Miqtë gjermanë të SHBA-së

0
118

Wall Street Journal

shba gjerman Bota ka bërë një rrugë të gjatë që nga viti 2008, kur qindra-mijëra gjermanë janë tubuar për të dëgjuar kandidatin presidencial të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, gjatë një fjalimi në Berlin, shkruan në fillim të artikullit gazeta “Wall Street Journal”.

Megjithatë, të enjten, miqtë gjermanë të Shteteve të Bashkuara kanë flakur jashtë përfaqësuesin e agjencive të inteligjencës amerikane, me sa duket shefin e stacionit të CIA-s në Berlin.

Dëbimi i një spiuni të lartë amerikan do të ishte i rrallë në Gjermaninë Lindore gjatë Luftës së Ftohtë, aq më shumë në një aleat që SHBA-ja është e detyruar me marrëveshje për ta mbrojtur, shkruan gazeta.

Sipas saj, urdhri i së enjtes i qeverisë së Kancelares gjermane, Angela Merkel, pasqyron qëndrimin e dobësuar të SHBA-së në botë, nën Presidentin Barack Obama.

Arsyeja për dëbim është zemërimi i Gjermanisë pas njoftimeve të mediave për dy raste të spiunazhit amerikan. Një zyrtar i inteligjencës gjermane raportohet se u ka thënë hetuesve se ai u ka shitur dokumente sekrete Shteteve të Bashkuara.

Të mërkurën, shtypi po ashtu ka raportuar se policia ka bastisur shtëpinë dhe zyrën e një punonjësi të Ministrisë së Mbrojtjes, të dyshuar për spiunazh për SHBA-në.

Këto informacione janë të pakonfirmuara, por gjermanët nuk qëndrojnë duarkryq sidomos pas zbulimeve të vitit të kaluar nga Edward Snowden, se SHBA-ja ka përgjuar telefonin e zonjës Merkel.

Gazeta shkruan se pjesa më e madhe e kësaj është zemërim artificial, sepse gjermanët e dinë se edhe vendet mike spiunojnë njëra-tjetrën. Gjatë Luftës së Ftohtë, vijon artikulli, një ndihmës i lartë i kancelarit Willy Brandt është zbuluar se ka qenë spiun për Gjermaninë Lindore. Dhe, këto ditë, spiunët rusë janë në gjithë Evropën, sidomos Gjermani. Si kolonel i KGB-së, Vladimir Putin ka operuar nga Dresdeni në vitet 1980, ndërsa sot i siguron azil zotit Snowden, i cili ka bërë aq shumë për të dëmtuar interesat e SHBA-së. “WSJ” shkruan se Gjermania gëzon lidhje më të ngushta tregtare dhe politike me Rusinë dhe Iranin, më shumë se shumica e vendeve të tjera perëndimore. Shtetet e Bashkuara duhet t’i kuptojnë këto marrëdhënie dhe kjo kërkon inteligjencë. SHBA-ja do të ishte e papërgjegjshme nëse nuk do të përgjonte zyrtarët gjermanë, shkruan gazeta. Por, amerikanët tani duhet të pyeten se përse miqtë e tyre mendojnë se mund të dëbojnë një zyrtar amerikan dhe të mos paguajnë asnjë çmim për të, shkruan “Wall Street Journal”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency