Skema e mashtrimit/ U zhvati para për investime të rreme, nën hetim biznesmeni italian        

0
215

 Anxhela Tato

massimiliano niccoliniTri denoncime për Massimiliano Nicolinin dhe ortaken shqiptare, dëmi 35 mijë euro dhe 26 mln lekë

Prezantohej si biznesmen duke kërkuar bashkëpunëtorë për realizim investimesh, të cilat në të vërtetë ishin skema mashtrimi për zhvatje parash, duke bërë që policia të nisë hetimet ndaj shtetasit italian dhe ortakut të tij. Denoncimi është bërë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës nga tre qytetarë, të cilët kanë qenë “viktimat” e biznesmenit italian Massimiliano Nicolini. Pjesë e lojës së mashtrimit është edhe shtetasja shqiptare Blerina Doda, e cila prezantohej si administratore e fondacionit “Caritate Christi Compulsi Balcan” dhe krijonte urat lidhëse mes biznesmenit italian dhe “viktimave” të tij. Me idenë e krijimit të një qendre të madhe që do ofronte shërbim mjekësore dhe arsimor për qytetarët, të interesuarve për të investuar u merreshin lekët paradhënie me premtimin e një fitimi marramendës. Sipas kallëzimeve nga denoncuesit Blerina Doda është pikërisht personi që merrej me hartimin e kontratave, përmbajtja e të cilave ishte fiktive, pasi në fund të dëmtuarit kanë mbetur pa lekë e me duar në xhepa, duke mos marrë asgjë. Nga paditë e depozituara ditën e djeshme në polici bëhet me dije se Massimiliano Nicolini arriti që me anë të kurtheve të tij të përfitonte rreth 35 mijë euro dhe 21 milionë lekë të vjetra. Në ngarkim të tij tre denoncuesit kanë ngritur akuzën e mashtrimit.

 

Denoncimi dhe skema

Me pretekstin e një qendre mjekësore dhe arsimore ai kërkonte investitorë, të cilët do të kishin përfitime të mëdha financiare. Shtetasi italian ka marrë me qira një objekt 4-katësh në zonën e Kombinatit dhe kujtdo që ishte i interesuar i kërkonte të ardhura paradhënie. Massimiliano Nicolini në marrëveshjen me pronarin e godinës i ka ofruar një pagesë prej 5000 eurosh në muaj dhe totali i mosshlyerjes së qirasë kap vlerën e 35 mijë eurove. Ndërsa shtetasi italian është zhdukur, duke mos u paraqitur më prej tre ditësh në godinën, e cila është përfunduar dhe punimet kryesore janë kryer. Ndërkohë që kati i parë i saj është kthyer në një kopsht për fëmijë, por punonjësve asnjëherë nuk u është dhënë paga. Nga secili prej fëmijëve të kopshtit është marrë pagesa prej 3500 lekësh, me të cilat në fund do të paguhej stafi. Ndërsa prindërve u janë kërkuar 12 mijë lekë të reja, me justifikim e shërbimeve mjekësore dhe kontrollit falas. Në kopsht është punësuar edhe stafi, si mjek, edukatorë, ndaj të cilëve italiani nuk ka shlyer ende detyrimet. Një prej stafit të personelit është mjekja, e cila vetëm një pagë ka marrë prej 40 mijë lekësh të reja dhe asgjë tjetër. Në të tilla rrethana mjekja është larguar nga detyra. Numri i personave të gënjyer nga shtetasi italian është relativisht i madh. Një prej tyre është fizioterapisti Lori Zylaj, i cili i ka paguar një shumë prej 56 mijë lekësh fondacionit për të pasur aksesin e shfrytëzimit të ambienteve për aktivitetin e tij. Por në fund ka mbetur pa asnjë kacidhe nga investimi i tij, duke mos marrë asnjë benefit. Rasti i dytë i përket 26-vjeçarit Rediol Laraku, i cili morri me qira një pjesë të ambienteve të godinës, për ta shndërruar në lokal. Atij u premtua nga biznesmeni italian se do të kishte shumë xhiro dhe fitime, pasi do të ishte lokali i vetëm në shërbim të qendrës shëndetësore dhe arsimore. Ndërsa i kërkoi që të parapaguante rreth 3.4 milionë lekë të vjetra, të cilat duke i shtuar shifrën e 3 mln lekëve të vjetra investime, arrijnë rreth 7 mln lekë të vjetra. Ndërsa lokali mbeti pa klientë, Rediol Larakut nuk iu kthyen kurrë lekët e investimit. Për t’ia lënë radhën shtetasit Saimir Godinaj, me të cilin italiani u lidh për të bërë rregullimin e tavaneve të godinës së marrë me qira. Në total punimet kapin vlerën e 9 milionë lekëve të vjetra së bashku me hakun e punës 3 mln lekë të vjetra, në total 14 mln lekë të vjetra. Punimet kanë nisur më datë 7 mars dhe janë përfunduar në 23 mars. Në momentin që kuptoi mashtrimi Saimir Godinaj denoncoi në komisariatin numër 6 shtetasin italian, i cili gjatë ballafaqimit kërkoi 1 muaj për kthimin e lekëve. Por asgjë nuk ndodhi dhe dosja shkoi në Prokurori, por hetimet u mbyllën. Ndërkohë që një formë tjetër mashtrimi ka qenë duke u premtuar studentëve master në Itali përkundrejt pagesës prej 1000 eurove. Gjithashtu bëhet me dije se italiani ka nxitur gruan e tij të marrë kredi 20 mln lekë të vjetra dhe më pas është ndarë nga ajo. Emri i italianit u bë publik për median në vitin 2012, si denoncuesi i Asllan Patriotit, i cili e akuzoi për mitmarrjen e 700 eurove.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency