Shuhen shpresat e Tiranës, Kosova nuk ndërton dot TEC të ri

0

 Ervin Kaduku

tec–  Gjiknuri kishte deklaruar se qeveria shqiptare do të kontribuonte me financim, por kostoja del shumë e lartë, mbi 1 miliard euro, që nuk i ka as Kosova dhe as Shqipëria

“Dush i ftohtë” mbi shpresat e qeverisë “Rama” dhe qeverisë “Thaçi” për furnizimin në të ardhmen me energji elektrike. Kosova do të blejë energji elektrike nga vendet e rajonit edhe për më së paku 6 vjetët e ardhshme, për shkak se ndërtimi i termocentralit “Kosova e re” nuk mund të fillojë brenda dy viteve, ndërsa ndërtimi i një termocentrali më së paku zgjat pesë vjet. Kështu shprehen ekspertët e çështjeve të energjetikës në Prishtinë pas shtyrjes së afatit për dorëzimin e ofertave nga investitorët që bëri Komiteti drejtues i projektit termocentrali “Kosova e re”.

Pak kohë më parë, në një intervistë televizive, ministri shqiptar i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, u shpreh se në këtë projekt mund të merrte pjesë financiarisht edhe Shqipëria, pasi është shumë e interesuar që të marrë nga Kosova energjinë e prodhuar nga qymyri, që nuk varet nga kapriçot e motit, ndërkohë që vendi ynë mund të furnizonte me energji nga burimet hidrike Kosovën në rast nevoje ose në periudhat kur kemi prodhim të bollshëm, që i kalon nevojat e konsumit vendas.

 

Dështimi

Ethem Çeku, ish-ministër i energjisë në kohën kur ka filluar projekti në vitin 2006, tha për Radion Evropa e Lirë se ndryshimet dhe devijimet e shpeshta që i janë bërë projektit të termocentralit e kanë kthyer atë në pikën zero. “Që nga viti 2007 sektori i energjetikës në Kosovë ka pësuar degradim total, një projekt i cili ishte para finalizimit e kemi kthyer në pikën zero. Për konceptin tim ky projekt ka dështuar, kjo qeveri dhe komitetit drejtues i këtij projekti e dështoi projektin e ngufati edhe sektorin ekonomik. Nuk mund të ketë progres ekonomik duke mos pasur për t’i furnizuar me energji elektrike investitorët vendor dhe ndërkombëtarë”, – vlerëson Çeku.

Termocentrali “Kosova e re” është një projekt i cili ka filluar vite më parë dhe është përcjell deri më tani nga 4 ministra. Ky projekt kishe pësuar ndryshime vit pas viti, duke u bërë ndarja e termocentralit “Kosova B” nga pakoja tenderuese e projektit Kosova e Re. Sipas kësaj pakoje, termocentrali “Kosova e re”, do të ketë kapacitet prej 600 megavatësh. Derisa gati çdo vit ishte paralajmëruar nisja e ndërtimit të tij, ministri i Zhvillimit Ekonomik në largim, Fadil Ismajli, para shtyrjes së aftit për dorëzimin e ofertave nga investitorët ka premtuar se ky projekt do të fillojë në vitin 2015.

Sidoqoftë, Ethem Çeku konsideron se sikur projekti të ishte zbatuar në vitin 2007, ashtu siç ishte paraparë, Kosova tani do të kishte dy vjet pune më termocentralin e ri. “Po të fillojmë këtë vit ta ndërtojmë, por që nuk ka gjasa edhe 2 vite maksimum të fillojë ndërtimi i termocentralit “Kosova e re”, Kosova mund të pret të ndërtojë një termocentralit të ri diku ne vitin 2020. Pra, edhe 5 deri 6 vite, Kosova do të paguajë çmim të shtrenjtë për blerjen e energjisë elektrike nga vendet e rajonit. Kjo është kosto e madhe që qytetarët dhe ekonomia do të paguaj për shkak të gabimeve në konceptin dhe menaxhimin e termocentralit “Kosova e re””, – thekson Çeku.

Njohësi i çështjeve energjetike Ethem Çeku konsideron se për termocentralin “Kosova e re” duhet të punohet më profesionalizëm më të madh, të tërhiqen investitorë që kanë njohuri në fushën e linjitit dhe investitorë kredibil financiarë. Qeveria e ardhshme, shton Çeku, duhet të arrijë konsensus politik për të shtyrë zhvillimin dhe realizmin e këtij projekti.

Në anën tjetër, shoqëria civile në Kosovë vazhdimisht kishte kërkuar që të ndërpritet procesi përgatitor për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re”. Ata konsiderojnë se në Kosovë ekzistojnë alternativa tjera energjetike që sigurojnë energji të mjaftueshme. Visar Azemi, koordinator në konsorciumin e shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm, KOSID, konsorcium ky që merret me çështjet energjetike, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se qasja ndaj projektit termocentralit Kosova e re ka qenë e gabuar. “Për faktin që ky projekt ka filluar shumë moti dhe tani në këtë vit as nuk ka filluar ndonjë hap për ndërtimin e tij, kjo le të kuptosh se qasja ndaj këtij projekti ka qenë i gabuar. KASID ka dhënë hapa që duhet të ndërmerren para ndërtimit të termocentralit Kosova e re, ku kemi thënë që së pari duhet të shikohet efiçenca pastaj të jepet përparësi burimeve të ripërtërishme dhe në fund të mendohet se sa do të ishte kapaciteti që do të duhej të ndërtohej”, – thekson Azemi.

Termocentrali “Kosova e re” llogaritet të jetë një ndër projektet më të mëdha në Kosovë, ndërsa kostoja për ndërtimin e tij vlerësohet të jetë 1.5 miliardë euro.

 

Projekti

Pak muaj më parë, zyrtarisht u tha se investitorët e parakualifikuar për ndërtimin e termocentralit të ri në Kosovë vazhdojnë interesimin për këtë projekt. Ata tashmë i kanë dhënë komentet e tyre, që pritet të përfshihen në strukturën e transaksionit. Udhëheqësi i projektit, Liridon Mavriqi, tha në qershor 2013 për Radio Kosovën, se këtë proces qeveria po e zhvillon në konsultim me faktorët vendorë e ndërkombëtarë dhe çdo ndryshim duhet të jetë i harmonizuar me ta. Njëkohësisht janë duke u konsultuar me investitorët, në mënyrë që të sigurohet një konkurrencë sa më e madhe, thotë Mavriqi. “Për momentin janë tre investitorë që kanë duke vazhduar të shprehin interesim për projektin. Përfundimisht nuk mund të paragjykojmë se sa do të ofertojnë, por nëse vazhdon në bazë të interesit të cilin e kanë shprehur deri më tash, shpresojmë se do të kenë interes edhe më tutje”, – theksoi ai.

Vendimi për ndërtimin e një termocentrali të ri në Kosovë me bazë qymyrin, që Kosova e ka me shumicë, ishte marrë në vitin 2005, por projekti është zvarritur, duke iu ndërruar fillimisht emri, e pastaj edhe struktura. Mavriqi deklaroi atëherë se investitorët kanë kërkuar fleksibilitet, që të sigurohet se projekti është i financueshëm dhe të reduktohet kostoja e tij.

Sipas tenderit, termocentrali i ri pritet të ketë dy blloqe me kapacitet prej 600 megavatësh. Kurse ofertues të para-kualifikuar për këtë projekt ishin: PPC dhe Sithe Global, konsorcium nga Greqia dhe SHBA; Park Holding Ciner Group nga Turqia dhe Contour Global nga Anglia.

 

 Tatimi në burim, fillon pagesa online

Duke filluar nga tetori i këtij viti, mundësohet deklarimi elektronik i pagesës së tatimit në burim. Kjo lëvizje kryhet në kuadrin e përmirësimit të raportimit dhe deklarimit fiskal. Kompania audituese dhe konsultuese “UHY Elite” pohon se pavarësisht nga data e parashikuar e fillimit të deklarimit elektronik si me sipër, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në njoftimin e publikuar në qershor, ka kërkuar që duke filluar që nga muaji qershor 2014, të gjitha subjektet të cilat paguajnë tatim në burim, të bëjnë plotësimin me dorë të formularit të deklarimit të pagesës (FDP) për tatimin në burim bashkangjitur dhe të dërgohet me postë në zyrën rajonale përkatëse të tatimeve.

Ky njoftim saktëson se deri në tetor 2014 procedura e pagimit të tatimit në burim NUK DO KETË ASNJË NDRYSHIM dhe do bëhet njëlloj si më parë. Po, nga ana tjetër, “UHY Elite” vë në dukje se ana tjetër i kanë kërkuar subjekteve që të bëjnë plotësimin me dore të FDP dhe ta dërgojnë me postë pranë zyrave rajonale të Tatimeve, DUKE MOS PËRMENDUR ASNJË AFAT në lidhje me datën e dërgimit të këtij formulari.

Si rrjedhojë, “UHY Elite” këshillon bizneset që fillojnë me plotësimin me dorë të këtij formulari dhe t’i dërgojnë me postë në zyrat rajonale të tatimeve në momentin më të parë të volitshëm. Deklarimi duhet të fillojë me tatimin në burim të mbajtur për llogari në qershor 2014 dhe të paguar në muajin korrik 2014 deri në tetor 2014 ose në momentin e fillimit të deklarimit elektronik.

 

FMN nxjerr zbuluar qeverinë: Po krijon borxh të ri ndaj biznesit…!

Fondi Monetar Ndërkombëtare, në raportin e fundit të tij për Shqipërinë, ka tërhequr vëmendjen që të bëhet kujdes në moskrijimin e detyrimeve të reja të prapambetura ndaj biznesit. Sipas një vëzhgimi që FMN ka bërë për muajin mars ka treguar se janë krijuar 360 milionë lekë detyrime të reja gjatë kësaj periudhe. FMN pohon se ka dhënë instruksione që do të shmangnin këto vonesa në të ardhmen. Institucioni pret që qeveria shqiptare të qartësojë në mënyrën e duhur çdo detyrim të prapambetur që do të zbulohet përgjatë këtij procesi. Fondi thekson se do të vazhdojë të forcojë aftësinë raportuese për të dhënat financiare të agjencive qeveritare.

Raporti tremujor i grumbullimit të detyrimeve të prapambetura, i kryer për herë të parë në prill 2014, që synonte të mblidhte informacion mbi detyrimet e papaguara të pesë ministrive qendrore do të vazhdojë në gusht dhe do të zgjerohet që të përfshijë dhe objektivat e vazhdueshme strukturore, theksohet në raportin e FMN-së. FMN do të vazhdojë të japë një raport të konsoliduar, 75 ditë pas mbarimit të çdo tremujori. Në tetor, do të mbulohen dhe 5 ministri shtesë.

Në mars, qeveria shqiptare miratoi strategjinë e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit, që u llogaritën në rreth 72 miliardë lekë dhe do ktheheshin përgjatë 2014-2016, ndërsa ministri i Financave deklaroi pak ditë më pare, gjatë paraqitjes së punës në 300 ditë, se ky proces mund të mbarojë në maj të 2015-s.