Për tokat që preken/ Kontraktorët e gazsjellësit TAP mbledhin të dhëna , ç’duhet të dinë pronarët

0
139

gazesjellesi-e1404720009286TAP ka nevojë për akses në korridorin e gazsjellësit, që është rreth 52 metra i gjerë në Greqi dhe në Shqipëri dhe midis rreth 22 apo 26 metra i gjerë në Itali. Nëse një ngastër toke është brenda këtij korridori ose në sipërfaqen e territorit të identifikuar për ambientet e përhershme dhe të përkohshme të TAP-it (stacionet kompresorë, stacionet e valvulave të bllokimit, kampet e punëtorëve, etj.), kjo ngastër ka shumë gjasa të ndikohet nga TAP-i.

Si një nga hapat e para të procesit LEA, kontraktorët e TAP-it po përditësojnë informacionin ekzistues mbi pronësinë dhe përdorimin e të gjithë parcelave të tokës të ndikuara nga projekti. Regjistrat e pronësisë dhe përdorimit të tokës, njihen si “kadastra”. Ky proces synon të krijojë një “hartë kadastrale” të detajuar dhe gjithëpërfshirëse, të bazuar në anketimet dhe ekzaminimin e regjistrave ekzistues të tokës.

Gjatë këtyre hapave TAP-i duhet t’iu përgjigjet pyetjeve të mëposhtme:

1. Cilat parcela toke ndikohen nga TAP-i?

2. Ku është vendndodhja e tyre?

3. Cili e ka në pronësi dhe cili e përdor tokën?

Përditësimi kadastral është duke u kryer tashmë në Greqi dhe në Shqipëri dhe së shpejti planifikohet edhe fillimi i këtij përditësimi në Itali. Kontraktorët e TAP-it në Shqipëri kanë mbledhur të gjithë informacionin e disponueshëm ligjor kadastral dhe të pronësisë mbi tokën. Ky informacion është regjistruar dhe informatizuar zyrtarisht, duke mundësuar kështu një pamje të plotë të përgjithshme të gjurmës së gazsjellësit në Shqipëri.

Kufijtë dhe tiparet e pronës dhe të dhënat topografike, përfshirë dhe klasifikimin e kategorive të tokës, janë informatizuar gjithashtu, bazuar në ortofotot (një lloj i avancuar fotografimi ajror) e marra në vitin 2007 dhe më së fundmi të përditësuara me fotografimet e bëra në vitin 2013. Duke qenë se informacioni ligjor mbi pronësinë e tokës në Shqipëri është më së shumti i papërditësuar, janë mbledhur edhe informacione joformale.

Hapi përfundimtar dhe qëllimi i përgjithshëm i këtij aktiviteti është krijimi i një kadastre uniform, sistematike dhe të përditësuar, e cila përmbledh masën dhe statusin e pronësisë të të gjitha pronave, në zonën e projektit TAP. Kjo kadastër duhet gjithashtu të jetë e pranuar dhe garantuar nga autoritetet shqiptare, dhe duhet të jetë hartuar përmes bashkëpunimit me Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP) në vend.

Aktualisht, kontraktorët e TAP-it po mbledhin informacion kadastral mbi pronarët dhe përdoruesit e tokave që jetojnë në komunitetet përgjatë rrugëve dytësore të planifikuara, të cilat duhet të ndërtohen për sheshet e ndërtimit.

 

Sanksionet perëndimore “zhytin” bursën e Moskës

Aksionet në bursën e Moskës ranë me rreth 3% në sesionin e ditës së djeshme, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione të tjera ndaj disa prej kompanive më të mëdha në vend, duke përfshirë këtu edhe grupin e naftës Rosneft. Analistët mendojnë se kjo është lëvizja më vendimtare e Uashingtonit për të shtuar presionin ekonomik ndaj Rusisë për shkak të krizës në Ukrainë. Kompanitë që janë futur në “listën e zezë” të sanksioneve amerikane përfshijnë disa banka ruse dhe firma të energjisë, të cilat do të jenë të bllokuara nga financimi afatgjatë i SHBA, ndërsa për disa kompani të sektorit të mbrojtjes anë bllokuar asetet e tyre. Indeksi Micex i Rusisë ra me rreth 2.6% të vlerës, ndërsa Rosneft humbi rreth 3%. Në kontrast me sanksionet e mëparshme, objektivi i këtyre masave janë kompanitë ruse që kanë hyrë thellë në tregjet perëndimore të kapitalit.

Përveç kompanisë Rosneft, në shënjestër të sanksioneve janë edhe bankat më të mëdha të Rusisë, Gazprombank dhe VEB, si dhe Novatek, prodhuesi më i madhi i pavarur i gazit natyror në Rusi. Aksionet e Novatek ranë me 6.3%. Presidenti amerikan Barack Obama deklaroi se sanksionet e reja aplikohet pasi Rusia ka vijuar të mbështesë separatistët në Ukrainën Lindore. Obama i bëri thirrje udhëheqjes në Moskë të vlerësojë se veprime të tilla kanë pasoja të mëdha ekonomike dhe politike, jo vetëm në Ukrainë, por edhe në Rusi.

Sanksionet e reja mund të godasin edhe Morgan Stanley, e cila kishte në plan të shiste biznesin e saj të tregtimit të naftës tek kompania Rosneft. Në muajin Maj, Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione edhe ndaj Presidentit të Rosneft, Igor Sechin. Ndërkohë, Presidenti rus Vladimir Putin i cilësoi sanksionet si një reflektim të një politike të jashtme agresive të Shteteve të Bashkuara. Gjatë një konference për mediat në Brazil, ku merrte pjesë në samitin e BRICS, Putin paralajmëroi se Rusia do të jetë e detyruar të përgjigjet “me të njëjtën monedhë” dhe të dëmtojnë interesat e bizneseve amerikane.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency