1953/ Letra e Mustafa Krujës. Kur vepra e Kristoforidhit, nga frika përkthehej në Beograd

0
237

Kostandin_KristoforidhiKuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit, nis ciklin e publikimit, çdo ditë, të disa letrave të rralla

Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete politikës e të kulturës. Pas çështjeve politike, të organizimit të partive në emigrim, letrat e Krujës shkojnë edhe në një dimension kulturor, siç është diskutimi me Zef V. Nekajn ku duhet shënuar se ky ishte studiues, dhe personalitet i letrave shqipe, i njohur me botimet e artikuj shkencore, të shkruar në të shumtën e herëve me pseudonime. Polemist mbi të vërtetën, në këtë frymë Nekaj argumenton në histori e gjuhë në letrat e rralla që ka pasur me Mustafa Krujën, të dy në vitet ‘50 në emigrim.

Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

 

***

(vijon nga dje)

Trajtën e infìnitit në gegnishtet e kam rrahun mjaft n’Abetarin t’em e rregullën qi kam caktuem atje jam tue e ndjekun andej e mbrapa pa i u shmângun aspak. Shpresoj se do të përqëndrohesh e do të mendohesh edhe ti mbi tê e do të më shkruejsh. Por po çuditem qi s’e paske marrë ende, mbasi i kam dhânë Ali Këlcyrës 30 copë për me i a lëshuem në dorë Ndoit për të gjithë juve.

Jo, thuhet, posi, “librin e lexova” edhe “e lexova librin”. Shqipja bashkohet krejt këtu me syntaksën e gjermanishtes. Vêhet në krye të fjalisë ajo fjalë e saj mbi kuptimin e së cilës duem me mbëshuem kryesisht, mâ tepër se mbi tjerat. P.sh. “Librin e këndova, letrat i shkrova, do punë të vogla qi kisha nëpër duer i kreva: tash jam i lirë”.

Librin t’em, në mos e paç marrë deri tash, sigurisht ke për t’a marrë; por të lutem me pyetun Nduen ase tekembramja vetë Ali Këlcyrën për tê. Veçse ai e tfillon vetëm me shêmbuj arsyen e përdorimit t’ë-së në mbarim të fjalës në vênd të theksit qi n’emnoret tregon rroken e gjatë mbarimtare. M’a ka lypun kët’arsye edhe Miftar Spahija e i a kam shkruem. Po t’a tfilloj edhe tý me kënaqsí. Âsht arsyeja e bashkimit orthografik në të dý djalektet pa i bâmë asnji dâm, asnji dhunë gegnishtes. Sikurse do të keshë pamë ase do të shohsh, un, n’Abetarin t’em, këtë shkrolë e kam rrëzuem edhe prej rangut t’abecesë e e kam zânë thjesht si nji shênj orthografik: këtë vlerë ka në gegnishtet. E shtijmë ndërmjet dý bashkzânoresh qi s’mund të bashkohen në nji rroke pa dalë nji farë zâni i mbytun ndërmjet tyne, e këtë zâ e përfytyrojmë në shkrim me ë; e vêmë në mbarim të nji fjale për të treguem qi rrokja para saj shqiptohet e gjatë e në qoftë ajo fjalë nji emën, ky emën âsht femnuer. B.f. palë, pelë, pilë, pulë, rrylë, shkrolë, shqiptuem gegnisht paal, peel, piil, puul, rryyl, shkrool, ndërsa Toska shqipton edhe ë-në. Due me besuem, ndonse s’kam ndonji provë, se të parët shkrimtarë gegë qi kanë pranuem kët’orthografí e jo paal ase pál apo me shênjin qi përdorin gjuhtarët pāl et., shi afrimin me tosknishten kanë pasun para sŷshë. Komisj’e orthografisë n’Institutin e Studimevet Shqiptare kur isha vetë kryetar ka pasë vëndosun, për sa i përket lakimit t’emnavet, me i quejtun të drejta të dyja format: -ís, -ín edhe -isë, -inë e po kështu edhe me zânoret tjera: gjá, gjaja, gjás ase gjasë, gján ase gjanë; bê, beja, bês ase besë e bên ase benë; lí, lija. lís, lisë, lín ase linë; dró, droja, drós ase drosë e drón ase dronë; drú, druja (kështu e shkruej un me kuptimin e nji drûje për të djegun a të dajakut: akcili do drú, për t’a dalluem nga drû-ni me kuptimin albero edhe legno si lândë; na e bâjmë këtë dallim e gjeti nuk dij), drús ase drusë e drún ase drunë; ný, nyja (Kruja), nýs ase nysë e nýn ase hynë. Un, deri në hartimin e Abetarit kam përdorë gjithmonë trajtën e parë me thekës. Por tue shkruem këtë vepër qi kishte për qëllim të përpikët shi bashkimin e afrimin e dý djalektevet për nji gjuhë kombtare, natyrisht nji bashkim e afrim të bazuem mbi kritere shkencore, ndërrova mendim e mora trajtën e dytë. Arsyetova: un Gega kam pranuem me shkruem gjasë, rasë, vrasë, lanë, ranë, vranë; besë, lenë: krisë, trinë; rosë, thonë; fushë, gunë; pykë (pylkë) et.et. Kam pranuem kështu nji rregull orthografije antifonetike për djalektin t’em tue thânë: ë-ja këtu të kallzon se zânorja qi i prîn âsht e gjatë, pra njipërnji si theksi. E pse atbotë mos t’a shtrij këtë rregull edhe mbi lakimin e emnavet për të njâjtën arsye bashkimi orthografik me tosknishten, mbasi ë-ja për tê âsht edhe fonetike? Tash besoj se më ke kuptuem e shpresoj se ke me më dhânë edhe të drejtë e me më ndjekun.

Kam nji rregull të premë për ë-në mbarimtare ndër fjalët e përngjituna: me i a falë dreqit (pardon!) kudo qi vjen e i ngjitet fjalës nji fjalë tjetër ase nji bisht (mbrapashtesë). Përjashtohen vetëm ato rasa ku mund të prodhojë nji kakofoní. Në qoftë se nuk t’a ndien veshi, goja a shija këtë kakofoní, shtroju rregullës e hiqe ë-në pa mëshrirë; përjashtimet vijnë tue u caktuem me kohë.

Mue s’më bân zêmra kurrë me pranuem nji fjalë qind për qind të huej si rast në vênd të nji fjale të bukur e qind për qind shqip si rasë, e cila etymologjisht përpiqet edhe me gjuhët mâ të përparuemet të botës. I kanë mbetun aqë pak fjalë me rrânjë direkte indevropjane ksaj shqipje të shkretë, qi kishte me qênë krim për nji Shqiptar me i a pakuem edhe këto me sŷ çelë.

Për përdorimin e ë-së, po t’a përsris edhe nji herë, un 90% i kam rregullat të caktueme e jam munduem me i a shtimë në krye çdo shkrimtari shkurt e shkurt e me shêmbuj n’Abetarin t’em. Do t’a këndojsh e kurdoherë, si për sa ka Abetari ashtu edhe shkrime tjera të mija, jam gati me të tfilluem gjithça. Dyshare (doppioni) orthografije kanë edhe gjuhët mâ të përparuemet të botës, ku mâ shumë e ku mâ pak – italishtja âsht plot me të tilla – e do të ketë edhe shqipja shumë mâ tepër se tjerat e për shumë kohë. Por kjo s’don me thânë se s’ka, s’do të ketë e s’mund të ketë nji orthografí të dishiplinueme.

Mamtushën tash po t’a tfilloj un. Kemi një verb të vjetër mândun, t. mêndur, qi në Krujë âsht bâmë matun (sikurse ka ndodhun rregullisht ndryshimi nd me t ase anasjelltas t-ja me nji n përpara nt, nd në shumë vise të Shqipnisë, në rasën e parë mâ së forti në Malsí të Madhe) e në Mirditë, si po e marr vesht prej teje mâ (më). Sod ndër neve e, besoj, edhe në Jugë (Labrí) përdoret vetëm për bagtinë. Mând (mas thotë Kruja, sikurse thotë edhe shkûs për shkund et.et.; e në Mirditë si zgjedhohet mâ?) nji qingj a nji edh me nji dele a dhí qi i ka cofun i veti për mos me e lânë qi të thajë, t’i shteret qumështi. Por qi heret âsht përdorë edhe për njerëz s’na lên me dyshuem fjala mândeshë, mamtusha e juej (t – mëndeshë). E kupton vetë se sa lehtë ka mujtun me e kthyem fantasija popullore mândeshën në mamtushë.

Me këtë rasë po të pyes: na kemi nji fjalë êjë e kujtoj se i thonë si nj’asaj delje e dhije qi jet pa qingj a edh, por s’jam i sigurtë. A e keni ju? A si i thoni?

Shpurdhun. Thue: pulat shpurdhin tokën et. transitiv (kalimtar); mbandej fytyrisht mos u shpurdh (refleksiv). Të dyja të drejta?

Faleminderës fort për tfillimet e bukura mbi verbet cingr-, cicm-, cîllue, cîjue. Edhe tash jam tue qeshë këtu vete me vete për frasën: … si të mo vijë era njeri! Tue qeshë e tue u mallëngjyem, besa, se na mërziti edhe kjo shqipja letrare monotone e na ka ânda me ndiem nga nji herë atë të gjallën prej gojës së popullit me të tâna shtrêmbnitë djalektore! Shumë mirë edhe reshtun.

Me u kërsîmë.. Te na thonë me u bâmë bërsí, e ky emën don me thânë lëvoret, grimat e tyne qi jesin prej rrushit të shtrydhun për rakí e t’ullîvet mbas vojit. Fort ka gjasë me ardhun prej nji rrânje të përbashkët me it. briciola, fr. briser e gjerm. brechen.

Në përshkrimin e veshtullës (vesht- visht- vishk- lat. viscus visculus) nji gjâ më ka mbetun ende e errët: âsht nji bimë parasite, bîn mâ fort në lis (quercia, it.) edhe në ndonji drû tjetër, por jo në tokë. Kështu e përshkruejnë fjalorët e huej. E qe frasa qi më ka shtŷmë mue me e kërkuem këtë fjalë: “Mais celui-ci le prenant par la main le fit lever et lui montra sur l’arbre même au pied duquel il êtait couchê une très belle branche de gui” (Por ky, tue e kapun për dore, e ngrêjti e i kallzoi nji degë vishtulle shumë të bukur shi mbi drûnin nën të cilin kishte qênë shtrimë). E ti tash, qi lumnisht e njihke këtë bimë parasite, a din me më diftuem gjâ mâ tepër? “Rritet çufrrake” po thue, e auktor’i im, ndoshta për t’i dhânë shijë tekstit, flet për nji “degë shum të bukur” t’asaj bime “shi mbi drûnin nën të cilin” njeriu kishte qênë shtrimë tue flêjtun.

Skrapthin e kam marrë vesht mirë. Më duket se mund t’u përdorka edhe për zigzag. Ç’fjalë vallë âsht përdorë ndër shkolla për këtë figurë?

Miklimin e kam pasë dijtun prej Bashkimit e letërsisë shkodrane. Por s’e kisha ndëgjuem kurrkund prej goje të popullit. Tash po e dij se u folka në Mirditë.

Âsht e dijtun se un s’kam mundun me marrë libra me vete. Biblijotheka e ime me nja 1000 vllime u mbet dhuntí komunistavet e Zoti e din se ç’kanë ruejtun, prej tyne e ç’kanë djegun. Këtu gjeta për fat nji fjaluer të Kristoforidhit. E kam lidhun tue i shtuem ndërmjet fletësh nga nji fije e nga dý të bardha e kur më bie me ndiem fjalë qi s’njoh i shtoj në rendin alfabetik, por mbasi të kemë pyetun miremirë për to e t’i kemë shtimë jo në shoshët, por në setët t’eme. Kështu tash kanë me zânë vênd atje edhe shumë fjalë të tuja me gjith’emën.

Më shkruen nji mik nga Beogradi: “Për sa u përket fjalorve, êsht tuke u përfunduar përkthim’i Larousse-it shqip nga Beqir Ajazi; e këtu në Beograd do të hyjë së shpejti në shtyp përpunimi shqip i Kristoforidhit me frëngjisht. Ky punim êsht kryer nga një student emigrant që gjêndet këtu, Martin Kolë Camaj, i cili po boton edhe nji poemë të vogël…”

Përnjimênd, si thojshe ti, djelmninë t’onë atje në Jugosllaví, në Jugosllavin e Titos qi ka qitun cekën me u bâmë për neve Austrij’e dikurshme (ç’politikë gjenitare e prandej gjithaqë të rrezikshme âsht tue bâmë ai revolucjonar, deri dje i panjohun, me Shqiptarët!), pra, qeshë tue thânë, përnjimênd atë riní e ka kapun nji dynamizëm, nji ethezim i jashtazakonshëm. Veç un drue se prej ksaj zjarmije ethesh kulture mos të lejnë mâ shumë të këqija se të mira për shqipen. Me përkthyem Larousse-in shqip! Paj kjo âsht punë vjetësh për nji akademí qi duhej të përmblidhte majzën e intelektualvet shqiptarë pleq e të rij bre! Merre me mênd se ç’ka me dalë për gjuhën shqipe prej nji Larousse-i të përkthyem nga nji student, qoftë edhe gjení. Përkthim’i nji teksti, sado i vështirë qi të jetë, ka mundsí të bâhet prej nji shkrimtari të zgjuetë edhe shqip sepse mënges’e fjalvet mund të kapërcehet me perifrasa të përshtatshme, mjaft qi kuptimi të dalë i drejtë. Por Larousse-i! Sikur edhe t’i dijë njeriu të tâna fjalët e shqipes, në të tâna djalektet, prap se prap do të mëngojë së paku nja e treta e fjalvet qi ka frëngjishtja. E kjo e tretë, qi po caktoj me mâ të madhen optimizëm, me se ka me u mbushun? Natyrisht me neologjizma. Të krijueme prej kuj? Prej nji njeriu të vetëm, prej nji studenti… E shkrimtari i ardhshëm qi tue shkruem e tue përkthyem ka me kërkuem kot në trût’e vet fjalët qi i mëngojnë, ka për të hapun atëherë Larousse-in frëngjisht-shqip e ka për të nxjerrë prej tij xhevahire e margaritarë të paçëmueshëm?

Gjithashtu thuej për Kristoforidhin, qi nga shqip-greqisht po u bâka shqip-frëngjisht. Këta don me thânë se Martin Kolë Cami din mirë, posë shqipes, edhe greqishten e re e frëngjishten. Apo ndoshta djaloshi zelltar e atdhedashës kujton se për tê mjafton nji fjaluer i mirë greqisht-frëngjisht? Kristoforidhi âsht plot me gabime shtypi, të cilat as Koço Tasi, tue e kthyem atë fjaluer anasjelltas, dmth. nga shqip-greqisht greqisht-shqip, për me e shitun mbandej për vepër origjinale të tij, s’ka dijtun me i dalluem. Në lidhje me sa thashë për shkrimtarin qi do të përfitojë prej Larousse-it t’ardhshëm, më bie ndër mênd qi kam pasë përmêndun nji herë si shêmbull në Hyllin e Dritës nji gabim komik të Koliqit në nji vjershë të bukur. I duhet përkthimi i fjalës it. prua (prora). Nuk e din. Hap atëherë Busettin ase e ka nxânë fill prej Bashkimit e ky kushedi si e ka marrë skalapurri prej ndonji ulqinaku, edhe shkruen kiç. Tash kjo fjalë e keqe tyrqisht (e keqe, se ka propriamente kuptimin e bythës së njeriut), në përdorimin detar si pjesë e anijes, don me thânë krejt të kundërtën, poppa! E qe, kështu kishte me u nxânë edhe shqipja e Larousse-it të përkthyem prej nji koke e nji dore!

Athue kishte me u gjetun mënyra me shtimë në dorë atë fjalorin hërvatisht-sërbisht-shqip? A gjindet në Jugoslaví (po pyes kot, se më duket qi i kam ramë mû shênjit)? Po i shkruej atij mikut të Beligradit.

Me do fjalë sibyline qi po më shkruen, ti qi me 2-3 letra më ke hŷmë aqë fort në zêmër, ndoshta deri dikur edhe si refleks i dashunisë qi kam për të parin t’ând, më ke shtimë në nji kujdes të madh. Nuk dij ç’me thânë tjetër, veç si qoftë mâ mirë ashtu e bâftë Zoti! Ti mênt i ke në vênt, të parin s’t’a ka kush e un vetëm nji gjâ dij, qi kur njeriu âsht në luftë e fishekët i ka të njehun, asnji prej këtyne s’duhet djegun kot.

Tue cekun në khaos-in e mërgatës politike shqiptare, po më thue se t’a kam premë fjalën mbi kso çeshtjesh. Nuk mbaj mênd se ç’të paskam shkruem për me t’a premë, por në qoftë nji e preme specifike vetëm mbi kët’argument, paskam bâmë mirë për tý edhe për vete. Kur s’ke punë tjetër luej derën, ka thânë i motshmi; por na, nji palë, qi dijmë e mundemi me e gënjyem veten edhe me do punë tjera, të cilat edhe në mos dalshin për dobí të kuj, së paku s’janë e s’kanë për të qênë as për dâm t’onë as të kombit, s’kemi nevojë me luejtun derën, me rrahun ujë në havan a me i ramë legenit. Këto fjalë pesimiste i flas sod, mbas shumë provash t’idhta qi kam bâmë gjatë dyzet vjet jete politike, të gjitha të dështueme për faqe të zezë të politikanvet shqiptarë. Un s’padis kurrkênd, m’â mbushun mêndja se të tânë, me shkallzime të lehta, nji gjak kemi, nji gjak të helmuem prej mikrobit byzantin shekuj me radhë! Zoti më faltë, se s’janë me i a thânë nji të riu këto fjalë. Por qe se u rrëmbeva e e pat. Hiqu nga nji vizë sipër e bâ se s’i këndove.

Mendimin t’em themeluer e të përgjithshëm mbi veprën t’ânde, përkthimin e Kunorës së Maleve(t), t’a dhashë qyshë në krye e me enthusjazëm. Me artin e teknikën e poesisë s’jam marrë kurrë në mënyrë të veçantë. Me gjithë këtê e sido qoftë, ndonji farë recensjoni, sidomos për sa i përket gjuhës, mundem me t’a bâmë veç kur të kemë ngê me e studjuem me kujdes. Dikur ka qênë botuem nji vepër qi na përkiste neve Shqiptarvet e auktor’i huej, tue më dërguem nji kopje nderimtare të saj, më lutej për nji recensjon publik, por, shtonte i shueti, pa kritika! Natyrisht i lypa të falë, mbasi… isha tepër i zânë me punë. Ti je tue më lypun nji mendim privat edhe pa kushte. Por nji me nji tý kishe me të folë si djalin t’em, si i flas nga nji herë Ndoit të dashun, e kisha me të thânë në funt: “Tash n’u idhnofsh këce përpjetë!”

Un kam shtimë në përdorim me anën e D. Lazrit të shkretë apostrofimin, edhe mbrênda fjalës, t’ë-së kur nuk do të njehet rroke, e këtê, për t’a bâmë edhe jugorin qi t’a kuptojë e shijojë, sidhe profanin gegë të metrikës qi të dallojë se cilën ë s’ka njehun poeti për rroke (t’apostrofuemen) e cilën po (atê të shkruemen); tekembramja edhe për nji shkak të tretë: ë-ja e apostrofueme kuptohet qi âsht e nevojshme orthografisht si në prosë ashtu në vargje, ndërsa ajo e shkruejma ngel për t’u kuptuem ndo si orthografike ndo si lirí poetike. Edhe n’Abetarin t’em ke për të pamë se kështu i kam krehun deri vjershat e P. Gjergjit. Shpresoj se në qoftë qi ke me shkruem ndonji herë vjersha do t’a ndjeksh edhe ti këtë rregull.

Bajraktarit të vjyeshëm e të dashun të Thkellës i a kam ndiem thellsisht dhimbën e madhe qi ka pasun për humbjet familjare të tija, baras si vetë për të mijt. Kështu pra na bâni fati, e me gjithë tê po na thotë – e kush? – se për ne s’ka me pasun vênd në Shqipní? Kjo âsht nji dhimbë edhe mâ e rândë se dekat. Por na edhe këtê do t’a durojmë për hir t’atdheut, të burrnisë e t’Atij qi na ka urdhnuem, të tânë njerzinë, me falë e me dashun.

A i janë shëruem Gjon Pjetrit të tâna plagët? A ka mbetun kund sakat? Ç’moshë ka? A ka bâmë ndopak shkollë?

Kisha me pasun nji thes fjalë për të të pyetun për fjalorin t’em e vrona për të bâmë; por kjo letër nuk bán me e rânduem mâ tepër e prandej po e mbyll me shëndetet e mija mâ të përzêmërtat për juve të gjithë (ti e din vetë se kush jeni ju).

 

 Mustafa

 

    P.S. Të lutem, Zef, të marrmen këtë letër gjêje Miftar Spahinë e thueji: ata abetarë qi i kam dërguem për Amerikë me anë t’Ago Agaj-it, t’i drejtojë n’adresën qi po ngec këtu me gjilpânë e jo n’atë të parin qi i kam çue.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency