Skandali i Bankës së Shqipërisë/ Guvernatori fullani thirret në Prokurori për hetime

0
108

 Anxhela Tato

bsh 2Dyshimet e policisë, brenda 4 viteve vlefta financiare e parave të grabitura mund të jetë 20 mln dollarë

 Prokuroria, kërkesë për informacion nga bankat e nivelit të dytë për verifikimin e numrave serialë të kartëmonedhave

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, pjesë e listës së personave që do të merren në pyetje nga ana e akuzës për grabitjes spektakolare të 700 milionë lekëve. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme pohojnë se sot do të nisë faza e pyetjeve të zyrtarëve të Bankës, kjo pas verifikimit të të gjithë personave, të cilët kishin për detyrë inventarizimin e parave dhe kontrollin e tyre. Hetuesit mendojnë se për vjedhjet Bitraj është ndihmuar edhe nga persona të tjerë, të cilët dyshohet se janë bashkëpunëtorë të tij. Ndërkohë, mësohet se policia ka kërkuar nga të gjitha bankat e nivelit të dytë kontrollin dhe verifikimin e numrave serialë të kartëmonedhave. Kjo, pasi një pjesë e mirë e parave të vjedhura nga Ardian Bitraj ishin para që do të asgjësoheshin, ndërsa kanë dalë jashtë qarkullimit. Pas deklarimeve të Bitrajt, oficerët e policisë dyshojnë se shumica e kartëmonedhave janë rihedhur në treg, ndërsa janë para të pavlefshme, kjo për shkak të numrit seria, i cili është i klasifikuar si numër stok për t’u asgjësuar. Në deklarimet e tij në polici, Bitraj ka thënë se shuma e parave të vjedhura është rreth 7 milionë dollarë, por hetuesit e policisë dyshojnë se shifra reale kap vlerën e 20 milionë dollarëve përgjatë 4 viteve. 5 ditë më parë, Auditi i Brendshëm i Bankës së Shqipërisë, në momentin që ka tentuar të bëjë inventarizimin e parave që do të asgjësoheshin, ka konstatuar mangësi në pakot e mbushura me para. Në këtë kohë, i dyshuari Ardian Bitraj ka pranuar se ka hapur kutitë, duke marre para dhe duke i mbushur ato me libra. Për këto vjedhje dyshohet si bashkëpunëtore edhe përgjegjësia e arkës Mimoza Bruzaj gjithashtu e arrestuar me vendim gjykate.

 

Dyshimet

Deri tani, Prokuroria ka zbuluar dy skema të vjedhjes së kartëmonedhave. E para është ajo e vjedhjes nga baletat e importit të kartëmonedhave në lekë nga Zvicra, të cilat hapeshin e vidheshin, ndërsa paratë zëvendësoheshin me libra. Skema e dytë është ajo e vjedhjes dhe hedhjes në qarkullim të kartëmonedhave të dëmtuara, të cilat i nënshtrohen procedurës së asgjësimit. Burimet thanë se ende nuk është bërë një auditim dhe inventarizim i plotë i gjendjes dhe ndërhyrjeve të kryera në thesar, ndërsa shuma sipas burimeve mund të shkojë deri në 20 milionë USD, e vjedhur në 4 vite. Prokuroria ka tashmë të arrestuar 2 punonjësit Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia. Bitraj ka dalë në rrethana pohuese për vjedhjen e kartëmonedhave, duke pretenduar se 600 milionë lekë të rinj i ka luajtur dhe humbur në kumar. Prokuroria ka kërkuar nga bankat e nivelit të dytë verifikimin e numrave të sigurisë të kartëmonedhave që u janë nënshtruar procedurës së asgjësimit nga Banka e Shqipërisë, pasi dyshohet se një pjesë e mirë e tyre janë vjedhur dhe janë hedhur sërish në treg. Prokuroria dyshon se një pjesë e parave, që u vodhën në Thesarin e Bankës së Shqipërisë, mund të jenë transferuar jashtë shtetit. Përkundër deklarimeve të të arrestuarit Bitraj, i cili pretendon se të gjitha paratë e vjedhura i ka lënë në kumar, prokurorët kanë dyshime të arsyeshme se një pjesë e tyre mund të jenë transferuar jashtë. Për këtë qëllim, grupi hetimor ka kërkuar informacion nga bankat private në vend. Në hetime janë përfshirë të gjitha strukturat, si ato të investigimit të Bankës së Shqipërisë, ekspertë të Drejtorisë kundër Pastrimit të Parave, agjentë të SHISH, apo ekspertë policorë dhe hetues të Prokurorisë. Deri më tani, nën akuzë dhe të arrestuar janë vetëm dy ekonomistët, Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzi, ndërsa hetimet po nxjerrin në dritë edhe persona të tjerë të përfshirë, ku për të paktën tre prej tyre pritet të ketë edhe masa shtrënguese.

 

Hetimet

Grupi hetimor dyshon se arka brenda kasafortës, ku mbahen paratë stok, nuk është e pajisur me kamera të sigurisë dhe kjo i ka krijuar mundësi të dyshuarit Bitraj të fshehë paratë brenda mes rrobave të trupit ndër vite. Mësohet se oficerët e policisë kanë vijuar marrjen në pyetje të personelit të sigurisë së ndërtesës me rëndësi të veçantë. Prokurorët thanë se me sekuestrimin e kamerave do të provohet, nëse personeli i sigurisë, ka zbatuar rregulloren e kontrollit fizik të personave që hyjnë dhe dalin nga institucioni. Sipas prokurorisë, për llogari të dosjes hetimore do të sekuestrohen edhe kamerat e sigurisë në lokalet e lojërave të fatit, ku Bitraj pretendon se ka harxhuar për disa vite shumën e vjedhur prej 600 milionë lekësh. Hetuesit thanë se do të marrin në pyetje edhe personelin e këtyre bizneseve, për të vërtetuar deklarimet e të dyshuarit. Paraditen e të hënës, Auditi i Brendshëm i Bankës së Shqipërisë, në momentin që ka tentuar të bëjë inventarizimin e parave që do të asgjësoheshin, ka konstatuar mangësi në pakot e mbushura me para. Në këtë kohë, i dyshuari Ardian Bitraj ka pranuar se ka hapur kutitë, duke marrë para dhe duke i mbushur ato me libra. Për këto vjedhje, dyshohet si bashkëpunëtore edhe përgjegjësja e arkës, Mimoza Bruzia, gjithashtu e arrestuar me vendim gjykate. Vetë Bitraj pretendon se shumat prej 600 milionë lekë i ka tërhequr përgjatë 4 viteve, me dijeninë e koleges së të njëjtit sektor, Bruzaj, duke ndjekur një mekanizëm për skenar filmash. Ai thotë se hynte në këtë sektor, ku i ishin besuar çelësat nga Banka e Shqipërisë me libra, të cilat i zëvendësonte me lekë të prerjeve 5 mijëshe. Bitraj thotë se lekët i fshihte në trup dhe se ka pasur ditë që ka kaluar pragun e bankës edhe me 10 milionë lekë të fshehura.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency