Fiter Bajrami/ Politika uron besimtarët myslimanë

0
146

nishaniNishani: Nderim për klerikët myslimanë që i rezistuan ferrit komunist

Basha: Përgjegjësit të mos i largohen premtimit për ndërtimin e xhamisë së madhe

 Besimtarët myslimanë kanë festuar dje Fiter Bajramin. Prej 30 ditësh besimtarët kanë ndjekur vaftet e muajt të Ramazanit dhe i janë lutur Zotit t’u pranojë sakrificën për pastrimin e shpirtit nga e keqja. Për të uruar besimtarët myslimanë, liderët kryesorë të politikës kanë vizituar selinë qendrore të Komunitetit Mysliman. “Dëshiroj në këtë ditë feste t’u drejtoj të gjithë besimtarëve myslimanë urimet më të mira. Qofshin gjithmonë të gëzuar, paçin mbarësi në shtëpi, familje, te miqtë e tyre!”, – u shpreh Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, pas vizitës në selinë e Komunitetit Mysliman. Më tej Presidenti theksoi se duhet të nderohen klerikët që kanë kontribuar për vendin dhe mbi të gjitha ata që i rezistuan ferrit komunist. “Dëshiroj të shpreh respektin edhe për besimtarët jomyslimanë që në respekt të festës e festojnë ose u dërgojnë mesazhe urimi miqve. Nderim për të gjithë ata klerikë myslimanë që kontribuuan në historinë kombëtare shqiptare. Dëshiroj të shpreh nderim të veçantë për të gjithë ata klerikë myslimanë që së bashku me klerikët ortodoksë i rezistuan ferrit komunist. Ditën ta ruajnë besimin në gjithë vitet e vështira që kaluan. Nderim për të gjithë klerikët myslimanë që nën drejtimin e KMSH-së përhapin vlerat e dijes, paqes, respektin, që garantojnë të tashmen dhe të ardhmen e përbashkët. Urime!”, – përmendi në urimin e tij Presidenti Bujar Nishani.

 

Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, njëherazi kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, me rastin e festës së Fiter Bajramit ka uruar çdo shqiptar brenda dhe jashtë vendit. “Një urim të veçantë për agjëruesit e Ramazanit që i japin fund sakrificës njëmujore dhe një falënderim për përgjegjësinë, që kanë marrë dhe përgjegjësinë që kanë treguar, për veten e tyre, për familjen tyre, por edhe për shoqërinë tonë, për gjithë vendin. Uroj që sakrifica e tyre sublime të shpërblehet me mbarësi e mirësi për ata vetë, për familjarët e tyre, për komunitetin, për gjithë vendin tonë dhe për shqiptarët, pa dallim kudo që janë. Një urim të veçantë kam dhe për Klerin e përfaqësuesit e tij që e kanë nisur ditën në orët e para të mëngjesit apo më herët që në orët e mesnatës, për përgatitjen e kësaj dite feste”, – uroi kreu i PD-së. Basha u kujtoi atyre që janë përgjegjës për ndërtimin e xhamisë së madhe të mos i ikin premtimit të tyre, pasi ky është një detyrim ndaj besimtarëve myslimanë. “Uroj që asnjë të mos i ikë përgjegjësisë për detyrimet që kemi ndaj njëri-tjetrit në këtë shoqëri, në këtë bashkëjetesë tonë e për më shumë sot në këtë ditë të veçantë të mos i ikim përgjegjësisë për ndërtimin e xhamisë së madhe si një premtim i kahershëm dhe një detyrim ndaj besimtarëve të kryeqytetit dhe të mbarë Shqipërisë. Uroj dhe shpresoj që ky muaj reflektimi, faljesh, lutjesh të qindra mijëra besimtarëve të shërbejë sa më mirë për ta realizuar këtë projekt dhe për të na dhënë forcë dhe vizion të gjithëve, pa dallim, të zgjedhin rrugën e drejtë përmes vendimeve të drejta, duke i shërbyer një vendi, një shoqërie më të drejtë dhe më solidare me njerëzit në nevojë”, – theksoi Basha pas vizitës në selinë e Komunitetit Mysliman.

 

Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit

“Urime, sot (dje) janë të gjithë të barabartë”, – përmendi në mesazhin e tij të shkurtër Kryeministri Edi Rama pas vizitës në Komunitetin Mysliman, duke theksuar se është kundër kësaj që politikanët rreshtohen nëpër dyer dhe bëjnë urime. Kryeministri shoqërohej nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, dhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj. Më vonë, Kryeministri ka publikuar në “Facebook”, një kartolinë të punuar prej tij, me një mesazh urimi për besimtarët myslimanë shqiptarë në festën e tyre të Bajramit.

Në kartolinë, ndërmjet ylberit të ngjyrave, shfaqet e bardhë një xhami me dy minare, që sot është kërkesa kryesore e besimtarëve myslimanë. Pjesë e urimeve është bërë dhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta, i cili theksoi se në këtë ditë të veçantë duhet të tregohemi më të gatshëm për të reflektuar. “Uroj të gjithë shqiptarëve dhe besimtarëve myslimanë gëzuar Fitet Bajramin. Është një ditë kur duhet të tregohemi më të gatshëm për të reflektuar për një të ardhme më të mirë për gjithë vendin. Kjo është një festë që nuk duhet të ndikohet nga zhvillimet e javës. Nga mot gëzuar Fiter Bajramin”, – përmendi në urimin e tij kreu i Kuvendit.

 

Berisha

Nëpërmjet një mesazhi në rrjetin social “Facebook”, ish-kryeministri Sali Berisha ka uruar të gjithë besimtarët duke u uruar fat e mbarësi. “Të dashur miq, sot dita e Bajramit! Le t’i lutemi ne së bashku Zotit që lumi i sakrificave të shqiptarëve të shndërrohen në fat e mbarësi për çdo shqiptar, për Shqipërinë, Kosovën dhe trevat shqiptare kudo që janë! Gëzuar!!!”, – shkruan në urimin e tij Berisha.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency