“Rikthehet” formulari A3/ Shifra alarmuese, mësuesit ngelin në provimin e shtetit

0
154

Driçim Çaka

mesues1 Në maturë mbetës 33% e maturantëve, hiqen 120 tekste nga katalogu i përhershëm

 I hiqet licenca shkollës “Talenti”, ku të gjithë maturantët ngelën në Matematikë

 Më shumë se 30% e mësuesve nuk kanë arritur të marrin pikët e mjaftueshme për të qenë kalues në provimin e shtetit. Ka qenë Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e cila ka zbuluar shifrat gjatë një raportimi në Komisionin e Medias dhe Edukimit. Provimi për mësuesit u zhvillua nga data 10-24 korrik, ku ata që pritet të edukojnë brezat e ardhshëm nuk kanë mundur të marrin 55 pikë, që është dhe kufiri për të qenë kalues. MAS vendosi që të rriste nivelin e pikëve të kalueshmërisë dhe rezultati tregoi se jo të gjithë të rinjtë që kanë mbaruar degët e mësuesisë, janë të aftë për të dhënë mësim nëpër shkolla. “Kemi shifrat mbi 30 për qind e mësuesve nuk kaluan dot provimin. Kryefjala jonë mbetet kualifikimi i një lloji të ri, jo si ai që ka qenë deri më sot”, – tha ministrja Lindita Nikolla gjatë raportimit në Komisionin e Edukimit.

 

Ngelësit në maturë

Lidhur me numrin e ngelësve në Maturën Shtetërore ministrja konfirmoi se 33% maturantëve janë ngelës dhe se për këtë grup do të ketë programe të veçanta në provimet e vjeshtës që do të zhvillohen në shtator. “Në totalin e Maturës Shtetërore kemi shënuar kalueshmëri prej 67 për qind dhe 33 për qind mbetje. Janë përgjithësisht shkolla të licencuara private part-time, shkolla që rezultojnë të jenë fiktive në kuptimin e cilësisë së punës, por edhe pjesëmarrjes së nxënësve në mësim. Inspektimet ndaj tyre në vitet e fundit kanë qenë inekzistente në kuptimin e nxjerrjes së të vërtetave”, – përmendi Nikolla. Po kështu, Nikolla theksoi se të gjithë mbetësit do t’i nënshtrohen provimit në vjeshtë dhe për këtë kategori do të jetë mundësia e fundit për të qenë kalues. Sipas ministres së Arsimit, pavarësisht se u vendos që nuk do të kishte formular A3, MAS do t’u japë edhe një mundësi shtesë kandidatëve, gjithmonë për kuotat që do të ngelen bosh.

 

Inspektim shkollave

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka deklaruar se do të rishikohen licencat e disa prej shkollave të mesme private, të cilat rezultojnë të jenë fiktive, qoftë nga cilësia, por edhe nga pjesëmarrja e nxënësve në mësim, që sipas saj, janë pajisur edhe me diploma. Nikolla pohoi se shkollës “Talenti” në Durrës, ku mbetën të gjithë maturantët, i është hequr licenca. Pas verifikimit të rasteve Ministria do të përgatisë një paketë për prindërit dhe nxënësit me të mirat dhe problemet e çdo shkolle që ata të dinë ku të drejtohen. Ndërkohë, në shtator dhjetëra tekste të altertekstit do të përjashtohen nga programet mësimore. Së shpejti do të hartohet edhe një ligj i ri për tekstet shkollore, në përpjekje për t’u dhënë fund shumë alternativave problematike që mbarti alterteksti ndër vite. Ministrja e Arsimit përmendi se do të hiqen 120 tekste nga katalogu i përgjithshëm, pasi kanë rezultuar me probleme. “Nëse këto tekste nuk do të korrigjohen nga botuesit, do të hiqen fare nga përdorimi”, – theksoi Nikolla.

 

Hepatiti B, vuajnë 9% e popullsisë

Në Shqipëri 7-9% e popullsisë vuajnë nga hepatiti B, ndërkohë që rreth 1% vuan nga hepatiti C, hepatite këto që çojnë në kancerin e mëlçisë dhe viroza. Përballë kësaj situate, autoritetet e shëndetësisë shqiptare u tërheqin vëmendjen pacientëve që të kryejnë analizat e nevojshme, qoftë edhe një analizë të thjeshtë gjaku në laboratorët e qendrave shëndetësore, pasi problem mbetet ende numri i madh i pacientëve të cilët vuajnë nga hepatitet, por nuk e dinë pasi nuk janë diagnostikuar më parë.

“Rezulton se ka një numër të konsiderueshëm individësh të cilët janë të prekur nga hepatiti B, ka një vlerësim paraprak që thuhet deri në 7-9% e popullatës që janë në rrezik të lartë që janë prekur nga kjo sëmundje. Ajo çka është më e rëndësishme është pjesa tjetër e popullatës që nuk ka dijeni se janë të infektuar dhe këta janë rreziku kryesor për përhapjen e mëtejshme të sëmundjeve”, – shprehet Arjan Bregu, drejtor i ISHP-së. Vaksinimi është një nga mënyrat më të mira të parandalimit thonë autoritetet e shëndetësisë. Ai tashmë po shtrihet edhe në kontigjentet më në risk, si fëmijët romë e egjiptianë, ndërkohë që në zbulimin e hepatiteve do të ketë një efekt edhe depistimi i popullatës në moshat nga 40-65 vjeç. “Nuk është problemi i periudhës 94 edhe në vazhdim, por problemi është i të lindurve para kësaj periudhe, të cilëve u rekomandohet në mënyrë të vazhdueshme që t’u drejtohen institucioneve shkencore”, – theksoi Bregu. Aktualisht, sipas të dhënave që raporton OBSH, sot hepatiti shkakton rreth 2.7% të vdekjeve në botë dhe parashikohet të jetë ndër shkaktarët kryesorë të vdekshmërisë në dy dekadat në vazhdim. Më shumë se 240 milionë njerëz kanë hepatit B dhe rreth 150 milionë të tjerë hepatit C.

 

 Lezhë, hiqen nga ndihma ekonomike 1500 familje; Bashkia e Elbasanit kundër Veliajt

Vetëm gjatë 9 muajve të fundit, mbi 1500 familje janë hequr nga skema e ndihmës ekonomike në qarkun e Lezhës, ndërkohë që janë konstatuar abuzime edhe me pagesën e paaftësisë në vetëm 30% të dosjeve të kontrolluara. Sipas Bashkisë së Elbasanit, qytetarëve të këtij qyteti u është hequr ndihma ekonomike. 1200 persona janë prekur nga kjo platformë e ndërmarrë nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj. Kreu i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, ka deklaruar se është kundër platformës së MMSR-së për ndihmën ekonomike. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të qytetit, ai theksoi se kjo ndihmë u është hequr 1200 personave. “Presim zgjidhje për shqetësimin e krijuar. Jemi në kontakt me Ministrinë”, – është shprehur Sejdini.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency