Takimi me ambasadorët/ Basha: Në krye të betejës për të ndaluar shndërrimin e demokracisë në oligarkinë Rama-Meta

0
115

Gëzim Saliu

 basha me ambasadoret“Zëvendësim i shtetit me klientelë politike, zëvendësimi i demokracisë me oligarkinë e mafias. Mazhoranca, kërcënim ndaj demokracisë dhe qytetarëve, kërcënim për të cilin flet edhe SHBA”

 Mazhoranca qeverisëse me vendimet dhe veprimet e saj përbën një rrezik evident për demokracinë dhe interesat e qytetarëve shqiptarë. Ky ishte thelbi i qëndrimit të kryetarit të Partisë Demokratike dhe opozitës, Lulzim Basha, në takimin e zhvilluar dje me përfaqësuesit e trupës diplomatike të akredituar në Tiranë, duke theksuar se shumica me në krye kreun e qeverisë Rama ka ngritur një strukturë dhune në Kuvend përmes personave të inkriminuar. Sipas Bashës, pavarësisht nga tendenca e mazhorancës për t’i mbyllur gojën opozitës, kjo gjë nuk do të ndodhë. Në këtë kontekst, kryedemokrati bëri të qartë për mediat pas takimit, ashtu siç i kishte pohuar edhe ambasadorëve, se PD dhe opozita do të jenë në krye të betejës kundër mazhorancës që po kërkon sipas tij të vendosë oligarkinë në vend.

 

Deklarata

Pas takimit me ambasadorët e akredituar në Tiranë, Basha bëri të ditur në një deklaratë për mediat se në qendër të diskutimit ishin sfidat e që parashtrohen përpara demokracisë shqiptare e në veçanti para funksionimit të Parlamentit, pas faktimit sipas tij të ngritjes së një strukture dhune nga Edi Rama në Kuvend përmes personave të inkriminuar. “Në këtë kuadër vumë theksin edhe tek zhbërja apo përpjekjen për zhbërjen e shtetit ligjor, përmes moszbatimit të vendimit të gjykatave, përmes kapjes së institucioneve të pavarura dhe intimidimin e tyre, përmes përpjekjes për të vënë nën hyqëm politik, dhe jo për të reformuar, drejtësinë e gjyqësorin dhe përmes futjes së krimit, tashmë jo vetëm në poste të larta drejtuese në administratë por edhe në Parlamentin shqiptar si pararojë e tipit mafioz e oligarkik të qeverisjes, që kërcënon sot Shqipërinë”, – tha kreu demokrat. Më tej, duke u mbështetur edhe tek deklaratat e përfaqësuesve të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Sekretari i Shtetit John Kerry, i cili pak ditë më parë foli për rrezikun e shndërrimit të demokracive të reja nën presionin e krimit dhe korrupsionit në oligarki, Basha tha se kërcënimi ndaj demokracisë dhe interesave të qytetarëve shqiptarë nuk ka qenë kurrë më i madh dhe i drejtpërdrejtë. “Shpreha dhe dua të përsëris vendimin dhe vendosmërinë tonë, të Partisë Demokratike dhe të opozitës, për të qëndruar fuqishëm në mbrojtje të vlerave të demokracisë, në mbrojtje të fjalës së lirë, në mbrojtje të transparencës dhe për transparencën e plotë të të gjitha lidhjeve të errëta dhe kriminale, të cilat kanë marrë dhe po marrin peng jo thjesht axhendën e një shumice, por kërkojnë të marrin peng dhe të shndërrojnë Shqipërinë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë në një treg të pakicës mafioze dhe oligarkike”, – pohoi lideri i PD-së. Ndërkaq, pyetjes së gazetarëve nëse do të vazhdojë opozita marrëdhënien e bojkotit me Parlamentin, Basha iu përgjigj duke pohuar se PD do të jetë në krye të betejës jo me sens llogarish politike, por sipas tij me sensin misionar të demokracisë, të lirisë dhe të drejtave të qytetarëve. “Ne po shterojmë dhe do të shterojmë të gjitha opsionet demokratike. Nuk duhet të bëjmë asnjë gabim, duhet të kuptojmë se në këto 10 muaj, ato që për vëzhguesit e pakujdesshëm mund të duken si ngjarje të veçanta, lidhen të gjitha në një kornizë veprimi e cila është hartuar dhe dirigjohet nga dyshja Rama-Meta, dhe ka për qëllim të shndërrojë demokracinë në oligarki. Shprehjen e vullnetit të mirë për programe të ndryshme zhvillimi nga forca politike, ta zëvendësojë me shitblerje të votës. Zëvendësimin e strukturave të pavarura apo ligjore të shtetit me klientelë politike, zëvendësimi i demokracisë me oligarkinë e mafias. Kjo është një betejë e të gjithë qytetarëve shqiptarë që duan të mirën e këtij vendi”, – deklaroi kreu i Partisë Demokratike dhe opozitës Lulzim Basha.

 

 Reagimi/ PD: Rama urdhëron dhunën ndaj opozitës

Partia Demokratike, përmes deputetes Majlinda Bregu, akuzoi dje Kryeministrin Rama se po urdhëron dhunën dhe kërcënimet ndaj opozitës. “E gjithë shoqëria, mbarë qytetarët flasin dhe janë të revoltuar nga goditjet fizike, nga dhuna ndaj deputetëve të opozitës, nga kërcënimi me jetë i përfaqësuesve të Partisë Demokratike, prej deputetëve Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, të porositur, frymëzuar dhe urdhëruar nga Edi Rama”, – u shpreh Bregu. Sipas ligjvënëses demokrate, pavarësisht të gjitha këtyre akteve, kreu i qeverisë ka zgjedhur të mos komentojë por të heshtë. “Edi Rama, shefi i përfaqësuesve të botës së krimit që godasin e kërcënojnë opozitën, hesht, bën shurdhin dhe të paditurin. Partia Demokratike i bën edhe një herë të qartë Edi Ramës, se e mban atë personalisht përgjegjës, politikisht, ligjërisht e në mënyrë të gjithanshme, për çdo akt dhune e kërcënimi ndaj përfaqësuesve të opozitës. Partia Demokratike, është më e vendosur se kurrë që çdo ditë të bëjë transparencën e lidhjeve kriminale të Edi Ramës, dhe përfshirjen e krimit në nivelet më të larta të mazhorancës”, – deklaroi ajo, duke theksuar se PD me të gjithë shqiptarët nuk do të lejojë që Shqipëria të kthehet në një oligarki të mafias kriminale të mazhorancës qeverisëse. “Partia Demokratike do të jetë çdo ditë në krye të misionit të saj për të mos lejuar që Edi Rama dhe banditët e tij, të varrosin ëndrrën evropiane të shqiptarëve”, – përfundoi Bregu.

 

Deputeti i PD-së/ Bode: Po personalizohen institucionet, u rritën taksat dhe papunësia

Deputeti demokrat Ridvan Bode deklaroi se mazhoranca Rama-Meta po kërkon të personalizojë institucionet e vendit, duke synuar mbylljen e gojës së opozitës. Sipas tij, Kryeministri i vendit ka përfshirë në listë persona me të kaluar kriminale dhe nuk ka ndodhur kurrë, tha ai, që opozita të dhunohet në parlament. “Ajo që po ndodh në Parlament është personalizimi i fundit që dyshja Rama- Meta po i bëjnë institucioneve në Shqipëri. Skena që është ndjekur në mënyrë publike ka në fokus përpjekjet e vazhdueshme për ti mbyllur gojën opozitës edhe në Parlament. Nuk janë incidente të rastit as rrahjet as ofendimet në parlament”, – u shpreh Bode. Duke komentuar 300 ditët e qeverisjes së majtë, deputeti demokrat theksoi se u vërtetua ajo që opozita kishte deklaruar më parë, një qeveri pa program. Ai pohoi në këto 300 ditë qeverisje është rritur papunësia dhe janë rritur taksat. “Në 300 ditë doli ajo që ne kishim thënë më parë një qeveri pa asnjë lloj platforme qeverisje, pa asnjë reformë në këtë kohë, 300 ditshi që ka rritur taksat në mënyrë të menjëhershme. Këto 300 ditë treguan që qeveria nuk ka program. Kemi të bëjmë me një moment ku gjithsecili mund të bëjë një bilanc”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency