Letra e rrallë 1954/ Eksodi masiv i shqiptarëve drejt Jugosllavisë, si mashtroi Titoja 

0
153

josip-broz-titoKuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit, nis ciklin e publikimit, çdo ditë, të disa letrave të rralla

 Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete politikës e të kulturës. Pas çështjeve politike, të organizimit të partive në emigrim, letrat e Krujës shkojnë edhe në një dimension kulturor, siç është diskutimi me Zef V. Nekajn ku duhet shënuar se ky ishte studiues, dhe personalitet i letrave shqipe, i njohur me botimet e artikuj shkencore, të shkruar në të shumtën e herëve me pseudonime. Polemist mbi të vërtetën, në këtë frymë Nekaj argumenton në histori e gjuhë në letrat e rralla që ka pasur me Mustafa Krujën, të dy në vitet ‘50 në emigrim.

Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

 

***

 

Romë, 30.XII.1954

   I ndershmi dhe i dashtuni Z. Mustafë,

Letra e datës 18 e k.m. më mrrijti me kohë e edhe Ju Kërshëndellat Ju prufshin fat të bardhë me gjith dashamirë!

Përpjekja e vazhdueshme tue u ngutë me ngê qi jeni tue bamë Ju, po bam prej veti me randue pesha e mundimit ke Ju, shka për mue e për shokët e mij asht nji nderë, por m’anë tjetër nji farë bremjeje se Ju po lodheni e na nuk po mundemi me Ju ndihmue ndopak nê shka sadopak do të mundeshim në lidhje me ato shka Ju merrni përsipër e sidomos në sende a punë qi s’kërkojnë gjykim por mundim e kohë.

Pjesës Kosova nën Turqin veçanisht nuk i ka dalë zot kush, sadoqi asht mbledhë pak landë aty këtu. Kurkush nuk ka as kundërshtimin ma të vogël përsa Ju mund të ndërmerrni. Un vetë me kohë do të nxjerri në të pastër shënimet e bame në lidhje me themat qi Ju po ndërmerrni edhe do të Ju a dërgoj t’i vëreni e shqyrtoni në se përkojnë dhe në se mund të shtohet ndonjisend, shka do të baj edhe për kapitullin Kosova nën Turqin.

Më vjen keq vetëm se mu tash qi duhej të punoshem kam nji ndërpremije të plotë, për shkak të vërshimit t’emigrantave e t’ikunve Merditas prej Jugosllavije për këtu, qi me mish e krye e shpirt vërtetojnë gjithsa un ngulshe kambë ke këta zotnijt e “MIKPRITJES JUGOSLLAVE”!?…derisa me u quejtë “jo i marrë, po së paku i ekzaltuem”. Ani, edhe pse me dam, e kam se e kam shpërblimin moral edhe prej ma të thjeshtëvet malsorë qi shprehjen atdhê e kanë kuptue veç me mbushë o hambarin o kalin me misër, o me pasë se ku me shitë peshkven.

Mjerisht un vetë nuk kam pasë kërçik me zanë miq të huej ele ma asish qi na duhen nê. Do t’ia ap letrën e Z. së Juej – si thoni Ju mikut të madh – e besoj se ai do të kqyri, pse nuk asht i pa miq. Ju po tregoni shum kureshtar për mikun t’onë e un e quej kështu pse na të rijt, qi tash u plakëm pa qitë gja në dritë, nuk e kemi pasë fatin t’a njifshim ma përpara si tash. Ju bani kinse nuk e dini e ai asht Z. Deva, të cilin Ju e keni ma mik se un e e njifni fort mirë përpara meje. Për ne të gjithve ka çdo cilësi të njij burri të madh shteti, po për mue veçanisht, qi e kam pá në ball të luftës, ka vlerën e flijuesit vullnetar. Vetëm se, tue qenë shum objektiv nuk mrrimë me afrue kend, gjâ qi, simbas mendimit t’em i ka bâ e do t’i bâjë dam çashtjes së Shqiptarizmit të Kosovës, e cila në çdo kohë qi të jetë e njoftun vetëm Shqipnija e 1913 duhet të ketë përfaqsín zyrtare me tradita historike – tashmâ – t’iridentizmës, pa kqyrë shilurthet e politikës e të politikâjve e partive shqiptáre.

Kur të këthehet prej Austrije do të rikshillohem me tê në lidhje me mtimin e Z. së Juej dhe do të Ju shkruej.

Ju falem nderës shum për urime e veçanisht përsa më shkrueni për gruen t’eme, e cila me të vërtetë e ka pá të zít e ullinit e për të cilën, sidomos tash qi Mirditasit vërshuen këndej, nuk mund të bâj asgjâ. Po të kishe mrrijtë me e nxjerrë në Jugosllavi, atëherë kishte pshtue sa kohë ke vllau në Ferizaj e mandej ia kishe dalë me e prû këndej. Po i kapërcejmë kangët legjendare t’Aga Ymerit e ato të mythologjis klasike të Penelopes në shekullin e XX t’erës së dinamizmit e t’atomit! Por, mbasi jemi rrjedhë Pellazgësh e Ilirësh, ndoshta e zbukurojmë historín e Kohës së Rê.

Endè nuk jam thirrun për vizitë në Napoli e disi jam tue pasë njisoj frige jo aq “çyrykllekun t’em fizik”, sa çyrykllekun shpirtnuer, të ndonjâj qi mund t’i shkojë përdoresh me mbjellë zí.

Kam përcjellë urimet e Z. së Juej Gjomarkajve dhe Z. Mëlyshit qi âsht tue vyejtë si mâ i miri në nji lastore. Të gjithë Ju falen nderës dhe Ju urojnë shëndet e të mira për vjetin 1955 ashtu sikur me gjith zêmër Ju a uroj edhe un, qi të Ju sjelli shka të dishroni me zgjedhë për mâ mirë e mâ!

 

 I Jueji

 Zef V. Nekaj

 

 

 Romë, 4.II.1955      

   I ndershmi dhe i dashtuni Z. Mustafë,

Edhe un, sadoqi pak me vonesë, po e nisi përgjegjen me çashtjen e thjeshtë t’onën e këso here do t’a shkruej deri në fund letrën me makinën e rê pa e larcue. Përsa i përket pra pjesës “Kosova nën Turqin” e në plotsim të materjalit, shpresoj se deri me 20 k.m. do të kemë nji takim me nji shqiptar qi vjen prej Jugosllavije e njiherit i din ato burime. Edhe në qoftë se un nuk do të kemë mundësin me u takue, do të baj në mënyrë qi të m’a dërgojë Jirecekun, e gjithsesi do të ju shkruej. Në Bibliothekën Orientale nuk gjindet e as n’ate të Vatikanit, pse e kërkova. As librin e Xhafer Belegut të Lidhjes së Prizrenit e as gazetën “KOSOVA” qi delte në kohë të luftës e i ka pasë në koleksjon “Gazeta Shqiptare” qi delte në Bari deri vonë, nuk u gjetën në ish ndejën e asajë gazete. Thanë se i kishte marrë (Instituti?) Palermoja, por Z. Karl Gurakuqi, i pyetun zhdrejt nga nji shoq i joni, ka thanë se nuk kanë tërhjekë asgjâ!… Do t’a hulëmtoj mâ gjatë vetë këtê.

Tash po vij në pikën e dytë të çashtjes vërtetë interesante e për disa alarmante të vendasve t’onë qi ngulmënisht kanë kërkue me dalë këndej e po përgjegjem deri diku nji nga nji, si i dij un pyetjevet t’Ueja: mbasi edhe prej andej, si njeri i padukshëm kam marrë un gati shumicën e letravet drejt për drejt për të nxitë të mëdhejt t’onë këtu për ndërhymje:

Plani i tërhjekjes së vllaznis s’onë këndej asht krijue vetiut nga friga e rivendosjes së marrëdhanjevet të Jugosllavis me vendet kominformiste. Kësaj i ka ndihmue shum qindrimi indiferent e thueja inatçuer i nacjonalistavet kosovar ndaj malsorët e letë qi i vunë plangjet e tyne në shpinë si gabeli cergat. Kjo asht ana e vërtetë dhe ajo idealistike e ndjekun prej atyne qi janë të çeltërtë. Nga kjo gjendje ka përfitue dhelpnija e jugosllavëvet për t’ai prê kryet nacjonalizmit shqiptar emigrant me ndejë në gjiun e Organizatës së Mugoshit dhe me lejue kalimin ma parë të parashutistavet (edhe t’atyne pjesërisht), mandej të klerit katolik, si mund t’a keni lexue në fletoren “L’Albanie Libre”, e mandej me u tallë e me bâ tëhiq e shtyj me pjesën e pavetdijshme, e cila, e mbetun pa krye, e mbetun pa ndima, dhanë firmat se dishrojnë me kalue, e shitë edhe ato cukla qi kanë pasë, e hangër rrugëvet tue pritë se po dalin, kanë mbetë objekt i dy qeverinavet: Jugosllave e Italjane. Jugosllavët në fillim i lejuen me ba lutje për në P. tue dashtë: 1) me largue disa elementa të padishruem, 2) me nxjerrë nëpërmjet tyne disa spiûj në gjiun e emigracjonit shqiptar; 4) me riorganizue kur të duen e si të duen me elementat e tyne besnikë mashën e rê. Posë disave qi kanë ikë, grupe të ndryshme prej 10 deri 70 vetësh kanë mrrijtë shpesh herë në kufinin italjan me leje të Jugosllavëvet, por autoritetet italjane nuk i kanë pranue, tue thanë se nuk janë në gjendje kurrsesi të marrin përsipër mbajtjen e tyne ekonomikisht. M’anë tjetër kanë pranue, po, ata qi janë shkepë prej grupevet të të lejuemvet dhe kanë ikë me rrezik kreje ilegalisht. Janë sjellë mirë me ata qi, sa kanë qenë në Jugosllavi, nuk kanë pasë hy e dalë në Shqipni si terrenista për hesapë të Jugosllavis dhe kanë dërgue në Fraschette d’Alatri e keqtrajtue terrenistat. Kam dijeni edhe se organet aleate po i hulëmtojnë rigorozisht emnat e terrenistavet dhe po duen me dijtë në se kanë qenë t’autorizuem prej ndokujt këndej. Nuk parashifet kurrfarë lehtësije emigrimi për kërkend, posë për ata qi kanë fluturue prej këndej.

Priftën e fretën qi mrrinë kanë qenë, si me thanë, njifarë komisjoni për të përcjellë në qarqet shqiptare e të hueja amanetin e vullnetin e shumicës së nacjonalistavet t’atjeshëm. Janë sabotue – e thom me plot kuptimin e fjalës e kthjelltin e ndërgjegjes, sidomos pse kam qenë e jam si me thanë edhe un si nxitës e ndërmjetës e njoftës së paku pranë tyne me disa shqiptarë eminenta këtu – prej shumicës: disa duen me përfitue për t’i paraqitë nëpër kanalet e tyne pa u ngutë e për ngê; disa nuk duen me i pa me sy, pse a priori kujtojnë se janë të blokut, sadoqi ata kanë mbajtë qindrimin e tyne si u ka hije; disa u fishkllojnë në vesh e u përlkuren me ua marrë mendt e me i ba për veti me çdo kusht tue ua paraqitë gjendjen e veprimtarin e komitetit kaos e trathti, a thue se ata e kanë zgjidhë çashtjen shqiptare. Shkurt atë forcë qi mund të kishin e qi e kanë pasë me ardhjen e tyne, ua shpërndau intriga dhe nevoja e jetesës i nguti fretnit me shkue në Firence në nji kuvend e priftnit me lypë birucë e thërmija si mini. Ndërkaq letrat prej atyne qi i ka këthye qeverija italjane e Jugosllavët i kanë shti në kampin e Gerovës, Kroaci, (ma i vështiri fushim jugosllav) tregojnë gjendjen e tmershme e të papërshkrueshme t’atyne qi nuk kanë pranue ma lajkatimin jugosllav e premtimet e tyne. Duhet të mos kujtoni se kam marrë letër prej Gerove, por gjatë këthimit prej Trieste për në Gerovë kanë shkrue e hjedhë udhëvet letrat.

Sa për kureshti po Ju nxjerri këtu fjalët e njij oficeri Jugosllav qi u ka thanë 11 vetëve, të cilët mbasi komisarjati i Opicinës së Triestës i ka mbajtë prej orës 12 të natës të datës 22 deri n’orën 6 të mëngjezit të datës 23 m.k e dorzue përsëri Jugosllavëvet: “Enoga vaša Italija! Gde je vas slobodni svijet? Gde vasă Amarika i Engleska? Gde prenos i cast vašeg komiteta?”. Këto janë thanë atëherë kur ata janë lidhë duer për duer në kufinin italjan e ulë për tokët për mos me shkelë ma tokën jugosllave e kur italjajt rrshanë e me grykë hekri i kanë këthye e dorzue. M’anë tjetër Jugosllavët kanë organizue konferencjera dhe i kanë dërgue në të gjitha grupet e emigrantavet tue u falë nga 6.000 dinarë kryetarvet të familjevet e besnikvet nga 12.000.

Un nuk dij gjâ për komisjon englez; por jam i sigurtë se në qoftë se ka qenë nji i tillë, ky asht fryti i tij pa kurrfarë dyshimit.

Si përfundim mendoj se nisjativa asht bamë prej Jugosllavëvet për të mujtë me shfrytzue mizerjen e emigracjonit shqiptar. Ky ndoshta asht nji gjykim i ngushtë i emi, në qoftë se nuk asht ndonji taktikë e klasikëvet politikaj shqiptar për të bamë ndonji aksjon të ri o për të përgatitë terrenin për nji gja të tillë; por kjo e fundit pa dyshim asht ma larg mendsh, sidomos tash qi i hyni tymi e spilci për asht sidomos edhe me artikullin qi shkruet Ju n’Albanie Libre, shka pat si reaksjon nji lum të rrëmbyeshëm të fyemesh me anë të njij trakti të disa fanatikëvet dritëshkurtë qi nuk janë as monarkista, as shlirimtar as socjalista, por rropamaxhi e të pa kurrfarë kuraje civile qi hjedhin gurin e mëshefin dorën. Besoj se e keni marrë traktin me anën e ndonji miku dhe deri tash do të keni formulën m’atë t’Uejën kundër = reaksjonin e duhun. Besoj se edhe Kryesija e Blokut do të mblidhet për të marrë qindrimin e duhun mbi këte pikë, qi padyshim asht e dytë ose e tretë në krahasim me akuzat qi tash vonë i janë bamë kësaj partije me anë kanalesh t’errta aty edhe prej vetë pjesëmarrësavet n’ate parti. Përfundimet po bijnë mbi masën e pafajshme e besa edhe të papunë, por edhe mbi ata qi kanë mujtë me dhanë shum tue vumë jetën në rrezik e qi tash dy muej nuk kanë marrë asnji heler për të përballue shpenzimet e jetesës. Kjo asht pika e dobtë qi ka shkaktue nji përshtypje të keqe ke ata dashamirë të Blokut, të cilët t’ardhun risht prej Jugosllavije, rrâjnë me pa miqt e tyne e mendojnë të priten e përcillen; e na, si simpatizues e tjerët si të partis gjindemi edhe për veti pa shpi e pa bukë. E hec e bani me besue se ndodhemi kështu… na qi kemi tash sa kohë në Romë e sidomos tjerët qi kanë me dhetë vjetë!… Këtu padashtas dola jashtë pyetjevet qi më keni bamë, por në këte pasqyrohet përzemërsija e përgjithëshme e jona e e miqvet ndaj ata qi erdhën prej Jugosllavije e qi presin. Un vetë përditë po marr letra ankimi prej shokvet nga Triesta e Jugosllavija. Ata kujtojnë se un jam ndonji krah i djathtë i Kapidanit e më drejtohen për mos me i dhanë bezdi atij. Tash un gjindem në pus e ai përdhê, me sa dijë un në pikëpamjen e asaj qi presin ata dashamirë malsorçe e shqiptarçe prej nesh. Zoti e baftë mirë tjetërqysh se sa për parti kurr nuk kam qenë i nxehtë e as do të jemë dersa ndërgjegja shqiptare bazohet n’inate e jo n’arsyetim.

Nuk dishroj t’a zgjas, por nuk kam se si e lâ pa e çekë atë pjesën e keqkuptimit të fjalës së papeshueme “kinse”. Dishroj vetëm të Ju theksoj se nuk mundem me thanë bindi qi nuk e kam pasë me kurrfarë qëllimi të keq a për të Ju a hjedhë; por e kam quejtë se Ju pa dyshim do t’a keni marrë me mend qysh përpara se mbi ke do të mbështeteshe un me shokët e mijë për të mrrijtë me krye, kur të mujshim, nji gjâ konkrete e thjeshtë shqiptare për çashtjen Kosovare pa partí e partizaní, mû ashtu si U jam drejtue Ju e lutë e shti njimijë mundime. Nuk kam mendue prandej kurrfaqë dijekeqije e as mendoj për Ju veçanisht në këte punë, në të cilën jeni përgjegjë si çmoskushi me enthusjazmin e njij djaloshi enkurajues për të tanë. Un nuk jam vra kurkund prej fjalëvet t’Ueja, mu përkundrazi jam kthjellue, por vetëm kishem me Ju lutë t’a merrni punën ma fort si lajthitje e patkeqsí se sa dijekeqsí.

Më pyetshit për t’im vlla: ai, sikur un e ai grupi i arsimtarvet qi patëm kalue më 1951 këndej, ka qenë kërcnue o të merrte pjesë si emigrant n’organizatën e Mugoshit e Tanefit, o të lente Jugosllavin, o të merrte nënshtetsin Jugosllave. Un, mbassi nuk e dijshe se si do të bahej puna e ime, e pata këshillue qi ndër këto të trija të zgjidhte nënshtetsin jugosllave e të qindronte arsimtar – atëherë ish drejtor i nji gjimnazi t’ultë, themelue prej tij. Natyrisht ka pasë e ruen edhe disa porosina tjera të randa, qi nuk e lanë me dalë këndej; prandej i pata këshillue edhe martesën qi të mos ketë rend me u marrë me çashtje qi nuk i dishrojshe un e as vendasit kosovar, ke të cilët e pata paraqitë. Si e dini pat hangër edhe 8 muej e gjymës burg. Edhe ai qe nji mësim i mirë për te, por, mbasi fitoi gjyqin, u ba edhe mâ mirë. Tash jep mësim në gjimnazin e Ferizajt në gjuhën shqipe 25 orë në gjimnazin e ultë e 10 orë në javët në shkollën e natës zejtarvet. Ka ble nji shpi me të shoqen qi e ka arsimtare me veti e me të kunatin qi jep muzikë po n’ate gjimnaz. Kështu ai nuk ka pranue kurr ndihmë nga organizata politike e e ka lanë vetin duerjashtë politikisht për t’u kursye kur t’i thomi na prej këndej. Mirë a keq, ai ban njiqind herë ma shum punë se un vetëm në nji ditë e prandej kurrsesi nuk e kam këshillue me i luejtë barrët shpinës, sadoqi asht me krye në short. Ia kam lanë Zotit në dorë e e lus qi edhe në shkoftë, kur të shkojë të shkoj me nderë. Dishka duhet me sakrifikue dukshëm. Un jam i bindun se ai farkohet e nuk prishet. Si rrjedhim nuk më ka dhanë kurrfaqë lajmi se asht rikërcnue, mbasi, posë me ndonji far’e fis, ka ndejtë larg prej emigrantash e organizatorësh të tyne.

Përsa i takon mërgimit t’em, un i kam plotsue të gjithë dokumentat dhe me 11 k.m. do të paraqitem në Konsullatën e Përgjithëshme Amerikane të Napolit për t’u marrë në pyetje nga nënkonsulli. Mejherë si të këthehem prej Napolit do të Ju lajmoj shpresat e mija e si e çka më premtuen: vetëm po tutem se do të më duhet me shkue në kamp…

Planin pamfletë të Drazhes e kam pasë kopjue qysh verën e kalueme. Dishka kam marrë edhe nga nji libër serb i shkruem n’inglishtet dhe shpresoj se do të nxjerri nga nji fletore monarkiste e emigracjonit serb.

Ju si jeni me shëndet e kur po bâheni udhtarë?

Kam shkrue grues drejt për drejt në Shqipni e më ka këthye gjegje. Tash janë të gjithë ke shpija, kuptohet në ferr, por gjallë. Më shkruejnë të mos ju dërgoj kurrgjâ, se i blejnë ma lirë në kooperativë se sa me ua falë un prej këndej ( u pata dërgue dy pako).

Ju uroj të gjitha të mirat e ma së forti shëndet e jetë të gjatë.

 

 I jueji

 Zef Nekaj

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency