Finalja e Kupës së Botës / Argjentina i falet Mesit, Gjermania shumë afër triumfit historik

0
140

Bardhekaltrit me në krye Mesin tentojnë që të marrin një fitore historike, ndërsa skuadra e Lëvit pas shumë përpjekjesh në kompeticionet e fundit do të luftojë të marrë kupën e katërt

 

Germany-vs-Argentina-2014-World-Cup-Final-In-Brazil-Wallpaper-300x187Sot luhet verdikti i fundit që përcakton mbretin e futbollit botëror. Përballë gjenden Gjermania dhe Argjentina. Dy ekipe të mëdha që kanë vite që shkruajnë historinë e këtij kompeticioni. Mirëpo, rastësia i solli të dyja skuadrat në një duel të madh midis tyre. Ndeshjet midis tyre ka qenë spektakolare dhe gjithmonë kanë dhuruar luftë të vërtetë sportive. Tashmë dueli është më i rëndësishëm, pasi të dyja skuadrat vuajnë prej shumë vitesh për trofe. Të dyja të pafata. Gjermania ka qenë më afër se latinët, por Italia dhe faktorë të tjerë kanë ndalur panterat në misionin e tyre. Kurse nga krahu tjetër bardhekaltrit mjafton të thuash që dy botëroret e fundit janë përballur me Gjermaninë dhe kuptohet inati që kanë ndaj kundërshtarëve të tyre. Argjentina vjen pas një gjysmëfinale të lodhshme ndaj Holandës, ku vetëm pritjet e mrekullueshme të Romeros iu siguruan kualifikimin. Ndërsa Gjermania vjen në këtë finale me moral të lartë pas eliminimit me rezultatin bombastik 7-1 që u bënë të zotëve të shtëpisë, Brazilit. Një etje e të dyja skuadrave që të dielën do të dyluftojnë për kupën më të lavdishme të botës së futbollit. Gjermania, 3 herë kampione e botës, përballet me Argjentinën, 2 herë kampione e botës. Skuadrat kombëtare të Gjermanisë dhe Argjentinës janë ndeshur 20 herë me njëra-tjetrën, ku Argjentina kryeson me 9 ndeshje të fituara kundrejt 6 fitoreve të gjermanëve, ndërsa 5 ndeshje janë mbyllur në barazim. Në takimet mes tyre janë shënuar 56 gola, me nga 28 gola për secilin ekip. Gjermania numëron 8 finale prej të cilave ka fituar 3, ka humbur 4 dhe i mbetet 1 për të luajtur. Asnjë ekip tjetër nuk ka arritur të shkojë kaq herë në finale. Argjentina trofeun e parë e ka fituar në vitin 1978, duke triumfuar me rezultatin 3-1 përballë Holandës, ndërsa të dytin në 1986 ndaj Gjermanisë me rezultatin 3-2.

 

 

Mustafi, shqiptari i parë që luan në finale

Në rast të një suksesi të Gjermanisë në finalen e “Brazil 2014”, atëherë në festën e skuadrës së Hoakim Lëvit do të ketë edhe një flamur shqiptar. Po flasim për mbrojtësin e kombëtares së “pancerave”, Shkodran Mustafi, i cili do të bëhej shqiptari i parë që ngjitet në majën e botës, pavarësisht se tashmë finalja për të është një iluzion i largët për shkak të dëmtimit. Gjithsesi, koha i dha të drejtë teknikut, pasi Mustafi rezultoi një zgjedhje e zgjuar, për shkak të dëmtimit që pësoi që në ndeshjen e parë mbrojtësi Humels. 22-vjeçari e zëvendësoi kapitenin e Borusias së Dortmundit në minutën e 78-të, duke dhuruar një paraqitje pozitive ndaj Portugalisë. Kjo ishte pika e kthesës për karrierën e lojtarit me origjinë nga Gostivari. Në përballjen e dytë kundër Ganës ai hyri sërish si zëvendësues, këtë herë në vendin e Boatengut, ndërsa në ndeshjen delikate të 1/8-ave, Mustafi u aktivizua titullar, por dëmtimi në minutën e 68-të ia prishi ëndrrën e Botërorit që u mbyll përfundimisht në atë ndeshje. Ai u zëvendësua nga Khedira, duke u detyruar të ngrinte flamurin e bardhë. Shqiptari qëndroi me kombëtaren, të cilën do ta shoqërojë edhe në mbrëmjen e Rio de Zhanejros, sepse ashtu si 23 djemtë e tjerë të Lëvit, edhe ai do të parakalojë në tribunën e “Maracana”-së me një medalje. Mustafi mund të bëhet shqiptari i parë kampion bote, por kjo nuk do të jetë hera e parë për flamurin kuqezi që ngjitet në maja të tilla, sepse më parë një arritje të tillë po me kombëtaren e Gjermanisë e ka regjistruar mesfushorja Fatmire Bajramaj. Kandidatja për “Topin e Artë” ishte pjesë e kombëtares gjermane në vitin 2007 kur u ngjit në majën e botës.

 

 

Ramalho: Guardiola ose Murinjo te stoli i Brazilit

Trajneri i Sao Paulos, Murisi Ramalho, mendon se Pep Guardiola dhe Hoze Murinjo duhet të jenë kandidatët potencialë për të zëvendësuar Luiz Felipe Skolarin në postin e trajnerit të Brazilit. Edhe ardhmja e përzgjedhësit aktual është e dyshimtë, pas humbjes turpëruese nga Gjermania, edhe pse ai nuk e ka në plan që të japë dorëheqje. “Futbolli ka të bëjë me të tashmë. Nëse nuk vjen një brazilian, atëherë duhet të vijë më i miri. Guardiola do të ishte preferenca ime ose Murinjo. Ne duhet të kemi një top-trajner, i cili ka autoritet. Një operues të mirë. Mes atyre dyve, do të zgjidhja Guardiolën. Megjithatë, varet nga Federata Braziliane e Futbollit. Ky është mendimi im dhe po e them”, – është shprehur tekniku i klubit brazilian.

 

 

Rodrigez: Te Reali shkoj symbyllur

Ylli kolumbian Rodrigez e ka bërë të qartë se dëshiron të kalojë te Reali i Madridit duke i nxitur “Los Blancos” që ta blejnë nga Monakoja. Kolumbiani ishte mbresëlënës gjatë Kampionatit Botëror dhe shumë klube duan ta transferojnë këtë verë, mirëpo ai vazhdimisht ka thënë se pëlqen të kalojë në “Santiago Bernabeu”. “Tani po shijoj pak pushimin pas Kampionatit Botëror. Mendoj se ka qenë shumë pozitiv për mua dhe Kolumbinë. Më pas do të ketë kohë dhe mundësi për të biseduar rreth transferimeve. Jam shumë mirë të Monakoja, por natyrisht që do të shkoja te Reali i Madridit, madje edhe symbyllur”, – ka deklaruar 22-vjeçari për “Marca”.

 

 

Napoli vihet në kërkim të Granit Xhakës

Napoli është një nga klubet e njohura evropiane që dëshiron mesfushorin shqiptar të Borusia Mynshengladbahut, Granit Xhakën. Mediat italiane shkruajnë se drejtuesit e Napolit dëshirojnë që mesfushën të forcojnë me reprezentuesin shqiptar të Zvicrës. Mesfushori prishtinas duket se gjatë tregut të kësaj verë do të largohet nga klubi gjerman, për të nisur një përvojë të re në futbollin evropian, transmeton “KP”. Xhaka, i cili përveç Napolit, kërkohet edhe nga disa klube tjera evropiane, tregoi performancë mjaft të mirë me Zvicrën në Kupën e Botës “Brazili 2014”. Napoli krahas Xhakës synon që në skuadrën të sjellë edhe Ruben Pardonin e Real Sociedadit.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency