Atentat në Kavajë/ Ekzekutohet me breshëri plumbash 27-vjeçari, dyshime për hakmarrje

0
303

Anxhela Tato

vrasje-kavaja-naten Policia: Andi Peqini po lëvizte me automjetin e tij kur është qëlluar me breshëri nga një makinë me targa italiane

 Hetimet, 27-vjeçari ishte kthyer nga emigrimi në Itali, dyshime se ishte i skeduar

 Ekzekutohet me breshëri kallashi një 27-vjeçar në Kavajë. Ngjarja e rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme, teksa i riu ishte duke udhëtuar me një automjet të tipit “Peugeot”. Nga të dhënat e policisë mësohet se i riu ka marrë disa plagë nga të shtënat, të cilat vinin nga një automjet me targa italiane. Kalimtarët kanë denoncuar ngjarjen në komisariat, ndërsa kanë tentuar që t’i vijnë në ndihmë të riut, i cili kishte ndërruar jetë. Trupi i pajetë i 27-vjeçarit Andi Peqini është dërguar në morgun e spitalit, ku i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore. Nga të dhënat e para bëhet me dije se 27-vjeçari Peqini ka plagë tejshpuese në kokë dhe në trup. Hemorragjia dhe prekja e organeve kryesore jetike i ka sjellë vdekjen e menjëhershme viktimës. Nga të dhënat e para bëhet me dije se Andi Peqini prej pak kohësh ishte kthyer nga emigrimi në Itali, duke mbartur me vete edhe problemet. Për blutë ka të dhëna ende të pakonfirmuara se viktima mund të ketë qenë me precedent penale dhe problemet e kanë ndjekur pas në Shqipëri. Pista kryesore ku do të përqendrohen hetimet janë hakmarrja për episode kriminale të ndodhura në Itali si dhe dyshimi për konflikte të mundshme. Nga blutë janë marrë në pyetje dëshmitarë të ngjarjes, të cilët kanë rrëfyer me detaje skenën e krimit. Ata kanë kallëzuar se një makinë ka hapur zjarr ndaj 27-vjeçarit, i cili ishte në lëvizje. Djali është qëlluar me breshëri dhe autorët kanë larguar me shpejtësi. Por kalimtarët nuk kanë mundur që të dallojnë ndonjë tipar të fytyrës së dy autorëve, të cilët dyshohet se kanë qenë të maskuar. Ende nuk ka të dhëna rreth identitetit të autorëve, ndërsa pritet që blutë të kërkojnë pamje filmike të kamerave të sigurisë të zonës përreth ku ka ndodhur krimi.

 

Vrasja

 Rreth orës 20:45, në komisariatin e policisë së Kavajës janë raportuar të shtëna me armë zjarri. Policia është nisur me urgjencë për në vendin e ngjarjes, ku ka gjetur trupin e pajetë të një riu brenda në makinë. Nga ekspertiza dhe këqyrja është mësuar se bëhet fjalë për 27-vjeçarin Andi Peqini. Sipas konfirmimeve të para, Peqini nuk ka rezultuar i skeduar në vendin tonë për ndonjë vepër penale, por ai figuron me precedentë penalë në vendin fqinj Itali. Peqini rezulton të jetë kthyer nga emigrimi prej pak kohësh, ku ka qenë i proceduar. Dyshimet janë që konfliktet e vjetra ta kenë ndjekur Peqinin nga pas. Por nuk mohohet as ndonjë konflikt i mundshëm pasi nga dëshmitarë është pohuar se i riu ka pasur një debat në një pikë karburanti. Nga ana e forcave të policisë janë sekuestruar pesë gëzhoja në vendin e ngjarjes, të cilat nga të dhënat e para i përkasin një arme zjarri të tipit kallashnikov. Do të jetë ekspertiza balistike, e cila do të ndihmojë policinë në zbardhjen e krimit. Ndërsa pritet që në ditët në vijim të jetë gati edhe autopsia e 27-vjeçarit. Nga ana e bluve do të kërkohen rezultatet e tabulateve të bisedave telefonike të 27-vjeçarit, për të kuptuar nëse ai ka pasur kërcënime apo probleme këto kohën e fundit. Në pyetje do të merren edhe familjarë e të afërm të Andi Peqinit.

 

Durrës/ Atentat Roland Farrukut, dyshime se motivi është aktiviteti i vëllait

 Një 40-vjeçar është plagosur me armë zjarri nga një person ende i paidentifikuar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit të së martës në rrugën Durrës-Manzë, tek kthesa e Maminasit. Roland Farruku, banues në Manzë, është qëlluar me armë dhe ka marrë një plumb në shpatull dhe një në ije, por fatmirësisht arriti t’i mbijetojë plumbave. Bluzat e bardha të qytetit bregdetar të Durrësit bëjnë me dije se 40-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia nisi hetimet për të mësuar motivet e këtij atentati, ndërsa po punohet për të zbuluar nëse Farruku mund të ketë pasur konflikte të mëparshme. Nga të dhënat e bluve ka dyshime se ky krim mund të jetë i lidhur me të kaluarën e vëllait të Roland Farrukut, të cilët para disa kohësh Gjykata e Durrësit i sekuestroi pasurinë. Në 28 nëntor të viti 2012 Gjykata e Durrësit, me kërkesë të Prokurorisë së Durrësit ka vendosur sekuestro preventive për pasuri, të cilat arrijnë shifrën totale rreth 1 milion euro në pronësi të shtetasit Kreshnik Bodlla (Farruku). Sipas Prokurorisë, këto pasuri dyshohet se janë krijuar nga aktivitetet e paligjshme të shtetasit Kreshnik Bodlla (Farruku) dhe përdoren nga dy familjarët e tij, Reshit Farruku (babai) dhe Roland Farruku (vëllai), banues në Shijak të Durrësit. “Në bazë të të dhënave hetimore, ekzistojnë prova dhe fakte se shtetasi Kreshnik Farruku (i cili aktualisht e ka ndryshuar dhe mban mbiemrin Bodlla) është përfshirë në veprimtari kriminale në fushën e lëndëve narkotike. Për këto veprimtari të paligjshme Kreshnik Bodlla (Farruku) është dënuar në Itali në vitin 2007, me 5 vite burgim. Pas një hetimi të kryer është konstatuar se Reshit dhe Roland Farruku kanë blerë një pronë me vlerë 920.000 euro në zonën e Gjirit të Lalzit, si edhe kanë një llogari bankare në shumën 6.271.000 lekë, të cilat dyshohet se janë të prejardhura nga aktiviteti i paligjshëm i familjarit të tyre Kreshnik Bodlla (Farruku) prandaj janë vënë nën sekuestro preventive”, – thuhet në vendimin e gjykatës.

 

Elbasan/ Premtonin punë në Kanada, pranga 2 mashtruesve

 Policia e Elbasanit, në kuadër të operacionit të koduar “Punësim i rremë”, ka arrestuar dy persona të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin mashtronin qytetarët se do t’i çonin të punonin në Kanada dhe vende të tjera të BE, duke u marrë në këmbim para. Në pranga kanë rënë Mihal Shyti, 44 vjeç, banues në Përrenjas të Librazhdit dhe Lorenc Cuke, 37 vjeç, banues në Korçë. Sipas hetimeve të kryera të dy këta persona në bashkëpunim kanë mashtruar 20 qytetarë duke u premtuar punësim në Kanada e vende të BE, dhe duke ju marrë në këmbim një shumë prej 500 eurosh. Sipas policisë Shyti dhe Cuke, për kryerjen e këtij mashtrimi kanë bashkëpunuar edhe me një shtetas të huaj, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye hetimi. Ndërkaq hetimet lidhur me këtë veprimtari kriminale mashtrimi ndaj dy të arrestuarve vijon, për të zbardhur të plotë aktivitetin ilegal.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency