Muaji i Ramazanit / Agjërim edhe në burgje, paraburgimi 302 shtron iftar për të arrestuarit

0
133

 Sonila Mesareja

Kreu i Burgjeve, Artur Zoto: Mbi 458 të dënuar janë në agjërim. Për faljen e Bajramit do t’u mundësohet falja në të njëjtën kohë si besimtarëve jashtë

 

IFTARI-DENUARIT26-300x225Të paraburgosur dhe të burgosur janë mbledhur dje në një ambient të jashtëm të paraburgimit 302 te “Mine Peza”, për të ngrënë iftarin e shtruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman Shqiptar. Ndërkohë, i njëjti ritual është ndjekur në ditët e mëparshme edhe në disa paraburgime apo burgje të tjera, pasi është një numër i madh të burgosurish që mbajnë Ramazan dhe kryejnë ritet detare të faljes çdo ditë. “Në burgjet shqiptare agjërojnë mbi 458 të dënuar”, – bën me dije vetë kreu i burgjeve, drejtori i Përgjithshëm Artur Zoto. Ai së bashku me krerët e Komunitetit Mysliman shtruan iftar për 49 të paraburgosur të paraburgimit “Mine Peza”, ku është gatuar nga vetë institucioni. Drejtori Zoto, i cili ishte edhe vetë i pranishëm në iftarin e shtruar, tha se në këtë institucion është e disata herë që shtrohet iftar, për t’i lehtësuar dhe ndihmuar besimtarët myslimanë gjatë këtij muaji të Ramazanit. Gjithashtu, kreu i burgjeve bën me dije se edhe për faljen e Bajramit do t’u jepet mundësia të gjithë të burgosurve besimtarë të falen në të njëjtën kohë siç falen besimtarët jashtë mureve të burgjeve.

Agjërimi

Jashtë hekurave ndoshta nuk kanë qenë kaq besimtarë, por ndërkohë që po afrohej dita e Ramazanit kur niste edhe agjërimi, shumë të dënuar apo edhe të arrestuar kanë privuar veten nga ushqimi duke vendosur për të agjëruar, ndërsa kanë kryer të gjitha ritet fetare, me shpresën se Zoti do t’ua falë gabimet dhe janë betuar se nuk do të përsërisin më në të ardhmen veprimet e kryera. Ndërkohë, në mesin e agjëruesve është edhe 24-vjeçari Brandi Pjetri nga Puka, i arrestuar për vjedhje, por që kërkon ndihmë edhe nga Zoti për të mos përsëritur më gabimet. Brandi ka një histori të veçantë, pasi është i besimit katolik dhe prej disa kohësh ka përqafuar besimin mysliman, madje duke agjëruar si të gjithë ata dhe duke kryer gjithë ritet e një myslimani të devotshëm. Në përfundim të darkës së iftarit, Brandi shpjegon arsyen pse agjëron, duke uruar të gjithë besimtarët myslimanë. “Kërkoj ndihmë nga Zoti për të mos përsëritur më gabimet e mia”, – e mbyll reagimin e tij 24-vjeçari Pjetri.

 

Aktivitetet

Në kuadër të respektimit të parimeve fetare, të drejtave të individit për të ushtruar fenë dhe ritualet e besimit që ndjek, në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale u realizuan disa aktivitete përgjatë muajit të Ramazanit. Kështu, në IEVP “Mine Peza” (Paraburgimi 302) u organizuan tre Iftare në datat 10, 14 dhe 25 korrik 2014. Darka e besimtarëve që vuajnë dënimin në këtë institucion u ofrua për 49 persona që agjërojnë, ku përveç një menyje speciale, u kryen edhe ritet e faljes në prani të imamit Altin Plumbi. Programi i veçantë u realizua me rastin e muajit të Ramazanit në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman, ku u siguruan kushtet e nevojshme për ushtrimin e ritit të faljes dhe ngrënies, nëpërmjet përgatitjes së ushqimeve sipas orareve të caktuara. Ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen për festën e Fitër Bajramit dhe në respekt të së drejtës për ushtrim të riteve fetare në sistemin penitenciar. Me mbështetjen e sektorit të Kujdesit Social dhe në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman dhe qendrën “Rinia Kultura dhe Jeta”, u krye falja masive në grup edhe në IEVP “Jordan Misja” (Paraburgimi 313). Darka e iftarit, e cila u ofrua nga Komuniteti Mysliman, u organizua mbrëmjen e së martës, datë 15 korrik 2014. Aktiviteti u zhvillua në dhomën e takimeve të grave ku morën pjesë 16 gra dhe në ajrosjen e sektorit të të rriturve, ku morën pjesë 50 burra. Në orën 20:10 u krye riti i faljes dhe në 20:20 u shtrua darka tek të dy sektorët. Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe përfaqësuesi i Komunitetit Mysliman, z. Hasan Kaca, si dhe në mbikëqyrjen e stafit të Policisë dhe të Kujdesit Social. Në IEVP “Mine Peza” agjërojnë 49 të paraburgosur dhe te “Jordan Misja” 65. Ndërsa në total, në të gjitha institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, aktualisht agjërojnë 458 persona. Riti i Iftarit pritet të zhvillohet edhe në IEVP të tjera, që kanë marrë masa për organizimin dhe mbarëvajtjen e aktivitetit nën masat e sigurisë dhe kujdesit të duhur ndaj të burgosurve besimtarë. Të tilla aktivitete ndihmojnë në pasurimin e jetës sociale dhe përmirësimin e gjendjes emocionale të të paraburgosurve dhe të dënuarve.

 

Tropojë

Kthehej nga iftari, atentat ish-specialistit të SHKB-së, Besnik Sokolaj

Në orët e mesnatës, duke u gdhirë dita e djeshme, persona ende të paidentifikuar i kanë bërë atentat ish-specialistit të SHKB-së, Besnik Sokolaj. Lajmi konfirmohet edhe nga vetë Sokolaj, i cili në ato momente ka qenë duke u kthyer nga një iftar ku ka qenë i ftuar në Kosovë. Sokolaj shprehet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 24:00 të së premtes në Margegaj, teksa ishte duke u kthyer me makinë në shtëpi. Fatmirësisht, plumbat kanë prekur vetëm makinën dhe jo vetë 45-vjeçarin. Ai thekson se ka bërë denoncimin në polici, por thekson se nuk ka asnjë person të dyshuar dhe nuk ka pasur asnjë konflikt. Ish-shefi i komisariatit të Tropojës në vitin 1997, si dhe ish-specialist në Shërbimin Kombëtar të Brendshëm nga viti 2007-2014, shprehet se nuk ka të dyshuar për autorët e atentatit dhe se nuk ka pasur asnjë konflikt që mund të jetë bërë shkak për atentatin ndaj tij. Sokolaj tha se nga të shtënat janë thyer xhamat e makinës, ndërkohë që në makinë, si provë e atentatit, kanë mbetur shenjat e plumbave. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë që kanë nisur hetimet për identifikimin e atentatorëve, që qëlluan në drejtim të makinës tip “Opel Vectra”, me të cilën po udhëtonte 45-vjeçari Sokolaj.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency