Vjedhja e Bankës së Shqipërisë / Sekuestrohen kompjuterat e pikave të basteve të deklaruara nga Bitraj

0
123

Sonila Mesareja

Nis ekspertiza e kompjuterave të skedinave. Grupi i hetimit, dyshime se paratë nuk janë shpenzuar të gjitha në lojërat e fatit

 

bankashqipteriaSekuestrohen kompjuterat e skedinave ku Ardian Bitraj, personi që dyshohet të ketë vjedhur 6 miliardë lekë në Bankën e Shqipërisë, të ketë luajtur gjatë këtyre viteve. Këta kompjutera do ti nënshtrohen ekspertizës, madje kanë filluar të kontrollohen, për të parë nëse janë respektuar rregullat dhe ligji i lojërave të fatit. Ndërkohë, prokurorët që po merren me çështjen e bujshme, bënë me dije se janë marrë në pyetje drejtori i Qendrës së Emisionit të Monedhës, ku Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia punonin, si dhe disa punonjës të tjerë të kasafortës së Bankës së Shqipërisë që ndodhet në Linzë. Gjithashtu, në pyetje do të merren edhe personat që, në fakt, duhej të kryenin inventarizimin përgjatë këtyre viteve, si dhe personat që nisën auditin dhe zbuluan skandalin e madh. Ndërkohë që për grupin e hetimit, shuma e vjedhur nga Ardian Bitraj është e dyshimtë pasi dyshohet të jetë më e madhe nga ajo që është deklaruar. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë flasin për 4.3 milionë euro të vjedhura nga reparti X, ndërsa vetë Ardian Bitraj ka dëshmuar se paratë e vjedhura mund të kenë qenë edhe 5.3 milionë euro. Një grup pune i Prokurorisë së Tiranës u ngrit për të saktësuar sasinë e parave të vjedhura në repartin Stok.

Dilema

Janë disa pyetje që grupi i hetimit ka shtruar dhe mbi të cilat është duke hetuar intensivisht. I ka shpenzuar apo jo në lojërat e fatit dhe skedinat të gjitha paratë Ardian Bitraj? A mundet që për 4 vjet të humbasësh 4.5 milionë euro në baste? A i ka përfituar dhe humbur të gjitha këto para vetëm Bitraj apo ka pasur edhe bashkëpunëtorë me të cilët i ka ndarë? A ka investuar Bitraj jashtë territorit shqiptar në pasuri të paluajtshme apo duke hapur llogari bankare në emër të familjarëve të tij në bankat e huaja? Për ta, shuma është kolosale dhe u duket e pamundur që të shpenzohet e gjitha në baste apo makinat e fatit. Një fakt për ta është i sigurt, që Ardian Bitraj luante prej vitesh kumar me shifra të frikshme. Faktin e pohojnë vetë punonjësit e pikave të basteve në lagjen ku banon Bitraj. Ata thonë se një dorë u vu në Kampionatin Botëror nga Bitraj në vlerën e 10 milionë lekëve. Megjithatë, kjo nuk raportohet nga ata si shuma më e madhe, pasi një tjetër rast ka qenë në vlerën e 60 mijë eurove brenda një nate. Dhe, ndërsa shumat marramendëse luheshin në pikat e basteve, nga fqinjët, por edhe grupi hetimor bëhet me dije se kredia e banesës që ai ka në pallatin 9-katësh në rrugën “Fortuzi” në Tiranë, ende nuk është paguar nga i arrestuari. Edhe vetë Bitraj gjatë marrjes në pyetje ka dëshmuar se në pikën e bastit poshtë pallatit të tij ka luajtur pjesën më të madhe të parave të vjedhura. Edhe fqinjët e njohin si kumarxhi, për grupin hetimor shpenzimi i gjithë kësaj shume në pikat e basteve është i pabesueshëm. Për këtë arsye i janë drejtuar edhe ZRPP-ve dhe bankave të niveleve të dyta për të verifikuar nëse ka pasuri apo llogari bankare të regjistruara në emër të tij, familjarëve apo të afërmve në këto katër vite.

Dëshmia

“Kam katër vjet që i marr lekët nga arka stok, i tërhiqja të gjitha prerje 50-she, i fshihja në trup dhe disa herë përfitova nga fakti që shefi im ishte i ri dhe nuk e kishte idenë se çfarë bëhej aty. Kartëmonedhat vinin nga Zvicra të paketuara në kuti, me peshë fikse. Vetëm 1 në 40 kuti hapej për t’u kontrolluar. Pas përfundimit të procedurave, merrja në punë libra, me të cilët zëvendësoja paratë brenda në kuti, për të arritur të njëjtën peshë, me shpresën se një ditë do t’i zëvendësoja. Ka pasur raste kur kam vjedhur edhe 10 milionë lekë të reja për një ditë, duke i fshehur në rroba brenda trupit. Të gjitha paratë i kam harxhuar në kumar, ditë pas dite, për 4 vite rresht”, – ka rrëfyer ai. Në dëshminë e tij, 45-vjeçari ka përfshirë edhe kolegen e vet, të punësuar në të njëjtin sektor, duke thënë se ajo para disa muajsh kishte kuptuar që në arka mungonin 400 milionë lekë e i kishte kërkuar llogari se ku ndodheshin shumat, por, thotë ai: “Unë i premtova se do t’i ktheja. Ka pasur ditë që unë dilja nga sektori me lekë të fshehura në trup, që kapnin shifrën e 10 milionë lekëve dhe askush s’më kuptonte. Të gjithë lekët i kam lënë në lojërat e fatit, që janë poshtë shtëpisë sime. Madje, te një kazino jam borxh 50 milionë lekë të vjetra”. Megjithatë, për organin e akuzës justifikimi i tij duket i dyshimtë dhe për këtë arsye u është dërguar shkresë të gjitha bankave të nivelit të dytë apo dhe ZRPP-ve për të identifikuar llogari bankare apo pasuri të paluajtshme në emër të tij, familjarëve apo të afërmve. Ndërkohë, 42-vjeçarja Mimoza Bruzia ka mohuar të ketë lidhje e të ketë bashkëpunuar me 45-vjeçarin Bitraj.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency