Tre zonat pilot/ Ndihma ekonomike, ja sa do të përfitohet, procedura e plotë e aplikimit

0
197

Driçim Çaka

ndihma ek lekeTiranës, Durrës, Elbasan, publikohen shifrat. Publikohet udhëzimi, për në tri zonat pilot, ndihma ekonomike jo më shumë se 8 mijë lekë

Kategoritë e veçanta, masa e përfitimit për çdo anëtar të familjes

 Prej disa vitesh qeveria po teston në tri zona pilot skemën e re të ndihmës ekonomike. Konkretisht në Tiranë, Durrës dhe Elbasan ka një skemë të re aplikimi, e cila do të provohet për 2-3 vjet më pas do të zgjerohet në të gjithë vendin. Udhëzimi më i fundit i Ministrisë së Mirëqenies Sociale, përcakton masën e përfitimit për çdokënd që do të marrë ndihmë ekonomike. Po kështu është përcaktuar dhe mënyra e aplikimit për të gjitha kategoritë, duke filluar që nga familjet pa të ardhura deri te viktimat e dhunës në familje.

 

Sa do të përfitohet

Pavarësisht nga përbërja e saj, masa maksimale e plotë e ndihmës ekonomike për familjen nuk mund të jetë më e lartë se 8 000 lekë në muaj.

Masa e ndihmës ekonomike, në muaj, për prindërit e fëmijëve të lindur:

-trinjakë, është 3 000 lekë për çdo fëmijë.

-katërnjakë, është 4 000 lekë për çdo fëmijë.

-pesënjakë, është 5 000 lekë për çdo fëmijë.

-Masa e ndihmës ekonomike për viktimat e trafikimit është 3 000 lekë në muaj dhe përfitohet pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore, deri në çastin e punësimit të tyre.

-Masa e ndihmës ekonomike për viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesjes shoqërore, është 3 000 lekë në muaj. Kjo ndihmë ekonomike përfitohet gjatë periudhës së vlefshmërisë të urdhrit të mbrojtjes ose urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, të përcaktuar në vendimin e gjykatës.

-Masa e ndihmës ekonomike për familje llogaritet:

-1800 lekë, për anëtarin e parë të familjes sipas renditjes në certifikatën familjare;

-1260 lekë, për anëtarët e tjerë të familjes mbi moshën 18 vjeç.

-900 lekë për anëtarët që janë në dhe nën moshën 18 vjeç.

-Për rastet kur familja e përzgjedhur për të përfituar ndihmë ekonomike, është e përbërë vetëm nga një anëtar, i cili është mbi moshë pune, masa e ndihmës ekonomike është 2.600 lekë.

 

Aplikimi

Familjarët dhe individët në qarkun e Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit mund të aplikojnë për ndihmë ekonomike përmes administratorëve shoqërorë në njësitë e pushtetit vendor në të cilën ata janë të regjistruar brenda 10 ditëve të para të muajit. Aplikojnë për ndihmë ekonomike kryefamiljari dhe bashkëshortja e kryefamiljarit, të cilët plotësojnë dhe nënshkruajnë aplikimin për familjen. Bashkëshortja është përgjegjëse për tërheqjen dhe marrjen në dorëzim të përfitimit të ndihmës ekonomike. Kryefamiljari dhe bashkëshortja e kryefamiljarit mund të plotësojnë aplikime të veçanta nëse ata janë në proces zgjidhjeje të martesës së tyre. Kryefamiljarët e familjeve pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme, ose prindërit e fëmijëve me më shumë se dy fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë, në muajin e parë të pretendimit për ndihmë ekonomike, duhet të paraqesin pranë administratorit shoqëror:

– Certifikatë familjare në lidhje me regjistrin familjar për të gjithë ata të cilët janë pjesë e gjendjes familjare të njëjtë

– Certifikatë pronësie, nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ose aktin e marrjes së pronësisë ose përdorimit të tokës (të drejtën e pronësisë së tokës) për zonat ku nuk ka përfunduar ende regjistrimi i pronësisë.

Për familjet kur kryefamiljarët janë në proces ndarje duhet të paraqesin edhe vërtetim nga gjykata, që vërteton se kryefamiljari dhe bashkëshortja, të cilët po aplikojnë veçmas njëri nga tjetri për ndihmë ekonomike, janë në një proces të zgjidhjes së martesës dhe akoma nuk ka një vendim të formës së prerë.

 

Jetimët

Individët që kanë marrë statusin e jetimit që nuk jetojnë në institucionet e përkujdesjes në muajt e parë të pretendimit për ndihmë ekonomike, duhet të paraqesin pranë administratorit shoqëror:

-Certifikatën familjare

-Një kopje të noterizuar të statusit të jetimit

-Vërtetim si punëkërkues i papunë, të lëshuar nga zyra e punës, për jetimët mbi moshën 18 vjeç.

 

Prindërit me shumë fëmijë

Prindërit me më shumë se dy fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë në muajin e parë të pretendimit për ndihmë ekonomike, duhet të paraqesin pranë administratorit shoqëror:

– Kërkesë për t’u trajtuar me ndihmë ekonomike si 3, 4, 5-njakë

– Certifikatë familjare që vërteton lindjen e fëmijëve 3, 4, 5-njakë

– Verifikimi social-ekonomik i familjes nga administratori shoqëror, që është familje në nevojë.

 

 

Viktimat e trafikimit dhe dhunës në familje

 Viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore, deri në çastin e punësimit të tyre në muajin e parë të pretendimit për ndihmë ekonomike, duhet të paraqesin pranë administratorit shoqëror:

-Certifikatën individuale

-Fotokopjen e kartës së identitetit

-Vërtetimin e trajtimit në institucionet e përkujdesjes shoqërore, të lëshuar brenda 30 ditëve të fundit.

Viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare, që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesjes shoqërore, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes në muajin e parë të pretendimit për ndihmë ekonomike, duhet të paraqesin pranë administratorit shoqëror:

-Certifikatën familjare

-Urdhrin e mbrojtjes ose urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes

-Fotokopje të kartës së identitetit të aplikuesit.

Aplikuesit duhet, gjithashtu, të shoqërojnë aplikimin e tyre me një fotokopje të kartës së identitetit të aplikuesit dhe një fotokopje të kartave të identitetit të anëtarëve të tjerë të familjes, të cilët kanë kartë identiteti. Për familjet me persona me aftësi të kufizuar, një kopje/fotokopje e vendimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë për familjet e përbëra nga persona invalidë të punës apo persona me aftësi të kufizuar, të cilët marrin pagesë paaftësie.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency