Ndyshon sërish harta territoriale/ Zbardhen negociatat  e fundit mes qeverisë  e minoritetit në Himarë

0
116

Florenc Drizari

reforma_copy_3Andrea Marto: është duke u punuar për tu përmirësuar, them se mos e votoj.

Dashamir Tahiri: Do ta votoj me dy duart reformën, e dua Himarën të bashkuar me Vranishtin

Pak ditë  para votimit të reformës administrativo-territoriale në seanën e 31 korrikut në Kuvendin e Shqipërisë, mazhoranca vijon kontaktet me përfaqësuesit e minoritetit në jug të vendit. Burime nga Partia Socialiste thonë Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, zhvilloi dje një takim në qytetin e Sarandës ku morën pjesë deputetë të PS-së, përfaqësues të minoritetit, të zgjedhurve etj. Në fokus të këtij takimi ishin zgjidhja e mosmarrëveshjeve mes minoritetit dhe pushtetit qëndror, lidhur me variantin e ri të qeverisë për ndarjen e vendit me 61 bashki. Ndërkohë, të premten e shkuar Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo – Territoriale miratoi projektligjin “Për ndarjen Administrativo – Territoriale të Republikës së Shqipërisë”. Në mbledhjen e fundit të Komisionit Parlamentar, anëtarët e këtij komisioni miratuan 9 vota pro dhe një kundër, deputeti i PS-së, Andrea Marto, vendimin për ndërmarrjen e nismës ligjore për ndarjen e re territoriale të Shqipërisë. Projektligji së bashku me dokumentacionin shoqërues, përfshirë edhe procesin e informimit dhe konsultimit publik, iu dorëzua Kryetarit të Kuvendit dhe të këtë të enjte pritet të votohet në Kuvend.

 

Andrea Marto

Në një reagim për gazetën “Standard”, deputeti i Partisë Socialiste Andrea Marto, deklaroi se po punohet me përfaqësues të qeverisë për të arritur në një variant të përbashkët. Më herët deputeti Marto ka shprehur kritika në komisionin e Posaçëm Parlamentar të Reformës Administrativo-Territoriale, duke kërkuar që të mos cenohen kufijtë e mëparshëm territoriale. Në draftin me 61 njësi vendore, Vangalati u la si pjesë e Livadhjasë ndërsa Pandalejmoni dhe Sopiku me Konispolin. I pyetur nëse do të rishikojë qëndrimin ndaj reformës së mazhorancës, Marto deklaroi se: “Nuk do rishikoj qëndrimin tim, duke punuar të gjithë që të bëhen përmirësime që kanë kërkuar komuna të caktuara, komunitete të caktuara, zona të caktuara dhe besoj se do t’ja arrijmë”. Pyetjet se cila ishte kërkesa e tij në lidhje me draftin final të qeverisë, deputeti Marto tha se: “Kërkesa është që të mos ketë ndryshime të kufijve ekzistues të komunave që do të bashkohen. Për komunat që bashkohen, në ish-rrethet Delvinë, Sarandë, të mos ketë ndryshim të kufinjve të këtyre komunave. Kjo do të thotë që të mos largohen fshatra nga këto komuna, të cilat historikisht kanë qenë në këto komuna”.

 

Dashamir Tahiri

Deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri, në një prononcim që dha dje për gazetën “Standard”,-tha se do ta votojë reformën administrativo-territoriale në Kuvendin e Shqipërisë, për deri sa reflekton kërkesat e paraqitura nga subjekti politik ku ai bën pjesë. “Do ta votoj më të dy duart. E dua Himarën të bashkuar me Vranishtin edhe Konispolin e dua çamëri siç ka qenë”,-tha deputeti Tahiri. Ndërkohë, pak ditë më parë kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, iu bashkua komisionit të reformës administrativo-territoriale, duke paraqitur edhe kërkesa të reja. Kjo bëri që mazhoranca të ndryshonte nga varianti i saj i parë me 47 njësi, duke shkuar në 61 bashki.

“Kjo reformë duhet të bëhet në radhë të parë në dakordësinë e dy forcave të mëdha politike. Ajo që pamë ishte vullneti i mirë që në zonën e jugut të Shqipërisë të krijohej një mega njësi e re administrative ku grupoheshin për herë të parë njësitë me shumicë minoritare. Janë marrë dy komuna nga Delvina, dy nga Saranda dhe disa poshtë dhe janë bashkuar bashkë për të bërë një njësi të re administrative me shumicë minoritare. Do bënim mirë të mos ekzistonte që njësia administrative të mos bazohet mbi etninë. Por ne nuk jemi kundër, por megjithëse ne jemi vrarë, jemi prerë, jemi përzënë dhe nuk jemi këtu për të bërë me të njëjtën monedhë. Tani na del problemi i tre fshatrave. Ne kemi dorëzuar peticionin e Pandelejmonit dhe Sopikut. Nëse bëhet fjalë për Vagalatin dhe Vagalati, na prishka gjithë historinë, ne e japim konsensusin dhe për Vagalatin, por jo për Pandelejmoni dhe Sopiku”, deklaroi Shpëtim Idrizi në mbledhjen e fundit të komisionit të reformës administrativo-territoriale mesjavën e shkuar.

 

Takimi në Greqi/ Dule pritet nga Venizeloz, diplomati grek i telefonon Bushatit

Reforma Territoriale ka qenë fokusi i bisedës mes kreut të PBDNJ-së Vangjel Dule dhe Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm grek, Evangelos Venizelo pak ditë më parë. Në këtë takim Dule ka deklaruar se nëse qeveria nuk tërhiqet për variantin me 61 bashki PBDNJ do të largohet nga koalicioni. “Kërkojmë që zonat minoritare të jenë të bashkuara. Shqipëria të respektojë Kartën e të Drejtës së Minoriteteve. Nëse qeveria nuk tërhiqet, ne largohemi nga koalicioni”- theksoi Dule. Ky takim është paraprirë nga një bisedë telefonike që Venizelos ka zhvilluar dje me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati. Kryediplomati grek i ka shprehur dje shqetësimin e Athinës, homologut shqiptar lidhur me ndarjen administrative që sipas tij cënon minoritetin, ndërkohë që ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati në përgjigjen e tij ka nënvizuar se kjo është një çështje e brendshme e Shqipërisë.

 

Seanca e 31 korrikut/ Ligjet me 3/5-at, mazhoranca teston shumicën e cilësuar në mbyllje të sesionit parlamentar

Seanca e fundit parlamentare për këtë sesion pritët të vërë sërish në provë koalicionin PS-LSI për të garantuar shumicën e cilësuar të votave në Kuvend. Gjatë seancës së kaluar koalicioni i majtë nuk arritu të miratojë disa projektligje si ai për KLD-në, ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale etj. Për shkak të mungesës së gjashtë deputetëve të PS-së dhe kreut të PBDNJ-së, i cili ndodhej për një vizitë zyratere në Greqi. Pas rrjedhjes së votave brenda radhëve të mazhorancës nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka zhvilluar takime informale jashtë ambienteve të selisë rozë këtë fundjavë me deputetët e PS-së, ndërkohë që burime nga kjo parti thonë se kontakte ka pasur përfaqësues të partive të vogla parlamentare si PDIU-së dhe PBDNJ. Referuar debateve të fundit për reformën administrativo-territoriale, mes PDIU-së dhe PBDNJ-së nuk ka një dakordësi për përfshirjen në hartë të disa fshatrave në jug të vendit. Përfaqësues të PDIU-së kanë deklaruar se do ta miratojnë variantin zyrtar të qeverisë për hartën territoriale, ndërsa kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka paralajmëruar se miratohet varianti me 61 bashki, ai do të dalë nga koalicioni i majtë. PDIU ka deklaruar votën pro reformës territoriale, por jo ndaj projektligjeve të tjera që kërkojnë shumicë të cilësuar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency