Tryeza me ekspertët/ PD dhe shoqatat: Skema e re privon nga pensioni gjysmën e shqiptarëve

0
137

Gëzim Saliu

Basha per pensionet Basha: Do të kemi alternativën tonë, reforma e qeverisë rrit afrofe moshën e pensionit

Partia Demokratike organizoi dje një tryezë për skemën e re të propozuar nga qeveria për pensionet, ku merrnin pjesë përfaqësues të kësaj shtrese, persona me aftësi të kufizuara si edhe organizata të shoqërisë civile, të cilat u shprehën të gjithë njëzëri kundër saj. Në konferencën e titulluar “Reforma e pensioneve?! Goditje ndaj shtresave në nevojë, pensione më të ulëta më pak mbrojtje sociale”, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tha se me reformën e qeverisë ka një plan për rritjen e moshës së pensionit, i cili prek sipas tij të gjithë qytetarët. Pasi dëgjoi diskutimet e të gjithë ekspertëve dhe përfaqësuesve të ndryshëm të shoqatave, në fjalën e tij, kryedemokrati tha se skema e re e propozuar është e papranueshme, pasi privon nga marrja e pensionit gjysmën e shqiptarëve. “Pensioni social është mashtrimi tjetër gjigant, i cili është konstruktuar në mënyrë të tillë që gjysma e shqiptarëve të mos e përfitojnë. Gjysma e shqiptarëve do të privohen tërësisht nga marrja e pensionit. Duke e bërë të pamundur kontribuimin në këtë skemë, gjysma e shqiptarëve nxirren me sukses jashtë skemës së pensioneve. Pashpirtësia e kësaj skeme është evidente”, – deklaroi Basha.

 

Diskutimi

Në nisje të fjalës së tij, kreu i opozitës tha se mungesa e konsultës dhe mosdëgjimi i zërit të qytetarit janë tipar dallues i qeverisë “Rama-Meta”, gjë kjo që ka ndodhur sipas tij edhe në projektin që ata kanë për pensionet. Duke u ndalur në nevojën e konsultimit sa më të gjerë për të tilla ligje, kreu i opozitës tha se i gjithë mekanizmi i demokracisë është ndërtuar në mënyrë të tillë që procesi i hartimit dhe aprovimit të ligjit të jetë i ngadaltë pikërisht për të lënë kohë për konsultim për transparencë. Ndërkaq, duke iu referuar skemës, Basha u shpreh se qeveria po vendos një aparteid pensionesh, pasi gjysma e shqiptarëve do të jenë jashtë skemës. Sipas tij, skema e bën të pamundur mbledhjen e kontributeve, çka e vendos skemën në rrezik. “PD dhe opozita nuk mund ta pranojnë dhe nuk do ta pranojnë këtë situatë. PD dhe opozita nuk do ta pranojnë këtë reformë dhe hapi i parë i parë do të jetë ndërtimi i një alternative tjetër. Ne nuk mund të pranojmë rritjen afrofe të moshës së pensionit dhe nuk do ta pranojmë”, – tha ai. Ndërsa kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Gëzim Kalaja, u shpreh se reforma nuk ka marrë kërkesat e tyre, ndërsa nuk bën transparente, sipas tij, se sa do të përfitojnë shtresa të caktuara. Në këtë kontekst, ai shtoi se rritja e moshës së pensionit është tepër e gabuar dhe do të ndikojë negativisht në kushtet e jetesës së punëtorëve në veçanti. Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Shoqatës së Pensionistëve, Sabrie Kapllani, u shpreh se pagat dhe pensionet janë të vetmet që nuk po rriten nga qeveria. “Tani kam ardhur të falënderoj Kryeministrin që na rrit çdo gjë, na rrit çmimet, moshën, si dhe të gjitha të tjerat, vetëm nuk e ka gjetur se ku ndodhet pensioni dhe rroga, që t’i rrisë dhe ato. Pra, këto nuk po na i gjen”, – tha ajo. Gjithashtu, organizatat e shoqërisë civile deklaruan se kërkesat e tyre nuk po merren parasysh nga qeveria, ku ndërkohë Kujtim Hysensani nga Shoqata e të Verbërve, u shpreh kundër reformës së qeverisë. “Infrastruktura për personat me aftësi të kufizuara është e papërshtatshme, Personat me aftësi të kufizuar kanë protestuar. Pra, nuk ka asnjë arsye përse miratimi i këtij ligji të bëhet me urgjencë”, – tha ai. Ndërkohë, përfaqësuesi i Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuara u shpreh se realiteti është krejt ndryshe nga sa premtohet, duke denoncuar faktin se po hiqet pagesa për ndihmësin e personit me aftësi të kufizuar. Një tjetër diskutant, përfaqësues i ish të përndjekurve politike Besim Ndregjoni u shpreh se qeveria nuk e ka në planet e saj trajtimin e kësaj shtrese, duke deklaruar se pensioni që ata marrin është shumë i ulët dhe i pamjaftueshëm për të jetuar.

 

Mendimet e ekspertëve

Eksperti i fushës së pensioneve Fadil Kepi – Së pari të mos rritet mosha e pensionit për femra e meshkuj, nga 60 që janë sot do shkojë 67, dhe meshkujt nga 65 do shkojë 67. Ka vende të zhvilluara të Evropës që e kanë pensionet më të mëdha dhe kanë mosha më të ulëta. Italia po e rrit gradualisht pensionet deri në vitin 2018 dhe aty femrat u ndalon në moshën 66 vjeç, vetëm ne duam 67 vjeç. Së dyti nëse vazhdojmë me këto ritme të rritjes së moshës së pensioneve, ulet punësimi i të rinjve të shkolluar me universitete brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe do të mbajmë në punë më shumë të moshuar ku rendimenti i tyre dihet që është i ulët sepse në vitin 2015 meshkujt do të dalin në pension të datëlindjes 1950 kur buka dhe çdo gjë ka qenë me triskë. Me formulën e re personat që marrin rroga të ulëta dhe mesatare do të marrin pensione me pak. Unë jam kategorikisht kundër pensionit social. Pension nuk është shqip. Është kthim kontributi. Ke punuar, ke kontribute. Pension social është do të thotë që ti s’ke punuar dhe unë do të jap pension.

 

Deputeti Sherefedin Shehu – Skema ul pensionet dhe fshati nuk do marrë atë që i takon. Qeverisja e PD-së garantoi që pensionistet e fshatit të marrin pensione qyteti por kjo rrëzohet me këtë reformë. Po u thonë fermerëve mos paguani kontribute se do t’u japim vetëm 70 mijë lekë. Ata mund të kenë pension të barabartë me qytetin vetëm nëse paguajë deri 4 herë më shumë kontribute. Me këtë skemë nuk ka rritje, por vetëm indeksim dhe kjo lëmoshë nuk është as e garantuar. Projekti i tyre u thotë fermerëve se pensionin e barabartë me qytetin që u njeh ligji sot në vitin 2015, mund ta merrni vetëm nëse do të paguani 2.6 dhe 3.4 herë më shumë kontribute përkatësisht për zonat fushore dhe malore.

 

Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, Albana Vokshi – Reforma deformon skemën aktuale që bazohet mbi bazën e kontributeve dhe dekurajon pagesën e tyre çka do të ulë numrin e të siguruarve. Reforma e propozuar do të rrisë informalitetin dhe papunësinë. Përpara rritjes së moshës së pensionit qeveria duhej të kishte ndërmarrë politika për futjen në skemën e sigurimeve të atyre që punojnë në bujqësi. Gratë janë më të goditurat e reformës së pensioneve. Rritet me 7 vite mosha e pensionit, ato do të kenë më shumë kontribute dhe më pak përfitime nga skema. Do të ulen përfitimet me 30% në barrëlindje, do hiqen njohja e viteve të studimit pr efekt pensioni dhe hiqet mundësia për dalje të hershme në pension për gratë me shumë fëmijë. Kjo do të sjellë rritjen e papunësisë së grave.

 

Deputeti Myqerem Tafaj – Rritja e moshës së pensionit është shkatërrimtare për sistemin arsimor shqiptar. Rritja e moshës së pensionit të mësuesve do të thotë një goditje e shpresës së mijëra vajzave dhe djemve që po studiojnë me pasion për tu bërë mësues. Dhe kjo nuk mund të ndodhë. Fakti që në shumë vende të tjera të zhvilluara dhe unë po marr Gjermaninë, megjithëse ka lande që e kanë moshën 65 vjeç, mësuesit dalin masivisht 3 vjet në pension, para kohe. Rritja e moshës së pensionit tek mësuesit, jo më për gratë mbi 60 vjeçe, por as për burrat, është me efekte të jashtëzakonshme negative për sistemin arsimor në Shqipëri për dy dekadat që vijnë.

 

Deputetja Jorida Tabaku Me vendimin e marrë për heqjen nga fondi i kompensimit fizik të fondit të tokës bujqësore me sipërfaqe 18 076 ha të ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe ish – institucioneve kërkimore-shkencore zerohet fondi për kompensimin fizik të pronarëve. Në maj të këtij viti qeveria ndërmori vendimin për ndryshimin e Ligjit për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave. Jo për ta përshpejtuar procedurën, jo për të eliminuar burokracitë, por për ta shtyrë atë. Duke e shtyrë deri në  prill të 2015 afatin për dhënien e vendimit administrativ për çështjen e pronave. Në ndryshimet e fundit të Ligjit për titujt e pronësisë u shty afati me dy vjet për procesin e dhënies së titujve të pronësisë për tokat bujqësore. Në ndryshimet e fundit të ligjit për legalizimin, qeveria mori një vendim totalisht kundër pronarëve, duke bërë të mundur që fondi që merret nga pagesat e legalizimeve të mos shkojë 100 për qind drejtpërdrejt tek fondi i kompensimit si më parë por të ndahet në raportin 70 për qind me 30 për qind; GJEDNJ pasi shqyrtoi plan-veprimin e pronave të paraqitur nga qeveria, në datë 4 korrik 2014 i njoftoi qeverisë se, vendosi të mos merrte në konsideratë kërkesën e bërë  në lidhje me shtyrjen 1-vjeçare të kërkuar nga ana e autoriteteve shqiptare. Gjykata ka shprehur shqetësimin e saj se nuk është bërë përpjekja më e vogël në lidhje me zbatimin e vendimit pilot dhe të Rezolutës së Ndërmjetme të Qershorit 2013.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency