Harta e re pa konsensus / Strategjitë e kundërshtimit të opozitës, nga Kushtetuesja te protestat

0
128

Gëzim Saliu

Opozita bashkë me shoqatat e bashkive dhe komunave: Po shkelet Kushtetuta

 

takimi per territorialen

Partia Demokratike, forcat politike pjesëtare të opozitës si edhe të zgjedhurit e saj vendorë, kryetarë komunash apo bashkish do të përdorin çdo mjet demokratik për të shfaqur kundërshtimet e tyre ndaj hartës së re territoriale, që pritet të miratohet javën e ardhshme në Kuvend. Pavarësisht kundërshtive brenda vetë mazhorancës që mund të bëjnë të pamundur votimin të enjten e ardhshme të reformës administrative-territoriale, opozita ka nisur të mendojë strategjitë e saj të kundërshtimit për hartën e re, të cilën e cilëson të njëanshme dhe me interesa të pastra politike. Një ndër veprimet e para që do të ndërmerret pritet të jetë dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se ndarja e re territoriale bie në kundërshtim me ligjin themeltar të vendit. Ekspertë ligjorë po përgatiten për të dorëzuar ankimimin në Kushtetuese, sikundër po shqyrtojnë mundësinë edhe për kërkesa referendumesh për njësi të caktuara, të cilat sipas varianteve të ndarjes së re territoriale bashkohen me njësi të tjera, duke humbur emërtimet si njësi të veçanta vendore. Duke iu referuar shkrirjes së shumë njësive të qeverisjes vendore dhe komunave me hartën e re, demokratët dhe të zgjedhurit vendorë i referohen Kushtetutës në nenin 108, pika 3, e cila përcakton se “komuna dhe bashkia janë njësi bazë të qeverisjes vendore dhe si njësi të qeverisjes vendore kryejnë të gjitha detyrat vetëqeverisëse vendore…” Po ashtu ato i referohen edhe nenit 108 të Kushtetutës dhe më konkretisht pikës 2, në të cilën shprehimisht thuhet: “…ndarjet administrative-territoriale të njësive të qeverisjes vendore caktohen me ligj mbi bazën e nevojave e të interesave të përbashkët ekonomikë dhe të traditës historike. Kufijtë e tyre nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to”.

Reagimi

Krahas dërgimit të çështjes në Kushtetuese, PD dhe opozita janë përgatitur për të kundërshtuar hartën e re territoriale, të votuar me vetëm votat e mazhorancës, përmes organizimit të protestave. Në shumë bashki dhe komuna, krahas të zgjedhurve vendorë e qytetarëve me orientim të djathtë, janë të shumtë edhe përfaqësuesit e krahut tjetër politik që janë shprehur kundër reformës. Ky qëndrim pritet të shfrytëzohet nga demokratët për të përthithur në protestat e saj jo vetëm të djathtët, por edhe të majtë, duke i dhënë këtij organizimi më shumë sesa orientim politik, një qëndrim të qartë qytetar kundër hartës së re. Më parë, opozita dhe të zgjedhurit vendorë të djathtë kanë zyrtarizuar përmes një rezolute qëndrimin për reformën administrative-territoriale, në të cilin theksohej se ky proces duhej të udhëhiqej nga decentralizimi dhe zgjerimi i autonomisë vendore dhe vetëm më pas të përmbyllej me një riorganizim të territorit. Ky qëndrim nuk u mirëprit nga mazhoranca, e cila kërkoi nga opozita hartë për ndarjen e re territoriale, duke theksuar se për decentralizimin mund të flitet vetëm në shtator. Në këto kushte, ndarja mes palëve për reformën administrative-territoriale është e qartë e në rast të mos shtyrjes së votimit për shkak të kundërshtive brenda radhëve të mazhorancës për hartën e re, opozita ka përgatitur tashmë strategjinë e saj për t’i thënë “jo” reformës administrative-territoriale.

 

 

PD e Vlorës

“Himara, jo zonë minoritare. Harta e re, pazar korruptiv i dyshes Rama-Meta”

Partia Demokratike ka mbajtur dje një qëndrim në lidhje me ndarjen territoriale, ku kryetari i PD-së së Vlorës u shpreh në një prononcim publik duke pohuar se “qëndrimi i PD është i qartë, Himara jo zonë minoritare por me komunitet bilingual”. Më tej, Moisi Meminaj tha se pas hartës Rama-Meta qëndrojnë pazare të pista politike dhe interesa korruptive, ku shtoi se reforma po bëhet pa pyetur qytetarët, por për interesa korruptive.

 

 

Me bllokim rruge

Protesta në Shkodër e Korçë: Kundër shkrirjes, me këtë hartë bojkotojmë zgjedhjet

Banorët e Dukagjinit, Velipojës dhe Dajcit kundërshtuan ndarjen e Shkodrës në vetëm 2 njësi, që bashkon zonat e tyre në një njësi të vetme administrative. Sipas tyre, harta e re ndikon drejtpërsëdrejti në mënyrën e jetesës së banorëve, të cilët i ndajnë traditat dhe zakonet me zonat e bashkuara. Protestuesit në Shkodër kanë bllokuar për disa minuta segmentin nacional Shkodër – Tiranë, pranë Harkut të Bërdicës. Në krye të kësaj proteste ka qenë edhe kryetari i PD-së, Ramzi Çoba, i shoqëruar edhe nga drejtues të pushtetit lokal të partisë demokratike të rrethit Shkodër. “Është bërë një masakër e vërtetë sidomos për Shkodrën. Në rrethin e Shkodrës janë lënë dy njësi vendore, duke mos marrë parasysh asnjë kriter, as kriterin gjeografik, as demografik, as kulturor. Është bërë që një nga maja e Dukagjinit të vij të kërkojnë shërbim në qytetin e Shkodrës. Është zhdukur si etnitet me një të rënë të lapsit Velipoja, e cila ka me një aktivitet biznesi pothuaj sa Saranda. Njerëzit janë të indinjuar dhe ndodhen këtu për t’i përcjellë këtu parlamentit shqiptar, edhe të gjithë faktorëve të tjerë politike, edhe ndërkombëtarëve, edhe opozitës që të protestojë më fuqishëm që të mos miratohet ky projekt draft, i cili do jetë fatkeqësi për shqiptarët, do jetë fatkeqësi nesër”, – tha Çoba. Me ndërhyrjen e forcave të rendit protestuesit u shpërndanë në mënyrë paqësore. Po ashtu, dje banorët e Komunës Pojan në Korçë kanë protestuar kundër hartës së re territoriale, e cila e shkrin këtë komunë me Bashkinë e Maliqit. Dhjetëra banorë të fshatrave të kësaj Komune janë grumbulluar dhe me parulla në duar kanë bllokuar rrugën tek kryqëzimi i Pendavinjit, segment që lidh Pojanin me segmentin nacional Korçë – Kapshticë. Banorët njëzëri e kanë konsideruar shkrirjen e kësaj komune si të padrejtë duke deklaruar se do të vijojnë protestat. Komuna Pojan numëron rreth 18 500 banorë dhe është një prej komunave më të mëdha të qarkut të Korçës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency