gazetën Rilindja qi e marr rregullisht ka dalë harta e Kosovës e e Metohis, të cilën e kam fotokopjue si shum të tjera, por nuk po kam kohë me u rivû me punue si duhet. Porsa të më thrrasin për në vizitën mjeksore, do të Ju shkruej ashtu si më keni porositë e më këshilloni se si do të bani Ju e un. Me këte rasë nuk e mshefi se shum vetë janë ftofë e nuk janë tue pague ma rregullisht si përpara, as tue punue, sidomos mbasi heshti edhe fushata e ndërmarrun nga Syrija. Ndoshta Z. Xhaferi do të donte të rimerrte veprimtarin ekonomike po të kishim mujtë na tjerët (tue Ju përjashtue Ju qi keni kontribue gjithsesi n’udhëzime, sugjerime e landë) me plotsue shka i patëm vû sejcili vetit për barrë. Ne na ka ndodhë kështu: “Ai bane ti, ai bane ti” e puna jet pa e bâ, sado qi shumica, për mos me thanë krejt, ka qenë caktue.

Ngjitun me këte letër po Ju dërgoj edhe gjenealogjin e familjes së Gjomarkajvet simbas thezës së Dom Nikoll Kimezes, dajës së Babës s’em. Vizatimin a trungun gjeneologjik e ka vizatue Gjon Pjetër Gjomarkaj. Ma vonë, mbassi t’a zbardhi, do të Ju dërgoj nji relacjon shum të vlefshëm të Dom Nikollit mbi Katholikizmin në Shqipni, Mirditën e Princin e saj, qi ia drejton Shejtit At Papë e në të cilin natyrisht kam dhanë kontributin e vogël edhe un nemose me kërkime hamalliqe. Kuptohet se punën e Dajës qi ia dërgoj Lalës as Daja e askush nuk duhet t’a dije, por e dërgoj për dijeni e kureshtje shkencore.

Tash jam tue marrë rregullisht letra prej shpije, madje kam marrë edhe prej kushrinës nga fusha e përqindrimit të Lushnjes, prej kah më kërkojnë barna e mos e shtyjnë edhe ndonji ditë jetën si petkun me arna. Vllau në Jugosllavi shkruen se asht shum mirë gjithsesi.

Gati pata harrue e më falni: E kam pasë parandie reaksjonin e randë qi do të bahej për artikullin e parë të Shero Beqirit e i pata thanë Z. Prof. Koliqit kur m’a lexoi se do të bindet dreqi. E u bind. Vetëm për të vërtetën qeshet, qahet e hidhet në shtjelm njiherit. Ju jeni ende i ri e keni energji për mos me thanë të papërdorme, të freskëta e të pushueta intelektuale; e, sadoqi për tash keni hekë dorë nga leader-i politik, shpata e Juej shungullon idhët e përmnershëm.

Pa marrë parasysh pra se un për veti në këte hutim politik e krizë ndërgjegjesh nuk do t’a kishem këshillue botimin e artikullit “Këta Azijatikë” – shka u duk me pjesën e përgjegjes ose të arsyetimit të numrit të fundit un Ju uroj për ate qi në Ju gjinden energji të pashterrshme e vullndet i patundshem.

Si gjithmonë Ju uroj pra shëndet e jetë të gjatë për të mirën e Kombit e ngazullimin e breznivet t’ardhëshme.

 I Jueji me mall e nderim.

 Keni të fala prej të gjith miqve

 Zef Nekaj

 

 

  Ramleh, 8-VII-1955

        I dashtuni Zef,

Lidhun për kapistre në grazhd tue pritun prorë se po i vjen bari, gomar’i shkretë âsht bâmë asht e lëkurë prej mërzijet. Por i bindun se nji ditë ai dreq bari do t’i vijë pa dyshim e me durimin proverbjal qi i ka falë Zoti, s’e ka qitun kurrkund cekën me ngordhun.

Vetëm nji frikë po kam. Po drue se edhe tý po të bie ndoshta me e kapërcyem atë hendek të gjânë qi e ka emnin Atlantik, sikurse t’a kam dëshiruem e uruem gjithmonë e me gjithë shpirt, pa u pamë bashkë, si Hamdiut edhe tý. E kjo frikë, në qoftë se ndodhë, kishte me qênë nji hije e lehtë mbi gzimin qi kam me ndie për tý kur të marr atë lajm. Më shkruejshe se ishe tue pritun me u thirrë për kontrollimin mjeksuer. Me këtë lajm jam deri tash e tjerat jam tue i pritun.

Në paça fat, pra, kam me të pamë para se të nisesh. Këndova dje në nji numër të Tempo-s se si i paska takue nji babe me e pamë për të parën herë të birin kur ai ishte bâmë….15 vjeç! Nji gjâ analoge parafytyroj edhe në pjekjen t’eme me tý në pastë për t’u bâmë ndonji herë. Ají sa analogjina janë tue më guluem në këtë ças prej zêmret te mêndja! Por mâ mirë le të rrijnë atje tek janë…

Sido qoftë, pra, uroj të kemi me tý nji fat mâ të mirë se e pata pasun me Bashkimin, t’im bir, e se e pata me Hamdiun. E atbotë po e din Zoti se sa përralla do t’i kallzojmë shoshoqit. Kemi për të folë gjat’e gjânë edhe rreth planevet për botimin e shkrimeve të mija “shkencore”. Shpesh herë, prej nji baze të sendërt (reale: M. Logoreci) qi duket kurrgjâ lejnë ândërra madhështore, të cilat pa prit’e pa kujtuem ndonji herë bâhen edhe këto vetë sende. Kur don fati, me punuem për së mbari!

   Të përqafoj me mallë

 Lala i yt

 Mustafa

 

        P.S. Besoj se edhe në Merditë shkon ky titull i im për ty. Por kur të më shkruejsh ndonji herë me ngê m’a tfillo me shêmbuj të njohun përdorimin e këtij titulli atje në dhe t’uej.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency