Parandalohet vrasja/ I tërheq gruas fëmijën nga dora, tenton ta qëllojë me thikë

0
135

 Anxhela Tato

dhuna (1)Policia: Banorët ndërhynë duke shpëtuar E. Çifligun, i morën të miturin autorit dhe e qëlluan

 Fatos Çifligu, i skeduar për dhunë në familje, padia nga gruaja në vitin 2012 në Gjykatë për lëshim urdhër mbrojtjeje

Xhelozia dhe fiksimi janë motivi i një tentative vrasjeje të ndodhur në orët e pasdites në një lagje të populluar, në prani të kalimtarëve dhe të tregtarëve të zonës. I errur nga gjykimi dhe në kulmin e gjaknxehtësisë, Fatos Çifligu i ka rrëmbyer fëmijën nga dora gruas, duke nxjerrë thikën për ta qëlluar. E tmerruar shtetasja me inicialet E. Çifligu është mundur t’i shmangte goditjet duke bërtitur me të madhe. Fatmirësisht në ato momente kanë ndërhyrë tregtarë të tezgave, të cilët i kanë tërhequr fëmijën nga dora autorit, duke e qëlluar me shkelma dhe grushte. I trembur dhe i hutuar nga reagimi i menjëhershëm autori është munduar të largohet, por është parandaluar nga blutë, të cilët për pak minuta e kanë vënë në pranga. Fatos Çifligu është shoqëruar në komisariat, ku i është nënshtruar marrjes në pyetje nga oficerët. Bëhet me dije se ndaj tij mund të ngrihet akuza e tentativës së vrasjes dhe kanosjes. Sipas policisë, ka dyshime se raporti në çift ka qenë shumë i acaruar, pasi të dy jetonin të ndarë në një banesë, por jo ligjërisht. Mësohet se autori është një personazh i dhunshëm, ndaj të cilit disa herë bashkëshortja ka bërë denoncim në polici. Madje, rezulton edhe një kërkesë për lëshim urdhër mbrojtje në gjykatë në vitin 2012. Por vetë denoncuesja nuk është paraqitur kurrë në gjyq, ndërsa Fatos Çifligu është proceduar në mungesë. Mesa duket banesa në të njëjtën çati ka bërë që E. Çifligu të ketë qenë nën presionin e bashkëshortit, duke pasur frikë të ishte prezentë në gjykatë. Në lidhje me këtë episod zbulohet se gruaja kishte përfituar një urdhër mbrojtje në polici, i cili kishte skaduar. Viktimë e abuzimeve dhe dhunës fizike e psikologjike ajo i është drejtuar gjykatës, por kurrë nuk ka ardhur në gjyq, duke detyruar togat e zeza që ta pushojnë çështjen dhe të rrëzojnë kërkesën për lëshim urdhër mbrojtjeje. Me sa duket, çiftit ka gjetur zgjidhje jetesën e ndarë në të njëjtën banesë, çka ka sjellë shpesh herë probleme, konflikte dhe dhunë.

 

Pjesë nga vendimi

“Paditësja E. Çifligu dhe i padituri Fatos Çifligu janë banorë të Bashkisë Tiranë. Nëpërmjet komisariatit të policisë nr. 6 Tiranë, paditësja ka paraqitur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë me shkresën nr. 5410 prot. të datës 9.10.2012, kërkesë padinë me të cilën kërkon lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, kundër të paditurit Fatos Çifligu, bashkëshorti i saj. Nga shqyrtimi gjyqësor në fazën e verifikimit të palëve ndërgjyqëse rezultoi se: Me vendimin nr 17461 të datës 11.10.2012 është vendosur lëshimi i urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes për paditësen Etleva Çifligu kundra të paditurit Fatos Çifligu me të gjitha opsionet e kërkuara nga paditësja në referim të ligjit nr. 9669, dt. 18.10.2006 “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare ”, vendimi i cili i është komunikuar Brenda afatit të parashikuar nga ligji i sipërcituar palëve dhe organeve të caktuara për zbatimin e këtij ligji. Paditësja E. Çifligu megjithëse ka dijeni rregullisht sipas ligjit për gjykimin, orën, datën dhe vendin e tij nga séanca e datës 11.10.2012 nuk u paraqit pa paraqitur ndonjë shkak të arsyeshëm. I padituri nuk u paraqit në gjykim. Në këto kushte në mbështetje të nenit 179 te K. Pr. Civile ku parashikohet: “Nëse paditësi ose asnjë nga palët, pa ndonjë shkak të arsyeshëm, nuk paraqiten si në veprimet përgatitore ashtu edhe në seancën gjyqësore, dhe rezulton se kanë dijeni rregullisht, gjykata apo gjyqtari i vetëm vendos pushimin e gjykimit”. si dhe në referim të nenit 299/c të K. Pr. Civile ku parashikohet “Gjykata vendos pushimin e gjykimit kur:.. c) Pushimi i gjykimit parashikohet shprehimisht në ligj. “Gjykata çmon se duhet të vendose pushimin e gjykimit të kësaj çështje civile, pasi subjekti procedurale i cili ka vënë në lëvizje Gjykatën nuk është paraqitur edhe pse ka marrë dijeni rregullisht sipas ligjit, duke mos parashtruar ndonjë shkak të arsyeshëm”.

 

 

Tiranë/ Gjendet i mbytur tek Liqeni 40-vjeçari, nisin hetimet

 Një i ri është gjetur i mbytur në Liqenin Artificial në Tiranë. Kanë qenë kalimtarët ata që kanë parë trupin e 40-vjeçarit dhe kanë njoftuar policinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë dhe polumbarët, të cilët kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit të viktimës. Viktima është i seksit mashkull, i moshës 40 vjeç, ndërsa po punohet për identifikimin e viktimës dhe rrethanave të ngjarjes.

 

Inspektimi ndaj policisë/ Në krye të detyrës në gjendje të dehur, procedim 8 efektivëve

 Drejtoria e Inspektimit përfundon kontrollin 2-javor në vendet ku kryejnë shërbim punonjësit e policisë në Tiranë. Në fund të inspektimit mësohet se nga kjo zyrë i është dërguar informacion ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe rastet i janë referuar Drejtorisë së Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë për marrjen e masave administrative për punonjësit e kapur keq në shërbim. Bëhet fjalë për 3 efektivë policie të cilët janë konstatuar me përdorim alkooli në shërbim, 3 të tjerë janë kapur në gjumë deri në 2 raste të referuar për faktin se punonjësit e policisë nuk mbanin kapele në shërbim. Lajmi konfirmohet edhe nga Drejtoria e Standardeve, sipas të cilës ka nisur procesi i masës disiplinore por ende nuk është konkluduar me masë konkrete.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency