Gara për Tiranën/ PD sot zgjedhjet, cilët do të jenë kryetarët e 15 degëve

0
151

Gëzim Saliu

ZGJEDHJET--PD Nisin sot zgjedhjet për kryetarët e 15 degëve të Tiranës, afatet e procesit

 Pas Tiranës, mbyllet i gjithë procesi dhe nisin zgjedhjet e kupolës së re drejtuese të PD-së

Sot nis procesi për zgjedhjen e kryetarëve të 15 degëve të Partisë Demokratike në kryeqytet. Pas zgjedhjeve në seksione e grupseksione, tanimë procesi ndodhet në fazën përfundimtare, ku ndryshe nga çdo herë në këto 23 vite, demokratët nuk do të votojnë vetëm për kreun e degës së madhe, por për 15 krerë të rinj që do të drejtojnë strukturat e PD-së në Tiranë. Në bazë të vendimit të marrë rreth një muaj më parë në takimin mes kryetarit Basha dhe koordinatorëve të PD-së, në qytetin e Tiranës do të zhvillohen zgjedhjet për 11 kryetarë degësh e ndërsa Kamza, Paskuqani, zona Farkë-Dajt si edhe komunat përreth Vorës do të kenë kryetarin e tyre. Burime pranë PD-së bënë të ditur dje se i gjithë procesi zgjedhor do të zgjasë një javë, ku brenda 7 ditëve do të zgjidhen kryetarët e 15 degëve të PD-së në kryeqytet. Pas këtij procesi, pritet të mblidhet Kuvendi Kombëtar, i cili do të zgjedhë fillimisht Këshillin Kombëtar dhe do të miratojë nëse do të ketë ndryshimet në statusin e selisë blu. Më pas do të jetë Këshilli Kombëtar që do të zgjedhë kupolën e re drejtuese të forcës më të madhe politike në opozitë, duke nisur nga kryesia e re, nënkryetarët, sekretarin e Përgjithshëm dhe sekretarët e çështjeve specifike.

 

Zgjedhjet në Tiranë

Pasi anëtarësia dhe delegatët votuan për seksionet dhe grupseksionet do të nisë procesi i zgjedhjes së krerëve të 15 degëve në kryeqytet. Ky proces ka një rëndësi specifike për degën më të madhe të demokratëve, pasi këtë vit, ajo është e ndarë në 15 nëndegë, ku në secilin prej tyre do të zgjidhet kreu i ri përmes parimit “një anëtar një votë”. Ndarja e kryeqytetit në 15 degë është pritur mirë si nga baza e partisë ashtu edhe nga deputetët apo koordinatorët e procesit. Sipas tyre, me këtë ndarje, elektorati do të jetë lehtësisht i kontaktueshëm dhe krerëve të çdo dege do t’u jepet autoriteti i duhur. Ndërkaq, një tjetër risi e procesit për Tiranën, por edhe për rrethet, ishin anëtarësimet e reja duke krijuar listën e re dixhitale, të pastruar nga emrat fiktivë, si edhe të shtuar përmes rikonfirmimeve të emrave të cilësuar si tradicionalë në PD. Për kryeqytetin anëtarësimet e reja arritën në 40%, një shifër të cilën demokratët e përcaktuan si tregues për rritjen që po pëson forca më e madhe politike në opozitë përkundrejt asaj që është cilësuar nga të djathtët, si dështim i qeverisë “Rama-Meta” me premtimet e dhëna para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 23 qershorit. Procesi i zgjedhjeve të brendshme në PD është cilësuar nga lideri i opozitës Lulzim Basha si baza mbi të cilën do të mbështeten demokratët për t’u ringritur dhe rikthyer më pas në pushtet. Në takimet në rrethe, në kuadër të zgjedhjeve të drejtuesve të rinj, Basha ka theksuar shpesh faktin se askush në PD nuk ka tagër të detyrojë anëtarësinë së për kë të votojë. Nisur nga kjo, ai ka deklaruar se objektivi parësor si kryetar i PD-së është zgjerimi dhe konsolidimi i lirisë së shprehjes e votës për anëtarësinë e forcës më të madhe politike në opozitë.

 

Zgjedhjet e Tiranës

-Sot nis procesi i zgjedhjes së krerëve të 15 degëve të PD-së në kryeqytet

-Procesi i zgjedhjes së kryetarëve të rinj të Tiranës do të zgjasë një javë

-Pas mbylljes së zgjedhjeve të brendshme, PD do të thërrasë Kuvendin Kombëtar, që do të zgjedhë fillimisht Këshillin Kombëtar dhe do të miratojë nëse do të ketë ndryshimet në statusin e selisë blu. Më pas do të jetë Këshilli Kombëtar që do të zgjedhë kupolën e re drejtuese të forcës më të madhe politike në opozitë, duke nisur nga kryesia e re, nënkryetarët, sekretarin e përgjithshëm dhe sekretarët e çështjeve specifike.

 

 Territorialja/ Bumçi: S’ka askush pronësi për të ndarë në Shqipëri, nguti i PS-LSI ka synim zgjedhjet e 2015-ës

Mazhoranca qeverisëse me hartën e re territoriale të pakonsultuar ka synim kryesor zgjedhjet e ardhshme vendore të vitit 2015. Kështu deklaroi dje në një intervistë për “KosovaPress” deputeti i PD-së, Aldo Bumçi, duke theksuar se me ndarjen e re duken qartësisht elementët me qëllime politike. “Kjo nuk është çështje emergjente. Nëse do ishte një reformë e plotë, duhet të niste me decentralizimin, çfarë kompetencash do u jepen komunave dhe bashkive, një analizë se pse gjërat nuk kanë funksionuar mirë deri tani; dhe që mendoj se është te mungesa e kompetencave; pra duheshin analizuar të gjithë këto dhe më pas të kalohej te harta. Me propozimin e ri kemi në zona të caktuara komuna dhe njësi të vogla, dhe në zona të tjera kemi njësi bashkiake që janë sa trefishi i tyre, pra duket qartë që është një hartë e bërë për arsye politike. Ky është një proces që duhet bërë me konsensus, sepse nuk ka askush pronësi për të ndarë në Shqipëri, duhet bërë në mënyrën që respekton traditat, identitet, dhe projektet zhvillimore të zonave. Siç duket gjithë ky ngut ka vetëm një shpjegim: Zgjedhjet e vitit të ardhshëm”, – tha ai. Ndërkaq lidhur me reformën në sistemin e drejtësisë, deputeti demokrat tha se opozita është gati për bisedime për këtë reformë, duke bërë të ditur se kryetari Basha ka paraqitur një platformë. Por sipas Bumçit, mazhoranca nuk është e gatshme për një reformë të tillë, pasi synimi i saj, theksoi ai është kapja e sistemit të drejtësisë. “Nuk bëhet fjalë vetëm për konflikt midis KLD-së dhe ministrit të Drejtësisë, po bëhet fjalë për një aksion politik, të shumicës, të dyshes Rama-Meta për të kapur drejtësinë shqiptare. Pas një viti nuk kanë asnjë faqe strategji, çfarë do realizojë kjo reformë dhe si do e realizojë, pikat kryesore. Ndërmarrin një nismë të shpejtë ligjore pa u konsultuar me askënd. Deri tani, gjuha e përdorur nga Kryeministri, shpejtësia e ndërmarrjes së reformës e pakonsultuar me Bashkimin Evropian, me ekspertë, tregon qartë që synimi është për të kapur sistemin e drejtësisë. Ne si opozitë jemi të gatshëm, kryetari Basha ka paraqitur një platformë, që nuk është fundi por nisja e debatit. Komisioni Europian dhe vendet kryesore kanë ofruar të gjithë vullnetin e tyre për të mbështetur reformën në drejtësi”, – tha ai duke shtuar se pavarësia e gjyqësorit është e rëndësishme për jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë. “Kapja e gjykatave do të thotë se qytetarët, biznesmenët, kur i shkelen të drejtat, me gjoba, kontrata etj. të mos kenë mundësi ta gjejnë të drejtën e tyre sepse gjykata do jetë e kontrolluar nga qeveria, dhe kjo nuk është reformë”, – deklaroi deputeti demokrat Aldo Bumçi.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency