Basha shtron iftar për Natën e Kadrit

0
134

basha iftarKryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shtroi mbrëmjen e djeshme një darkë iftari, që përkonte dhe me Natën e Kadrit. Duke bërë një lutje për politikanët, Basha ka kërkuar që kjo natë e deri tek ajo e vitit të ardhshëm “Zoti të zbresë sa më shumë mençuri për ta dhe t’i bëjë të dobishëm për njerëzit e këtij vendi”. “Përfitoj nga fjala që në këtë natë të shenjtë, nata më e mirë se 1000 muaj, siç thotë Kurani, nata kur zbresin engjëjt dhe shpirti, Xhebraili, dhe marrin vendime të rëndësishme deri natën tjetër të Kadrit, natën kur paqja mbretëron deri në agim, që t’i lutem Zotit të zbresë sa më shumë mençuri, sa më shumë vendosmëri dhe sa më shumë dashuri në shpirtrat e të gjithë shqiptarëve dhe në veçanti të vendimmarrësve dhe të na udhëheqë në rrugën e mendimeve të duhura dhe të drejta, të na heqë nga rruga e vendimeve të gabuara e të na mundësojë të jemi të vërtetë dhe të dobishëm në punën tonë dhe në betimin tonë për t’i shërbyer njerëzve dhe këtij vendi”, – u shpreh në fjalën përshëndetëse kryetari i PD-së, Lulzim Basha, njëherësh dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës. Basha theksoi se muaji i shenjtë i Ramazanit është muaji i reflektimit për të gjithë dhe se duhet t’i shërbejmë njëri-tjetrit për të pasur ditë sa më të lumtura.

 

Komisioni/ Çmimet e barnave, deputetët “kryqëzojnë” ministrin Beqaj: Sistemi shëndetësor po degradohet

“Në një spital rajonal është turp të shkosh në orën 7 të mëngjesit, shko bëj një sondazh dhe i gjen tapë. Birrë, doktori në 8 të mëngjesit me birrë ,është turp i madh”

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është përballur ditën e djeshme me akuza të forta nga deputetët e Partisë Socialiste në Komisionin e Ekonomisë. Duke u mbështetur te raporti i Bankës Botërore, i cili e etiketonte Shqipërinë si vendin ku barnat blihen me çmime më të larta në rajon, ka sjellë edhe akuza nga deputetët në drejtim të ministrit. “Prej vitesh dhe vitesh të tëra, Shqipëria vazhdon të tregtojë barna me çmime shumë më të shtrenjta se vendet e Bashkimit Evropian. Sa i përhapur është ky fenomen? Me ato barna që ndikojnë specifikisht në ato mosha, të cilat për shkak të mungesës së aktivitetit të tyre, të përfshira në skema solidariteti të tyre, të përfshira në pensione dhe skemat e ndihmës ekonomike. E kanë të pamundur të arrijnë të blejnë këto barna”, – u shpreh kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe. “Ne kemi një situatë ku barnat gjenerike i kemi më të shtrenjta se barnat patente. Kjo pjesë më e shtrenjtë, mbi çmimin patent, nuk është në asnjë vend tjetër, përdoret për të orientuar mjekët të përshkruajnë një barë të caktuar, që përdoret me iniciale emër dhe mbiemër të doktorit në farmaci”, – u përgjigj Beqaj. “Nuk mund të dalim përpara njerëzve të themi “na falni se këtë nuk e zgjidhem”. Ilaçet janë të dobëta, doktorët janë po ato që i gjen tapë. Në një spital rajonal është turp të shkosh në orën 7 të mëngjesit, shko bëj një sondazh dhe i gjen tapë. Birrë, doktori në 8 të mëngjesit me birrë ,është turp i madh”, – tha deputeti Pjerin Ndreu. “Në këtë vend, ata që vjedhin karburant, dalin me iniciale, ata që vjedhin tendera, dalin me iniciale, nuk mund të dalin dhe mjekët me iniciale”, – theksoi Braçe. Pas debateve projektligji “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik” është miratuar nga Komisioni i Ekonomisë.

 

Zbulohen mjekët abuzues

Ministria e Shëndetësisë ka publikuar dje disa nga mjekët abuzues, të cilët i detyronin pacientët të shkonin në farmaci të caktuara si dhe u ofronin çmimet më të shtrenjta. Duke folur para mjekëve të shërbimit parësor, ministri i Shëndetësisë bëri me dije rezultatin për analizën për abuzimin me recetat e lëshuara, për barnat e rimbursuara vetëm në Tiranë. “Kemi një mjek me emrin E. N. që punon te poliklinika nr. 4. Në 55% të recetave të lëshuara, ka lëshuar vetëm alternativën më të shtrenjtë. Dhe na rezulton që sasia e të gjitha recetave që lëshon ky mjek, në 94% të rasteve përfundojnë vetëm te farmacia “Nek”. Mjeku B. T. në Shkozë, të gjithë recetat e tij përfundojnë te farmacia “Geni & Lori”, 80%, edhe pse Shkoza ka 10 farmaci. Fillimisht po ju tregojmë që duhet të filloni ju vetë të vetëpastroheni dhe të vetërregulloheni. Informacioni është aty, nuk mund t’i shmanget më askush”, – u shpreh ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. “Dy mjekë, njëri i Bathores dhe tjetri i Paskuqanit, në bashkëpunim me dy pacientët e tyre, janë dërguar në Prokurori me kallëzimin për falsifikim dhe shpërdorim, dy të parët, ndërsa pacientët vetëm për falsifikim. Mjekët dhe pacientët, në mënyrë abuzive, merrnin dy preparate të shtrenjta, të regjistruara në dy zona apo fshatra të Tiranës, duke ndarë lekët njëri me tjetrin dhe duke i hequr të drejtën e trajtimit një pacienti tjetër. Te kallëzimi në Prokurori për shpërdorim detyre të një drejtori në ISKSH, të një drejtori spitali, të një depoje farmaceutike dhe të një mjeku nga Ballshi. Këto janë 6 rastet që nga Fondi janë kallëzuar në Prokurori dhe ndaj të cilëve verdikti do të jepet nga Prokuroria”, – deklaroi Astrit Beci, drejtor i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

 

Me votat e mazhorancës/ Miratohet reforma e pensioneve

 Ndryshimet në ligjin për sigurimet shoqërore janë miratuar ditën e djeshme edhe nga Komisioni i Ekonomisë. I pranishëm në Komision, ministri Veliaj e ka cilësuar reformën e pensioneve si fytyrën njerëzore të qeverisë, duke qenë se ajo, së pari, sjell siguri për të moshuarit e nesërm, duke funksionuar sipas formulës: Kush kontribuon shumë, përfiton shumë! Pas debateve të shumta reforma është miratuar vetëm me votat e mazhorancës pa pësuar ndryshime rrënjësore në komisionet parlamentare. Reforma parashikon një pension social që do të jepet për çdo të moshuar, pasi të mbushë 70 vjeç, nëse nuk ka plotësuar vitet e kontributeve. Skema e re pritet të sjellë edhe rritjen e moshës së daljes në pension si për burrat dhe për gratë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency