PBDNJ NË KUSHTETUESE/ Harta e re me 61 bashki, Dule: Rama të tërhiqet. Kuadri ligjor parashikon drejtimin në Kushtetuese

0
137

 Florenc Drizari

dule“Aktualisht PBDNJ është në konsultim me faktorin ndërkombëtar edhe për interpretimin e këtyre dispozitave dhe për t’i mbajtur në korent me çdo zhvillim që tregon se është i disfavorshme për komunitetet minoritare. Duhet të mendojmë, të veprojmë dhe sillemi si evropianë. Nuk mjafton të kesh statusin për të qenë evropian. Të gjithë hapat janë ata që parashikon kuadri ligjor me më të parin drejtimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese”

Një ditë pas publikimit të hartës së re të ndarjes administrative-territoriale nga mazhoranca, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i bëri thirrje qeverisë të tërhiqet nga varianti me 61 bashki. Dule theksoi se harta e ndryshuar cenon zonat minoritare dhe nëse nuk ka një reflektim nga Kryeministri Rama, ai do të votojë kundër. Më tej kreu i PBDNJ-së paralajmëroi se forca politike që ai përfaqëson do të shfrytëzojë edhe mundësinë ligjore për ta çuar projektin me 61 bashki në Gjykatën Kushtetuese.

“Aktualisht PBDNJ është në konsultim me faktorin ndërkombëtar edhe për interpretimin e këtyre dispozitave dhe për t’i mbajtur në korent me çdo zhvillim që tregon se është i disfavorshme për komunitetet minoritare. Duhet të mendojmë, të veprojmë dhe sillemi si evropianë. Nuk mjafton të kesh statusin për të qenë evropian. Të gjitha hapat janë ato që parashikon kuadri ligjor me më të parin drejtimin çështjes në Gjykatën Kushtetuese”, – deklaroi Dule.

Sipas kreut të PBDNJ-së, respektimi i standardeve i të drejtave të pjesëtarëve të minoriteve kombëtare kudo që ata jetojnë historikisht, është i panegociueshëm për sa i përket hartës së re territoriale të vendit. Dule tha një ditë më parë se reforma orientohet në devijime substanciale nga këto parime dhe standarde e në shkelje të këtyre të drejtave themelore, duke e lidhur këtë me nevojën qe ka mazhoranca për të garantuar shumicën e votave në votimin final të kësaj reforme, për faktin se nevojitet shumicë e cilësuar votash, ndërkohë që prania e çamëve të PDIU-së në këtë komision, i garanton mazhorancës votat e nevojshme edhe nëse PBDNJ shprehet kundër në Kuvend.

“Nën ankthin e garantimit të aritmetikës së cilësuar parlamentare të kërkuar nga një ligjvënie e tillë, në tentativë bashkëpunimesh fluide, kësaj reforme i faturohen elemente të spikatura klienteliste dhe elektorale. Në përfundim, krahas vazhdimit të përpjekjes sonë institucionale në të gjitha drejtimet dhe nivelet, dëshirojmë t’i drejtohemi edhe publikisht në veçanti Kryeministrit Rama, të mos e privojë këtë reformë madhore nga parimësia, standardet, serioziteti dhe fryma evropiane. Një zhvillim i tillë do ta bënte këtë reformë për PBDNJ dhe për ata që përfaqëson, jo vetëm të pavotueshme, por edhe të papranueshme”, – deklaroi Vangjel Dule.

Dy ditë më parë, PDIU u bë zyrtarisht pjesë e Komisionit të Posaçëm të Reformës Administrative-Territoriale me kreun e kësaj force politike, Shpëtim Idrizin, si anëtar. Në mbledhjen e fundit të këtij Komisioni u publikua edhe harta e re me 61 bashki, nga 47 që ishte varianti i parë. Rritja e numrit të bashkime me 14 njësi të tjera duket se ishte pjesë e konsensusit mes koalicionit të majtë dhe PDIU-së, ndërkohë që PBDNJ kritikoi ashpër ndryshimet e fundit me pretendimet se janë cenuar zonat minoritare, duke u bashkuar me njësi të tjera jominoritare. Sipas ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, njësi që iu shtua variantit me 47 njësi, janë bashkitë Fushë-Arrëz, Klos, Vorë, Rrogozhinë, Belsh, Përrenjas, Poliçan, Ura Vajgurore, Roskovec, Memaliaj, Libohovë, Këlcyrë, Selenicë, Konispol.

Në mbledhjen e fundit të Komisionit për Reformën Administrative-Territoriale, deputeti i PS-së, Andrea Marto, i cili vjen nga radhët e PBDNJ-së, kundërshtoi projektin e qeverisë duke thënë se janë krasitur zonat minoritare, duke filluar që nga Komuna Mesopotam, Komuna Finiq, Komuna Livadhja etj. Në replikë me deputetin Marto, kreu i Komisionit Bashkim Fino tha në atë mbledhje se shumica nuk do të lërë fshatra që s’kanë në përbërjen e tyre minoritarë, si zona minoritare më vete. Ndërkohë, drafti i përgatitur nga Komisioni i Reformës Territoriale ka shkuar në qeveri dhe të mërkurën do të miratohet sërish në këtë Komision, për t’i kaluar më pas Kuvendit të Shqipërisë për votimin përfundimtar që pritet të bëhet më 31 korrik.

 

Dule debat në Himarë për hartën e re

 Pas deklaratës publike që bëri në Tiranë kundër variantit të ri të qeverisë për hartën e re territoriale të vendit me 61 bashki, kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, organizon debat qytetar në Himarë, lidhur me reformën administrativo-territoriale të shtunën, më datë 19.7.2014, ora 10:00, salla ” Dhima”, Himarë”, – thekson zyra e shtypit e partisë minoritare.

 

14 bashkitë e reja që i shtohen hartës së re administrative-territoriale

 1. Qarku Shkodër me Bashki Fushë-Arrëz dhe komunat Fierzë Veri, Qafë Mali dhe Iballë.

2. Qarku Dibër me Bashkinë Klos dhe me komunat Xibër, Gurë dhe Suç.

3. Qarku Tiranë me Bashkinë Vorë me komunat Prezë dhe Bërxhullë.

4. Qarku Tiranë me Bashkinë Rrogozhinë dhe me komunat Sillaballaj, Lekaj, Kryevidh dhe Gos.

5. Qarku Elbasan me Bashkinë Belsh, me komunat Grekan, Krajan, Fierzë dhe Rasë.

6. Qarku Elbasan me Bashkinë Përrenjas dhe me komunat Qukës, Rrajcë dhe Stravan.

7. Qarku Berat me Bashkinë Ura Vajgurore dhe me komunat Poshnje, Kutalli dhe Cukala.

8. Qarku Berat me Bashkinë e Poliçanit dhe me komunat Terpan dhe Vertovë.

9. Qarku Vlorë me Bashkinë Selenicë, me komunat Armen, Vllahim, Pote, Sevaster dhe Brataj.

10. Bashkia Konispol me komunat Zarë, Markat si dhe fshatrat Çiflik, Sotik, Vagala dhe Pendalimoni.

11. Bashkia Memaliaj me komunat Memaliaj Fshat, Luftinë, Buz, Krahas dhe Qesarat.

12. Bashkia Këlcyrë me komunat Ballaban, Sukth dhe Dëshnicë.

13. Qarku Gjirokastër me Bashkinë Libohovë dhe me komunat Lunxhëri, Podrie, Qendër Libohovë, Zagorie dhe Antigonë.

14. Bashkia Roskovec me komunat Strugë, Kuman dhe Kujan.

 

Qëndrimi i PDIU-së për reformën

 Ndërhyrjet tona janë në shërbim të racionalitetit, domosdoshmërisë kombëtare, rikthimit të lavdisë së dikurshme të disa krahinave shumë jetike për kombin shqiptar dhe nevojës për administrim të mirë.

Nëse dikush na pyet pse pritëm kaq gjatë?

Përgjigja është e thjeshtë: që dy partitë kryesore të arrinin në konsensus.

Nëse dikush na pyet pse nuk pritëm edhe më?

Përgjigja është edhe më e thjeshtë me pyetje retorike: Çfarë duhet të bënim?

Të linim qytetin e Sarandës të ndarë në tri bashki?

Të linim Delvinën të destinuar me vdekje ekonomike?

Të linim pjesën e Çamërisë të mbetur në Shqipëri të humbiste identitetin?

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency