Në Durrës/ Basha: Krimi dhe dhuna kanë pushtuar shtetin, të ngrihemi për të ndalur të keqen

0
110

Gëzim Saliu

Basha ne durres “I marri paralajmëroi dhunën me frazën “prisni se nuk keni parë asgjë akoma””

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha,u bën thirrje qytetarëve shqiptarë që të ngrihen e të reagojnë ndaj së keqes të përfaqësuar nga dhuna dhe krimi në Parlament. Nga Durrësi, ku mori pjesënë kuvendin zgjedhor të demokratëve të këtij qyteti, Basha theksoi se Partia Demokratike ka dëshmuar në këto 24 vite se ia ka dalë të triumfojë ndaj të keqes e në këtë kontekst, theksoi ai,edhe këtë herë do të arrijë ta ndalë kërcënimin që po i bëhet të tashmes dhe të ardhmes së vendit nga Rilindja e së keqes. “Nga realiteti evropian që kishim ndërtuar dhe donim të përparonim, tani duan ta përballin Shqipërinë me realitet oriental sirian. Tani është koha të reagojmë. Tani është koha t’i themi ndal së keqes dhe të çohemi të gjithë për ta ndalur atë para se e keqja të triumfojë. I përkasim qytetërimit evropian që nuk mund të përfaqësohet para botës me këtë pakicë mendjesh të sëmura mesjetare. Nuk duhet të lejojmë të keqen të pushtojë të tashmen, të pushtojë të ardhmen, të pushtojë vendin e fëmijëve tanë. Misioni ynë dhe i çdo atdhetari është t’u kthejmë shqiptarëve normalitetin”, – deklaroi kreu i PD-së.

 

Rasti i Strazimirit

Duke u ndalur në incidentin e ndodhur në Kuvend dhe agresionit ndaj deputetit demokrat Gent Strazimiri, kryedemokrati tha se kjo ishte një tentativë e mazhorancës për ti mbyllur gojën opozitës. Sipas Bashës, ky sulm i bëhet fjalës së lirë dhe interesave të shqiptarëve që nuk përfaqësohen më në Parlament, pasi, theksoi ai, ky i fundit është kthyer në strehë të krimit, ashtu si edhe nivele të larta të administratës.“Dhuna dhe krimi kanë pushtuar sheshet dhe politikën. 300 ditë më parë filloi e keqja me rrënimin e policisë, vazhdoi me rrënimin e ekonomisë, vazhdoi me rrënimin dhe kapjen e institucioneve, me narkotrafikun, me dhunën dhe vulgaritetin kryeministror, me vrasjet mafioze dhe eliminimet e elitës sipërmarrëse. E keqja nuk po ndalet.300-ditëshi i dytë filloi me agresionin e krimit politik ndaj opozitës në parlament, agresionin ndaj fjalës së lirë, agresionin ndaj interesave të shqiptarëve. Prisni se nuk keni parë asgjë, paralajmëronte i marri nga foltorja e Kuvendit sepse e dinte destinacionin, e njihte mirë patologjinë e tij, urrejtjes e mllefit ndaj kundërshtarit”, -u shpreh kreu i PD-së.

 

Jo sherr, goditje deputetit të PD-së/ Paloka: Nëse Rama nuk ndal dhunën ndaj opozitës, do ketë përplasje të rrezikshme

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, akuzon Kryeministrin Rama për përgatitjen e një strategjie për t’i mbyllur gojën opozitës. Duke iu referuar rastit të deputetit Strazimiri, ligjvënësi demokrat tha se kreu i qeverisë paralajmëroi deputetët e opozitës që mos guxojnë tëshajnë mazhorancën pasi në të kundërt, theksoi ai, do të ketë përgjigje përmes dhunës. “Nuk ka pasur sherr mes deputetëve, por ka pasur goditje ndaj deputetit demokrat. Kur goditet me urdhër një deputet, nuk mund të flitet për sherr në Kuvend. Kemi një strategji të qartë, akti i djeshëm është vetëm një nga rezultatet e kësaj strategjie. Një njeri si Rama këta njerëz i merr dhe i fut në parlament për t’i përdorur për këta qëllime. Nëse dikush flet kundër Ramës, e ngre zërin më shumë seç duhet i ndodh ajo që i ndodhi Strazimirit. Unë kam frikë se me këtë rrugë, nëse Rama nuk ndalet, kam frikë se ky vend mund të shkojë në përplasje shumë të rrezikshme”, – tha Paloka për “News 24”, duke shtuar se opozita është e bindur se incidenti i ndodhur dy ditë më parë në Kuvend është urdhëruar nga kryeministri Rama. “Ka emëruar në strukturat e antidrogës emëruar njerëz të dënuar për drogë, në strukturat e antikontrabandës emëron njerëz të dënuar për kontrabandë. Jemi kthyer si në kohën pas ‘97, ku opozita rrihej e burgosej. Edhe në atë kohë pati tënjëjta gjëra, derisa u vra Azem Hajdari, më pas ra situata. Unë nuk dua të ketë një 14 shtator për ti treguar vendin Ramës, por edhe një herë po them nëse ky zotëri nuk ndalohet unë nuk e di se ku do të shkohet”, – theksoi deputeti demokrat. Më tej, ai bëri të ditur se masa e marrë nga Byroja e Kuvendit ndaj deputetëve të përfshirë në incident nuk asnjë rëndësi, kur kemi të bëjmë, sipas tij, me një strategji të qartë dhune. “Lufta për të marrë institucionet e koordinuar me angazhimin e njerëzve kriminale në administratë, blerja e votave kanë të gjitha lidhje me njëra-tjetrën. Ai po bën një reformë territoriale me qëllime elektorale. Ai po vë në rrezik zgjedhjet”, – u shpreh kreu i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka.

 

 Reagimi/ PD: Rama ka ngritur strukturë dhune me deputetë të inkriminuar

Partia Demokratike ka denoncuar dje goditjen e deputetit Strazimiri, duke akuzuar Kryeministrin Rama se në Parlament ka futur persona të lidhur me krimin. Në një deklaratë nga selia blu zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi, tha se Rama po përdor deputetë më të kaluar kriminale për të kërcënuar opozitën. “Gjatë një debati për sigurinë në vend deputeti demokrat Gent Strazimiri denoncoi gjendjen e rendit dhe depërtimin e krimit në strukturat më të larta të shtetit duke përfshirë parlamentin. Me urdhër të Edi Ramës, deputetja Xhaçka i kërkon Strazimirit të përmendë emrat e deputetëve të inkriminuar.Deputeti Strazimiri iu përgjigj deputetes Xhaçka duke i thënë se kishte mirëkuptim të plotë për detyrën që i kishte ngarkuar Edi Rama me sms, dhe se problemi nuk qëndronte tek ajo por tek shefi i saj.Dhe menjëherë pas kësaj, Edi Rama urdhëroi Arben Ndokën dhe Pjerin Ndreun të agresonin fizikisht deputetin Strazimiri”, – tha Vorpsi. Më tej, PD denoncoi ngritjen e infrastrukturës së dhunës në parlament për të goditur dhe kërcënuar deputetët e opozitës, sa herë që ata mbajnë qëndrime që nuk i pëlqejnë kreut të qeverisë.“Edi Rama është personi që ka projektuar futjen në parlament të deputetëve me të kaluar kriminale për t’i përdorur si kërcënim ndaj fjalës së lirë, si kërcënim ndaj opozitës.Menjëherë pas ngjarjes së djeshme, Edi Rama legjitimoi dhunën ndaj deputetit demokrat, duke thënë se kush denoncon, do të goditet fizikisht. Partia Demokratike është më e vendosur se kurrë që në emër të interesave të qytetarëve të këtij vendi, në emër të të së ardhmes evropiane të Shqipërisë, të vazhdojë çdo ditë betejën për të denoncuar publikisht me fakte e argumente, lidhjet kriminale të qeverisë, dhe të dyshes Rama-Meta”, – përfundoi deklaratën e saj, zëdhënësja e selisë blu.

 

Zgjedhjet në PD/ Në Vlorë fiton Meminaj, balotazh në Durrës, vendoset nesër për kryetarin e ri

Në votimin e dytë në degën e Vlorës, pas balotazhit të dy ditëve më parë, është zgjedhur kryetar i ri Moisi Meminaj duke marrë 260 vota kundrejt 170 votave të marra nga Valbona Mezini. Në votimin e djeshëm kanë marrë pjesë 434 nga 480 delegatë të PD-së së Vlorë, ku procesi i djeshëm i votimit u mbikëqyr nga i dërguari nga qendra, koordinatori Enkelejd Alibeaj. Ndërkaq, zgjedhja e kryetarit të ri të PD-së së Durrësit ka përfunduar në balotazh mes kandidatëve Osman Tafa dhe Ardian Muka. Në votimin e djeshëm ku morën pjesë 504 delegatë dhe 6 kandidatë, kandidati Stafa arriti të merrte 209 vota e ndërsa kandidati Muka mori 185 vota. Por asnjë nga kandidatët nuk mori më shumë se 50% të votave, duke bërë që procesi të shkojë në balotazh. Demokratët e Durrësit do t’i drejtohen sërish kutive të votimit ditën e nesërme për të zgjedhur kreun e ri të degës së këtij qyteti.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency