Propozimi, gjuha shqipe lëndë në shkollën e mesme

0
151

mesimKryesia e Këshillit Ndërakademik të gjuhës shqipe ka kërkuar që gjuha të mësohet gjatë triviteve në shkollat e mesme përmes një programi dhe teksti të ri. Ky vendim ka ardhur pasi gjatë ciklit nëntëvjeçar nxënësit e kanë të pamundur të mësojnë mirë të gjitha nënsistemet e gjuhës shqipe standarde.

Ndaj është propozuar rritja e orëve të gjuhës shqipe në sistemin bazë arsimor. Profesorët e gjuhës shqipe thanë se në vitet e para të ciklit nëntëvjeçar duhet t’i jepet përparësi mësimit të gjuhës shqipe standarde dhe t’i jepet një rëndësi të veçantë leximit të letërsisë artistike.

 

Propozimet e Këshillit Ndërakademik

1. Meqë cikli nëntëvjeçar nuk po arrin dot t’ua mësojë mirë nxënësve të gjitha nënsistemet e shqipes standarde, si në të shkruar ashtu edhe në të folur, propozohet që gjuha shqipe në planin mësimor të shkollës së mesme të jetë lëndë e veçantë, e ndarë nga letërsia, dhe të jepet provim pjekurie në përfundim të shkollimit parauniversitar.
2. U miratua propozimi që në të gjitha shkollat e mesme të të gjitha profileve lënda e gjuhës të mësohet gjatë tri viteve, me një program të ri dhe me tekste të reja.
3. U mbështet propozimi që në vitet e para të ciklit nëntëvjeçar (cikli fillor) në mësimin e gjuhës shqipe t’i jepet përparësi anës praktike, zotërimit të standardit, bashkë me leximin; në vitet në vazhdim të ciklit nëntëvjeçar (klasa VI-IX) dhe në ciklin e shkollës së mesme gjuha të mësohet në aspektin teorik, por, krahas kësaj, t’u jepet rëndësi e veçantë leximit të letërsisë artistike dhe punëve me shkrim, hartimeve e diktimeve.
4. U arrit përfundimi që planet e programet në fakultetet e mësuesisë, përfshirë ato të gjuhëve të huaja e fakultetet që përgatisin edukatorë për institucionet parashkollore, si dhe në fakultetet e gazetarisë, ka nevojë të rishikohen, duke u dhënë shtrirje më të gjerë lëndëve kryesore të gjuhës së sotme, si leksikologjia, morfologjia, sintaksa. Mendohet që përvetësimi i drejtshkrimit duhet të përfundojë në shkollimin parauniversitar. U propozua që lënda Kulturë gjuhe të përfshihet në programet e universiteteve, në radhë të parë në fakultetet e mësuesisë, të gazetarisë, të gjuhëve të huaja, të arteve, të drejtësisë, të mjekësisë etj., me synimin e zotërimit sa më të mirë të normës leksikore, gramatikore, stilistike e terminologjike në funksion të komunikimit sa më të plotë.
5. U pa e arsyeshme të kërkohet për t’u zbatuar nga institucionet përkatëse:
– rritja e orëve mësimore për lëndën e gjuhës në ciklet nëntëvjeçare
– reduktimi i normës mësimore për mësuesit e gjuhës
– mësimi i gjuhës shqipe në ciklet parauniversitare, nëpërmjet teksteve e mësuesve, sipas koncepteve teorike e terminologjike bashkëkohore;
– trajnimi i mësuesve të gjuhës në kurse periodike katërvjeçare
– hartimi i teksteve për fëmijët e emigrantëve sipas një politike në ndihmë të emigracionit;
6. Përgatitja e gjuhës shqipe në universitete duhet të jetë përparësi e arsimit universitar, ndërsa mësimdhënës i lëndës së gjuhës dhe të letërsisë shqipe në nivelet e ulëta e të mesme nuk mund të jetë askush që nuk ka, së paku, 180 kredite (ECTS) të lëndëve profesionale sipas plan-programeve të shkollave përkatëse. Ndonëse nismat për përmirësimin e cilësisë në arsim kanë propozuar shtimin e komponentit didaktik, kujtojmë se kompetenca gjuhësore është parakushti themelor për mësimdhënie cilësore.
7. Albanologjia, me shqipen në veçanti, duhet të jetë përparësi e investimeve shkencore të qeverive përkatëse. Përqindje të konsiderueshme të investimeve për shkencë e kërkime shkencore duhet të jepen për projekte që lidhen me albanologjinë. Duhet të ngrihet departament i veçantë për gjuhën shqipe (përdorimet, terminologjitë, përshtatjet me standardet evropiane, ku po synojmë të integrohemi) në kuadër të ekzekutivit (mbase brenda Ministrive të Arsimit a të Kulturës).
8. Në shkolla t’i kushtohet vëmendje diversitetit kulturor e begatisë dialektore të shqipes, në mënyrë që të mos krijohet hapësirë për stigmatizim të cilitdo varieteti të shqipes.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency