Mitet mbi depresionin dhe marrëdhëniet

0
158

Melancholic-depressionNjë keqinterpretim i zakonshëm është ai se depresion do të thotë përherë letargji, prandaj njerëzit që janë energjikë e aktivë nuk mund të depresohen. Por kjo është të ngatërrosh një pasojë të mundshme të gjendjes depresive, me depresionin vetë. Disa njerëz të depresuar janë punëtorë të palodhur e të ndërgjegjshëm dhe disa, si Brusi, kanë një numër të madh marrëdhëniesh. Një tjetër keqinterpretim, i farkëtuar nga stili i vjetër i psikoterapisë postfrojdiane është ai se njerëzit, të cilët kanë pasur dështime të shpeshta në marrëdhëniet, kërkojnë “në mënyrë të pavetëdijshme” ato lloj partneresh që do të jenë të këqija për ta. Por ka një shpjegim më të thjeshtë, i cili duket se përputhet më mirë me këto fakte.

Ne s’jemi të përshtatshëm për marrëdhënie afatgjata me shumë nga individët me të cilët takohemi. Mjaft njerëz e njohin këtë fakt dhe i ndërpresin marrëdhëniet jo premtuese qysh në një stad më të hershëm. Shumë të tjerë, i ndërpresin ato madje që përpara se t’i nisin. Në kontrast me ta, njerëzit që kanë pasur një numër të madh marrëdhëniesh të dështuara, si Brusi, janë të prirë ndaj marrëdhënie jopremtuese për shkak të mendimeve të tyre jo realiste me “DUHET”. P. sh, ata mund të mendojnë: ‘Unë DUHET ta shmang sikletin, pra, nuk e përballoj dot perspektivën e të thënit partneres se “Kjo punë kaq e pati’” ose: “Nëse marrëdhënia s’është e përkryer (ashtu si DUHET të jetë), ky është gabimi im, prandaj edhe s’kam për të gjetur kurrë ndokënd që të jetë më e mirë”.

Njerëz të tjerë sjellin në marrëdhëniet e tyre aq shumë hipoteza irreale, sa janë të destinuar të zhgënjehen. Ata mund të mendojnë: “Një marrëdhënie e mirë do të jetë vazhdimisht e lehtë, e këndshme dhe pa acarime”. Nëse marrëdhënia e tanishme s’është e tillë, atëherë ajo nuk do të funksionojë”.

Rikthimi në jetë

Një nga pengesat më të mëdha në kapërcimin e depresionit është këmbëngulja dramatike e vuajtësit për ta kërkuar përmirësimin menjëherë. Nëse vuajtësi nuk e ndjen këtë përmirësim, ai nis e mendon: “Qenka diçka e pashpresë, asgjë nuk do më bëjë mirë”. Ky lloj arsyetimi pasqyrohet te të gjitha problemet emocionale, por sidomos te depresioni.

Në moshën 31 vjeçare, rrëzëlluese, me atë pulovrin e butë ngjyrë trëndafili, Karla dukej sikur sapo kishte dalë nga ndonjë revistë ushtrimesh shëndetësore. Ajo punonte si kryeinfermiere te firma Fortune 500. Mbrëmjeve dhe fundjavave, jepte mësim joge në një klub shëndeti. Karla e përshkruante veten si “tmerrësisht të depresuar” dhe kishte nisur të bluante në kokë mendime vetëvrasjeje. Martesën e saj katër vjeçare me një tip të paqëndrueshëm e përmblodhi me: “Sa herë nisin e venë mirë gjërat, do të plasë ndonjë sherr i madh”. Ajo ndihej e pasigurt për karrierën e saj, për më tepër ngaqë në punë qenë përhapur thashetheme për shkurtime personeli.

Pasi e ndihmova t’i ndante Problemet e saj Praktike nga ato Emocionale dhe të kryente Ushtrimet Treminutëshe për të luftuar DUHET e saja, ajo nisi të tregonte shenja padurimi e t’i thoshte vetes: “Unë DUHET të kurohem tërësisht nga depresioni qysh tani. Meqenëse nuk jam shëruar, unë s’kam kryer asgjë. Asgjë nuk funksionon. Po heq dorë”.

 

Mjaft e stresuat veten

Depresioni mund të jetë i butë ose i rëndë. Një person i depresuar, ndihet si një qenie e pavlerë, e pashpresë dhe pa përkrahje. Kush është prekur rëndë nga depresioni, e sheh jetën e përditshme si një Ferr të vërtetë. Zymtësia dhe dëshpërimi duken sikur i pushtojnë çdo çast aktiviteti dhe mendimet shqetësuese me vetëvrasje i janë të zakonshme, duke e shpënë nganjëherë edhe drejt vetëvrasjes së vërtetë. Depresioni i rëndë kufizon aftësinë për ta shijuar jetën. Vuajtësi sheh se gjërat, të cilat zakonisht e gëzonin dhe mezi priste t’i bënte, si për shembull ndonjë lloj ushqimi apo muzike, tani nuk e drithërojnë apo nuk e frymëzojnë më. Çdo gjë i duket monotone dhe e fjetur.

Mjaft njerëz që kanë vuajtur depresione të rënda me vite, rrëfejnë se, ata do të kishin preferuar më tepër të vuanin nga dhimbje të padurueshme fizike sesa nga ankthet dhe depresionet e tejskajshme mendore. Disa vuajtës thonë dhe e besojnë sinqerisht këtë, se do të ishin gati të bënin çdo gjë, vetëm e vetëm që t’i shpëtonin depresionit.

Por ka diçka që mund ta bëjnë – ata mund të ndalojnë së depresuari vetveten. Kjo gjë është më kollaj të thuhet, sesa të bëhet, e megjithatë mund të bëhet. Madje, vuajtësin ka mundësi të mos e ndihmojë edhe përvetësimi i idesë së përhapur dhe krejt të zakonshme për ta përqendruar mendjen te gjërat e gëzueshme. Nëse, për shembull, vuajtësi vazhdon t’i thotë vetes se është një idiot pavlerë, ai beson se është idiot pavlerë dhe ky besim i prodhon depresion. Përpjekja për “t’i dhënë fytyrës një pamje të lumtur” nuk e ndihmon aspak për ta luftuar këtë besim të rrënjosur. Do të ishte më frutdhënëse po t’i kundërvihej kësaj bindjeje të rremë, duke e shkulur me gjithë rrënjë dhe duke e zëvendësuar me një bindje më të arsyeshme në sajë të Ushtrimeve Treminutëshe.

Rrethanat në vetvete nuk kanë forcë t’ju depresojnë. Pavarësisht se sa fatkeqësi të jashtëzakonshme ndesh njeriu në jetë, faktet objektive në mjedisin ku ai jeton nuk janë në gjendje të shkaktojnë vetvetiu ndonjë shqetësim emocional. Ka shembuj të panumërt që tregojnë fuqinë e mendjes për të mbetur e patrazuar në çdo rrethanë. Gjykojini edhe vetë disa prej tyre:

Ingrid Bergmani, tri herë fituese e Çmimit Akademik dhe yll i filmit klasik “Casablanca”, tha për kancerin e saj vdekjeprurës: “Unë e kam pranuar atë dhe do ta gëzoj për aq kohë sa mundem pjesën më të madhe të asaj jete që më ka mbetur. Viktimat e kancerit që nuk e pranojnë fatin e tyre, që nuk mësohen të jetojnë me të, nuk bëjnë gjë tjetër veçse shkatërrojnë edhe atë pak kohë që u ka mbetur”.

Bergmani e pranoi vërtet ekzistencën e saj të mbushur plot me dhimbje e me vdekjen që mund ta rrëmbente nga çasti në çast. Në filmin e saj të fundit ajo vajti për të luajtur rolin e një figure të jashtëzakonshme nga jeta e Golda Mejërit.

David Hjum, filozof i madh skocez, i cili vdiq në 1776, e dinte se vdekja po i avitej me shpejtësi dhe e njoftoi këtë fakt me anën e një autobiografie të shkurtër e plot humor, të cilën e pati shkruar katër muaj përpara se të jepte shpirt. Mjeku i tij tha se ndonëse tepër i dobësuar, Davidi nuk ndjeu pikë ankthi, padurimi apo ligështimi shpirtëror, gjer në fund të jetës së tij.

Individët te shembujt e mësipërm, qenë përballur vërtet me më të keqen, ligështimin e rëndë fizik, pasuar nga vdekja. A mund ta shmangin njerëzit shqetësimin, kur janë në hall të vërtetë? Cila do të kishte qenë situata më e keqe e përfytyrueshme? Disa mund të thonë – kur ndodhesh i mbyllur në ndonjë kamp përqendrimi nazist – i torturuar fizikisht dhe nën kërcënimin e përhershëm të vdekjes. E përsëri, nga raportet e mbikëqyrësve të kampeve, ne e dimë se në disa rrethana të burgosurit nuk shfaqnin të njëjtat reagime. Disa krijonin ankthe, depresione, marroseshin ose vrisnin veten. Të tjerë silleshin krejt ndryshe, duke refuzuar ta shqetësonin panevojshmërisht veten për shortin që u pati rënë. Për fakte më të hollësishme lexoni librin e Viktor Frankl: “Kërkimet e njeriut për kuptimin”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency