Udhëzimi, si mund të marrësh ndihmë ekonomike, procedura kur të refuzohet kërkesa

0
189

ndihma ek Ato familje të cilat nuk kanë të ardhura të mjaftueshme mujore, mund të aplikojnë për ndihmë ekonomike. Pjesë e skemës mund të bëhen edhe gratë e dhunuara, jetimët,viktimat e trafikimit si dhe një sërë kategorish të tjera. Udhëzimi i Ministrisë së Mirëqenies Sociale shpjegon hapat që duhet të ndjekin individët për të marrë ndihmë ekonomike si dhe çfarë duhet bërë kur të refuzohet kërkesa.

 

Ku duhet të drejtoheni për të kërkuar ndihmën ekonomike?

Ndihma ekonomike kërkohet pranë komunës apo bashkisë ku jetoni dhe keni gjendjen civile. Punonjësi përgjegjës për marrjen e kërkesës suaj është administratori shoqëror.

 

Kur duhet bërë kërkesa herën e parë?

Kërkesa bëhet nga data 1-10 të çdo muaji. Në rast se kërkesa plotësohet mbas 10 ditëve të para ajo ruhet dhe bëhet e vlefshme për muajin pasardhës.

 

Si plotësohet kërkesa herën e parë?

Kërkesa plotësohet së bashku me administratorin shoqëror në momentin e dorëzimit të dokumenteve, në prani të të dy bashkëshortëve, përveçse rasteve kur janë në proces zgjidhjeje martesore ose kur kërkuesit janë jetimë, viktima të trafikimit ose viktima të dhunës në marrëdhënie familjare. Mbasi plotësohet kërkesa, ju keni të drejtë të kontrolloni informacionin e hedhur nëse nuk është i saktë dhe të kërkoni që të ndryshohet. Kur kërkesa është e plotësuar në mënyrë të saktë ju duhet ta nënshkruani dhe administratori shoqëror do t’ju japë një kopje të faqes së parë të kësaj kërkese.

 

Çfarë përmban kërkesa?

Kërkesa përmban një sërë pyetjesh, të cilat kanë për qëllim vlerësimin e gjendjes reale ekonomike. Këto pyetje kanë të bëjnë me numrin e anëtarëve të familjes, arsimimin dhe punësimin e tyre; llojin e banesës, pasuritë dhe objekte të tjera në pronësi, si dhe të ardhura nga programet e mbrojtjes shoqërore dhe të ardhurat e tjera.

 

Çfarë dokumentesh duhet të dorëzoni bashkë me kërkesën e parë për ndihmë ekonomike?

Dokumentet që duhet të dorëzoni tek administratori shoqëror për kërkesën e parë për ndihmë ekonomike janë sipas rasteve më poshtë: Familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme:

– Kopjen e kartave së identitetit të të gjithë anëtarëve të familjes që kanë karta identiteti;

– Certifikatën familjare që lidhet të gjithë ata persona që janë pjesë e së njëjtës gjendje familjare

-Certifikatën e pronësisë, të lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme apo aktin e marrjes në pronësi ose në përdorim të tokës (tapinë e tokës), për zonat ku regjistrimi i pronësisë nuk ka përfunduar ende.

Familjet me fëmijë nën moshën madhore edhe:

– vërtetim mbi frekuentimin e shkollës për fëmijët që ndjekin arsimin e detyrueshëm,

– dëftesën e kalueshmërisë

– kalendarin e kryerjes se vaksinave për fëmijët.

Në rastet kur bashkëshortët janë në proces zgjidhjeje martese dhe ende nuk ka një vendim gjykate të formës së prerë, dokumentacioni paraqitet i ndarë nga secili bashkëshort. Në këtë rast duhet që të dorëzohet edhe vërtetimi i gjykatës që bashkëshortët janë në proces zgjidhjeje martesore. Në rastet kur një ose më shumë anëtarë të familjes janë me aftësi të kufizuar ose invalidë duhet që të dorëzohet edhe kopje e vërtetimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë. Jetimët që nuk janë në institucione të përkujdesit shoqëror:

-Kopjen e kartës së identitetit

-Certifikatën familjare

-Kopjen e noterizuar për statusin e jetimit, sipas kërkesave të parashikuara në ligjin “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar

Prindërit e fëmijëve të lindur trinjakë e më shumë njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë:

-Certifikatën familjare

Viktimat e trafikimit pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në çastin e punësimit:

-Kopjen e kartës së identitetit

-Certifikatën familjare

-Vërtetimin e trajtimit në institucionet e përkujdesjes shoqërore të lëshuar brenda 30 ditëve të fundit

Viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes:

-Kopjen e kartës së identitetit

-Certifikatën familjare

-Urdhrin e mbrojtjes ose urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes të lëshuar nga gjykata. Në çdo rast, administratori shoqëror mund t’ju kërkojë dokumente të tjera të nevojshme, për të përcaktuar të ardhurat familjare.

 

A verifikohen dokumentet dhe informacioni që jepet gjatë plotësimit të kërkesës?

Po, dokumentacioni dhe informacioni i dhënë gjatë plotësimit të kërkesës verifikohet në mënyrë elektronike me institucionet e tjera shtetërore, si dhe fizikisht në vendbanim. të paktën dy herë në vit. Në rast të deklaratave të rreme, kërkesa për Ndihmë Ekonomike nuk do të pranohet.

 

Po kur ka mungesa në dokumentet ose në plotësimin e kërkesës për herë të parë?

Në rastet kur ka mungesa në dokumentet e nevojshme për të bërë kërkesën, ose në informacionin e nevojshëm për plotësimin e kërkesës, administratori shoqëror duhet t’ju njoftojë, duke ju dhënë edhe një listë të mungesave. Në rast se ju nuk mundeni të plotësoni mungesat në dokumentacion dhe informacion brenda 10 ditëve të para të muajit, atëherë kërkesa juaj ruhet për muajin pasardhës. Administratori shoqëror duhet t’ju ruajë kërkesën e çelur bashkë me dokumentacionin e dorëzuar deri në 30 ditë. Në rast se ju nuk plotësoni dokumentacionin dhe informacionin brenda 30 ditëve, atëherë administratori shoqëror ka të drejtë ta anulojë kërkesën.

 

Kur përjashtohesh nga ndihma ekonomike?

Nga ndihma ekonomike mund të përjashtohesh nëse:

-Dokumentacioni ose informacioni i dhënë gjatë plotësimit të kërkesës rezulton i rremë pas kontrollit në mënyrë elektronike me institucionet e tjera shtetërore dhe të verifikimit fizik në vendbanim.

-Ju nuk pranoni të intervistoheni në vendbanimin e deklaruar pas dy njoftimeve të bera nga administratori.

-Një prej anëtarëve të familjes ndahet qëllimisht nga trungu familjar pa krijuar një kurorë të re, përveç rasteve të vajzave nëna;

 

Si përzgjidhesh si përfitues i ndihmës ekonomike?

Mbas mbylljes së aplikimeve sistemi elektronik, mbasi kontrollon dhe peshon informacionin në dokumentacionin dhe kërkesën e paraqitur pranë administratorit shoqëror, përcakton renditjen për të qenë përfitues ose jo të ndihmës ekonomike.

 

Si lajmërohesh nëse je përzgjedhur?

Ju mund të kërkoni informacion për pranimin apo refuzimin e saj pranë komunës apo bashkisë tuaj,në përfundim të muajit për të cilin kërkesa juaj është e vlefshme.

 

Kush ka të drejtë të tërheqë dhe pagesën e ndihmës ekonomike?

Pagesa e ndihmës ekonomike tërhiqet nga bashkëshortja e familjes në nevojë dhe nga vetë individi në nevojë.

 

Ku tërhiqet ndihma ekonomike?

Pagesa e ndihmës ekonomike tërhiqet pranë zyrave të postës ose sporteleve të bankave.

 

Çfarë duhet bërë për të vazhduar marrjen e ndihmën ekonomike mbasi jam përzgjedhur?

Të dy bashkëshortët duhet të paraqiten çdo 3 muaj pranë bashkisë apo komunës ku jetojnë dhe kanë gjendjen civilë dhe së bashku me administratorin shoqëror të plotësojnë një deklaratë, mbi çdo ndryshim të situatës së tyre, nëse ka ndryshuar. Në përfundim të 2 viteve nga plotësimi i kërkesës së parë, ju duhet të dorëzoni sërish dokumente për situatën tuaj shoqërore ekonomike dhe të plotësoni sërish kërkesën e plotë.

 

A mund të përfitoj shtesa në ndihmë ekonomike?

Po, me anë të ndjekjes së rregullt të arsimit të detyrueshëm dhe kryerjes së kalendarit të vaksinimeve nga fëmijët e familjes, mund të ketë shtesa në pagesën e ndihmës ekonomike.

 

A kushtëzohet ndihma ekonomike?

Po, marrja e ndihmës ekonomike kushtëzohet nëpërmjet marrjes pjesë në punë apo shërbime komunitare të personave në moshë pune, anëtarë të familjes.

 

Po nëse je përzgjedhur sipas mënyrës së mëparshme?

Në këtë rast, dosja juaj është e plotësuar tashmë pranë administratorit shoqëror dhe ju duhet të aplikoni sipas mënyrës së re elektronike.

 

Po nëse ndryshohet vendbanimi?

Në rastet kur ju ose familja juaj ndryshoni vendbanim, krahas ndryshimit të gjendjes civile, transferohet edhe dosja e ndihmës ekonomike në bashkinë apo komunën e re, e cila duhet të jetë brenda qarqeve të Tiranës, Durrësit ose Elbasanit. Në rast se vendbanimi juaj i ri nuk është në këto qarqe, atëherë kërkesa juaj duhet të bëhet sipas mënyrës së mëparshme.

 

A mund të ankohesh nëse nuk përzgjidhesh?

Në rastet kur kërkesa juaj është refuzuar, ju duhet të kërkoni pranë bashkisë apo komunës tuaj informacion për arsyet e refuzimit. Ju keni të drejtën për të ankimuar me shkrim te drejtori i Zyrës Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, i cili ju njofton me shkrim për vendimin e marrë. Më pas ju keni të drejtën të ankimoni në gjykatë vendimin për refuzim të ndihmës ekonomike.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency