Vrasja e Ilia Karelit/ Avokatët grekë takojnë familjarët, u kërkuan të tërhiqeshin nga çështja

0
113

Anxhela Tato

ilia kareli 2 Rrëfimi i kushëririt: Grekët këmbëngulën që familjarët të firmosnin një letër, ku binin dakord për dorëheqje, ofruan para

 Familjarët, në pritje të ekspertizës, ende asnjë informacion për autopsinë e zemrës

Vrasja makabre e Ilia Karelit, me sa duket, ka mbajtur në ankth palën greke, ku mësohet se vetëm para pak ditësh kanë mbërritur në Shqipëri avokatët e gardianëve nën akuzë. Familjarët rrëfejnë se mbrojtësit kanë udhëtuar në fshatin e viktimës, ku kanë kërkuar takim me njerëz të familjes së Karelit. Me një dokument në dorë ata u kanë kërkuar të firmosnin pranimin e pushimit të çështjes në këmbim të parave. Por asnjë nga familjarët e Karelit nuk ka pranuar që të shesë gjakun e djalit që u dhunua dhe iu mor jeta në formë brutale nga gardianët. Pavarësisht kundërshtimit të familjarëve avokatët kanë provuar në shumë forma për t’u ndryshuar mendjen familjarëve që të heqin dorë nga ndjekja e kësaj çështjeje dhe të mos bëjnë më zhurmë për zbardhjen e së vërtetës. Ndërkohë, në shtetin helen po vazhdon hetimi për fajësinë e secilit prej gardianëve, përfshirë këtu drejtuesin e burgut, ku për dy orë resht Ilia Kareli iu nënshtrua akteve të dhunës nga më barbarët dhe në fund u hodh si një qen në krevat, duke u lënë pa mjekim në mëshirën e fatin. Avokatët helenë janë të shqetësuar pas deklaratave të familjarëve, të cilët janë të vendosur që t’i shkojnë deri në fund kësaj çështjeje si dhe të gatshëm për të apeluar çdo lloj vendimi, i cili mund të dalë kundër rrjedhës së ngjarjeve. Familjarët kanë shprehur mungesën e besimin tek drejtësia greke si dhe faktin që do të ndjekin vetë nga afër procesin gjyqësor ndaj gardianëve.

 

Familjarët

Në një bisedë telefonike një nga kushërinjtë e Ilia Karelit rrëfen për vizitën e papritur nga avokatët grekë. Ai tregon se grekët, me sa duket, kanë interes që ta mbyllin sa më shpejt këtë çështje, duke i gjetur një zgjidhje dhe duke kërkuar dorëheqjen nga ana e familjarëve. “Erdhën në Shqipëri avokatët grekë të palës tjetër. Ata udhëtuan nga Greqia deri këtu tek ne që të takonin familjarët e Karelit. Mora vesh që u kishin dhënë një letër, ku u kërkonin që vetëm të hidhnin firmën. Përmbajtja e letrës, me sa kuptova, ishte që familjarët heqin dorë dhe kërkojnë pushimin e çështjes për krimin. Por askush nuk ka pranuar, pasi gjaku nuk falet. Madje ata kanë qenë të gatshëm që të jepnin edhe lekë për të mbyllur çdo gjë dhe për t’u hequr zërin familjarëve. Nuk i di dhe aq me saktësi dhe me detaje se çfarë kanë biseduar, por familjarët ishin shqetësuar për guximin e avokatëve për t’u trokitur në derë dhe për t’u mbyllur gojën në këmbim të parave. Ne jemi të gatshëm t’i shkojmë deri në fund kësaj çështjeje, që të dalë në dritë e vërteta dhe të merret vesh ajo që ka ndodhur, nuk mund të falet vrasja. Unë e kam ende para syve trupin e Karelit se si e kishin masakruar dhe ishte shumë tronditëse. Ndërkohë që nuk dimë ende se çfarë është bërë me ekspertizën. Vetëm jemi njoftuar për zemrën që ka ardhur dhe nisjen e analizave, por ende asgjë”, – tregon një nga kushërinjtë e Ilia Karelit.

 

Vrasja

Një video prej rreth 6 minutash tregon pamjet tronditëse të asaj që ka ndodhur në burgun grek të Nigritas, ku u torturua deri në vdekje shtetasi shqiptar Ilia Kareli. Pamjet tregojnë momentin ku ai zbret nga makina e policisë për në burgun e Nigritas, ku e presin 10 zyrtarë të policisë. Në korridorin e burgut një prej zyrtarëve shfaqet shumë armiqësor ndaj tij. Në këto momente ndërhyn dhe drejtori i burgut, i cili përpiqet të qetësojë situatën. Ky është momenti që bëhen dhe fotografitë e para të Karelit. Kareli më pas shoqërohet në atë që konsiderohet si qelia frigorifer që është në fillim të korridorit të burgut. Ai do të qëndrojë aty deri sa të bëhet gati qelia e tij. Fotografi bën gati vendin ku do të shkrepen fotografitë. Në këto pamje duket se Kareli nuk ka marrë goditje të forta, pasi ai qëndron ende në këmbë. Gardianët e pranishëm janë në turn, por ka dhe disa që janë thërritur posaçërisht për të shoqëruar Karelin. Janë tetë gardianët që hyjnë në qelinë frigorifer ku ndodhet ende Ilia Kareli dhe ku rrihet barbarisht për 30 minuta pas largimit të drejtorit nga korridori. Ky i fundit u drejtohet tetë gardianëve që hyjnë në qelinë frigorifer se kush është burrë mund ta godasë, por më pas duhet ta pranojë që e ka bërë. Ky është dhe momenti ku nis dhe torturimi deri në vdekje i Karelit.

 

Pamjet

Në video duket edhe drejtori i burgut të Nigritas, i cili është në mesin e gardianëve që shoqërojnë Karelin përpara se ai të dhunohej për vdekje nga 15 prej tyre. Madje, vetë drejtorit i burgut i bën me shenjë gardianëve për ta futur fillimisht Karelin në dhomën e torturave. Më tutje dalin disa oficerë trupë mëdhenj, të cilët futen në dhomën ku indikonte drejtori. Kareli ka mbërritur në burgun e Nigritias rreth orës 16:00 të 27 prillit, është mbajtur në ambientet e korridorit të burgut, ku dhe është fotografuar, dhe nga ky moment për më shumë se dy orë është torturuar në “dhomën e frigoriferit”. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar të gjitha lëvizjet në korridor të gardianëve të cilët futen dhe dalin nga “dhoma e frigoriferit”. Dyshohet se është shfrytëzuar pikërisht kjo dhomë për të kryer torturat makabre ndaj Karelit, për faktin se nuk monitorohet nga kamerat. Pamjet dokumentojnë akuzat e ngritura nga prokuroria greke për gardianët, atë të ushtrimit të dhunës me batanije të lagura. Kamerat shfaqin momentin kur një gardian hyn në dhomën e torturave duke tërhequr një batanije. Pas 2 orë e gjysmë goditjesh e torturash ndaj të dënuarit shqiptar, tortura të cilat i shkaktuan vdekjen vetëm disa orë më pas, Ilia Kareli është transferuar në qeli. Kur ora shënon 18 e 30 minuta shfaqen torturuesit të cilët tërheqin zvarrë Karelin për ta çuar në qelinë e tij. Pamjet janë të tmerrshme. Dhoma e torturave dhe qelia ndodhen në të njëjtin korridor, dhe në momentin e transferimit në qeli, duket edhe pafuqia e Karelit për të ecur vetë në këmbë, teksa mbahet nga gardianët, pa kanatieren e zezë me të cilën erdhi në burg dhe me pantallonat që janë gati duke i rënë. Kareli më tej është lënë në qeli i zhveshur. Pas rreth 1 orë, në 16 e 25 minuta një gardian hyn në qeli për të sjellë ushqimin, teksa Kareli dergjet i shtrirë dhe i palëvizur, ushqim të cilin i dënuari shqiptar edhe pse e kishte kërkuar, nuk mundi ta shijonte për shkak se ndërroi jetë nga dhuna makabere ndaj tij. Në fund, në mesnatë, në kamera shfaqet një barelë e cila hyn në qelinë e Karelit, për të marrë trupin e pajetë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency