Projektligji/ Pensionet, ja çfarë do të sjellë ndryshimi i formulës

0
137

Pensioniste (1) Hiqet kufizimi i pensionit maksimal, deri në dyfishin e pensionit minimal, si dhe hiqet llogaritja me 75% e pagës neto

Projektligji për sigurimet shoqërore është diskutuar dje në Komisionin e Shëndetësisë. Gjatë raportimit para deputetëve, ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, u shpreh se reforma erdhi si pasojë e përfitimeve të ulëta që jep skema aktuale. “Është e natyrshme që sistemet e pensioneve të kenë njëfarë rishpërndarjeje tek më të varfrit apo kategoritë e tjera, gjithsesi, nëse rishpërndarja është shumë e lartë, skema e pensioneve mund të konsiderohet e padrejtë dhe pjesëmarrja në skemë fillon dhe bie ashtu siç ka ndodhur në vitet e fundit. Skema e pensioneve aktualisht vuan nga një deficit i lartë që e bën financiarisht të papërballueshme në vitet që po vijnë. Ndonëse të gjithë të moshuarit janë të mbuluar nga skema falë punësimit të plotë gjatë komunizmit, pra kush del në pension tani kryesisht vitet i ka bërë gjatë komunizmit, një pjesë e madhe e popullsisë sot në moshë pune është e pasiguruar, për shkak të papunësisë së lartë, por edhe për shkak të informalitetit që ekziston në shoqërinë tonë”, – ishin arsyet që dha ministri i Mirëqenies Sociale për ndryshimin e skemës së pensioneve.

 

Projektligji

Ndryshimet e shqyrtuara nga Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë parashikojnë forcimin e parimit kontributiv të sistemit aktual dhe reduktimin e shkallës së lartë të rishpërndarjes, që e karakterizon atë, duke u dhënë individëve më shumë shtysa për të qenë pjesë e sistemit të sigurimeve shoqërore si edhe për të kontribuar më shumë, duke deklaruar pagën reale. Nga ana tjetër, këto ndryshime parashikojnë edhe një pension social për të gjitha ata të moshuar të së ardhmes që nuk plotësojnë kushtet për përfitimin e një pensioni. Veç kësaj, parashikohet të hiqet kufizimi i pensionit maksimal, deri në dyfishin e pensionit minimal, si edhe të hiqet llogaritja me 75% e pagës neto. Këto ndryshime synojnë, gjithashtu, të zhdukin diferencën mes pensioneve rurale e urbane.

 

Ndryshimet në skemën e re

-Heqja e kufizimeve tavan të pensionit.

-Njësimi i pagës minimale kontributive me pagën minimale në shkallë vendi dhe përcaktimi i rregullave të rrepta për indeksimin e pagave kontributive.

-Rritja graduale e moshës së daljes në pension për gratë, me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç, në vitin 2032. Që nga viti 2032, mosha e daljes në pension për burrat do të rritet me një muaj në vit dhe për gratë me dy muaj në vit, duke arritur në 67 vjeç, për të dy sekset, në vitin 2056.

-Përmirësimi i mënyrës së llogaritjes së pensioneve për nënat me shumë fëmijë dhe pensioneve familjare, duke përcaktuar si moshë për përfitimin e pensionit nga bashkëshortët, moshën e daljes në pension.

-Rritja graduale e kontributit për zonat rurale duke barazuar kontributet e fermerëve me ato të zonave urbane, deri në vitin 2018.

-Shfuqizimi i formulës së llogaritjes të pensioneve të zonave rurale dhe përdorimit të së njëjtës formulë, si për pensionet e tjera.

-Inkurajimi i vazhdimit të punës, pas mbushjes së moshës në pension, nëpërmjet rritjes të shtesës për shtyrje pensioni në 0.5% për muaj.

-Përcaktimi që të gjithë individët, të cilët nuk plotësojnë kushtet e nevojshme për përftimin e një pensioni, do të përfitojnë një pension social, i cili mund të përfitohet vetëm nga individët mbi 70 vjeç që kanë qenë rezident në Shqipëri gjatë 5 viteve të fundit. Masa e këtij pensioni do të jetë jo më e madhe sesa masa e pensionit të pjesshëm që arrihet nga skema kontributive. Ky pension do të jepet duke pasur si kusht verifikimin e të ardhurave dhe do të financohet nga buxheti i shtetit.

 

Ndryshimi i formulës

                                                            Ishte

Pensioni mujor i pleqërisë llogaritet sipas formulës ligjore Pp = Mpb + Sh, ku:

– Pp = Pensioni i plotë mujor i pleqërisë;

– Mpb = Masa e pensionit bazë, që u jepet të gjithë personave të siguruar. Ky komponent korrektohet çdo vit me indeksin e çmimeve të disa mallrave të përzgjedhura dhe përcaktohet çdo vit me VKM. Aktualisht, masa e tij është 12,024 lekë në muaj, në skemën urbane, dhe 8,233 lekë në muaj, në skemën rurale;

– Sh = Shtesa mbi pensionin bazë. Ky komponent është individual, varet nga madhësia dhe zgjatja e periudhës kontributive dhe është 1%, për çdo vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar. Në skemën rurale, shtesa mbi pensionin bazë llogaritet si 1%, për çdo vit të siguruar pas vitit 1994, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar. Këshilli i Ministrave miraton çdo vit koeficientin e indeksimit të bazës së vlerësuar.

 

                                                                Bëhet

Formula e re për llogaritjen e pensionit: P= PS + Sh, ku:

– P është masa e pensionit mujor;

– PS është pensioni social, masa e të cilit është jo më e lartë se masa e pensionit të pjesshëm, që arrihet nga skema kontributive;

– Sh është shtesa, vlera e së cilës është 1% e vlerës së bazës së vlerësueshme për çdo vit, e cila përfaqëson raportin e kontributeve mesatare në vitin actual, me kontributet mesatare të viteve të mëparshme.

 

Paratë/ Shpërndahet kësti i parë për 371 ish-të përndjekur

Është shpërndarë kësti i parë i dëmshpërblimit për 371 ish-të përndjekur politikë. Ministri i Mirëqenies Sociale, Eruon Veliaj, u ka shpërndarë dje urdhërpagesat ish-të përndjekurve dhe trashëgimtarëve të tyre. Gjatë takimit, ministri Veliaj tha se kjo kategori personash është sorollatur për 23 vite, ndërsa theksoi se ka ish-të përndjekur që kanë marrë nga dy këste e disa të tjerë asnjë. Veliaj tha se tashmë përparësi do të kenë ata që nuk kanë marrë asnjë këst, si dhe ata që janë më të moshuar. “Në këto 23 vite ka qenë humbje kohe. Ju falënderojmë për mirëkuptimin që keni treguar për ndryshimet që ne po bëjmë për ligjin për dëmshpërblimin e të përndjekurve. Ka ende ish-të përndjekur që nuk kanë marrë ende asnjë këst, por unë jam për barazinë në shoqëri dhe duhet të marrin këstin e parë ata që ende nuk kanë marrë asnjë. Do marrin këstin e parë të gjithë. Ish-të përndjekurit, javën tjetër votohet ligji. Duhet t’u japim prioritet atyre që janë më të moshuar”, – tha ministri Veliaj.

 

 Mbetësit/ Matura, përcaktohen datat e provimeve të vjeshtës

Të gjithë ata nxënës, të cilët nuk arritën dot të kalonin me sukses provimet e Maturës Shtetërore, do të kenë një mundësi të dytë gjatë sezonit të vjeshtës. Ndërkaq, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka përcaktuar edhe afatet, në të cilat do të zhvillohet ky sezon. Në total ai do të zgjasë 11 ditë ose më konkretisht nis në datën 20 shtator dhe mbyllet më 30 shtator. Sa u takon datave të veçanta për provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje, ende nuk ka dalë kalendari i plotë, ndërsa pritet që ai të shpallet në ditët në vijim. Këtë vit maturantët iu nënshtruan 3 provimeve me detyrim dhe 2 me zgjedhje. Përveç Gjuhës Shqipe, Letërsisë dhe Matematikës, për herë të parë u fut si provim i detyruar edhe gjuha e huaj, ku maturantët kishin mundësi të zgjidhnin mes Anglishtes, Italishtes, Frëngjishtes dhe Gjermanishtes. Megjithatë, provimi i gjuhës së huaj me detyrim nuk do të jetë pjesë e formulës për zgjedhjen e fituesve në universitet. Matura Shtetërore 2014 u karakterizua nga një numër shumë i lartë mbetësish, ndërsa statistikat zyrtare flasin për rreth 35% të maturantëve në vend. Numri më i lartë i tyre u shënuan në provimin e detyruar të Matematikës, ndërkohë që kalueshmëria më e lartë rezultoi në provimin e gjuhës së huaj me detyrim.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency