Dunga, favorit për stolin e Brazilit

0
115

Jurges Veizaj

Ish-kapiteni i Brazilit që ngriti kupën në vitin 1994, mendohet se është favoriti për të ardhur në krye të drejtimit të Seleçaos

 

Carlos Dunga_0Ky Botëror për Brazilin ishte kapitullim. Jo për shtetin apo për mënyrën se si u krijua kompeticioni, stadiumet dhe organizimi. Kjo, pasi vendi bëri një përfaqësim mjaft dinjitoz. Mirëpo skuadra e Seleçaos la për të dëshiruar. Humbja e turpshme ndaj Gjermanisë dhe më pas humbja edhe ndaj Holandës për vendin e tretë duket se mbushi kupën për teknikun Skolari. Në disfatën ndaj pancerave tekniku deklaroi se nuk do të jepte dorëheqjen, ndërsa humbja edhe ndaj tulipanëve solli fundin e teknikut për detyrën në krye të skuadrës pesë herë kampione e botës. Së bashku me të dorëheqjen e ka dhënë dhe koordinatori Karlos Alberto Pareira, dorëheqje këto që janë pranuar nga Federata Braziliane e Futbollit. Skolari kishte marrë drejtimin e skuadrës në fund të vitit 2012, pas shkarkimit në nëntor po të këtij viti të trajnerit Mano Menez, i cili zhgënjeu në turneun olimpik të Londrës, ku Brazili u mund në finale nga Meksika. Emri më i avantazhuar ishte ai i ish-teknikut të Korinthians, Tite, por kuotat e tij janë në rënie, sepse një tjetër emër po shfaqet në horizont. Besojeni ose jo, Brazili mund të rikthejë në stol një tjetër ish. Ai është ish-mesfushori Dunga, kapiten i Brazilit kampion bote në vitin 1994. 50-vjeçari e ka drejtuar Seleçaon edhe në vitet 2006-2010, duke fituar Kupën e Amerikës në vitin 2007 dhe Kupën e Konfederatave dy vite më pas. Në përfundim të botërorit 2010, Federata nuk ia rinovoi kontratën, për shkak të paraqitjes zhgënjyese në Afrikën e Jugut, ku u eliminua nga Holanda në çerekfinale. Sipas mediave vendase, Dunga ka ruajtur marrëdhënie të shkëlqyera me shefin e skuadrave zinxhir të kombëtares, Gilmar Rinaldi, i cili ka propozuar emrin e Dungës për të ringritur Seleçaon pas dështimit historik në Botërorin e shtëpisë. Ish-tekniku i 5-herë kampionëve të botës u shkarkua në muajin tetor nga stoli i Internacionalit dhe që prej asaj kohe nuk ka mbajtur asnjë post tjetër. Përveç Dungës dhe Tites, një tjetër emër i mundshëm që bën pjesë në listë është edhe ai trajnerit aktual të Sao Paulos, Murisi Ramalho. Vetë tekniku i Sao Paulo deklaroi para disa ditësh duke dhënë opinionin e tij mbi teknikun e ri që duhet të vije te Seleçao. Ai u shpreh se për Brazilin teknikët më të denjë do ishin më të mirët ku, sipas mendimit të tij, ishin Guardiola dhe Murinjo. Ndërsa tashmë tekniku është në garë për të qenë vetë në krye të skuadrës. Federata po mendon mirë para se të zgjedhë, pasi nuk do që të ketë të njëjtin prezantim edhe në Rusi 2018.

 

Kavani, afër Mançester Juanjtidit

Krahas blerjeve, PSG pritet edhe të shesë disa futbollistë në këtë afat kalimtar. Kampioni i Francës dëshiron ta transferojë anësorin e Realit të Madridit, Angel di Maria, mirëpo duhet të shesë futbollistë para se të blejë. Edinson Kavani është emri kryesor që mund të largohet nga “Parc de Princes” gjatë kësaj vere. Klube të shumta interesohen për shërbimet e uruguaianit, mirëpo “Daily Express” raporton se ai kryeson listën e transferimeve të Mançester Junajtid. Një përforcim që është lidhur edhe sezonin e kaluar me skuadrën angleze ndërsa tashmë duket më afër.

 

 

Didier Drogba afër rikthimit te Çelsi

Çelsi është duke i vazhduar negociatat me Didier Drogbanë për një rikthim sensacional në “Stamford Bridge”. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë është futbollist i lirë pasi ka ndërprerë marrëveshjen me Gallatasarajin. Mediat britanike kanë njoftuar se 36-vjeçari është i interesuar të nënshkruajë për Blutë, pas bisedimeve që ka pasur me Hoze Murinjon. Drogba është një ikonë te Çelsi dhe strategu portugez beson se prania e tij në skuadër do t’i japë një shtytje të madhe klubit para sezonit të ri. Në marrëveshje do të përfshihet edhe një rol na stafin trajnues të Bluve, pas mbylljes së karrierës si futbollist

 

 

Benitez: Juventusi edhe pa Konten i fortë

Rafa Benitez ka hedhur poshtë idenë se Napoli do të jetë në gjendje që të mposhtë më lehtë Juventusin tani pasi është larguar Antonio Konte. 44-vjeçari i dha fund karrierës së tij si trajner te Juventusi dhe tani, sipas shumë ekspertëve, bardhezinjtë do të pësojnë një rënie, që për Benitezin nuk vlen. “Shkëlqimi i Juventusit ka qenë i fortë dhe do të vazhdojë të jetë i tillë. Largimi i Kontes nuk ka ndryshuar shumë. Unë nuk mendoj se ne jemi bërë favoritë automatikisht. Alegri është trajner i mirë sikur Konte. Ne do të shohim çfarë do të ndodhë, por ky është gjithmonë niveli më i lartë”, – u shpreh Benitez.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency