Mbledhja e famshme / Prishtinë 1952, Si ndërhyri Dushan Mugosha për toskërishten si gjuhë zyrtare

0
182

enver-hoxha-dushan-mugosha-dhe-miladin-popoviqiKuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete politikës e të kulturës

 Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga botuesi ekskluziv “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit çdo ditë, të disa letrave të rralla që ndjekin historinë e Shqipërisë që nga instalimi i sistemit komunist, në ’45, e në vazhdim përgjatë instalimit, duke zbuluar e dhënë informacione jo vetëm politike, po duke shpalosur njëkohësisht kulturën dhe mendimin e Mustafa Krujës përballë personaliteteve shpesh të panjohur në historinë tonë. Një pjesë e kësaj historie është në letrën e mëposhtme me Zef V. Nekajn, një studiues i panjohur, ashtu si me Krujën, por që befason në argumentin e tij me studimin e historisë, në letrën e mëposhtme dhe në të tjerat vijim, vjen për herë të parë, e panjohur mbledhja e famshme e Prishtinës, ku Nekaj ishte pjesëmarrës në debatin më të madh për njësimin e shqipes dhe propozimet për gegnishten letrare përfshirë dhe kosovarishten.

 

***

 Mbledhja gjuhësore e Prishtinës, përshtypjet e prof. Selman Rizës nga kjo mbledhje

 Nxjerrë prej fletores “Flaka e Vllaznimit” organ i Frontit populluer të Maqedonís, Vj.VIII – N.260 f.6,dt.17 /12/ 1952.

Shkup

Në Prishtinë me 14 dhe 15 nanduer të këtij viti, u mbajt mbledhja që pati për kundranë çeshtjen gjuhësore të Shqiptarëvet në R.F.P.J. Mâ përcaktueshëm kam fjalën për përshtypjet e kësaj mbledhjeje mbi mue që qeshë njani prej pjesëmarrësavet në te në cilësinë t’ime si njohës, makar modest i gjuhës shqipe, e sidomos si specialist i problemit gjuhësuer shqiptar. Asgjamangu, un këtu nuk kam haemadreq ndër mendë me folë mbi të përciptat dhe dikrrimtaret përshtypjet vehtjake t’atypëratyshme, të cilat interesojnë soll iletorarin, e që për mâ tepër ndërkohë kanë humbë tashma aktualitetin e vet.

Qëllimi i im këtu asht përkundrazi prej përshtypjeve të mija me përmendë soll ato që interesojnë historjanin, sepse kanë të bajnë me frymën pavehtësore dhe me prirjet e përgjithshëme të kësaj mbledhjeje, frymë dhe prirje që paraqiten fare të qarta si në dritën e punimevet konkretë të kryem, ashtu edhe n’atë të parimevet themelorë të ndjekun.

Do të shpalli pra të madhe se Mbledhja e Prishtinës, mun qysh u pat përgatitë prej Këshillit për Arsim e Kulturë të Kosovë – Metohisë, pikërisht njashtu ajo edhe u mbajt prej gjuhëtarëvet dhe shkrimtarëvet që u patnë thirrë me marrë pjesë në të: pa farë buje kushtrimtare, po due me thanë edhe pa farë mbrapamendimi politik.

Ja se pse dy kryefjalët që mâ së përshtatshëmi karakterizojnë Mbledhjen e Prishtinës, janë njâ modestija, thuej mënjanimi i pamëshirshëm i çdo mendje së madhe në shtrimin e problemevet, dhe dy korrektesa, thuej mënjanimi jo mâ pak i pamëshirshëm i çdo mendorsije krahinariste a mentaliteti regjionalist në zgjidhjen e këtyne problemeve. Për çdo vrojtues të paanshëm ka qenë e vetëdukshëme e vërteta se të gjithë diskutimet e Mbledhjes së Prishtinës – diskutime gjithnjâ të gjallë, bukur shpesh edhe të prehtë, e kah ndonjëherë besa edhe të pezmatuem – janë zhvillue fillim e mbarim ndën shenjin e modestisë dhe të korrektesës. Prapëseprapë po ma ka anda prej këtyne diskutimeve me përmendë këtu posaçërisht disa momente që drejtë për së drejti dëshmojnë për këto dy karakteristika kaq sympathike të kësajë mbledhjeje.

Kur, ta merr mendja, pa fe keqbesimi, Elhamiu, si kryesues zu në gojë gjuhën e shkrimit të Kosovarëvet, menjëherë për këtë shkujdesi në të shprehun Elhamiut iu hoq vërejtja e duhun, të cilën Elhamiu edhe e pranoi pa tjetër, sepse kundranë e bisedimevet të mbledhjes ishte njajtësimi i gjuhës së shkrimit, jo haemadreq soll për Kosovarët, por ververte për të tanë pakicën kombtare shqiptare në R.F.P.J. (me përjashtim kuptohet vetvetiu, t’atyne shqiptarëve në RFPJ që janë Toskë e për të cilët prandej nuk shtrohet kurrsesi pyetja e njajtësimit të gjuhës së shkrimit, sepse e tynja gjuhë shkrimi asht domosdo toskënishtja letrare, e njajtësueme tashmâ qysh prej mâ se nji gjymsë qindvjetshi e tëhu).

Kur, mbasandej, për të kundërshtue lejimin e trajtës së së pakryemes “unë punonja”, Hadri pohoi se qëllimi i mbledhjes s’onë qenëkesh me caktue për Shqiptarët e RFPJ një gjuhë shkrimi sa mâ t’afërme me kosovarçen, menjëherë Hadrit iu dha e duhuna përgjegje gozhduese se qëllimi i mbledhjes s’onë ishte përnjimend zor me e keqkuptue mâ rrastats, për arsyen e thjeshtë se në laminë e gramatikës, gjuha e shkrimit e Shqiptarëvet në RFPJ do të njajtësohet jo haemadreq simbas kriterit t’afrimit me kosovarçen, por përkundrazi simbas një kriteri të ndryshëm e madje t’anasjelltë: simbas kriterit t’eliminimit t’evolutavet partikulariste, thuej, të mënjanimit të tejtrajtesavet të papërbashkëta të cilësdo ndëngegnishtjeje qoftë, e për pasojë pikërisht edhe të kosovarishtes. Po a thue në vend t’evolutavet partikulariste për t’u mënjanue, çkah do të përvehtësojmë? Do të përvehtësojmë shqiptarizmat e lashta ende të gjalla gjithashtu në cilëndo ndëngegënishte qoftë.

Tani, ky kriter, verte njajtësuer por i dyanshëm, përban, siç dihet, parimin themeluer të gegënishtes letrare, e cila gegënishte letrare, pa mejtë së qenuni e folmja bashkëkohanike herë e këtyne e herë e atyne Gegëvet të sodshëm, ka ardhë porse njëheras e ka dalë burim historik, thuej, nanë e përbashktë, jo soll e ndëngegnishteve të ndryshme, por mun edhe e vetë toskënishtes letrare.

Dhe asht pikërisht bamunija se Mbledhja e Pristinës parimin themeluer të Gegënishtes letrare e pranoi qysh ditën e parë si kriter për njajtësimin e gjuhës së shkrimit të Shqiptarëvet në RFPJ, dhe asht pikërisht, po thom kjo bamuni ata çkah shpjegon përse deri kah përmbyllja e mbledhjes, si shokët tjerë ashtu edhe unë vetë gjuhën e shkrimit të Shqiptarëvet në RFPJ e kemi identifikue, makar heshtas, me gegënishten letrare – çkah për hir të së vërtetës duhet rrëfye se ka përbâ prej anës s’onë një gabim trashanik.

Një gabim trashanik, sepse të pranuemët një parim nuk do me thanë gjithmonë edhe të ndejtunët besnikë të këtij parimi në të tana rasat e veçanta të zbatimit konkret. Mirëpo edhe sikur komisioni i përhershëm që do të përpunojë mâ tej përfundimet e Mbledhjes së Prishtinës, të ndjekë qind për qind parimin në fjalë, prapëseprapë gjuha e shkrimit e Shqiptarëvet në RFPJ kurrsesi nuk mund të pagëzohet gegënishte letrare. Po a thue përse? Paj, sepse një pagëzim i këtillë do t’ishte një uzurpim titulli, sepse një pagëzim i këtillë do të pohonte, makar heshtas, se gjuha e shkrimit e Shqiptarëvet në RFPJ nuk qenka soll e këtyne, por njëheras edhe e Gegëvet të Shqipnisë, pohim ky që do t’ishte në kundërshti të krejtshme jo soll me të drejtën e vetëvendosjes së gjuhëtarëvet dhe të shkrimtarëvet të Shkodrës dhe t’Elbasanit, por njëheras edhe me modestin edhe korrektesën që përndryshe kanë karakterizue Mbledhjen e Prishtinës marrun në tanësi.

Ja sepse momenti që gjatë gjith diskutimevet më ka mallëngjye mâ së forti, ka qenë ai tek e mbrama u banë mâ të ndërtijshëm për këtë gabim verte të pavullnetshëm e madje tinzar, por prapëseprapë trashanik, të cilin menjëherë një zani edhe e shkulme prej rranjësh tue shlye në rezolutën e mbledhjes çdo përmendje të “Gegënishtes letrare” në të mirë të shprehjes “gjuhë shkrimi e shqiptarëvet në RFPJ”.

Prej Mbledhjes së Prishtinës e tekëndej; gegënishtja e shkrueme do të paraqitet tri nduersh: si shkodranishte, si elbasanishte dhe si gjuhë shkrimi e Shqiptarëvet në RFPJ.

Dhe në qoftë e drejtë me thanë se ndryshimet ndërmjet këtyne tri paraqitjevet të gegënishtes së shkrueme nuk do të jenë kurr aq të thella sa me pamundësue t’u kuptuemët e ndërmjetvetshëm, mbetet se mbetet e vërtetë me shtue se këto ndryshina janë prapëseprapë të shenjueshëme ; e se ato si të këtilla janë për t’u mënjanue dhe do të mënjanohen. Po a thue në sajë të çkahit? Paj në sajë të bamunisë së vertedukshëme se Gegët këndej dhe andej kufinit nuk do të jenë aq të marrun mendësh sa me dashtë përjetësimin e kësaj stërpërçamjeje ndëndialektore deri në gjuhën e shkrimit.

Po a thue, më një të përtardhun historikisht jo gjithaq të largtë, cila prej tri ndëngegnishteve letrare asht e thirrun me zanë vendin e dy tjeravet. Përgjigjem pa fe droje: gjuha e shkrimit e Shqiptarëvet në RFPJ. Po a thue përse? Paj sepse tue pasë shporrë krahinarizmat gramatikore, jo soll të shkodranishtes e t’elbasanishtes, por edhe të vetëvehtes, thuej edhe të kosovarishtes edhe të dibranishtes, gjuha e shkrimit e Shqiptarëvet në RFPJ do të përbahet vetëm e vetëm prej njatyne tingujvet dhe prej njatyne trajtavet që vereverte sod për sod ndihen soll më ndonjanën prej këtyne katër ndëngegnishteve, por që dikur kanë qenë gegizma e madje shqiptarizma të përbashkëta, e që si të këtilla meritojnë me u përgjithësue më një të vetëme gjuhë shkrimi për të gjithë Shqiptarët që flasin gegënisht.

 

Ke na i thonë nji fjale: djerramish e djerrashpirt shkojnë bashkë, d.m.th., po humbe shëndetin, humbe edhe shpirtin e tash un po thom këte në lidhje me Mbledhjen e Prishtinës: Dje Dushan Mugosha bani ç’bani e e prû punën qi Toskënija t’i mëshonte Gegënis pa kurrfarë dhimte në dynjat të Zotit dhe qenë po ata qi cytën e madje ngulën kambë për t’u vu arbitrarisht Toskënishtja si gjuhë zyrtare e kuqalashëve; (tue lanë më njanesh mrekullin e hekurudhës për të cilën ende nuk pranë shtypi jugosllav etj etj.); sod nxit me njimijë mënyra pakësimin e popullsis shqiptare të Kosovës me anën e turqizimit, qi simbas lajmevet krejt të sigurta nëpër qytetet Prishtinë, Prizren, Mitrovicë dhe Vuçitern e Gjillan janë gati kah përgjysmohen dhe tash për t’i a lanë lavdin historik po nisjativave të tyne po marrin e ndërmarrin edhe mbledhje gjuhësore e vetvendosin me formula, si e thotë vetë Selman Riza, tinzare (po ai asht ba matuf prej hekravet qi i a kanë shtangue kambët e telavet qi ia kanë mërtisë kryet për shtatë vjet me radhë nji herë në Shqipni e mandej në Jugosllavi), deri ke shkroi nji gramatikë se si duhej mësue gjuha serbishte e në 10 faqe të parathanjes së saj përjetsoi e çoi në qiell Zotni Titon. Le të shpresojmë të mos jetë ashtu si më qan zemra mue.

Me gjithë ate, tue e marrë punën jo aq me zemër të ngushtë ata atje punojnë në mos me qëllim të mirë, së paku për sy e për faqe dishka ma shqiptarisht se sa atje në Shqipnin e sodshme. Mue më ngrof shum brezi i ri i studentavet, 80 për qind të të cilëvet janë nxanësat e periudhës së 1941 – 1944, qi kanë në zemër vetëm nacjonalizmin dhe qi nuk mund t’ua zhdukin aq lehtë megalomaninat dhe dredhinat e Serbvet.

Në rast se do të mundeni me më shkrue, ju lutem të më shënoni edhe përshtypjet tueja për këto mbledhje e këto vendime.

Përsëri u falem me përvujtni

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency