E diel mbrëma

0
146

Meri Lalaj

meriNuk e dija se e kisha dashur aq shumë. Ky mendim më ra në kokë papritmas, më hutoi e më ngurosi njëkohësisht. Por ishte vonë. Shumë vonë. Tepër vonë. Atë ditë bëhej dasma e tij.

Ishte një e diel fundgushti me vapë të padurueshme. (Kjo ishte e diela e parë që kur ishim kthyer nga pushimet në buzë të detit.) Më duhej që të punoja asaj të diele nga ora katër e pasdites deri në orën tetë të mbrëmjes. E ndërsa po ecja e plogështuar drejt ndërtesës së Radio-Televizionit për të filluar punën, befas më doli përballë Zana, (fqinja, e cila banon në pallatin përballë nesh), e ajo pa një pa dy ma shkrehu lajmin:

-E ke marrë vesh? Sot martohet “ai yti”…

-Cili “imi”? – iu përgjigja unë me pyetje që të fitoja kohë e të mblidhja veten.

-Ai “yti” pra, – theksoi ajo. –nuk e ditke? Nusen ia quajnë Valbona… – dërdëlliti Zana.

– E ç’më duhet mua edhe sikur t’ia quajnë Vjosë, Lanë apo Bunë…

Një kushërira ime do të shkonte e ftuar në dasmë. Nuk e di se në cilin lokal bëhet. Prej asaj e mora vesh unë… – vijonte të llomotiste Zana.

E lashë Zanën me fjalët në gojë dhe ika. Orët e punës i kalova si e mpirë, ulur në ndenjëse me tryezën mbështetur tek dritarja e madhe. U bija me ngadalë germave të makinës së shkrimit. Dëgjohej vetëm një zhurmë e lehtë e butë e njëtrajtshme. Në mendje kisha vetëm emrin e tij. I mbyllja sytë dhe më shfaqej vetëm fytyra e tij. Vështrimi i tij. Sytë e tij. Kudo vetëm ai. Kujtoja se e kisha harruar. Pata gënjyer veten. Kisha menduar se e pata çmontuar pjesë-pjesë sikur të ish aparaturë dhe e pata flakur tej vetes sime. Tutje larg në një pellg me ujë. Plluq, plluq e plluq ishte zhytur i tëri në masën ujore. Ndërsa në të vërtetë Korabi pat qenë gjithnjë me mua. E mbartja mundimshëm ngado: në mendimet e mia, në këngët që dëgjoja, në librat që lexoja, në filmat që shihja. Tërë qenia ime mendonte e priste vetëm atë.

Në orën tetë para se të lija punën, telefonova në shtëpi. Doli babai.

-Babi, do të vonohem…

-Të vij aty të të marr apo të të pres gjatë rrugës?

-Jo, jo, babi, do të kthehem vetëm… por do të vonohem.

Kur dola në rrugë ishin ndezur dritat. Sapo kish filluar të errej. Lart në anë të horizontit kishte dalë hëna e plotë. Një hënë e madhe, e rrumbullakët, e kuqërremtë. Hëna më vështroi si me tallje dhe m‘u duk sikur u ul mbi supet e mia duke më rënduar fort. Tani ecja rrugës me hënën përmbi supe, mbuluar e tëra me dritë hëne dhe dritë neonesh. “Oh, sa e bukur dukesh si e veshur në argjend!” Kështu më pat thënë Korabi gushtin e kaluar, ndërsa më kish pritur të dilja nga puna në një natë të ngrohtë e të ndritur si kjo e sotmja.

Po si u zemëruam ne të dy? Përse u zemëruam? Asnjë shkak nuk më kujtohej. Midis nesh ish futur e kish bërë vend një mëri e kotë, e gjatë dhe e pakuptimtë. Dhe sa i mirë pat qenë ai gjithnjë me mua.

Hodha përsëri sytë në qiell. Hëna ndodhej atje lart, larguar paksa nga vija e horizontit. Tani nuk e ndieja përmbi supe, veç rreth e përqark saj nuk kishte asnjë yll. Qiell pa yje. Vetëm ajo hëna e madhe ngjyrë portokalli zotëronte tërë hapësirën qiellore. Ajo dukej njëherazi edhe e ngrohtë edhe e ftohtë. Ndërkaq ajri ishte aq i vakur nga nxehtësia e ditës saqë të dukej sikur ishe futur e po bëje dush.

Ecja rrugës e vetme. Ecja nëpër natë mbuluar dritë hëne e dritë neonesh. Kisha vendosur me mendjen time që të shkoja tek lokali ku do të bëhej dasma e tij. Vetëm sa ta shikoja. Ndoshta kisha dy a tre muaj pa e parë. E në kokë më trokëllinin vargjet e Ismailit: “Jetojmë të dy në një qytet / dhe rrallë shihemi sa rrallë!” Nuk e dija as se ku bëhej dasma e tij. Po përse nuk i flisnim më ne njëri tjetrit? Kot. Fare kot. Si fëmijët. As që më kujtohej ku dhe kur filloi zemërimi ynë e aq më pak të më kujtohej si filloi ky zemërim…

Një pasdite vonë, ndërsa isha shtrirë dhe po dremisja në divanin e kuzhinës, dëgjova që poshtë nga rruga fishkëllimën e tij të zakonshme. Nuk lëviza nga vendi. Babai kujtoi se flija, prandaj erdhi nga dhoma e vet dhe më ledhatoi flokët.

-Lira, dëgjon?…

-Dëgjoj babi… nuk është për mua.

Babai mblodhi supet i habitur e iku nga kuzhina. Unë babain e kam shok, çdo gjë atij ia tregoj. Ndërsa me mamanë ndryshon puna, me të nuk mund të bisedosh kurrë punë djemsh. Sidomos tani. Ajo kërkon të më fejojë një sahat e më parë që të shpëtojë prej meje, ta bëjë detyrën e të mbledhë mendjen. Ja, edhe në plazh ajo mundohej që të mbushte (siç shprehej ajo) “kokën time të pagdhendur” për të më fejuar me një ekonomist. “Po ke dy vjet, moj në punë dhe ende nuk po vendos të dalësh në fatin tënd. Nuk shikon se çfarë bëhet rreth e rrotull teje, djemtë synojnë që të martohen me vajza sa më të reja në moshë!” E nuk ka faj! Madje ka shumë të drejtë. Im vëlla është student, më i vogël se unë dhe është fejuar me një maturante.

Shkëputja ime me Korabin në fillim u duk si lojë, ngjante me një tekë. Pasi u zemëruam, unë doja që ai të vinte të më lutej, të më pëshpëriste fjalë të bukura, e pastaj duke e ditur se e kisha timin të mund të luaja me të, me dashurinë dhe ndjenjën e tij ashtu si pa të keq. Më ish mbushur mendja top se Korabi ish vetëm imi, se askush tjetër përveç meje nuk do të mund ta bënte të lumtur dhe se ai nuk mund të donte askënd. Isha aq e sigurtë për këtë njësoj siç e dija se librat në raftet e sipërm të bibliotekës në shtëpi ishin të miat, apo se fustanet e bluzat e varura në dollap ishin të miat dhe mund të vishja ç’të më pëlqente në mëngjes ose pasdite. Kështu si të thuash, unë doja ta lidhja Korabin pas vetes. E di se ka shumë vajza të tjera që veprojnë po kështu. Ishim zënë edhe një herë tjetër. Dy javë pa folur. U pajtuam. Ai erdhi plot mall tek unë dhe ajo ditë ish shumë e bukur. Ndërsa herën e dytë unë fillova t’u shmangem edhe vendeve ku mund ta takoja. Ashtu kot. E bindur se ai më dashuronte e se nuk bënte dot pa mua.

Ndërkaq telefonoi një ditë. Mamaja tha:

-Lira, të kërkon një djalë me emrin Korab.

-I thuaj se nuk jam këtu, – i thashë unë.

Kish telefonuar sërish në shtëpi, ishte përgjigjur babai. Nuk kish lënë asnjë porosi, përveç emrit të tij. E pata porositur që të mos më telefononte asnjëherë në punë. Në ditët e tjera sa herë që tringëllinte telefoni në korridor, unë ndalja frymën se mos dëgjoja sinjalin e njohur: tri tringëllima, heshtje tringëllimë përsëri. Korabi nuk telefonoi më.

Gjatë dimrit u mora me një gjuhë të huaj, që e pata lënë pas dore. E mësova mirë gramatikën e saj dhe e dhashë provimin në pranverë. U takuam të dy rastësisht në muajin maj në një ditë plot diell. I dhamë dorën njëri tjetrit si të njohur të zakonshëm. Nuk e vështroja në sy, edhe ai nuk po kërkonte të shihte sytë e mi. Pandeha se do të më ftonte të shkonim diku bashkë në kinema a të pinim diçka, por ai më tha vetëm një: “Mirupafshim!” me zë të natyrshëm dhe iku. Unë qëndrova në mes të rrugës se mos më thërriste, por ai as që e ktheu kokën. Më hipi një dëshirë e çmendur që të thërrisja emrin e tij, të mbushja hapësirën me zërin tim: “Korab, Korab të deshi kush sa unë!”, por vura dorën në gojë dhe kafshova gishtërinjtë që të mos bërtisja. Dielli atë grimëherë u nda copë-copë dhe unë e ndjeva veten bosh fare të zbrazët. E pata humbur që atë ditë maji dhe nuk e dija. Ende shpresoja. Pata marrë vesh se i pat thënë një shokut të vet: “Sa shumë e kam dashur Lirën!” Prandaj unë vazhdoja të qëndroja në krenarinë time të budallallepsur, nuk bëja asnjë hap drejt tij, prisja të vinte ai i pari të më vështronte drejt në sy si dikur, të më kapte pëllëmbën e dorës e të më thosh: “Lira, afroje pak kokën se do të të them një fjalë në vesh: „Të dua shumë, o Lira!”

Veçse ai nuk po vinte, nuk erdhi. Kishim mbetur larg njëri tjetrit si dy drejtëza që nuk takohen dot.

Babai ma pat zënë me gojë hera herës me kujdes.:

-Lira, nuk dua të të ndërhyj sepse tani je vajzë e pjekur, por mua sikur nuk po më pëlqen ky largimi yt. Ka ndonjë arsye?

-Oh, asgjë. Jemi zemëruar paksa, o babi…

-Mua më duket se jeni zemëruar shumë dhe ti ke faj Lira… duhet ta kërkosh atë. Nuk dua të të jap këshilla, por ke një lloj mendjemadhësie, një sedër të sëmurë…

Dhe ja tani unë po e kërkoja me të vërtetë Korabin duke bredhur nga një lokal në tjetrin ku bëheshin dasma.

-Hej, ku po shkon, moj vogëlushe? – Pyeti një djalë që ecte prapa meje. Unë nxitova hapat. “Shkoj të varros timen dashuri” po mendoja atë çast.

Ishte lokali i pestë dasmor që vëzhgoja: qelqe dritaresh të djersitura dhe brenda tyre njerëz që lëviznin si peshqit nëpër ca akuariume të mëdhenj. Burrat çlironin kravatat, femrat të veshura bukur me fustane të lehta bënin fresk me ftesat e dasmës apo me ndonjë freskore duke u kujdesur që fytyrave të lyera me aq merak të mos iu prishej tualeti. Nuset pothuaj ishin të njëllojta, e njëjta bukuri, veshur me fustane të bardha, varur xhingla-mingla rreth gushës e në duar e disa krehur sipas mënyrës orientale. Nuset mundoheshin me të gjitha forcat e tyre që të ishin sa më të qeshura duke përballuar me vullnet e këmbëngulje vapën, tensionin e dasmës, lodhjen e madhe.

E pata biseduar me Korabin se këto forma dasme dukeshin si mbledhje të rëndomta farefisnore në të cilat njerëzit përpiqeshin të dukeshin sa më shumë t’u bënin përshtypje të tjerëve duke ekspozuar veten me rroba të reja, me urime të rëndomta të parapërgatitura e të menduara dhe me thashetheme pas dasmës. Në dasmën time unë do të ftoja njerëzit më të afërt e më të dashur. Pak njerëz. Do të vishja një fustan të kuq të hollë mëndafshi. Flokët do t’i lidhja lart në majë të kokës kapur me një karficë të thjeshtë e në qafë do të varja medaljonin shqiponjë me zinxhir të hollë floriri, të cilin ma kishte lënë mamaja për këtë rast. Natyrisht do mbathja në këmbë këpucë me taka shumë të larta. Takat e larta janë dobësia ime. Kurse të hënën, ditën e nesërme pas dasmës do bëhesha përsëri vajzë çapkëne, do t‘i thurja flokët e gjatë gërshet, do vishja një palë pantallona xhins e Korabi do të më merrte prapa në motor. Do shkonim diku, ndoshta në ndonjë vend pushimi në mal ku kish pak njerëz.

Vazhdoja të ecja. Kishin kaluar më se dy orë që kur filloi sorollatja ime. Nuk e shikoja orën e dorës sikur të doja të ndalja kohën në vend. E unë vijoja të kërkoja. Kërkoja ceremoninë e dasmës së Korabit. Ky ish një budallallëk. Këtë e dija. Por unë doja ta shpija deri në fund këtë mendjetiposje.

Isha e kapitur nga lodhja. Hëna ish ngritur lart në qiell e vetme pa yje rreth e rrotull. Ajo ish e madhe, e shndritshme, jo aq e kuqërremtë, por prapëseprapë tallëse me mua: “Bjeru rrugëve vërdallë, pyet kush martohet këtu e kush atje, moj budallaqe!”

E ngatërrova numrin e lokaleve ku bëheshin dasma, e kur i kisha humbur shpresat se mund ta gjeja (ndërsa kërkoja nëpër rrugët e Tiranës), befas e gjeta mu në qendër tek një lokal i dorës së dytë. Kishim vajtur një herë atje të dy bashkë një paradite. Zbritëm nëpër ca shkallë me fuçi birre në qoshet.

-Tani do të na dalë përballë Billi me paterica e me syrin e lidhur me rrip të zi si piratët – më pat thënë Korabi.

-Vërtet?! – e pata pyetur me habi.

Ai pat qeshur e më puthi. Atje brenda në atë lokal kishte shumë tym duhani e në të gjitha tryezat ishin ulur burra që hanin e pinin. Ne të dy hëngrëm nga një salsiçe e pimë nga një krikëll birre shpejt e shpejt. Vallë a e mbante mend Korabi këtë?

I rashë rrotull ndërtesës dhe hyra nga ana e pasme në kuzhinën e madhe me dyer të hapura. Vinte era gjellësh.

-Ju lutem, – i thashë një vajzës së re kuzhiniere – a mund të afrohem pak tek vendi ku kaloni pjatat sa të shoh nusen, është një shoqja ime (gënjeva). Unë isha në punë turni i dytë dhe nuk pata kohë të vij e veshur si për dasmë. – Midis turmës së zallamahisë dasmore menjëherë pashë vetëm Korabin të veshur me një kostum bezhë të çelur. Dukej i gëzuar dhe i lumtur. Jepte e merrte duke falënderuar të ftuarit për urimet që i bënin. Edhe unë i urova me mendje shumë lumturi dhe ika.

U ktheva mbrapsht. Tani ecja rrugës në drejtim të shtëpisë. Çfarë kisha bërë? E kisha humbur përgjithnjë, nuk e kisha ditur. “E mbrëmje më mbrëmje / e dhembje më dhembje, / i mbusha hapësirat / me blegërima zemre”.

Nëpër rrugë vej e vinin njerëz që ktheheshin nga dasmat a të vonuar, të cilët shkonin në të tjera dasma. Një tufë djemsh me kitara e xhez kaloi përbri meje. U futa në hyrjen e apartamentit tim dhe fillova të ngjit shkallët.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency