Seria A/ Alegri zyrtarizohet si trajner i Juves: Rrëmbej zemrat e tifozëve me punë

0
120

massimo allegriIsh-tekniku i Milanit u shpreh mjaft i kënaqur për aventurën e tij të re te skuadra e Juventusit dhe gjithashtu deklaroi se do të punojë shumë për të çuar skuadrën edhe më tej në Ligën e Kampioneve

Juventusi këto dy ditë po kalon në një fazë transformimi. Gjithçka nisi me dorëheqjen e Kontes dhe te skuadra e tifozët u panë shenjat e para të frikës. Kjo, pasi ekipi ishte mësuar me teknikun e hekurt dhe tani që ai nuk do të jetë më, duket se gjërat do të kenë ndryshime rrënjësore. Mirëpo, bordi drejtues është kujdesur menjëherë për të rregulluar gjërat. Alegri është kamerdarja e shpëtimit, i cili tashmë do të vihet në krye të “Zonjës së Vjetër”. Vetëm pak orë pas zyrtarizimit, Masimiliano Alegri u prezantua si trajneri i ri i Juventusit. Në konferencën për shtyp, ku përkrah tij ishte edhe drejtori i përgjithshëm Bepe Marota, tekniku 46-vjeçar shprehu gjithë kënaqësinë e tij që është bërë pjesë e një klubi të madh si Juventusi. “Për mua është një nder të jem pjesë e një skuadre kaq të madhe. Juventusi është një klub që ka fituar shumë, është kampion i Italisë prej tri sezonesh. Këtu po ndërtohet e tashmja, por edhe e ardhmja. Kjo skuadër dëshiron të fitojë sërish dhe shpresoj shumë që edhe unë të jap kontributin tim në sukseset e mëtejshme. Mendoj se jam një njeri me fat. Pas katër viteve të kaluara te Milani tashmë ndodhem këtu në Torino. Ky është një stimul i madh për mua, prandaj dua të bëj të pamundurën që kjo skuadër të vazhdojë rrugën e fitoreve”. Fakti se ka qenë pjesë e Milanit e bën Alegrin një trajner jo shumë të pëlqyer nga tifozët bardhezi, megjithatë tekniku toskan e di shumë mirë se për të fituar zemrat e tyre ai duhet të punojë fort dhe të arrijë rezultate sa më pozitive. “E kuptoj shumë mirë skepticizmin e tifozëve kundrejt meje, pasi në vetëm një ditë këtu ka ndryshuar gjithçka. Duhet ta fitoj me punë dhe rezultate respektin e tyre. Besoj se fansat do të kenë kohë për të më njohur, ndërkohë që unë nuk do të resht kurrë së punuari për ta përmirësuar akoma edhe më shumë këtë skuadër”.

Gjithashtu tekniku italian foli edhe në lidhje me misionin “Champions” që është tabu për Juventusin në këto sezonet e fundit. Alegri u shpreh optimist, ndërkohë që foli edhe për rëndësinë e Andrea Pirlos në ekip. “Unë te Juventusi kam marrë vendin e Kontes, një personazh që ka dhënë shumë për këtë klub si trajner, por edhe si futbollist. Është e vërtetë që Juvja ka dominuar në Itali, por në Evropë duhet të përmirësohet. Besoj se kemi nevojë për disa përforcime për të shkuar larg edhe në Ligën e Kampioneve. Pirlo? Me Andrean kam një raport të shkëlqyer. Nuk kam biseduar ende me të, megjithatë mendoj se një lojtar me cilësitë mund t’i japë shumë cilësdo skuadër. Kurrë nuk i kam vënë në diskutim cilësitë e Pirlos, pasi nëse e bëj diçka të tillë, do të isha një i çmendur”. Alegri foli edhe për rëndësinë që kanë Vidali dhe Pogba për ekipin, duke theksuar se të dy janë futbollistë të mëdhenj, me famë ndërkombëtare dhe për të do të jetë një përvojë e bukur të drejtojë këta lojtarë.

 

Marota: Vidali nuk lëviz

Drejtori i Juventusit, Marota, ka deklaruar se Arturo Vidal nuk është në shitje. Arturo Vidal ka shprehur admirim për Junajtidin pas interesimit të shprehur nga klubi anglez për të. Por, si duket, Marota është kategorik kur thotë se nuk do të lejojë një gjë të tillë. “Vidali nuk është në shitje, ai është një prej lojtarëve tanë më të rëndësishëm. Vidali është i lumtur këtu”, – ka thënë Marota.

 

Flamurtari dhe Laçi njihen me rivalët e fazës së dytë

Drithërimat e skuadrave shqiptare në aventurën e Europa Ligës vazhdojnë. Skuadra vlonjate dhe ajo laçiane ishin ekipet të cilat u kualifikuan për në fazën tjetër, ndërsa Kukësi, ndryshe nga sezoni i kaluar, u eliminua që në fazën e parë. Veriorët e Laçit do të presin në shtëpi ekipin ukrainas. Kjo është hera e parë që ekipi ukrainas luan një ndeshje në arenën evropiane, duke mos pasur përvojë të mëparshme, Zorya militon në divizionin më të lartë të kampionatit vendas që prej vitit 2006. Ndërkohë, Flamurtari gjen një kundërshtar më të fortë. Bëhet fjalë për rumunët e Petrolul Ploiestit. Në skuadrën rumune aktivizohet Adrian Mutu, një lojtar me mjaft përvojë, çka i bën ballkanasit favoritë në këtë sfidë. Petrolul Ploiesti u rendit në vendin e tretë, që konsiderohet një prej kampionateve më të forta në rajonin e Ballkanit.

 

 Ramsei: Do t’i hesht kritikët këtë sezon

Një ndër yjet e Arsenalit, Aron Ramsei, është kënaqur duke i heshtur kritikët sezonin e kaluar dhe ai thotë se këtë do të vazhdojë ta bëjë. Ramsei i cili u kritikua shumë për performancat e tij në fillim të sezonit të kaluar, arriti t’i mahniste të gjithë. Ndërsa për uellsianin ky është vetëm fillimi. “Unë kam kaluar shumë në karrierën time deri tani. Unë kam pasur nga pak nga të gjitha kështu që ishte mirë që kam pasur një sezon kaq të mirë dhe shënova gola. Unë gjithmonë kam besuar në vetvete dhe mendoj se njerëzit po e kuptojnë këtë dhe jam më i lumtur që fjalët e mia kanë shkuar në vend”, – u shpreh Ramsei.

 

 Kros dhe Real, për pak ditë firma

Një ndër yjet e gjermanëve, kampion bote, Toni Kros, ka zbuluar se do të shkojë te Reali i Madridit dhe marrëveshja do të përmbyllet brenda pak ditësh. Ylli gjerman i cili ishte prej lojtarëve më të mirë në kampionatin botëror, ka thënë për “AS” se ai do të shkojë te Reali. Kros aktualisht po pushon në Majorka, ku ka marrë edhe gjithë vëmendjen nga afër nga mediat gjermane. Kros u zgjodh lojtari më i mirë në Kampionatin Botëror sipas indeksit të FIFA-s që ka krahasuar të gjitha statistikat e lojtarëve. Me transferimin e Krosit te Reali pritet kalimi i Khediras te Arsenali që pritet të jetë një xhevahir shtesë për Arsen Vengerin.

 

Dionis Avdiaj futet në skuadrën e parë të Shalkes

Në Bundesligën gjermane sivjet kemi kënaqësinë të shohim edhe një futbollist kosovar. Bëhet fjalë për Dionis Avdiajn, i cili shihet si futbollist shumë premtues dhe tashmë në edicionin e ri do të jetë pjesë e skuadrës së parë të Shalke 04. Talenti kosovar ka marrë bekimin e trajnerit Jens Keler për t’i sfiduar sulmuesit e njohur si Jan Klas Huntelaar dhe Xheferson Farfan. Istogasi do të veshë fanellën me numrin 29 të ekipit gjerman. Lojtari është akoma i lirë dhe nga kjo mund të përfitojë kombëtarja jonë, duke bërë ofertën dhe duke siguruar kështu një lojtar mjaft të vlefshëm për të ardhmen.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency