Aksion antidrogë/ Policia asgjëson 2920 rrënjë kanabis në zonën e Dajtit

0
161

 Anxhela Tato

kanabisBashkëpunimi mes bluve dhe krerëve të komunave çoi në zbulimin dhe shkatërrimin e parcelave të mbjella me drogë

 Policia, e pranishme jo vetëm në Lazarat, por edhe në zonën e Dajtit, në aksione të befasishme për asgjësimin e parcelave me kanabis. Këta dy muajt e fundit, ku e gjithë vëmendja e shtypit u përqendrua në fshatin e marijuanës, blutë e Tiranës kanë arritur që të sekuestrojnë një sasi prej rreth 2920 rrënjë kanabis sativa. Komisariati i policisë nr. 4 në bashkërendim edhe me krerët e komunave të zonës së Dajtit ka zhvilluar kontrolle të herëpashershme, duke mundur që të zhdukë parcela të tëra të mbuluara me kanabis. Siç bëhet me dije nga burime të pushtetit lokal, falë një bashkëpunimi dhe komunikimi mes krerëve të komunave dhe policisë, është bërë i mundur zbulimi i rrënjëve të kanabisit dhe sekuestrimi i tyre. Falë sinjalizimeve nga banorëve të zonës së Dajtit dhe vetë krerëve të komunave të kësaj zone, policia ka mundur që të ndërhyjë befasisht duke gjetur rrënjët e bimës narkotike, të cilat janë asgjësuar. Vlen për t’u përmendur bashkëpunimi dhe koordinimi i punës që është bërë nga blutë dhe krerët e komunës në mbështetje të luftës ndaj drogës, e cila është edhe një ndër prioritetet e policisë. Sipas burimeve të pushtetit lokal, mësohet se nga ana e forcave të policisë është bërë i mundur kontrolli i rreth 60% të territorit, i cili është spastruar nga ana e bluve brenda një periudhe të shkurtër kohore. Ndërsa mësohet se policia ka mundur që të identifikojë kultivuesit dhe prodhuesit e lëndës narkotike. Nga ana e bluve po punohet për zbulimin e tregtarëve të kanabisit dhe dyshimet se ajo mund të kalonte në tregun e zi, ku do të shpërndahej. Aksionet e befasishme janë mirëpritur edhe nga banorë të zonës së Dajtit, të cilët kanë qenë të parët në dhënien e sinjalizimit dhe kërkesës për bashkëpunim me blutë. Ndërsa policia do të vijojë kontrollet në Dajt për zbulimin e asgjësimin e të gjithë parcelave me kanabis si dhe vënien pas hekurave të kultivuesve, që mund të çojnë në zbulimin e tregtarëve dhe shpërndarësve të drogës.

 

Statistika

Baldushku, Vora dhe Bërzhita janë evidentuar si tre komunat më problematike për kultivimin e hashashit. Në një takim të zhvilluar mes policisë, Prefekturës dhe kryetarëve të komunave, janë raportuar rastet e shkatërrimit të të mbjellave me kanabis dhe nevojës për bashkëpunim ndërinstitucional me qëllim luftimin e grupeve kriminale dhe garantimin e rendit. Sipas prefektit të Tiranës, “Qarku i Tiranës nuk është në hartën e nxehtë të qarqeve problematikë”, por janë disa zona ku duhet të merren masa. Komuna Baldushk, ku në fshatin Vrap dhe Shpat, janë kapur mbi 100 rrënjë kanabis e janë proceduar personat përgjegjës. Gjithashtu në Komunën e Bërzhitës, në fshatin Lug dhe Lug-Shalqizë janë kapur mbi 200 rrënjë dhe janë proceduar personat përgjegjës.

 

Prioritet

Lufta kundër drogës për kryepolicin e Tiranës do të thotë nevojë për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional. “Lufta kundër grupeve dhe organizatave kriminale do të vazhdojë të mbetet në qendër të vëmendjes së strukturave të policisë së qarkut Tiranë. Rritja e efikasitetit në këtë veprimtari, kërkon ngritjen në nivel më të lartë të bashkëpunimit mes institucioneve dhe agjencive të zbatimit të ligjit. Në këtë drejtim, është e nevojshme të vazhdojë me intensitet puna për përgatitjen e rezultateve të qëndrueshme të drejtuara nga hetimet dhe bashkëpunimi me pushtetin lokal. Një nga prioritet kyçe të Policisë së Tiranës është bashkërendimi i veprimeve ndër institucionale për parandalimin e kultivimit të kanabisit dhe goditjen e grupeve apo individëve të implikuar në këtë veprimtari kriminale”, – është shprehur Ardian Çipa në një takim në muajin prill, i cili kishte si objektiv koordinimin e punës me institucioneve të pushtetit vendor dhe policisë.

 

 Dosja/ Vrau kunatin për gjakmarrje, prokurori çon në Gjykatë Uran Skukën

Është regjistruar në Gjykatën e Krimeve të Rënda dosja ndaj Uran Skukës, i cili akuzohet se vrau kunatin e tij, pasi nuset i vranë të ëmën. Uran Skuka pritet të dalë para trupit gjykues më 30 korrik. Uran Skuka i cili akuzohet për veprat penale të “Vrasjes për gjakmarrje” dhe “Mbajtjes pa leje të municionit luftarak” dhe, nëse gjendet fajtor, rrezikon një dënim minimumi me 35 vite burg dhe deri burgim të përjetshëm. Uran Skuka akuzohet si autor i vrasjes së Basri Nikollit, ish-kunat i tij më 11 shkurt të këtij viti, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e nënës së tij, Naime Skuka, krim për të cilin akuzohen ish-gruaja e tij, Hike Skuka dhe ish-kunata Xhemile Skuka. Në dëshminë që Uran Skuka ka dhënë 4 ditë pas krimit ka deklaruar: “Më 11 shkurt kam qenë duke bërë punë në bujqësi. Pasi mbarova ato kam shkuar në lokalin e fshatit dhe kam pirë shumë. Në atë gjendje shkova te varrezat dhe aty vendosa që të merrja hak”. Sipas dëshmisë së Uran Skukës, ai ka marrë armën automatike dhe ka shkuar pranë banesës së kunatit dhe shtëpisë ku mori nuse Hike Skukën, duke pritur që 38-vjeçari të dilte jashtë. Ndërkohë në 15 shkurt Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër, e kryesuar nga Halil Vani, ka vendosur masën “Arrestit me burg pa afat” për Uran Skukën.

 

Vlorë/ Përfshihet nga flakët banesa, nuk ka të lënduar

 Një banesë në lagjen Lirim të Vlorës është përfshirë nga flakët, deri më tani nuk raportohet të ketë të dëmtuar nga ky incident. Në vendngjarje kanë mbërritur me urgjencë dy zjarrfikëse që po punojnë intensivisht për kontrollimin dhe shuarjen e flakës. Ndërkohë që nga hetimet paraprake dyshohet se shkak për rënien e zjarrit në këtë banesë mund të jetë qarku i shkurtër.

 

Gramsh/ Bie në kontakt me rrymën elektrike, vdes 29-vjeçari

 Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e diel në fshatin Kukur rreth 35 km nga qyteti i Gramshit, ku një 29-vjeçar ka rënë në kontakt me rrymën elektrike. Mariglen Shuli ka qenë duke vaditur tokën kur 2 tela të tensionit të mesëm janë shkëputur nga shtylla dhe kanë rënë mbi vendin ku po punonte 29-vjeçari. Edhe pse banorët e fshatit i erdhën ndihmë, përsëri ka qenë e pamundur shpëtimi i jetës së 29-vjeçarit, sepse nuk kishte bërë të mundur ndërprerjen e energjisë elektrike. Mariglen Shuli ishte babai i një fëmije 6 muajsh. Polica po heton ngjarjen në fjalë, duke mos dalë akoma në një version zyrtar.

 

Laprakë/ Makina përfshihet nga flakët, shkak defekti teknik

Flakët kanë shkatërruar thuajse plotësisht automjetin, por fatmirësisht nuk kanë shënuar të lënduar në njerëz. Sipas policisë, automjeti ka qenë i parkuar në rrugë, ndërsa banorët thonë se kanë parë një person, i cili rezultoi të ishte Ndrek Ndrecaj, pronar i mjetit, të ndezë kuadrin e makinës dhe në ato momente është përfshirë nga flakët. Sipas të njëjtit burim, Ndrecaj ka mundur të dalë i padëmtuar nga flakët. Për shuarjen e flakën u desh mbërritja e një automjeti zjarrfikës, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e komisariatit numër 3 për hetimin dhe sqarimin e plotë të ngjarjes. Burimet policore thanë se është marrë në pyetje Ndrecaj, i cili ka deklaruar se ka qenë duke rregulluar mjetin, kur ka kuptuar se ka bërë masë dhe është larguar. Ngjarja për policinë është klasifikuar si aksidentale.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency