Garda dhe Byroja / Përplasje mes mazhorancës, LSI i thotë “jo” ligjit të Tahirit

0
127

Gëzim Saliu

 LSI tek ligjetDebatet te Ligjet, Felaj: Të respektohet puna për ligjin, Braho: Është një vrimë në ujë

 Byroja e Hetimit dhe shkrirja e Gardës së Republikës, parashikuar në ligjin “Për Policinë e Shtetit” u kundërshtua dje nga Lëvizja Socialiste për Integrim në Komisionin e Ligjeve. Deputetët e kësaj force politike janë larguar nga mbledhja e Komisionit, kur nisi diskutimi i projektligjit për Policinë e Shtetit, duke kërkuar heqjen e dy kapitujve të ligjit që lidhen me Byronë dhe Gardës. Spartak Braho ka reaguar ashpër ndaj këtyre dispozitave, duke pohuar se nuk mund të përdoret për interesa të axhendës politike. “Kështu siç është konceptuar Byroja Kombëtare e Hetimit është një vërë në ujë. Ne jemi juristë,nuk tallemi as me veten, as me popullin; nuk mund të na përdorë ne kushdoqoftë në interesat e karrierës së tij profesionale, axhendës së tij politike. Mua më nxihet faqja që të bëhem këtu dhe në Parlament, bashkëfajtor”, – tha ai. Në këtë situatë, është dashur ndërhyrja e kryetarit socialist të komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafaj, i cili u përpoq të qetësojë kolegun e LSI-së, duke thënë se këto dy kapituj do shqyrtohen në një moment të dytë. Por gjithsesi, kjo nuk zbuti zemërimin e Brahos dhe kolegëve të tjerë deputetë të LSI-së, të cilët u larguan për disa minuta nga komisioni për t’u kthyer më pas dhe vijuar diskutimin e pjesës tjetër të projektligjit.

 

Diskutimi

Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve nuk ka munguar debati dhe përplasja mes deputetëve të mazhorancës, ku kryesisht deputeti i LSI-së, Spartak Braho, ka kundërshtuar me forcë dy kapitujt e ligjit që lidhen me Byronë e Hetimit dhe shkrirjen e Gardës së Republikës. “Unë do të kërkoja që përpara se të nis diskutimi i ligjit për Policinë e Shtetit të dali nga objekti i shqyrtimit sot kapitulli për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe dispozitat për Gardën e Republikës. Kemi lënë disa pika kontakti me drejtuesit e Ministrisë që këto dy çështje të diskutohen veçmas në nivel ekspertësh, sepse ka pika që ndahemi thellësisht dhe ka gjera që mund të merremi vesh”. Në këtë kontekst, ka ndërhyrë kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa, i cili kërkoi shtyrjen e diskutimit për këto dy pika të ligjit. “Ne nuk mund ta pengojmë të gjithë procesin. Atje ku çmojmë se ka pika për më shumë reflektim, besojmë se do të kemi si dhe herë të tjera, disponibilitetin e përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme e ta kalojmë për ta gjykuar në një ditë tjetër”, – tha ai. Ndërkaq relatorja e projektligjit, Ermonela Felaj, kërkoi të respektohej puna e ekspertëve, pasi sipas saj për këtë ligj është punuar shumë. “Nuk e kam për mungesë modestie por kemi kaluar orë të tëra mbi këtë projekt. Kështu që do të lutesha që secili nga kolegët ta respektonte së paku këtë punë. Sigurisht që mund të kemi mendime të ndryshme”, – tha ajo. Ndaj këtij reagimi nuk mungoi replika e Brahos, i cili duke kërkuar më shumë seriozitet nga kolegia e PS-së tha se ligji duhet shikuar me kujdes. Pas kësaj, ai u largua për disa minuta nga komisioni, duke u rikthyer më pas në diskutimin e pikave të tjera të projektligjit “Për Policinë e Shtetit”. Ky i fundit është kundërshtuar jo vetëm nga deputetë e LSI-së si edhe nga disa ligjvënës të PS-së, por edhe nga Sindikata e Policisë, e cila ka pohuar se përmes tij cenohen të drejtat e efektivëve.

 

 Debatet tek Komisioni i Ligjeve mes Brahos, Xhafaj dhe Felaj

 Spartak Braho: Unë do të kërkoja që përpara se të nis diskutimi i ligjit për Policinë e Shtetit të dali nga objekti i shqyrtimit sot kapitulli për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe dispozitat për Gardën e Republikës. Kemi lënë disa pika kontakti me drejtuesit e Ministrisë që këto dy çështje të diskutohen veçmas në nivel ekspertësh, sepse ka pika që ndahemi thellësisht dhe ka gjera që mund të merremi vesh. E kam thënë dhe publikisht se kështu siç është konceptuar Byroja Kombëtare e Hetimit është një vërë në ujë. Po e përsëris një herë, dy herë, ne jemi jurist dhe nuk tallemi as me veten dhe as me popullin. Nuk mund të na përdorë ne kushdo qoftë në interes të axhendës së tij profesionale dhe karrierës së tij politike e ku di unë. Mua më nxihet faqja që të bëhem këtu në komisione dhe në parlament bashkëfajtor në dispozita që nuk nderojnë as parlamentin dhe veçanërisht juristët e këtij parlamenti. Aq më tepër që këtu një pjesë e madhe e deputetëve janë profesionistë të mirëfilltë. Prandaj për ta mbyllur kërkoj që të hiqen nga axhenda, ndryshe…

Fatmir Xhafaj: Së pari Komisioni i Ligjeve nuk është një komision përgjegjës. Së dyti, e kemi në praktikë, nuk është herë e parë që kur kemi pasur dispozita që kanë ngrënë diskutim kemi kërkuar kohë. Ndaj nëse ka një apo 10 dispozita ne këtu kemi qenë dhe i kemi lënë kohë vetes që të reflektojmë. Të bëjmë një ndarje që tu japim mundësi të gjithë aktorëve që të përfshihen në këtë projekt dhe të reflektojnë mbi çështjet që ngrihen në parim. Por ne nuk mund ta pengojmë gjithë procesin. Atje ku ka pika ku ka nevojë për më shumë reflektim besoj se do keni disponibilitetin e përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme për ta diskutuar një ditë tjetër. Kemi rënë dakord që këto dy çështje të mos trajtohen sot.

Ermonela Felaj: Zoti kryetar, jam dakord për nenin 1. Miratohet neni 1.

Fatmir Xhafaj: Neni 2: Misioni i Policisë së Shtetit? Ka njeri gjë?

Ermonela Felaj: Ne jemi dakord me nenin 2.

Spartak Braho: O Ermonela si thua që jemi dakord, shiko ca thotë objekti?

Ermonela Felaj: Në rregull e ka objekti, çfarë problemi ka?

Spartak Braho: Shiko çfarë thotë objekti për Gardën. I ke dhënë Policisë së Shtetit funksionin për të ruajtur nesër edhe personalitetet dhe do të bëjë dhe hetim ndërsa në objekt nuk ke gjë fare të shprehur. Bëhuni serioz.

Fatmir Xhafaj: Ta lëmë çështje të hapur të lutem. Prandaj është lënë e hapur dhe ne nuk kemi asnjë pengesë. Ne kemi mundësi që para miratimit në tërësi ti kthehemi përsëri, nuk na pengon askush.

Ermonela Felaj: Nuk e kam për mungesë modestie por kemi kaluar orë të tëra për këtë projekt. Ndaj do kërkoja nga secili nga kolegët që ta respektonte së paku këtë punë. Natyrisht që ne mund të kemi mendime të ndryshme për formulimet për nenet, por kjo nuk do të thotë që nuk jemi serioz në punën që kemi bërë.

 

 Në Komisionin e Medias/ Kandidatët për kryetar të AMA-s prezantojnë idetë: Luftë piraterisë

Kandidatët për kryetar të Autoritetit të Mediave Audiovizive kanë prezantuar dje idetë e tyre para anëtarëve të Komisionit të Medias dhe Arsimit, i cili është drejtuar nga nënkryetari Alfred Peza. Zbatimi i projektit të dixhitalizimit, vendosja e rregullit për sa u përket frekuencave si dhe lufta ndaj piraterisë dhe ruajta e paanshmërisë ishin disa nga pikat ku u ndalën kandidatët për kryetar. Në garën për kryetar të AMA-s kandidojnë Genti Sala, Gentian Skënderaj, Anila Basha, Zylyftar Bregu, Raif Gorana, Eni Muçi dhe Bers Hado. Procesi për zgjedhjen e kryetarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, por edhe të anëtarëve të AMA-s të cilëve u ka përfunduar mandati, do të vijojë në shtator. Ndërkaq opozita e ka cilësuar këtë proces kundër ligjit, duke theksuar se edhe përmes këtij akti, mazhoranca po vazhdon synimin e saj për të vënë nën kontroll institucionet kryesore të vendit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency