Cani pranon: Po, jemi duke marrë borxh për të paguar borxh!…

0
151

Ervin Kaduku

shkelqim cani–  Kreu i Financave publike tregon haptazi politikën “e re” fiskale, që është hartuar në bashkëpunim me FMN-në dhe që rrezikon të krijojë një spirale të rrezikshme për shtetit

 Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka pranuar publikisht se politika e qeverisë aktualisht po bazohet hapur mbi marrjen e borxhit të ri për të shlyer borxh të vjetër. Kjo, sipas specialistëve, është politika më e gabuar e mundshme fiskale, duke qenë se nuk mbështetet mbi rritjen e të ardhurave nga tatimet e taksat. Madje, këto të fundit janë rritur rreth 12 për qind, sikurse përbetohet Financa, gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, megjithatë, Ekzekutivi “Rama”, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, vijon të thellojë barrën e borxheve.

Në një intervistë televizive gjatë fundjavës, Cani, në përgjigje të pyetjes se “për vitin 2015 keni deklaruar se do dilnin në tregun ndërkombëtar për të marrë një tjetër eurobond. Do jenë para për të paguar borxhe. Për çfarë do të përdoret ky eurobond i vitit të ardhshëm?”, ka deklaruar shprehimisht sa më poshtë:

“Po, eurobondi maturohet në fund të vitit tjetër dhe ne kemi filluar përgatitjet për ta rinovuar, dhe Po, ne do të marrim një borxh për të shlyer një borxh. Çfarë do të thotë kjo? Përse çuditen për këtë? Po jua sqaroj thjesht: Supozojmë se në vitin 2014 borxhi publik do të jetë 72% dhe po ta vazhdojmë me teorinë e 100 lekëshit do të thotë se borxhi do të jetë 72 lekë, kur i gjithë prodhimi i brendshëm bruto ose GDP do të jetë 100 lekë: 72 pjesëtim për 100 jep 72%. Tani të supozojmë se në vitin 2015, borxhi do të jetë 71%, por ndërkohë ky 100 lekëshi i Prodhimit të Brendshëm Bruto do të rritet me 3 lekë nga inflacioni, 3 lekë ose 3% nga rritja ekonomike. Po marrim vetëm këto dy faktorë.

 

PBB

Prodhimi i Brendshëm Bruto nga 100 lekë do të bëhet 106 lekë. Që të ruhet 71 përqindëshi do të duhet që 71 lekëshi mund të bëhet dhe 72 lekë, pra në terma relativë nga 72% do ta çojmë 71%, kurse si vlerë absolute mund të rritet ose të mbetet 71 ose mund të bëhet 72 lekë. Pra, ne nivelin e borxhit e ruajtëm të barabartë dhe doemoes që nëse maturohet një bond me 300 milionë euro, ne përsëri do të marrim borxh 300 milionë euro për të ruajtur të njëjtin nivel. Ne asnjëherë nuk kemi thënë se do ta ulim, se do ta shlyejmë këtë dhe nuk do e marrim më këtë borxh. Përse habiten shqiptarët? Nëse e doni me aritmetikë, ju sqaroj se do e marrim një borxh për ta ruajtur të njëjtin nivel borxhi. Përse duhet që dikush të kujtojë se ka shpikur ndonjë gjë të madhe, sikur ne kemi kryer ndonjë krim dhe na ktheni krejt papritur në kriminel për diçka që është krejt normale? Po, po marrim borxh për të shlyer një borxh dhe rinovimi i borxhit në Shqipëri ka 20 vjet që bëhet. Prej 20 vjetësh maturohen bonot e thesarit dhe rimarrim borxhe.

Ministria e Financave nga viti në vit nuk e ka shlyer këtë borxh, por përkundrazi ka ndodhur që e kemi rritur borxhin. Ç’është që të rritet deficiti 3, 5, 6%? Do të thotë që Shqipëria nga viti në vit, në mënyrë sistematike në 20 vite ka rritur nivelin e borxhit, sepse deficiti s’është gjë tjetër veçse borxhi i një viti, pra nga 1 janari në 31 dhjetor.

Supozojmë se ne kemi thënë që deficiti do jetë 5%, do të thotë që të ardhurat do të jenë 5% më të vogla nga shpenzimet që do të bëjmë. Por këtë e kemi thënë për 20 vite rresht, gjithë zotësia jonë është që të vijë duke u ulur kjo shifër. Kështu do të jetë dhe viti 2015, ne nuk kemi thënë që nuk do dalim me defiçit. Edhe në vitin 2016 kemi deklaruar se do dalim prapë me defiçit, por e rëndësishme është që Shqipëria duhet të arrijë sa më shpejt ku tempi i rritjes ekonomike të jetë e tillë që ta mbulojë tempin e rritjes së borxhit, dhe ne po shkojmë drejt këtij tempi”.

Këto deklarata bëhen në një kohë kur, sikurse është njoftuar, duke shfrytëzuar ndryshimin e mëparshëm në legjislacion, tashmë, kur vendi është pa një kufi për nivelin e borxhit publik, sinjalet nga Financa janë që qeveria “Rama” do të hidhet “me sy mbyllur” në gropën e zezë të borxheve. Pas huave masive, që u morën këtë vit për të mbuluar paaftësinë e grumbullimit të të ardhurave fiskale, vitin e ardhshëm është planifikuar të merret një borxh prej 500 milionë eurosh në tregjet ndërkombëtare, duke u paraqitur në formën e eurobondit ose kredi, në varësi të interesave. Kjo shihet si një ristrukturim dhe ribalancim i borxhit të brendshëm dhe atij të jashtëm. Kjo shifër i shtohet gati 1 miliard eurove, që janë porositur apo janë marrë tashmë nga ana e qeverisë si borxh që rëndon mbi taksapaguesit shqiptarë, duke e bërë ritmin e rritjes së borxhit publik më të lartin e të gjitha kohërave.

Shqipëria emetoi eurobondin të parë në historinë e vet, në tetorin e vitit 2010, ku siguroi një hua prej 300 milionë eurosh, me interesa 7.5%. Eurobondi në fjalë, me afat 5-vjeçar, maturohet vitin e ardhshëm. Ndërkaq të dhënat tregojne se situata e tregjeve evropiane vazhdon të mos jetë e favorshme dhe besueshmëria e ekonomisë sonë është ende mjaft e ulët. Megjithatë, qeveria është e vendosur të marrë borxh me çdo kusht, për të kryer pagesat e premtuara, por duke e zhytur vendin në një vorbull të frikshme.

 

Hyn në fuqi ligji për mbikëqyrjen financiare

Ka hyrë në fuqi ligji i ri për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare pas miratimit nga Kuvendi dhe botimit në “Fletoren zyrtare”. Ndryshimet dhe shtesat në këtë ligj synojnë forcimin e rolit mbikëqyrës dhe rregullator të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) në përmbushje të objektivave të tij, nëpërmjet forcimit të pavarësisë dhe të përgjegjshmërisë së AMF.

Dispozitat kryesore të projektligjit:

-Rivendosin kompetencat e Bordit të AMF në lidhje me qeverisjen e institucionit, për të qenë në gjendje për t’iu përgjigjur me efektivitet procesit mbikëqyrës dhe rregullator, në mbështetje të zhvillimit dhe qëndrueshmërisë së tregjeve financiare;
– Forcojnë kërkesat për AMF në lidhje me marrëdhënien me autoritete të tjera mbikëqyrëse dhe ligjzbatuese për çështje të luftës kundër pastrimit të parave, të siguruara nga burime të paligjshme dhe financimit të terrorizmit;
-Qartësojnë mekanizmin mbrojtës për anëtarin e Bordit dhe të punonjësit të AMF-së gjatë ushtrimit të detyrës në mirëbesim, me synim forcimin e pavarësisë dhe integritetit të tyre në kryerjen e detyrës; si dhe
– Forcojnë pavarësinë dhe përgjegjshmërinë financiare të AMF-së duke parashikuar krijimin e fondit rezerve, duke specifikuar më qartë grumbullimin e të ardhurave dhe kthimin e tepricave në subjektet e mbikëqyrura, si dhe duke mos parashikuar financim nga buxheti i shtetit.
Hartimi i këtij projektligji u bë nga AMF në bashkëpunim me ekspertë të huaj nga Korpusi Vullnetar i Shërbimeve Financiare, (FSVC), si edhe duke mbajtur parasysh legjislacionet e mjaft vendeve të tjera me tregje financiare të zhvilluara. Gjithashtu në hartimin e ligjit u mbajtën parasysh rekomandimet e dhëna nga Banka Botërore, Komisioni Evropian në raportet e progresit për Shqipërinë, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Programi për Vlerësimin e Stabilitetit Financiar 2013-2014. Ligji integron edhe parimet ndërkombëtare të hartuara nga Shoqata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve në Sigurimeve, (IAIS), Organizata Ndërkombëtare e Komisioneve të Letrave me Vlerë, (IOSCO), dhe Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve të Pensioneve, (IOPS), të cilat e vënë theksin në pavarësinë politike, rregullatore, mbikëqyrëse dhe financiare/organizative të autoriteteve rregullatore të fushave përkatëse.

AMF u krijua në vitin 2006 si institucion publik i pavarur që rregullon dhe mbikëqyr veprimtarinë në tregjet financiare të sigurimeve, letrave me vlerë dhe pensioneve private vullnetare në vend dhe raporton në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency